Kriza e territoreve shqiptare gjatë luftërave ballkanike, provokim i dy fuqive të mëdha të Adriatikut! - Bota Sot
Kriza e territoreve shqiptare gjatë luftërave ballkanike, provokim i dy fuqive të mëdha të Adriatikut!

Historia

Kriza e territoreve shqiptare gjatë luftërave ballkanike, provokim i dy fuqive të mëdha të Adriatikut!

Nga: Sami Arifi Më: 29 tetor 2018 Në ora: 10:52
Sami Arifi

Me shpërthimin e  luftërave ballkanike, vie deri te kriza e territoreve shqiptare, krizë kjo që ka  mundur ta binte fare lehtë shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, meqë në këto kriza provokohen dy Fuqitë e Mëdha të Adriatikut, Austro-Hungaria dhe Italia.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike nga monarkitë ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë si dhe të Greqisë) u provokuan dy Fuqitë e Mëdha të Adriatikut, Austro-Hungaria dhe Italia. Pra, monarkitë e reja kishin qëllim synimin e copëtimit të trojeve shqiptare, ato (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia) të gjitha të përkrahura dhe të ndihmuara nga Rusia, acaruan marrëdhëniet ndërkombëtare deri në pikën e vëlimit dhe kështu e sfiduan diplomacinë evropiane në tri kriza ndërkombëtare.

Këto kriza ndryshe mund të quhen edhe si kriza shqiptare, nga se luftërat u zhvilluan për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Kriza u ashpërsua sidomos në muajt nëntor-dhjetot të vitit 1912, ishte e njohur si Kriza e Adriatikut, pra, kriza e parë që lidhej me çështjen e daljes së Serbisë në Adriatik nëpërmjet trojeve shqiptare.

Kriza e dytë ishte ajo e Shkodrës që eskaloi sidomos në muajt mars-maj të vitit 1913, në të cilën lidhej çështja e ndërprerjes së rrethimit të Shkodrës nga ushtritë serbo-malazeze, krizë kjo më vonë edhe e evakuimit të qytetit të Shkodrës nga ushtria okupuese malazeze; dhe së fundi kriza e tretë që lidhej me kryengritjen shqiptare të shtatorit të vitit 1913 dhe me detyrimin e Serbisë, nga Austro-Hungaria, për tërheqjen e ushtrisë së saj (Serbisë) nga Shqipëria, tërheqje kjo që ishte e obliguar edhe sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Për çështjen e Shkodrës, Austro-Hungarisë iu desht të shpallte mobilizim për luftë ndaj Malit të Zi dhe ta detyroi atë (Malin e Zi) të braktiste Shkodrën.

Kriza e tretë ishte ajo që provokoi Serbia në tetor të vitit 1913 duke depërtuar ushtarakisht deri në Durrës, duke nxjerrë si shkak “kinse” shpagimin ndaj grabitjeve të shqiptarëve në territorin serb, me çrast për tërheqje të saj (Serbisë), Austro-Hungaria i dërgoi ultimatum në afat tetë ditor Serbisë që të tërhiqej nga Shqipëria, kjo njëherit ishte edhe pretekst i hapur për luftë botërore, meqë ky ishte ultimatumim i dytë pas disa muajsh ndaj provokimeve serbe.

Gjermania tashmë ishte krejtësisht në përkrahje të Austrisë në favor të luftës “o tash o kurrë” se ne, më në fund, duam rregullin dhe qetësinë atje.

Tërheqja e Serbisë, edhe nën presionin e Antantës (Rusisë, Francës dhe Anglisë), duke e parë Antanta përgatitjen e mobilizimit të Austro-Hungarisë për ndërhyrje, shmangu një luftë të tillë. Çështja shqiptare u bë një çështje ndërkombëtare që preokupohej me muaj në tërë kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Pra, pa ndërhyrjen e Austro-Hungarisë nuk do të shqyrtohej çështja shqiptare, po, ajo do të bëhej plaçkë lufte e fuqive ballkanike dhe askush s’do të ishte  e interesuar për fatin tragjik që do të pësonte i gjithë populli shqiptar.

Pa përkrahjen e ndonjë Fuqie për shqiptarët, siç ishte Austro-Hungaria, vështirë se do të realizohej pavarësia e Shqipërisë, meqë akte të tilla të ngritjes së flamurit nga shqiptarët për pavarësi kishte edhe më parë, por që ato akte mbetën të kota. Pra, ishin austriakët ata që organizuan dhe e ndihmuan pavarësinë e Shqipërisë dhe që e kërcënuan Greqinë të mos pushtonte Vlorën, për të vetmën arsye, vetëm që të ruante qeverinë që u ngrit atje se; nëse nuk do të ndodhte ky kërcënim i austriakëve ndaj grekëve, vështirë se do të egzistonte qeveria e Vlorës.

Dhe së fundi, mund të themi se, pavarësia e një vendi nuk është vetëm ngritja e një flamuri, por edhe bindja e faktorëve ndërkombëtar me të gjitha llojet e mjetet, që ta ndihmojnë dhe ta njohin atë pavarësi, pra luftërat ballkanike ishin copëtim i territoreve shqiptare dhe provokim i dy  Fuqive të Adriatikut që krijoi krizë, në të cilën Krizë u formua shteti shqiptar pa gjysmën e trojeve të veta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test