Mentor Petrela: Mërgimtarët nga Kosova janë më atdhedashës

Intervista

Mentor Petrela: Mërgimtarët nga Kosova janë më atdhedashës

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 13:37
Hysen Ibrahimi dhe Prof. Dr. Mentor Petrela

“Njërëzit duhet ta vuajnë që ta shijojnë atë”, thotë Prof. dr. Mentor Petrela, shef i Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke aluduar në vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës në shumë periudha. Në një intervistë për Thesarin Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, që botohet nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, profesor Petrela u shpreh mirënjohës për interesimin e shoqatës për të nxjerrë në libër një profil të figurës së tij, duke thënë se shqiptarët e Kosovës janë më atdhedashës.

Profesori shqiptar Mentor Petrela është ndër 100 neurokirurgët më të mirët të botës. Në karrierën e tij mbi 35 vjeçare ka trajtuar mbi 14 mijë pacientë. Në intervistën e gjatë, Prof. Petrela shpalos historinë e tij dhe familjës së tij. Ai vjen nga një familje pinjolle e Tiranës dhe historia e asaj familjeje është shumë e veçantë.

Shkollimi dhe karriera e tij është shumë, shumë e pasur. Ka bërë studimet në Universitetin më të mirë francez që është ndër më të mirët në botë për Neurologji dhe Neurokirurgji.

Dr. Petrela thekson nevojën për më shumë investime në mjekësi, e sidomos në fusha më delikate të saj, siç është neurologjia dhe neurokirurgjia. Ai flet për një ekip të mirë të punës që ka, si nevojë e domosdoshme. “Mjekësia terciare është orkestër dhe po nuk ngritët gjithë elementet, nuk bëhet”, thotë ndër të tjera Petrela. Iu beson shumë të rinjëve studentë që do të ndjekin rrugën e tij. Ka studentë të tij shqiptarë që vazhdojnë studimet e specializimet në vende të ndryshme: në SHBA, në Kanada, në Francë, në Itali, etj.

Ndër përvojat e mira, ka edhe bashkëpunimin me mjekë suedezë, në fushën e neurologjisë dhe të neurokirurgjisë.

Kjo dhe arritje të tjera, kanë shtyrë anëtarët e SHSHASHS “Papa Klementi XI Albani” që të bëjnë ftesën për intervistë, të punojë një profil të profesor Mentor Petrelës për nurmin e 10-të të Thesarit Kombëtar… që do të dalë vitin e ardhshëm. Gjithashtu, anëtarë të Shoqatës kanë shqyrtuar mundësinë që ta nominojnë Dr. Petrelën edhe për Çmimin Nobel për mjekësi, për çka ishte kundër vetë profesor Petrela, duke u treguar shumë modest me punimet dhe hulumtimet që ai bën. Në këtë kuadër, Dr. Petrela, shpjegon edhe natyrën e kërkimeve shkencore dhe rastet e Nobelit….

Në vazhdim botojmë intervistën e plotë me Prof. Dr.Mentor Petrelën, neurokirurg i njohur botërisht:

Nisim nga fëmijëria, ju vini nga një familje pinjolle?

Mentor Petrela: Fëmijëria ime ka qenë si e gjithë fëmijëve të tjerë. Atë që kam marrë nga ajo trashëgimi, është mbi themelet e qytetit të Tiranës, që është mbi 200 e sa vjetësh …është si të thuash edhe një privilegj, por dhe një angazhim, sa i përket asaj që quhet qendrimit moral që ti do të kesh në të ardhmen. Ato nuk janë dekorata që vehën, apo që mbahen për t’u zbukuruar. Në qoftë se ti vjen nga një familje e hershme dhe i ke shërbyer qëllimit, që kjo familje ka qenë kontribuese, drejtuese në qytetin e Tiranës, atëherë ti i ke kryer angazhimet, misionet dhe do t’i kryesh deri në fund të cikli të jetës.

Kush kanë qenë prindërit tuaj? 

Mentor Petrela: Prindërit e mi kanë qenë Elijias Petrela, i cili ishte djalë i vetëm i familjës. Ai kishte edhe një motër, pra halla ime, e cila quhej Qefsere. Dhe këta të lindur në një familje elite, u rritën në një familje me të gjitha të mirat, u rriten dhe kultivuan të gjithë atë që duhet të jipte edukimi i mire, sepse, duhet të kuptojmë, që kur ke prindër që kanë qenë të edukuar, dhe unë i besoj kësaj linje.

Vazhdoi shkollat, kanë qenë për një kohë në Zvicërr e Austri. Kishte hobet e veta, që ishin hobe të kultivuara. Prindërit e tij e kishin orientuar që të mësonte violinën me profesor Ludovik Naraçin, të mësonte pikturën me profesor Abdurrahman Buzën dhe bënte edhe disa punime me sharrë.

Pasi mbaroi gjimnazin e Tiranës, kishte vazhduar studimet për filologji. Me ndërprerje gjatë kohës së luftës së dytë botërore, për të vazhduar pastaj atë që kishte ëndërr, arkitekturën. Ma ka thënë shpesh, që ëndrra ime është që të bëhem arkitekt. Duke u nisur nga këto, piktura, mbase edhe violinën, me atë kontributin e vetë, apo edhe intelegjenca që quhet kinestezike. Duket se ajo ishte ëndrra e fëmijërisë së tij që donte ta realizonte.

Kurse nëna ime vjen nga një familje dibrane - shkodrane, një martesë midis turkeshian, një tregtar të cilët kishin lëvizur nga Dibra në Turqi, dhe nga atje i kishte ftuar mbreti zog. Ndërsa gjyshja ime, pra e ëma e nënës sime, ishte e bija e Halit Rrojit, i cili ishte deputet në parlamentin e parë. Ai ka qenë edhe kryetar i senatit në kohën e Zogut. Një njëri që ka dhënë një kontribut shumë të mirë, sidomos në periudhën e pavarësisë dhe pas pavarësisë.  

Ju sa fëmijë jeni të prindërve tuaj?

Mentor Petrela: Ne jemi dy, unë dhe vëllai im Besimi. Vëllai është violist, por më shumë merret me menaxhim arti.

Po familja juaj e ngushtë?

Mentor Petrela: Familja ime e ngushtë është gruaja, Fatma, e cila është larguar nga kjo jetë në 2001, për arsye të një kanceri… është e bija e dy prindëreve, të atin mjek, kurse e ëma ka qenë shtëpiake dhe është direkt mbesa e Vehbi Dibrës që është nënshkruesi i pavarësisë. Kam dy vajza, Vivian dhe Sonian.

Çfarë profesionesh kanë ato?

Mentor Petrela: Ato nuk i kam shtyrë në mjekësi. Me thanë të drejtën, mjekësia do të bëhet seriozisht dhe të jesh i angazhuar ose kështu superficialisht nuk bëhet mjekësia. Edhe jeta është shumë e shkurtër, sidomos për vajzat është angazhim i madh. Ato kanë bërë studim, ekonomi, administrim. Studimet i kanë bërë në Francë, por sherbejnë në Shqipëri. 

Mbiemrin Petrela e keni nga zona e Petrelës?

Mentor Petrela: Po, pikërisht nga atje. Aty ka dy gjëra, sepse nuk kanë mbaruar studimet për të parë se çfarë ka qenë aty. Sepse në murët e Prestoqit të Petrelës që lidhet me Prezën, me Ishmin me Krujën dhe mund të shikosh deri në Ulqin. Aty poshtë është Prestoq, aty ka mure të trasha, dhe thuhet se ka qenë vendbanim i Molosëve, në kohën e Aleksandërit, në shekullin e 3, apo 4 para erës së re. Kam një hartë të vjetër që është bërë më 1612 e kam fotokopjuar dhe ia kanë dhënë dr. Sali Berishën në zyrë një delegacion i Vatikanit e më vonë ka dalë, është publike.  Dhe në atë hartë një i derguar atëherë ka shkruar “Petrela është vendi i lindjës së Aleksandrit të madh”.  Është në hartë e shkruar. Ajo ka një lidhje. Dihet që Aleksandri i madh, edhe e ëma e vetme edhe gjyshja e vet, ishin nga Molosët, fisi i Molosëve, fundi i ilirëve, që janë shqiptarët. Në momentin që Olimpia e mori vesh që Filipi kishte një lidhje tjetër dhe mund të humbte trashigimtarin që ishte Aleksandri, nuk pranoi të rrinte atje dhe erdhi tek i ati dhe Aleksandri dihet është i shkruar që ka lindur tek gjyshi i vet, në Prestoq të Petrelës. Kjo është një e dhënë që unë e kam parë në një dokument që është shkruar më 1612.  

Kush ka qenë mësuesi juaj i parë?

Mentor Petrela: Mësuesja ime ka qenë Hava Shehu. Unë në fillore në klasën e parë e kam pasur Hava Shehun dhe në klasën e katërt e kam pasur Afërdita Shalën, që ishte kosovare. Nuk e di rrethanat e punës së saj në Tiranë, por siç mbahen mend mësuesit e parë. …

Profesor, Petrela, çfarë ju shtyri juve të ndiqni mjekësinë?

Mentor Petrela: Ajo që duhet me kuptu është që fëmijët punojnë shumë me ëndrra. Njeriun e shtyjnë dy gjëra: ëndrra dhe pasioni, atë që thotë Hjum dhe filozofë të tjerë anglezë. Me thanë të drejtën atë kujtimin e trumbullt nga largë, sepse ne kujtojmë që i dimë të gjitha nga fëmijëira, por janë deformime ato që pësojnë kujtimet tona.  Por, fëmija mban mend deri kah mosha 7, apo 5 vjeç. Më përpara nuk mbahen mend. Një moment që ka qenë më i fiksuar që ka qenë ai orientimi im për tu shtyrë drejt kësaj fushe, më kujtohet njëherë për datëlindje mora një kuti nga babai im dhuratë, ishte një kuti me kryq. Ishin aty një shiring një termomentër, pra ai moment ishte më duket që më ka shtyrë drejt kësaj. Pra unë them ai ishte filiacioni.

A mund të përshkruani rrugëtimin tuaj të shkollimit dhe të studimeve dhe sfidat që keni kaluar?

Mentor Petrela: Unë kam ndjekur fakultetin e mjekësisë në Tiranë. Kam diplomuar në mjekësi. Kam ndjekur neurologjinë një vitë e gjysmë si specializim, pastaj në ato dallgët e luftës së klasave, më çuan në Burrel. Kam ndjetur atje tre vjet e gjysmë. Kam punuar si neurolog dhe mjek i përgjithshëm dhe pastaj dy profesorët e mi, të cilët më njihni, bënë gjithë përpjekjet që unë të kaloja atë valën e luftës së klasave dhe të kthehesha në Tiranë. Për një koinçidencë, sepse duke qenë vend i vogël, gjendet lidhjet, një kushurirë imja e dytë, ishte nusja e djalit të Banush Myftiut, i cili ishte edhe anëtar Byroje atë kohë dhe kjo koençidencë e vogël , të cilën ai në distancë e ruante, më bëri mua që të më çoj për specializim në Francë, ndryshe nuk kisha për të shkuar kurrë.

E keni zgjedhur vetë neurologjinë?

Mentor Petrela: Neurologjinë e kam zgjedhur vetë. Neurokirurgjinë pastaj ishte një ofertë. Profesori më tha eja se ne kemi një vend dhe bëjmë përpjekje që ti të kthehesh në Tiranë dhe të vish në neurokirurgji. Fillova aty, pastaj shkova në Francë në specializim dhe atje kam mësuar. Kam qenë në një institucion shumë të mirë.

Kjo fushë studimi, është më delikatja në mjekësi, profesor?

Mentor Petrela: Shumë më delikate. Është shumë delikate, por do shumë përpjekje. Asgjë nuk bëhet dhe nuk mbahet pa përpjekje, pa punë.

Sfidat më të madhe gjatë këtij profesioni që të mbetët në kujtesë?

Mentor Petrela: Sfida është pothuajse e përditshme. Nuk mund të thuash dicka specifike. Në këtë profesion asnjëherë nuk ke atë që të thuash sigurinë se unë do të dal nga shtëpia dhe të mos më prishet gjaku.

Po, rastet kur keni shpëtuar jetë, kur ju kanë dhënë më shumë motiv për të vazhduar?

Mentor Petrela: Ato janë kënaqësitë e profesionit. Ajo të mbanë, sepse ke momente kur thua, po unë ç’dreqin dua me këtë punë. Jeta është e shkurtër, e bukur. Në vend se të rrish në kafe duke bërë bisedë me miq, merr një punë në profesione të tjera, si në arsim apo diku tjetër. Por, në këtë fushë… 

Sa pacientë kanë kaluar nëpër duar tuaja?

Mentor Petrela:  Në bazë të një llogaritje që kanë bërë asistentë të mi, janë mbi 12 mijë. A janë 13 mijë apo 14 mijë nuk jam i sigurtë. Pra janë rreth 14 mijë pacientë brenda periudhës 35 vjeçare.

Doktor, ju jeni përzgjedhur në mesin e 100 neurlogëve më të mirë në botë. Si jeni renditur, si ishte bërë ajo përzgjedhje?

Mentor Petrela: Unë jam ftuar. Ajo është një akademi[1] që funksion që nga 2005. Ajo bazohet, jo në bazë të shteteve, por i ftojnë kandidatët. Ka edhe lobe që iu lëvizin pas kandidatëve, por unë nuk kam pasur. Nuk e kam ditur se si funksion kjo akademi. Por, më vonë mora vesh që ky ishte një nga klubet më të fuqishme të botës, ose klubi më i fuqishëm i botës që sa i përket neurokirurgjisë, të gjithë që vinin aty, thonin se po të merrje një notë nga kjo akademi, ishe në një pozicion të mirë për të marrë një post të mirë.

Aty duhet të jenë dy veta që propozojnë, që e bëjnë krejtësisht të fshehur. Më thanë në telefon që t’ju dërgoja një CV, e pyta se për çfarë të duhej kjo. Mirë më tha, nuk është keq.  Ishte shefi I neurokirurgjisë në Vjenë dhe një që tash është kryeredaktor i një reviste amerikane, Jim Rutka , që është nga më të mirët në botë. Ata të dy më nominuan, u bë një votim dhe e pashë që hyra në atë mesin e 100-të. Në një vlerësim tjetër në një tjetër vit më futën në mesin e 16-të më të mirëve dhe kjo mu duk pak si tepër. .. Kjo është historia e përzgjedhjës sime nga ky institucion. Ne mblidhemi çdo vit dhe aty edhe punimet janë izoterike, do të thotë, botohen dhe nuk janë për tu qarkulluar. Janë të brendshme.

Ju kontribunoni secilën herë?

Mentor Petrela: Nuk e ke të detyruar, por gjithmonë duhet të shkosh me një kontribut.

Profesor, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, ka idenë që t’ju nominojë edhe për Çmimin Nobel?!

Mentor Petrela: Nuk e shoh vetën aty. Kjo nuk është modesti falso, as modesti e tepruar. Unë e kuptoj interesimin tuaj.

Por, ju keni punime tuaja shkencore?

Mentor Petrela: Po unë kam punët e mia, janë punë klinike që i kam filluar që herët.

Keni bërë një rënditje të atyre kërkimeve?

Mentor Petrela: Po, kam bërë, kam punuar. Për konditat e vendit, kam bërë atë që thuhet ta shfrytëzoj atë motorrin e 100%. Ta shfrytëzoj trurin tim në gjithë atë angazhim, por edhe energjinë, sepse duhet edhe energjia. Nuk është vetëm potenciali i trurit, por duhet të kesh edhe energji fizike. Kirurgjia është profesion që nuk kërkon të ulësh në kafe, por kërkon edhe fizikisht me qenë stabil. Energji fizike që të qendrosh, energjia është rezistencë.

Nominimi për Nobel më duket si një selfie e vetës sime. Fjala kërkim, me të cilën abuzohet shumë kak tjetër dimension. Është tjetër kur ti bën atë që quhet “research” bëhen aty ku mblidhen mjete të mëdha financiare. Nuk mund të pretendoj unë në Shqipëri që të bëj research (kërkime).  Sepse Ti mund të nisesh të punosh gjithë jetën dhe nuk arrinë asgjë. Pjesa më e madhe e këtyre zbulimeve janë rastësore ose përgatitore. Nuk është se ai është nisur të zbulojë këtë dhe e ka zbuluar. Jo. Ai është nisur për të zbuluar një gjë dhe i ka dalë gjë tjetër. Ose kolegu i vet që ka qenë duke parë një fushë tjetër, ka thënë prit njëherë se kjo qenka rruga. Dhe kështu janë zbulimet në përgjithësi.

Për shembull edhe Ferit Murati, në gjetjën e fundit, u gjet si për gabim, sepse një preparat që kishin marrë disa të sëmurë për një fakt tjetër, u pa që bënte mirë për diçka tjetër. Atë që mund të themi efekte anësore të ilaçi, ata u nisen tek ajo dhe zbuluan.

Punimet e mia i kam botuar tek revistat kryesore amerikane. Nuk kam botuar një listë prej 200 apo 300 gjërash.  Ato që kam botuar janë pak, sepse aq kanë qenë mundësitë që të kapish atë nivel. Është shumë e rëndësishme të kapësh atë nivel, të futesh atje. Por kërkimi është kërkim, është research dhe mund të përpiqesh gjithë jetën të mos gjesh asgjë. Thonë se nga ata që s’kanë gjetur asgjë, normalisht atyre iu takon të marrin për shembull Çmimin Nobel, sepse ata kanë bërë mundin, nga të cilët janë bazuar të tjerët.

Nga lëvzijet tuaja në botë, nëpër akademi e universitete të ndryshme, çka do të mund të veçonit si arritje që kanë shtetet tjera që juve ju kanë lënë përshtytpje?

Mentor Petrela: Aty ku kam specializuar ishte shkolla pothuajse më e mirë franceze, e cila në atë kohë kishte edhe dy tre gjëra plus aplikimit të mikrokirurgjisë dhe neurokirurgjisë, që për fat ishte një gjeni i kohës, Mahmut Gazi Yaşargil, nga Zvicrra. Atë e kam pasur profesor… Në atë shkollë në Paris, kishte edhe teknologji që nuk bëhen më me kirurgji, bëhen me tuba me indovaskularë. Ishin përpara amerikanëve. Aty unë kam parë shumë amerikanë, të cilët ngaqë ishin kirurgë që shihnin botën të hapur, u kthyen në endovaskularë. Kështu që atë e kam pasur shansin më të madh. Një arsye plus ishte që flisja shumë mirë frengjishtën, sepse aty ku jam rritur, përveç që baba dhe gjyshim im dinin frengjisht. Por aty ku kishim shtëpinë, qëlloi të ishte afër një pariziene, një franceze. Dhe unë jam rritur aty dhe jam edukuar, kam mësuar frengjisht, sepse isha gjeneratë me djalin e saj, Bernardin. Kështu që kur shkova në specializim nuk kisha problem me gjuhën.

Si e vlerësoi nivelin e stafit mjekësor në Shqipëri?

Mentor Petrela: Jam munduar që në fillim të formoj ekipin. Mjekësia nuk është individuale. Mjekësia terciare është orkestër dhe po nuk ngritët gjithë elementet, nuk bëhet. Gjëja e parë që kam bërë është se kam marrë 4 apo 5 të rinj, dhe nëpërmejt miqësive të mia, i kam dërguar në vendet më të mira, në Paris, në Milano, në Romë, në institucionet më me fluks të madh pacientësh. Ka shumë rëndësi të shihet edhe numri i madh i pacientëve. Dhe kanë shkuar për edukim të plotë, duke marrë diploma, duke bërë vite. Kam shfrytëzuar të gjitha lidhjet e mia me administratën dhe me pushtetin që të marrë mjetet, sepse po të erdhën njerëzit dhe nuk ke mjete je i dështuar. Të gjitha duhet t’i kesh në kohën e duhur. Për fat mirë edhe për disa koencidenca kanë qëlluar që kur kanë ardhur njerëzit unë kam pasur mundësinë me i pas edhe të gjitha mjetett e kohës, sepse po s’pate mjetet e kohës je i dështuar.

Meqë shoqata “Papa Klementi XI Albani” vepron në Suedi, ke miq suedezë të kësaj fushe?

Mentor Petrela: Kam pasur një mik që ka qenë në research, Barbara Johanson, një ndër ekspertët më të mirë që ishte në research në neurobiologji. Patëm një lidhje më të, por pas hapjës së vendit një kohë u humbëm, pastaj edhe ajo ishte në moshë dhe nuk patëm më kontakt. Pastaj kam shkuar në Suedi, i ftuar nga Instituti suedez, kam siguruar atje në Karolinska, që të çoj dy nga njerëzit e stafit, për atë teknologjinë që ata janë shumë, shumë më përpara, ose mund të them ata kanë qenë pionerët, siç është Lekselli, që ka bërë atë që quhet trajtimi me rreze të fokusuara.

Keni studentë tuaj në botë?

Mentor Petrela: Kam. Janë disa në SHBA, në Francë, në Kanada. Nganjëherë kur më vie puna të flas ta, zemë në Konkgresin vjetor amerikan në SHBA. Unë fola për një që ka filluar neurkirurgjinë, një nga hebrenjtë më të mirët që nga 1935 dhe unë mendova që në sallë s’ka për të pasur njeri. Kur më erdhi njëri profesor, profesor, më erdhi shumë mirë.

Keni dëgjuar për SHSHASHS “Papa Klementi XI Albani”, keni dëgjuar?

Mentor Petrela: Unë me thënë të drejtën, lexoj, por me këtë shoqatë nuk kisha rënë kurrë në kontakt. Hera e parë ishte kur më keni bërë kërkesën për këtë intervistë dhe aty fillova të hulumtoj dhe të kuptoj për ju. Por, dua të them se më vjen shumë mirë për këtë që bëni ju, sepse nuk ndodh në këtë pjesë shqiptare (në Shqipëri). Ju e keni më të shprehur atdhedashurinë. Duket që njerëzit duhet ta vuajnë që ta shijojnë atë!

Intervistuan: Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHASHS “Papa Klementi XI Albani” dhe Hyrë Tejeci Murati

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat