Detaje nga jeta politike dhe familjare e deputetes, Donika Kadaj-Bujupi

Intervista

Detaje nga jeta politike dhe familjare e deputetes, Donika Kadaj-Bujupi

Nga: Nebi Ajeti Më: 1 janar 2019 Në ora: 11:12
Donika Kadaj-Bujupi

E konsideruar si njëra nga deputetet më të bukura në Kuvendin e Kosovës, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi në një intervistë ndryshe për gazetën “Bota sot” ka folur rreth mënyrës së si i pret familja Bujupi festat e funde vitit, pastaj duke treguar për startin e saj në politikë dhe momentet më të vështira në skenën politike.

Se cili është ushqimi që dinë ta bëjë më së miri, dhe filmi dhe libri i saj i preferuar mund ta lexoni në intervistën në vazhdim.

“Bota sot”: Si e kujtoni startin tuaj në politikë, si vendoset të merreni me këtë fushë dhe sa keni pasur përkrahje?

Donika Kadaj-Bujupi: Si shumica e të rinjve që besonin se angazhimi i tyre në jetën publike do të sjellte ndryshim dhe punë të mëdha, edhe unë e kisha këtë shtysë të zakonshme. Në fillim kishte shumë besim, përkushtim dhe entuziazëm. Politika si dinamikë në vetvete suspendon besimin, përkushtimin dhe entuziazmin. Nuk mjaftojnë shpesh herë vetëm këto. Përgjatë viteve kam vënë gjithë qenien në politikë, por falë vlerësimit të qytetarëve, përkrahjes së familjes dhe miqve, kam gjeneruar diçka që nuk ia di emrin e që është më shumë se besimi, përkushtimi dhe entuziazmi. Prapavija ime familjare kishte jetesë të zakonshme të cilët me nder mbijetonin, pa pasur ndonjë biznes apo të ardhura të mëdha. Përkrahja e tyre ishte më shumë morale dhe e pakushte, aq sa për ta ushqyer mjaftueshëm karakterin tim luftarak në përballjet politike që po më prisnin.

 “Bota sot”: Sa ka rëndësi imazhi i një politikaneje në politikë?

Donika Kadaj-Bujupi: Jetojmë në kohëra të spektaklit dhe fatkeqësisht imazhi në jetën publike është qendror. Personalisht jam më shumë ithtare e përmbajtjes se sa formës.

“Bota sot”: Cilat ishin momentet më të vështira nga ana emocionale në politikë?

Donika Kadaj-Bujupi: Nuk është se ka pasur ndonjë moment të vështirë që më ka ngarkuar emocionalisht për shkak të politikës. Zakonisht ndihem keq kur kuptoj se disa lëvizje politike kanë rezultuar si të gabuara.

“Bota sot”: Si ishte viti 2018 në përgjegjësi për ju?

Donika Kadaj-Bujupi: Ishte vit i mbarë me shumë punë, me shumë angazhime, me shumë miqësi të reja, me shumë lexime të kryera, me shumë filma të parë, me disa udhëtime në vende që nuk i kisha parë, me më shumë kohë me familjen dhe me më shumë sfida politike. Përgjithësisht, 2018 ka qenë vit i mirë.

“Bota sot”: Po në sferën familjare?

Donika Kadaj-Bujupi: Ka qenë e mirë. Dardani e ka kaluar një semestër në Gracë të Austrisë, Doruntina ka nisur fakultetin, Naseri me punët e tij të përditshme. Ankesa më e madhe e tyre me siguri është kundra meje, për shkak se nuk po përkushtohem mjaftueshëm për ta. Sidoqoftë, këtë vit kam përparuar më shumë në këtë drejtim

“Bota sot”: Si i pret festat e fundvitit, familja Bujupi?

Donika Kadaj-Bujupi: Pa shumë bujë por me shumë dashuri për njëri-tjetrit, ashtu sikurse kushtojnë edhe këto festa. Atmosfera është më e ngrohtë se sa periudhave tjera.

“Bota sot”: Kush kujdeset për gatimet dhe gjërat tjera në këto festa?

Donika Kadaj-Bujupi: Pothuajse të gjithë. Duhet të veçoj gatimet e nënës. Ah! Duart e nënës…

“Bota sot”: Cila është marrëdhënia juaj me fëmijët? Na tregoni më shume për ta

Donika Kadaj-Bujupi: Meqë janë të rritur dhe aktiv në jetërat e tyre, besoj se ata vetë mund të thonë më shumë. Unë dhe fëmijët jemi, siç thuhet “dosta”. Flasim shumë hapur dhe nuk kemi tabu, barriera. Jemi shumë të afërt dhe jam e bekuar që i kam.

“Bota sot”: Sa i mungoni bashkëshortit tuaj, pasi ju jeni e angazhuar shumë?

Donika Kadaj-Bujupi: Edhe për këtë besoj se ai do të mund të përgjigjej më mirë. E di se i mungoj ashtu sikurse më mungon edhe ai mua. Pas tërë këtyre viteve martesë ai ende e përdorë batutën, “Po të ishe në shkollë me gjithë këto mungesa, do të përjashtonin tash e sa kohë.

Bota sot”: Çfarë nuk mungon asnjëherë në kuzhinën tuaj?

Donika Kadaj-Bujupi: Nuk e di, besoj se gjërat elementare janë.

Bota sot”: Jeni e mirë në kuzhinë?

Donika Kadaj-Bujupi: Jam e tmerrshme.

Bota sot”: Ushqimi i preferuar të cilën fëmijët tuaj e admirojnë dhe ju nuk përtoni ta bëni?

Donika Kadaj-Bujupi: Me duket se marrë lëvdata për troftën e përgatitur me perime dhe të gatuar në furrë. Në mos ma kanë bërë qejfin…

 “Bota sot”: Lexoni apo shihni filma, cili është libri apo filmi juaj i preferuar?

Donika Kadaj-Bujupi: I kombinoj. Kur jam shumë e lodhur nganjëherë filmi më çlodhë. Njëjtë edhe libri. Ka shumë. Sa herë e lexoj ndonjë libër ose e shoh ndonjë film them me vete, ky qenka. Po për hir të formatit po veçoj. Filmi i fundit që e kam parë, “Bitter Harvest” i regjisorit George Mendeluk më ka lënë shumë përshtypje dhe e rekomandoj. Në anën tjetër, rrëfimet e udhëtimeve të Edith Durham në librin “Ngatërresa Ballkanike”, sidomos sipërfaqësimi i shoqërisë shqiptare përgjatë viteve 20’ është mbresëlënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat