Përgjegjësit e vrasjeve politike janë të veshur me pushtet

Intervista

Përgjegjësit e vrasjeve politike janë të veshur me pushtet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 1 janar 2019 Në ora: 08:19
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Drita Millaku, në një interviste ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur për ngjarjet që e kanë karakterizuar jetën e saj publik dhe private.

Ajo ka thënë se shpreson që Gjykata Speciale do t`i zbardhë vrasjet politike të pasluftës.

Deputetja Millaku ka folur për ngjarjet që e përfshinë Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe për ndryshimin e qëndrimeve të Partisë Socialdemokrate.

Gjithashtu, ajo për herët të parë ka rrëfyer për “Bota sot” jetën e saj jashtë sferës së politikes, për familjen e saj, si dhe për mënyrën se si do të festojë festat e fundvitit.

Bota sot: Si e vlerësoni gjendjen politike sot në Kosovë?

Drita Millaku: Gjendja politike në Kosovë është shumë e keqe, Kosova ka mbetur si geto në Ballkan e izoluar. Si rezultat i keqqeverisjes së vazhdueshme që 20 vite. Me privatizim që realisht është bërë përvetësim, pa zhvillim ekonomik apo me thënë me ekonomi të rrënua, pazbatueshmëri të ligjit, me korrupsion , me rini pa perspektivë, pa shëndetësi të mirëfilltë e pa arsim cilësor. Kjo është gjendja reale në Kosovë.

Bota sot: Si e kujtoni startin tuaj në politikë, si vendoset të merret me këtë fushë dhe sa keni pasur përkrahje?

Drita Millaku: Inkuadrimi në politikë, ka qenë në vitin 2013, e angazhuar fillimisht, pa, qenë anëtare dhe pa u njohur aspak me strukturat e LVV arrita të zgjidhem asambleistja më e votuar nga subjekti dhe e vetmja grua pa kuotë gjinore. Shumë sfida shumë punë por vullneti për të ndryshuar gjendjen në komunën e Prizrenit më bëri shumë optimiste dhe të palodhshme. Puna dhe angazhimi në asamblenë komunale më bëri që unë të zgjidhem radhazi si asambleistja me e zëshme.

Angazhimi në teren, shtrirja e strukturave të LVV nëpër fshatra e në qytet gjatë 4 viteve, na bëri që t'i fitojmë edhe zgjedhjet komunale në Prizren.

Përkrahja ka qenë shumë e madhe nga familja dhe shoqëria pa ata sot nuk do të isha ku jam sot.

Bota sot: Sa i vështirë ishte ky vit për VV duke u nisur  nga largimi i disa fytyrat me të rëndësishme të saj? A është tani më e fort VV pas largimit të tyre?

Drita Millaku: Ky vit filloi me largimin e disa deputeteve nga Lëvizja jo për parime por për interesa të tyre personale e tash së fundi u bë e qartë arsyeja pse u larguan. VETËVENDOSJA jo që nuk u dobësua por ajo shumë shpejtë u inkorporua dhe u shtua sa që aspak nuk u ndje ikja e tyre, por e keqja më e madhe që iu bë nuk ishte që iu bë Lëvizjes por Kosovës sepse i morën votat dhe besimin të LVV dhe ikën me vota të LVV tek pushteti, pra ky është zhgënjimi i qytetarëve pse i votuan sepse i tradhtuan.

Gjëja më e keqe është manipulimi me besimin e qytetareve, këtë nuk do ta bëja kurrë për jetë,  vota është shume e shenjtë.

Bota sot: Si e komentoni ndryshimin e qëndrimit të PSD-së rreth buxhetit? A po hynë dalëngadalë në një koalicion të fshehtë PSD-ja me PAN, duke u nisur prej asaj që u bë pjesë e delegacionit për bisedimet me Serbinë, ndërsa i bënë kuorum qeverisë për buxhet.

Drita Millaku: Ndryshimi i qëndrimeve të PSD ka ndryshuar që në momentit që kanë dal nga LVV, me një llogaritje të mirë planifikuar në kohën e votimit të demarkacionit Donika shkoj në AAK për shkak se u nevojit një votë dhe kjo u bë marrëveshje me PSD dhe AAK. Pastaj kanë filluar diskutimet për formën se si do të shpëtohet kjo qeveri dhe njëra nga arsyet ka qenë se po të shkohej në zgjedhje do të pësohej një debakël.

Bota sot: Po ashtu, biseda në telefon e Pal Lekajt dhe Bilall Sherifit me Dardan Molliqajn janë publikuar nga mediat, si i komentoni këto “pazare”?

Drita Millaku: Bisedat telefonike të fundit treguan qartësi se PSD veç është në koalicione me PDK, AAK dhe Nismën, pra këtu nuk ka dilemë PSD veç e ka hisen e vet në qeveri dhe marrëveshjet kanë përfunduar hyn apo nuk hyn zyrtarisht në qeveri.

Bota sot: Në Kosovën e pasluftës janë vrarë shumë figura të larta politike, kur mendoni se do të zbardhen këto vrasje?

Drita Millaku: Fillimisht do ta kisha përmirësuar konstatimin në atë se  pas lufte janë vrarë shume figura politike dhe patriotike.

Pastaj kemi vështirësi të mëdha në zbulimin e këtyre vrasjeve sepse në organet e sigurisë dhe Prokurorinë e shtetit kemi figura të dyshimta të cilët nuk e kanë bërë punën e duhur pikërisht për arsye se kemi të bëjmë me viktima të cilët janë politike dhe patriotike ndërsa porositësit dhe akteret e këtyre vrasjeve kanë vepruar nën petkun "patriotik" prandaj është ushtruar ndikim i madh që këto raste të mjegullohen dhe të mos zbulohen e të mos ndiqen përgjegjësit.

Do të isha e lumtur që Gjykata Speciale ti zbuloje këto vrasje jo vetëm për faktin e vënies në vend të drejtësisë por edhe të demaskimit të përgjegjësve të cilët janë të veshur me pushtet.

Bota sot: A keni informacione, nëse do të merret Gjykata Speciale me zbardhjen e këtyre vrasjeve, apo do të zvarriten edhe më tej, siç ka ndodhur deri më tani?

Drita Millaku: Nëse janë praktikat e gjykatave që paraprakisht, për shkaqe sigurie, t`i njoftojnë viktimat, atëherë na del që unë të dyshoj që do të merren “BE dhe Gjykata Speciale, krenohet që kanë investu qindra miliona në funksionalizimin e gjykatës, e kriminelet kanë investu miliarda vetëm që të dështon gjykata”.

Kjo gjykate është vetëm vazhdimi i EULEX-it, shumica e gjykatësve janë ish punëtorët e EULEX-it. E pasi që EULEX nuk është marr me rastin e Drinit, nuk besoj që do të mirët as Gjykata Speciale. Megjithatë unë jam shumë e preokupuar me rastet e vrasjeve të pasluftës e sidomos vrasjen e Drinit dhe do të  kërkoj drejtësi gjithmonë.

Bota sot: Në Kosovë, përpos që mungon sundimi i ligjit, kërcënues për të ardhmen paraqitet korrupsioni. Si duhet luftuar kjo dukuri dhe a ka shans që Kosova ta çrrënjosë këtë të keqe të madhe?

Drita Millaku: Për të funksionuar sundimi i ligjit mendoj unë duhet vullnet politik i cili do të jetë baza e kësaj punë. Funksionalizimi i organeve të rendit dhe të ligjit të cilat duhet të pastrohen nga të korruptuarit dhe të penalizuarit.

Ndërtimi i një gjyqësori efikas kërkon përkushtim dhe përgjegjësi.

Dhe kjo klasë politike qeveritare nuk mund ta bëjnë këtë për shkak se vet janë të zhytur në krim dhe korrupsion, dhe i bije që ta luftojnë vetveten.

Bota sot: Sa ka rëndësi imazhi i një politikaneje në politikë?

Drita Millaku: Gruaja është shtylla e familjes, por unë mendoj se ajo është edhe shtylla e shoqërisë. Zërat femëror duhen të bashkohen dhe do të jetë më lehtë që zëri i tyre të dëgjohet, dhe në këtë aspekt duhet të jemi më këmbëngulëse .

Nëse ne i kërkojmë të drejtat tona me ngulmë ato mund ti marrim, por nëse heshtim kjo do të thotë se do të humbim. Andaj kjo ndërlidhet edhe me imazhin e gruas në politik dhe idoli im në politik është Margaret Thatcher , e vendosët, e saktë e prerë në qëndrime.

Bota sot: Cilat ishin momentet më të vështira nga ana emocionale në politikë? Cila është sfida më e madhe që e keni kaluar në jetë?

Drita Millaku: Normal që momentet më t vështira në jetën time politike ka qenë situata e krijuar vitin e kaluar në LVV, për mua ka qenë diçka e papritur, por si  karakter që jam në situata të tilla veproj edhe më fuqishëm. Dhe kam ditur se situatën e krijuar sidomos dëshpërimin e aktivisteve dhe të anëtarësisë ta kooperojmë me një punë sistematike dhe këtë me angazhim dhe takime të përditshme brenda 3 muaj e kemi arritur që ti tregojmë qëllimin e të larguarve që realisht vetëm po vërtetohet tani.

Bota sot: Si ishte viti 2018 në përgjithësi për familjen tuaj?

Drita Millaku: Viti 2018 në aspektin familjar ka qenë i qetë si çdo familje tjetër e rëndomtë. Dhe jo diçka të jashtëzakonshme.

Bota sot: Na flisni pak për jetën tuaj jashtë politikës, si është një ditë e zakonshme e juaja?

Drita Millaku: Kur je në politik është e pamundur të largohesh edhe nëse ke obligim tjera, qoftë për familjen, farefisin apo shoqërinë dhe ç‘është e vërteta i kam lënë pak anash dhe për këtë gjë ju kërkoj falje atyre edhe pse  po me mungojnë.

 Zakonisht një ditë e rëndomtë e imja fillon me një kafe të mëngjesit më shpesh me bashkëshortin apo shoqërinë, por edhe me aktivist sadopak mundohem t`ju qëndroj afër të ballafaqohem me problemet dhe kërkesat e tyre.

Bota sot: Si i pret festat e fundvitit, familja Millaku?

Drita Millaku: Festa e funde vitit i pres me familjen e gjerë, pra me vjehrrin dhe me familjen kunatit dhe besoj se aty gjejë qetësin.

Bota sot: Kush kujdeset për gatimet dhe gjërat tjera në këto festa?

Drita Millaku: Për gatimet këtu besoj se kam pas fat për shkak se bashkëshorti im është një kuzhinier i mirë dhe dëshira e tij është të bëjë eksperimente në kuzhinë, kjo gjë më ka ndihmuar shumë në angazhimet e mija në politik.

Bota sot: Kush e përbën familjen tuaj?

Drita Millaku: Unë jam me prejardhje nga Budakova e Suharekës, jam mbesa e Muharrem Demes (njeri i respektuar në ato anë), jam vajza e Hamitit i cili për shumë kohë ka punuar në Ballkan të Suharekës.

Jam e martuar në familjen e Millaku nga Ujmiri i Klinës, saktësisht në familjen e Bekë Syles edhe ky i njohur për bujarin dhe patriotizmin.

Familja ime është; bashkëshorti Fisniku i cili punon në policinë e Kosovës dhe dy djemtë Longari dhe Lumi që të dy student. Jetojmë në Prizren mbi 45 vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat