Skënderbeu mes mitologjisë dhe realitetit

Opinione

Skënderbeu mes mitologjisë dhe realitetit

Nga: Abdi Baleta Më: 25 janar 2009 Në ora: 13:49

Në themel të reagimeve kundër librit të Shmitit qëndron mllefi i atyre që nuk kanë si ta përdorin lirshëm librin që të riformatojnë imazhin dhe vlerat e luftërave të Skënderbeut në përputhje me tezat se shqiptarët duhet të kenë tani vetëm dy përparësi politike e mendimore: lidhjet e ngushta vetëm me botën perëndimore dhe konvertimin e myslimanëve shqiptarë në katolikë. Madje këtë nuk arrijnë ta bëjnë as me mitet e krijuara për Nënë Terezën si shenjtore e tyre që i fton vetëm drejt katolicizmit perëndimor.

Pikërisht më 17 janar 2009 kur ishin në kulm meditimet para shtatores së Skënderbeut e lutjet para përmendores së Nënë Terezës kryeministrit të Shqipërisë i vinte një mesazh nga kryeministri i Indisë me urimin që të forcoheshin edhe më shumë lidhjet shqiptaro-indiane. Në mesazhin e tij kryeministrit i Indisë Manmoham Sing ka i është referuar edhe Nënë Terezës së etnisë shqiptare dhe të shtetësisë indiane duke e quajtur atë edhe “simbol i forcimit të këtyre lidhjeve”. Pra emri i Nënë Terezës po u hyn më shumë në punë shqiptarëve për t’i lidhur me Lindjen budiste se me Perëndimin e krishterë. Deri tani nga asnjë kryeministër perëndimor nuk kemi dëgjuar një vlerësim të tillë për Nënë Terezën.

Në vlerësimin e Skënderbeut të jemi fishtianë, jo kadareanë

Një ndihmesë e veçantë për të kuptuar natyrën e debatit të tanishëm është ribotimi në “Standard” në data 17-19 dhjetor 2008 i shkrimit të klerikut katolik Marin Sirdani “Për çfarë fajësohet Skënderbeu?”, i botuar fillimisht në “Hylli i Dritës” në vitin 1938 . Redaksia e gazetës në komentin e saj paraprak e lajmëron lexuesin se “Shumë nga ato që përbëjnë debatin mbi figurën e Skënderbeut janë të stërthëna”. Pra, nuk është botimi i librit të Jens Shmitit ai “mëkati i parë” që “mito-skënderbegianët” të ngrihen me kaq furi në mbrojtje të “mitologjisë skënderbegase”.

Kjo fushatë e “mito-skënderbegianëve” nuk bëhet se po sulmohet “mitologjia e heroizmit kombëtar shqiptar”, por sepse frymëzuesit e saj politikë, ideorë e fetarë duan të ngulisin tek shqiptarët dy (anti)mite të rinj :1- të Skëndrebeut si luftëtar i palëkundur për lidhjen e shqiptarëve me katolicizmin papnor 2- të Skëndrebeut si pararendësi i europianizmit dhe ndarjes së shqiptarëve me Lindjen e integrimin e tyre vetëm në Perëndim. Pra, janë më shumë tundimet politike se ato shkencore që nxisin mallkimet kundër librit të Shmitit. Në këtë atmosferë propagandistike lindi dhe ideja që dita e vdekjes së Skënderbeut të shpallet “ ditë lutjesh e meditimesh” për shqiptarët. Kështu mitologjisë rreth Skënderbeut i hidhet dhe një vello e natyrës fetare që ta mbajnë njerëzit e të gjithë besimeve në Shqipëri. Është jashtë realitetit të hershëm e të sotëm që Skënderbeu të paraqitet si simbol i njëfetarizmit (të maskuar), si pararendës i europianizmit dhe i integrimit evropian, si paralajmërues i nënëterezizmit mëshirmadh kristian të shekullit XX, siç u pëlqen “marshuesvet të paqes” më 17 janar 2009.

Jens Shmiti ka reaguar me interpretime e shpjegime te matura ndaj keqdashjeve të shprehura kundër tij në disa intervista: “I vetmi renegat fisnik që i ktheu shpinën Sulltanit” (në “Shekulli”, 11 nëntor 2008); “Skënderbeu në dokumente të panjohura” (në “Shqip”, 10 nëntor 2008); “Një hero me shembullin e Enver Hoxhës”, (në “Shekulli”,11 nëntor 2008); “Skënderbeu, vullneti i tij rrënoi shqiptarët”( në “MAPO”, 15 nëntor 2008).

Ka pasur edhe shkrime që kanë ndihmuar të vihet njëfarë rregulli në këtë fushatë, të krijohet një ekuilibër më i mirë midis të vërtetave e spekulimeve, të ftohet pakëz lava e histerizmit kundër librit të Shmitit dhe të ulet inati i atyre që hidhen si të tërbuar nga keqkuptimi se shqiptarëve po ua fyejnë e po ua poshtërojnë heroin e tyre kombëtar

Nga rregulli i ndjekur deri tani për pranimin me kënaqësi të literaturës perëndimore mitizuese për Skënderbeun nuk mund të bëhet përjashtim tani vetëm pse vepra e Jens Shmitit i kushtohet kryesisht pasqyrimit të realitetit skenderbegian e jo mitologjisë skënderbegiane. Nuk mund të shpallet a priori si herezi antishqiptare një punim i ri mbi historinë e Skënderbeut, që sipas një mendimi ende nën zë të disa specialistëve të historiografisë është shumë i dokumentuar edhe pse nuk sjell risi përmbytëse në studimet për Skënderbeun.

Ideali i Skënderbeut, liria dhe pavarësia e Shqipërisë

Në këtë shkrim nuk synoj të bëj një recension të librit, sepse nuk është fusha ime të bëj recensione veprash profesionale historiografike. Por në debatet e për vendin e rolin e Skënderbeut në historinë shqiptare, për modelin e prijësit ushtarak e politik që jep figura e Skënderbeut në ditët tona, për vlerësimet që duhet të kemi sot për epokën skënderbegiane nga këndvështrimi politologjik jam i përfshirë prej vitesh edhe unë. Krahas politologut Hysamedin Feraj e bashkëpunëtorëve të tjerë të”Rimëkëmbjes”, kam bërë polemika të ashpra me rrymën katolikocentriste që Skënderbeun do ta imponojë vetëm si figurë të Krishterizmit, vetëm në rolin e Atletit të Krishtit. Kemi mbrojtur pikëpamjen se figura e Skënderbeut duhet kuptuar, vlerësuar e lartësuar si e Heroit kombëtar të shqiptarëve në luftën për liri, për gjuhën e vendin e vet, për “atdhe dhe fe”, për nderin e krenarinë e familjes, ashtu siç e ka përshkruar edhe Atë Gjergj Fishta kur shkruante më 19 Kallnur (janar) 1917: “Kangt e poetve legjendat e rapsodit e popullit e çfaqin Skanderbegun vetem si nji fatos fejet; por para synit t’historjakut e t’vrojtarit t’paanshem Skanderbegu asht fatosi i liris e i pavarsis s’komeve, tuj kenë qi dishiri i liris kje aj, qi ma s’parit e shtyni at burrë t’permendun me rrokë armet për Shqypni. Skanderbegu me at trimni e rreptsi me t’ cilen luftoj kundra turqve, qi ishin mysliman, luftoj edhe kundra venedikasve qi ishin t’kshtenë. Prandej t’gjith shqyptarët e vertetë, pa ndërlikim partiet e besimit, do ta nderojnë Skanderbegun si nji fatos t’komit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punët e tij. Skanderbegu asht ideali i liris e i pavarsis s’Shqypnis” ( Gjergj Fishta, “Përndritje”, Lajmtari 2000, fq. 60).

Atë Gjergj Fishta kur ka shkruar kështu ka qenë në dijeni të fakteve historike se “Sukseset e Skënderbeut ngjallnin intersim të madh tek Papët, por orvatjet e tyre për të organizuar kryqzatë kundër osmanëve dështonin çdo herë për shkak të problemeve brenda kishës dhe interesimit të vakët të princërve europianë që më shumë ngatërroheshin mdis tyre”. Fishta e ka ditur më mirë se gjithkush se “Papa Eugjeni IV (1431-47) u mundua më kot të nxiste europianët për veprim, se Nikolla V (1447-55) e emërtoi Skënderbeun “Kampion i Krishtërimit”, Kalisti III (1455-58) e bëri atë ”Kryekapedan i Selisë së Shenjtë’, Piu II vdiq më 1464 pa e nisur kryqzatën nga Ankona dhe Pali II (1464-71) i dha luftëtarit shqiptar një titull të ri pa dobi “Atlet i Krishtit”( Rinaldina Rasell në “Skënderbejada” fq. 23). Megjithatë Fishta ngulte këmbë që Skënderbeut t’i njihet vetëm titulli “Fatos për lirinë e popullit”.

Një libër që thyen tabutë...?

Pra libri i Shmitit është bërë “mollë sherri” në shumë drejtime e midis shumë personash. Këtij sherri i bëjnë hyzmet dhe historiografë “anti-Shmit”, të lënduar në ndjesitë e tyre politike ose në sedrën e tyre profesionale, pasi për një jetë të tërë janë vërdallisur rreth një figure të Skënderbeut, e cila nuk pasqyrohet plotësisht ashtu si duan ata në librin e Shmitit. Këta historiografë ose intelektualë publicistë e kanë të zorshme tani të njihen qetësisht me një portret të Skënderbeut, të bërë në bazë dokumentesh historike, jo në bazë mitesh e legjendash, që ndryshon disi nga ai portreti me shumë stisje zbukuruese për spekulime, vërtetësinë e duhur historike, jashtë gjykimeve të shëndosha politologjike.

Në debatin e tanishëm më qartë, më saktë, më bindshëm, me gjakftohtësi ka folur përkthyesi i librit Ardian Klosi, në intervistën dhënë “Gazetës Shqiptare” më 17 nëntor 2008. Ardianit i binte barra ta bënte këtë për respekt ndaj autorit Shmit, për të mos lënë inatçorët të silleshin pa fisnikëri ndaj Shmitit, për të mos lënë në huti lexuesit shqiptarë të librit. Por mbrojtja më e mirë e veprës së Shmitit do të jetë vepra vetë.

Vijon

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat