Edita Tahiri: Edi Rama e dinte projektin e ndarjes së Kosovës që në 2016

Intervista

Edita Tahiri: Edi Rama e dinte projektin e ndarjes së Kosovës që në 2016

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 15:55
Edita Tahiri

Ish-Kryenegociatoria për Kosovën, Dr. Edita Tahiri, ka theksuar rrezikun e një ndarje territoriale të Kosovës. Sipas saj, kryeministri Rama ishte në dijeni të idesë që në vitin 2016, por nuk e kundërshtoi.

Viti politik në Kosovës po mbyllet me disa çështje të lëna pezull. Ato përfshijnë dialogun, Kosovë-Serbi, procesin e liberalizmit të vizave nga BE, mosmarrëveshjet pozitë-opozitë, dështimi për tu anëtarësuar në Interpol dhe përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të tërhequr njohjet për Kosovën. Natyrisht ka një sukses të madh, krijimi i ushtrisë së Kosovës, si një simbol i sovranitetit. Elita politike e Kosovës nuk ka arritur që të krijojë një unitet për çështjen më thelbësore të momentit: bisedimet me Serbinë dhe opsionin e ndryshimeve territoriale të Kosovës. SHBA-ja i ka lënë dorë të lirë palëve, që të arrijnë një marrëveshje mes tyre, përfshirë këtu edhe mundësinë e një ndarjeje territoriale. Por opozita e Kosovës dhe pjesa më e rëndësishme e shteteve të Bashkimit Evropian e kundërshtojnë këtë ide. Ish-ministrja për Dialog dhe Kryenegociatore, Edita Tahiri, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, nuk është dakord me ndarjen e Kosovës, pasi sipas saj, edhe Presheva është shqiptare. Problemi sipas Tahirit, është edhe tek udhëheqja e Kosovës, e cila e ka “importuar” këtë ide nga Serbia në Kosovë.

Si e shikoni situatën politike në Kosovë gjatë këtij viti?

Ky vit ka qenë mjaft sfidues për Kosovën në shumë aspekte. Nisur nga fakti që Qeveria është mjaft e brishtë, dhe momentalisht vepron si Qeveri e pakicës, megjithatë ka pasur një angazhim të bashkuar pozitë-opozitë rreth disa çështjeve me interes nacional. Kosova ia doli ta bëjë ushtrinë e saj, duke vendosur arkitekturën e sigurisë së vet si shtet, që është e karakterit euro-atlantik, dhe e mbështetur nga aleatët kryesor si SHBA-ja, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, etj. Pastaj janë arritur disa reforma të rëndësishme legjislative në fushën e drejtësisë dhe sfera tjera. Por, sundimi i ligjit vazhdon të jetë i dobët duke dëmtuar zhvillimin ekonomik dhe problemi i punësimit mbetet mjaft serioz. Ajo që është më e dhimbshme, lidhet me faktin se gjenerata e re e sheh ardhmërinë jashtë vendit, dhe kjo është një çështje shumë brengosëse, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin. Në politikën e jashtme, Kosova si një shtet euro-atlantik, ka vazhduar me përpjekjet për avancimin në rrugën e integrimeve euro-atlantike, mirëpo mungesa suksesesh të shënuara këtë vit, kanë të bëjnë me mungesën e njohjeve të reja, ndërsa mos liberalizimi i vizave ishte një padrejtësi nga ana e BE-së. Mendoj se edhe vet qeveria e Kosovës, është dashur të jetë më pro-aktive në përmbushjen e obligimeve dhe të mos i linte deri te minutat e fundit. Pavarësisht kësaj, BE-ja ka ditur të shikoj nëpër gishta për raste tjera, ka mundur ta bëjë të njëjtën duke mos i lënë të izoluar qytetarët e Kosovës. Një sfidë e veçantë ka qenë ideja për ndryshim të kufijve, një ide serbo-ruse me qëllime të krijimit të “Serbisë së madhe” në dëme të Kosovës dhe tokave shqiptare. Dalja e kësaj ideje nuk ishte risi, ishte një rishfaqje e ambicieve hegjemoniste të Serbisë, të ndikuara nga Rusia. E keqja ishte se kjo ide u importua në Kosovë nga vet Presidenti i Kosovës, por të cilës Kosova i tha jo kategorikisht. Ne të gjithë e kundërshtuam, i gjithë spektri politik, pozitë dhe opozitë, ne politikanët që jemi themelues të këtij shteti, qeveria dhe shoqëria civile. Edhe Shqipëria e kundërshtoi fuqishëm, pavarësisht se Kryeministri i Shqipërisë nuk ishte në gjendje t’ia prej rrugën kësaj ideje, kur homologu i tij serb ia përmendi gjatë vizitës së tij në Serbi në tetor 2016. Është po kaq me rëndësi, që shtete të rëndësishme në botë i thanë jo idesë së ndryshimit të kufijve. Këtë më së miri e ka bërë me dije Gjermania, e cila tha qartë se, nuk ka ndryshim kufijsh duke mbrojtur qartë parimet euro-atlantike të lindjes së shtatë shteteve në Ballkan, ku Kosova është shteti me i ri. Në këtë linjë janë edhe shtetet tjera evropiane që mbrojnë këtë qëndrim, si Mbretëria e Bashkuar, Franca, etj. Po ashtu, ia kanë bërë të qartë edhe Mogherinit, se ka gabuar dhe ka shkelur parimet evropiane. Nga ana tjetër, SHBA-ja ka bërë të qartë se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme nga popujt e dy vendeve dhe duhet të sjellë stabilitet.

A janë dakord që palët politike në Kosovë të marrin në konsideratë shkëmbimin e territoreve me Serbinë?

Unë jam fuqishëm kundër idesë së prekjes së kufijve të shtetit të Kosovës, jam kundër shkëmbimit të territoreve apo çfarëdo korrigjimi të kufijve, në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo ide është kundër interesave kombëtare shqiptare dhe kundër shtetit të Kosovës, si dhe sjellë jo stabilitet dhe luftëra të reja në Ballkan. Ju po quani shkëmbim territoresh, por këtu kemi të bëjmë me territore shqiptare, sepse edhe veriu i Kosovës edhe Lugina e Preshevës janë toka shqiptare, prandaj nuk lejojmë një gjë të tillë. Kombi shqiptar ka humbur mjaft territore gjatë historisë, një histori e tillë nuk do të përsëritet kurrë ma. Ideja e prekjes së kufijve të Kosovës është ide serbo-ruse që shfaq hapur një luftë gjeopolitike mes dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve. Ka për qëllim krijimin e “Serbisë së Madhe” dhe rikthimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan. Nuk mund të lejojmë që Serbia të kthehet në një neo-hegjemon në Ballkan, ndërsa ne shqiptarët të vazhdojmë të jetojmë të ndarë në gjashtë shtete. Po ashtu, as nuk mund të lejojmë që ambiciet gjeopolitike ruse të dëmtojnë gjeopolitikën perëndimore/euro-atlantike që tashmë është vendosur në Ballkan. Ne gjithë vendet e Ballkanit hiq Serbinë, jemi përcaktuar për drejtimin strategjik euro-atlantik. Kemi obligim të mbrojmë aleancën tonë me perëndimin dhe gjeopolitikën perëndimore. Prandaj, lufta gjeopolitike që pritet të zhvillohet në fazën finale të Dialogut është luftë e jona dhe aleatëve tanë euro-atlantik, për një njohje reciproke mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, për moslejim të prekjes së kufijve të Kosovës si dhe për moslejim të rikthimit të ndikimit rus në Ballkan. Kjo është e vetmja rrugë që çon drejt një paqeje mes Kosovës dhe Serbisë dhe mes dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve, si dhe kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Mirëpo, për një paqe të qëndrueshme në Ballkan, aleatët perëndimor duhet ta kenë parasysh dhe të marrin masa kundër ambicieve gjeopolitike ruse në Ballkan. Rusia përmes Serbisë ka vazhduar përpjekjet për të rikthyer ndikimin në Ballkan, ashtu sikur që është duke u përpjekur në planin global. Rusia jo vetëm që është duke e armatosur Serbinë dhe e kontrollon pjesën serbe ne Bosnje, ajo madje ka vendosur një qendër ushtarake të sajë në Serbi (në Nish), ndërkohë që ka vazhduar me mjete të tjera propagandistike të ndërhyjë në vendet tjera të Ballkanit. Një masë serioze që i jep përgjigjen e duhur Rusisë është vendosja e një baze amerikane në Kosovë, për të mbrojtur gjithë Ballkanin.

A jeni dakord me ekipin negociator të Kosovës që do të dialogojë me Serbinë?

Duke marrë parasysh rëndësinë që ka faza e fundit e dialogut të Brukselit, ku pritet një marrëveshje përfundimtare paqeje dhe njohje reciproke mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, ky ekip negociator nuk e ka legjitimitetin e mjaftueshëm, sepse nuk është një ekip uniteti. Ky ekip nuk përfaqëson unitetin politik dhe kombëtar të Kosovës, sepse dy partitë e mëdha opozitare që përfaqësojnë pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar, nuk janë pjesë e tij. Madje, bashkëkryesuesit, vijnë nga parti të vogla me peshë irrelevante politike. Kosova ka ditur të jetë e bashkuar në momente vendimtare për shtetin dhe kombin. Këtë e kemi dëshmuar me luftën tonë për liri dhe pavarësi, duke bërë që pas një shekulli ta mposhtim robërinë. Kemi qenë të bashkuar në Konferencën e Paqes në Rambuje, e cila solli intervenimin ushtarak të SHBA-ve dhe NATO-s, për ndaljen e luftës dhe gjenocidit dhe që i hapi rrugën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Po ashtu edhe në bisedimet e Vjenës, kemi qenë të bashkuar, duke fituar kështu përkrahjen e aleatëve perëndimor për shpalljen e pavarësisë në 2008-ën. Në këtë kohë, po vërej një mungesë të thellë të mençurisë strategjike nga ana e institucioneve qeverisëse, e cila na duhet më shumë se kurrë. Po vërej një jo seriozitet institucional që mund të na kushtoj shumë, mund ta dëmtojë Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Institucionet e Kosovës dhe në veçanti Qeveria dhe Parlamenti kanë përgjegjësi historike të krijojnë një ekip uniteti për negociata. Kam përshtypjen se klasa politike në pushtet është mbërthyer me formën dhe fare nuk merret me përmbajtjen e procesit, ndërkohë që përmbajtja është ajo që çon te rezultatet që i synojmë në këtë dialog. Më duket se pushteti është vënë para shtetit, dhe nuk ka gatishmëri që në emër të shtetit të sakrifikohet pushtetit. Të jem më e qartë, mendoj se kjo kohë kërkon një qeveri uniteti, që mbase do të krijonte unitetin e duhur dhe rrjedhimisht edhe ekipin e unitetit për negociata në Bruksel, me një legjitimitet të plotë. Kjo sjellje e papërgjegjshme e pushtetarëve po krijon një dyshim të bazuar te popullata për atë sa do të jenë të sinqerte në mbrojtjen e kufijve të Kosovës dhe moslejimin që tema e kufijve të hapet në dialogun e Brukselit. Një dyshim i tillë mbase nuk do të ekzistonte, sikur Presidenti i Kosovës të mos importonte në Kosovë idenë e rrezikshme serbo-ruse për ndryshim kufijsh. Po kaq me rëndësi është që Kosova duhet ta ketë një platformë të qartë negociatore, ku vijat e kuqe për Kosovën do të përcaktohen qartë, në kuptimin e mbrojtjes së interesave nacionale, kushtetutës, kufijve, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Një platformë e tillë duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare për arritjen e paqes mes dy shteteve që kanë pasur luftë mes vete, dhe Serbia ka qenë agresore dhe ka bërë gjenocide ndaj Kosovës si viktimë në këtë luftë. Një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm kur Serbia do të jetë e gatshme të përballet me të kaluarën, ta paguajë dënimin për luftën agresore, duke e njohur shtetin e Kosovës, ashtu siç ka ndodhur në raste tjera në botë, me këtë rast agresori ka pranuar përgjegjësinë. Serbia po ashtu duhet t’i paguajë Kosovës dëmshpërblimet për luftën dhe të kërkojë falje për gjenocidin. Platforma duhet të përfshijë edhe çështjen e ndarjes së pasurisë shtetërore (sukcesionit) të ish-Jugosllavisë, sepse Kosovës i takon ta marrë pjesën e vet duke qenë se ishte njëra nga tetë njësitë federale të këtij shteti që nuk eksiton më.

A keni te njëjtin opinion me liderët e Kosovës për vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe boshnjake?

Kjo ishte një masë e duhur të cilën Serbia e meritoi, pasi është sjellë në mënyrë shumë destruktive ndaj shtetit të Kosovës si në planin bilateral ashtu edhe multilateral, në kundërshtim më frymën e dialogut të Brukselit, gjatë tërë vitit. Në fakt, është dashur që BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut për normalizim të marrëdhënieve fqinjësore të merrte masa për ta ndalur Serbinë dhe sjelljet e saja anti-evropiane, dhe në mungesë të masave të tilla Kosovës nuk i mbeti rrugë tjetër, por të vendosë masa reciprociteti në sjellje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat