Ish-ambasadori holandez: Serbia nuk ka bërë asgjë tjetër, përpos të punojë kundër Kosovës

Intervista

Ish-ambasadori holandez: Serbia nuk ka bërë asgjë tjetër, përpos të punojë kundër Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 21 dhjetor 2018 Në ora: 08:07
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk po bën presion të mjaftueshëm ndaj Serbisë për të përmbushur pjesën e tyre të marrëveshjeve të arritura me Kosovën.

Bosch, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka fajësuar Serbinë se në vitet e fundit, nuk ka bërë asgjë tjetër, përpos të punojë kundër Kosovës në të gjitha fushat.

Sipas tij, Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, nuk e ka fajësuar publikisht Serbinë për këtë, por përkundrazi, kësaj të fundit i janë hapur edhe më shumë kapituj për anëtarësim në BE.

Ai ka thënë se Kosova, për shkak të miqësisë me ndërkombëtarët, duhet të provojë të përgjysmojë taksën tregtare ndaj Serbisë.

Bosch, ka folur edhe për Gjykatën Speciale dhe korrigjimin e kufijve me Serbinë, për të cilin është shprehur skeptik.

“Bota sot”: Kosova tashmë është bërë me ushtri të saj, përkundër paralajmërimeve të NATO-s dhe të BE-së. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Bosch: Ashtu si ambasadorët e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, që folën në emër të vendeve të tyre, por edhe shumë vende të tjera, edhe unë mendoj se është normale që një shtet i pavarur të ketë ushtri të vet. NATO dhe BE bëjnë probleme ndoshta vetëm për shkak të faktit se të dy organizatat nuk kanë mirëkuptim në mes tyre.

“Bota sot”: Pse qytetarët e Kosovës mbetën edhe këtë vit pa viza, përkundër premtimeve nga liderët vendorë e evropianë?

Bosch: Unë nuk mund të përzihem më në punët e brendshme, mund të supozoj dhe të përmend disa gjëra. Për shkak të rritjes së anti-të huajve dhe partive anti-BE në shumë vende të BE-së, nga rregullat aktuale, duket se ato kanë frikë pasi janë afër zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Pastaj është fakti që sidomos shqiptarët duket se keqpërdorin lirinë e tyre për viza, duke shkaktuar shqetësime në vende tjera në rrugën drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku të gjithë duket se dëshirojnë të shkojnë. Pra, Franca, Belgjika dhe Holanda mbajnë peshën e problemeve, që i bëjnë politikanët skeptikë për liberalizim të vizave dhe fakti se sondazhet tregojnë se shumë njerëz duan të largohen nga Kosova, nuk i bëjnë ato më të hapura për liberalizim.

“Bota sot”: Derisa Kosova këmbëngul që nuk do të heq taksën 100 % ndaj Serbisë, BE dhe shtetet mike kërkojnë me urgjencë që Kosova ta bëjë një gjë të tillë. Si duhet të veprojë Kosova?

Bosch: Siç e shohim, taksa ka lëvizur gjërat. Edhe BE-ja tani dëshiron të shqyrtojë atë që është bërë për Kosovën, dhe është keq që duhej ndërmarrë një masë e tillë drastike që ata të lëviznin. Unë mendoj se tani disa veprime nga Kosova mund të ndihmojnë, p.sh. gjysma e taksës së importit, dhe të shohim se çfarë do të ndodhë, gjithmonë mund të rivendoset.

“Bota sot”: A mund të dëmtojë mos heqja e taksës, marrëdhëniet e Kosovës me aleatët/miqtë ndërkombëtarë?

Bosch: Kjo mund të jetë arsyeja pse një lehtësim i tillë ndoshta është i mirë.

“Bota sot”: Si mund të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, a është BE-ja në rrugë të mirë për të arritur një rezultat pozitiv? 

Bosch: Rezultati përfundimtar, sipas meje, duhet të jetë njohja nga Serbia e Republikës së Kosovës, siç e kërkon Gjermania. Megjithatë, BE-ja, nuk ka arritur të ushtrojë presion të mjaftueshëm ndaj Serbisë për të përmbushur pjesën e tyre të marrëveshjeve, pasi ato kishin për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Serbia,  veçanërisht në vitet e fundit, nuk ka bërë asgjë tjetër, përpos të punojë kundër Kosovës në të gjitha fushat, pa u fajësuar publikisht nga EERS (Zyra e Federica Mogherinit). Përkundrazi, asaj i janë hapur më shumë kapituj gjatë gjithë kohës.

“Bota sot”: Në Kosovë është rritur frustrimi ndaj BE-së, pasi konsiderohet se ajo nuk po i trajton barabartë Kosovën dhe Serbinë?

Bosch: Kuptohet, e përmenda edhe më lartë.

“Bota sot”: Së fundmi është hapur çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. A e zgjidh konfliktin mes të dyja vendeve një hap i tillë?

Bosch: Megjithëse i mirëkuptoj të ashtuquajturat korrigjime kufitare, duket ideja e kufijve mund të hapë kutinë famëkeqe të Pandorës, që askush nuk e dëshiron. Prandaj, unë jam skeptik për këtë ide.

“Bota sot”: Gjykata Speciale ka nisur punën e saj, duke intervistuar disa nga ish-pjesëtarët e UCK-së në Kosovë.  Si prisni të rrjedhë procesi, a do të arrihet të dëshmohet lufta e pastër e UÇK-së?

Bosch: Mbetet për t'u parë. Shumë krime janë kryer, por më shumë nga serbët. Prandaj, Gjykatën Speciale e konsideroj shumë të veçantë dhe kjo nuk do të thotë në kuptim pozitiv.

“Bota sot”: Tashmë një shtet (Surinami) ka tërhequr njohjen e Kosovës, derisa flitet se të njëjtën do ta bëjnë edhe vende të tjera. A po dështon diplomacia e Kosovës, përballë asaj serbe, e cila loboi kundër Kosovës edhe për anëtarësimin në Interpol?

Bosch: Po për këtë të fundit dhe kjo është në kundërshtim me nenin 14 të marrëveshjes 15-pikësh të prillit 2013 dhe duhet të kritikohet nga BE-ja.  Tani edhe Egjipti përmendet nga shtypi serb për tërheqje të njohjes. Kosova duhet t'i kërkojë SHBA-së t'u tregojë miqve të tyre në Kajro që të mos e dëgjojnë Beogradin, me fjalë të tjera të jenë të vëmendshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat