Drejtori i “Meka”: Prodhuesit vendor po përballen me sfida të shumta, taksa ndaj Serbisë është për t’u përshëndetur - Bota Sot
Drejtori i “Meka”: Prodhuesit vendor po përballen me sfida të shumta, taksa ndaj Serbisë është për t’u përshëndetur

Intervista

Drejtori i “Meka”: Prodhuesit vendor po përballen me sfida të shumta, taksa ndaj Serbisë është për t’u përshëndetur

Nga: Nebi Ajeti Më: 2 janar 2019 Në ora: 08:10
Drejtori Burim Piraj me gazetarin e “Bota sot”, Nebi Ajeti

Drejtori i Kompanisë “Meka Halal FOOD”, Burim Piraj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur rreth ecurisë së kompanisë së tij, sfidave dhe krijimit të saj si biznes.

Piraj ka treguar se si përfaqësues i kompanisë që ka rreth 150 të punësuar, ai ka qenë kundër anëtarësimit të Kosovës në CEFTA, pasi që ai ka vlerësuar se nuk është e dobishme.

Problemet që e preokupojnë kompaninë “Meka Halal Food”, por edhe kompanitë e tjera në Kosovë, sipas Burim Pirajt janë taksat që po paguhen për lëndën e parë, si dhe për pjesët e makinerive të prishura.

Drejtori i “Meka” thotë se taksa 100% e vendosur ndaj Serbisë është për t’u përshëndetur, mirëpo thekson së është e vonuar.

“Bota sot”: Na tregoni diçka më shumë për kompaninë tuaj?

Burim Piraj: Ne kemi filluar njëherë të punojmë si kompani e pijes, mirëpo për shkak të kushteve të këqija materiale, babai im ka qenë mësues, mirëpo për shkak të angazhimeve të tij politike e kanë përjashtuar nga mësimdhënia dhe ka qenë i dënuar politikisht. Kështu që filluam të punojmë me pije, por gjatë punës me pije kemi hasur në shumë tregtarë të cilët kanë blerë suxhuk. Në atë kohë nuk është prodhuar suxhuku privat në Kosovë, ka pasur vetëm të shtetit, fabrika e Gjilanit dhe Prizrenit  dhe neve na ka lind ideja se sikur ne të prodhojmë ndoshta do ta kishim biznesin tonë, por nuk ka qenë synimi jonë për një investim të madh,  por për një investim të vogël familjar në formën e mishtoreve që punojnë. Nga aty kemi marr idenë dhe kemi filluar në vitin 1992 të prodhojmë suxhuk. Suxhuku i parë që kemi prodhuar për fat të keq kemi pësuar humbje, mirëpo nuk jemi dëshpëruar dhe kemi vazhduar si  një biznes familjar prej 3 personave të punësuar, unë, babai im, dhe vëllai im. Dhe kemi  filluar të punojmë, kemi hapur një mishtore në Dragash ku nga ajo mishtore kërkesat kanë qenë të mëdha për furnizim me mish dhe kemi filluar të punësojmë edhe punëtorë të tjerë. Deri në vitin 1999 kemi pas 9 punëtorë, pastaj ka filluar lufta ku kemi vazhduar me 8 punëtor. Pas luftës ka qenë shumë mirë që përdorej valuta gjermane si markë stabile, dhe jo dinarin që na ka shkaktuar shumë humbje para luftës për shkak të devalvimit të vazhdueshëm të dinarin, e pas lufte filluam të zhvilloheshim ndryshe. Për të arritur në ditët e sotme ku “Meka” si kompani është e ndarë në tri degë, një kompani e posedon hotelin dhe qendrën tregtare, që gjendet në qendër të Dragashit që ka diku 60 punëtorë, pjesa tjetër është pompa e benzinës që ka 10 punëtorë dhe përpunimi i mishit që i kemi 75 punëtorë.

Javën e fundi kemi punësuar edhe dy punëtor të ri, kështu që trendët zhvillimore po shkojnë shumë mirë dhe besoj që do punësojmë edhe të tjerë.

“Bota sot”: Cilat kanë qenë sfidat e para që ka hasur ajo?

Burim Piraj: Sfida e parë që jemi ballafaquar në themelim atëherë  ka qenë teknologjia për përpunimi të mishit, nuk kemi dashtë të bëjmë suxhuk të thjesht klasik,  por kemi dashur ta modernizojmë procesin e përpunimet, atëherë është dashur të bëhen disa studime jashtë institucionale në lidhje me teknologjinë  e përpunimit të mishit kryesisht në Vojvodinë dhe në vendet tjera dhe kemi arrit ta zotërojmë mire teknologjinë e përpunimit të mishit për të vazhduar pas luftës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Gjermani për tu trajnuar dhe specializuar edhe më tej teknologjinë e përpunimit të ushqimit.

Sfida e dytë ka qenë kur ka filluar të zhvillohej kompania sepse ne kemi menduar se na mjafton vetëm teknologjia e përpunimit të mishit, mirëpo kompani filloi të zhvillohej me hapa të shpejtë dhe atëherë është paraqitë nevoja e menaxhimit të kompanisë, dhe unë si inxhinier i elektroteknikës  u desh të  studioja për menaxhment, ku në vitin 2010 e kam bërë regjistrimin e studimeve  master për Administratë Biznesi Ndërkombëtar në Krims të Austrisë ku në vitin 2012 kam specializuar, kam pas fatin të studiojë në një universitet shumë prestigjioz dhe kam pas për kusht që një prej provimeve ta bëjë jashtë Austrisë dhe e kam bërë në San Francisko të Amerikës dhe kam qenë në atë provim dhe kemi vizituar Facebook, Google, NASA, e gjithastu kam qenë  i vetmi shqiptarë,  kemi fituar përvojë jashtëzakonisht të madhe për menaxhimin dhe kontrollimin e kompanisë, për marketingun e kompanisë, kemi parë shembuj në praktikë se si i kanë zhvilluar kompanitë dhe më ka ndihmuar në atë kohë që nga 36 punëtor për dy vite kemi arrit në 90 punëtorë. Kjo më ka mundësuar dhe mendojë që ka qenë vendimi i duhur pasi në ishim në dilemë se a të studiojmë vetë apo të shpallim konkurs për menaxher nga jashtë, dhe vendosa që të studiojë vetë, normalisht që ka qenë një sfidë e madhe nuk ka qene aspak e lehtë mirëpo kam përfunduar me sukses.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet kompania juaj?

Burim Piraj: Aktualisht sfida më e madhe është barriera politike që i bëhet Kosovës nga Unioni Evropian dhe ato krijon pengesa që të eksportojmë  në Unioni  Evropian dhe në mënyrë zinxhirore ajo na krijon problem që të eksportojmë edhe në vende tjera, për momentin ne eksportojmë vetëm në Shqipëri, edhe pse kërkesat janë shumë të mëdha në tregun e Kosovës edhe ndoshta edhe sikur të kishim kërkesa për eksport nuk do ti përballonim prapë se prapë, është sfida më e madhe që statusi politik i pazgjidhur i Kosovës që neve na pengon.

Sfida e dytë është energjia elektrike e cila vazhdimisht ka probleme dhe nuk dihet se kur ka dhe kur nuk ka, dhe shpesh herë na shkakton prishje në fabrikë, prishje të cilat  deri të i sanojmë ndalet i terë prodhimi, kjo është sfide shumë e madhe.

“Bota sot”: A është kompania MEKA pjesë e Aleancës Kosovare të Biznesit?

Burim Piraj: Jo nuk jam, kam qenë në të kaluarën deri në vitin 2014 dhe tani nuk jam.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj rreth marrëveshjes së CEFT-as?

Burim Piraj: Edhe në kohën kur Burim Dugolli ka qenë ministër dhe ka insistuar të nënshkruhet kjo marrëveshje, unë kam qenë kundër në dy takimet  që i ka organizuar  më shoqatat  e Bizneseve në Hotel Grand në Prishtinë. Ish drejtorin e financave Burim Dugolli e kemi kundërshtuar kategorikisht që nuk duhet Kosova të futet në CEFTA se nuk ka interes, sepse po futet në një vend ku 10 %  e ka eksportin 90% e ka importin dhe është një traktat i pabarabartë.

Kosovën e merr e gllabëron në një mënyrë dhe shkakton dëme të mëdha , Ministri Dugolli ka thënë që duhet se është në interes të Kosovës  me qenë anëtare  e kësaj organizate, me nënshkrua traktatin e CEFTAS pasi që Kosovës i ofron perspektivë evropiane  dhe ne duhet të shohim  interesat tona  të mos i prishim me BE, mirëpo pasi hyri në fuqi  ne e kemi pasur edhe ballafaqime në radio me zotëri Dugolli dhe unë kam qenë kategorikisht se duhet dalë nga CEFTA, ai thoshte se jo, unë i thosha se është më mirë ta shikojmë interesin tonë dhe të jemi mirë me vetën tone se sa me Bashkësinë Evropiane , se pasojat janë shumë të mëdha dhe ashtu ndodhi.

“Bota sot”: Sa po i jep përparësi bizneseve dhe sa po i diskriminon CEFT-bizneset?

Burim Piraj: Pas aplikimit të CEFTAS institucionet kosovare i zuri në gjumë, nuk bënë reforma në politikat tatimore dhe të gjithë ata që ishin të interesuar të prodhonin në Kosovë u vendosën në Maqedoni , gjithë ato fabrika janë ndërruar me qëllim të eksportit për Kosovën dhe kanë pasur të drejtë pasi që qëllimi i tyre ka qenë shumë më i volitshëm sesa prodhimi që është bërë në Kosovë dhe kompanitë ndërkombëtare nuk kanë pasur interes të futen në Kosovë. Kosovën e kemi sot vendin e vetëm në rajon që nuk prodhohet Coca Cola , por ka shumë taksa dhe barriera që e tejkalojnë Coca Colën të prodhohet në Kosovë.

Për shkak të këtyre reformave të vonshme, reforma e parë politike tatimorë është bërë në vitin 2015 nga qeveria Mustafa, ajo është shumë e vonshme ngase në vitin 2007 ka hy në fuqi CEFTA, shumë e vonshme dhe për shkak të vonesës në reforma punësimi në Kosovë është ngadalësuar shumë , edhe popullata është detyruar të migronte.

E këto karakteristika të shpërnguljes së popullatës nga Kosova dhe zvogëlim të numrit të banorëve janë të barabartë me shenjat e eksodit edhe pse nuk i publikojnë institucionet tona numrin e banorëve të cilët janë në Kosovë dhe të cilët janë shpërngulur, është një eksod mirëpo sigurisht në një të  ardhme do të hapet çështja e kësaj pune dhe do të diskutohet pse erdhe deri aty.

“Bota sot” Cili është mendimi juaj rreth ministrit aktual te Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala?

Burim Piraj: Edhe ministri Bajram Hasani  ka punuar shumë mirë, ka qenë i afërt me bizneset kemi bashkëpunuar shumë mirë ka qenë një prej ministrave të parë që në mënyrë të drejtpërdrejt ka mbrojte interesat e firmave sidomos prodhuesve vendor, me çdo problem që e kemi parashtruar tek ai është marr. Edhe ministri Shala po mirët shumë seriozisht me problemet, por sigurisht ka pasur trashëgimi të ministrit paraprak dhe ministri Shala ka shkuar drejt e në aksion, dmth është shumë e qëlluar sepse ne është dashtë moti ta aplikojmë metodën e reciprocitetit, nuk është dashur  të pritet shumë gjatë se kur neve Maqedonia na bënë barriera në produkte të ndryshme pse të mos ja kthejmë edhe ne njëjtë, ose  Shqipëria të na bënë barriera dhe ne të mos ja kthejmë njëjtë , ska lidhje edhe pse me Shqipërinë jemi të një gjaku mirë duhet të jemi të barabartë , ta respektojmë  njeri tjetrin, reciprociteti është metoda më e mirë për ta detyruar ndokënd që të ketë respekt ndaj teje sikur ti ndaj tij dhe kjo është një metodë e reciprocitetit ndaj Serbisë e cila që nga fillimi i zbatimit të CEFTA-s  në në asnjë mënyrë nuk ka lejuar qarkullimin transit që ka qenë e lejuar ta lejon ne edhe këto ditë të gjithë mishin që e importojmë në vende tjera e bëjmë rrotull nga Rumania, Bullgaria, Maqedonia në Kosovë ose Slloveni, Kroaci, Mal të zi, Shqipëri dhe Kosovë  dhe na shkakton shpenzime shtesë. Ata kanë qenë kategorikisht dhe nuk kanë lejuar kurrë që të behej transporti i produkte me origjinë shtazore nëpër Serbi. Na kanë kërkuar të bëjmë regjistrimin e firmës si  firmë serbe . Ndoshta ka firma që atë punë e kanë e ekzekutuar në bazë të çmimit më të lirë të transportit mirëpo firma jonë nuk ka bërë kurrë import transit nëpër Serbi të mallrave me origjinë shtazore

Ka edhe barriera tjera të cilat vazhdojnë edhe prej vendeve tjera të CEFTA-s nuk është vetëm Serbia por edhe Maqedonia e cila nuk i njeh certifikatat shëndetësore të mallrave me origjinë shtazore, edhe me e keqja stabilimentet ekonomike të cilat  merren me përurim të mishit dhe qumështit  të cilat janë të licencuara nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit nuk i pranon, kërkon ri licencim tjetër, e kjo është  e padrejtë. Këtu nuk mund të flasim për një traktat të mirëfilltë  tregtar se një traktat për qarkullim të mirë të mallrave dhe njerëzve i përfshin edhe certifikatat  dhe njohjen e ndërsjellët të  certifikatave dhe inspektorateve.

Nuk mund të jetë parciarë, ose i tërë ose nuk mund të zbatohet, mirëpo këtu Kosova nuk ja kthen Maqedonisë në të njëjtën mënyrë.

Ajo ja miraton çdo kërkesë, kurse Maqedonia jo , edhe pse është e lejuar në Kosovë dhe në këtë drejtim mendoj që duhet të ketë reciprocitet, jo ta teprojmë por në çfarë masa janë ata ndaj nesh edhe ne ndaj tyre.

Nuk duhet ta teprojmë, ne jemi për zhvillim jemi për bashkëpunim , nuk jemi për bllokim mirëpo nga ana tjetër ata po na bllokojnë ne në çdo aspekt

“Bota sot”: Sa punëtorë ka ajo momentalisht dhe sa është rritur numrin i punëtoreve qe nga fillimi i punës?

Burim Piraj: Firma Meka fillimisht ka pasur 3 punëtore, momentalisht në fabrikën e mishit punojnë  75, kemi dy firma tjera  ku njëra i ka 10 dhe tjetra 60 punëtore, pra si total firma Meka nga fillimi i punës duhet të këtë 146 punëtorë.

“Bota sot”: Me çfarë sfida po ballafaqohen kryesisht ndërmarrjet në vend?

Burim Piraj: Ende duhet përmirësim  i politikave tatimore , ende paguhet taksë për lëndë të parë për disa lloje jo për të gjitha, ende paguhet taksë për makineri të cilat prishen, edhe këto duhet të eliminohen, shpesh herë kemi pasur deklarime të ministrit të financave se kjo taksë është hekë, lënda e parë nuk paguhet mirëpo ne paguajmë kanaqe të konservave ,taksë doganore, taksë për pjesë rezverë të cilat i porosisim nga jashtë dhe vinë këtu që vendet për rreth nesh nuk i kanë, duhet të jemi të barabartë me vendet tjera si Shqipëria Maqedonia, Mali i zi dhe Serbia.

Madje duhet të lirohet pagesa e TVSH-së në kufi, duhet TVSH-ja të paguhet pasi të shiten produktet ashtu siç e ka Maqedonia dhe Serbia, duhet ti bëjmë konkurrencë atyre, duhet energjia elektrike të stabilizohet dhe të ketë furnizim të rregullt për të gjithë pa dallim 24 orë që ato firmat të cilat e mbikëqyrin Kosovën të mos kenë frikë se a do ketë energji apo jo, madje si sfide tjetër nuk do kisha thënë korrupsioni mirëpo në fjalë është shumë aktuale burokracia e cila përbëhet prej njerëzve të them jo profesionistë të cilët shumë punë i prolongojnë ose nga mosdija ose nga mos vullneti  dhe ajo po shkakton shumë humbje të mëdha në vend.

Ne këtu në Dragash  kemi pasur një firmë gjermane e interesuar për investime e cila ka pasur ndërmend të investojë  2 milionë euro dhe nga burokracia e tej zgjatur nga mos përgjegjësja e kërkesave të tyre ata e ndërrojnë mendimin dhe  shkojnë investojnë në  Mavrovë të Maqedonisë, dhe dëgjova që ata kanë investuar atje 5 milionë pra e kanë rritë, pse sepse 2 muaj  kanë ardhue këtu në komunë të Dragashit me marr vetëm një fletë përkrahje nga AKP-ja që ti marrin disa stalla me qira  dhe këtu nuk kanë qenë në gjendje me ja dhënë flet përkrahjen

Ai që vjen për investime nuk pret këto janë barriera të përgjegjësuar të cilat më së shumti i pengojnë bizneset në Kosovë.

“Bota sot”: Cili është mendimi jua rreth vendosjes së taksës 100% për produktet e Serbisë?

Burim Piraj: Nëse e marrim taksen vetëm si taksë atëherë del si diçka jo reale ndërsa rrethanat e vendosjes së taksës ato janë shume reale ngase Serbia përveç aspektin ekonomik ka thyer të gjitha marrëveshjet që i ka bërë me Kosovën. Ka nënshkruar një marrëveshje 12 pikëshe që të mos i përzihet Kosovës dhe të mos i pengojë asaj në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Serbia bëri çmos që Kosova të mos anëtarësohet në UNESCO pastaj në INTERPOL,  gjithashtu bëri lobim të madh për tërheqje të njohjeve për Kosovën, kjo taksë është gjëja më e vogël që iu është bërë Serbisë.

Po ndoshta ka qenë dashur të bëhej kohë më parë në mënyrë reciproke ti përgjigjemi por është dashur shumë herët ti përgjigjemi për shkak të tabelave sikur ata si kanë  që kanë reaguar, ndoshta është dashur shume herët ti përgjigjemi për shkak të transportit me makina  me regjistrim të Serbisë që transportojnë në Kosovë,   madje për shkak të mos njohjes së dokumentacionit ato shënimet i pamë se ka pasur mbi produkte të ndryshme “Kosova e Metohija” ajo është lëshim i madh i institucioneve tona, nuk ka arsyetim ,institucionet tona po del që deri më tani kur ka ardhur ministri Shala dhe qeveria Haradinaj kanë qenë në gjumë edhe ne vetvetiu kemi qenë tolerant nga degradimi i sovranitetit tonë. Ne vetë e kemi degraduar sovraniteti tonë, kemi qenë vetë fajtorë dhe taksa 100 për qind e ka kthyer dinjitetin e shtetit tonë, moralin dhe po ndihemi pak më ndryshe po ndihemi pak , më të lumtur po ndihemi se jemi dikushi.

“Bota sot”: Në cilat shtete keni eksport më të madh?

Burim Piraj: Eksport kemi në Shqipëri dhe në Zvicër, por ne Zvicër kryesisht mallra me orgjinë jo shtazore siç është fasulja , mund  ti eksportojmë edhe mallrat me orgjinë shtazorë dhe të gjitha produktet e mishit  mirëpo nuk mund ti bëjmë transit nëpër Unionin Evropian sepse Unioni Evropian nuk e figuron fare Kosovën në listën e tyre.

“Bota sot”: Keni përkrahje nga komuna lidhur me zhvillimin e biznesit tuaj?

Burim Piraj: Për fat të keq unë nuk pasur asnjë vizitë nga komuna, as ftesë, nuk na pengojnë që është me rëndësi, suport nuk kemi, nuk na interesojnë as çka bëjmë, ata janë si një shtet i pavarur.

“Bota sot”: Cilat janë synimet e kësaj kompanie?

Burim Piraj: Synimet kemi  që ta zhvillojmë kompaninë akoma më shumë, kemi dëshirë që brenda 1 deri në 2 vite  ta dyfishojmë numrin e punëtorëve , mendoj që brenda 1 viti do ta dyfishojë numrin e punëtorëve , të rrisim kapacitetet e prodhimit , këtë vit e kemi bërë një investim në një fabrikë të re në vlerë prej 1 milionë euro mendojmë ta mbyllim edhe diku 5 muaj. Pas këtij investimi kemi plan në ndërtimin  e stallave për trashjen e gjetheve ka shumë tokë të pa punuar në tokën e sharit dhe Dragashit, nuk është qëllimi jonë  dhe nuk është interesi jonë të investojmë në atë drejtim por dëshirojmë ti tregojmë këtij populli në praktikë se edhe në vendin tonë me bujqësi jo që fitohet por edhe krijohen mjetet e mjaftueshme, krijohet kapital, për me pas si shembull tek të tjerët që edhe ta të na bashkëngjiten të bëjmë stalla për trashjen e gjetheve pulave,  zogjve e kështu më radhë.

Kosova  ka aq shumë hapësirë sa që ne nuk kemi nevojë  që të migrojmë në vendet e tjera për të krijuar jetë më të mirë .Për këtë arsye do të investojmë në stalla për trashjen e gjetheve.

“Bota sot”: Sa është niveli i pagave të punëtorëve dhe sa kanë të drejta punëtorët në firmën “MEKA”.

Burim Piraj: Për moment duke parë situatën dhe rrethanat e krijuara në vendin tonë une si drejtor kam marr vendim që paga minimale për një punëtor të jetë 250 euro neto duke përfshirë mëngjesin dhe drekën nga kompania, përveç kësaj punëtoret kanë 18 ditë të lira pushim gjatë vitit dhe punojnë 5 ditë në jave, dy ditë në javë i kanë pushim. Orari i punës është 7 +1 edhe pse me ligjin e Kosovës  duhet ti ketë 8 orë punë e 1 orë pauzë. Ne e kemi ndryshe por ka shumë herë kur kemi punë më shumë dhe punojmë pak më gjatë se orari normal. Mirëpo mendojmë së ne jemi kompani që i kemi dhënë pagat e 13 dhe 14 edhe këtë vite do ta japim pagën e 14 për punëtorët. Kemi arritur të tejkalojmë programin e prodhimit më shumë seç kemi planifikuar dhe e kanë fituar edhe pagën e 14, por mendoj që nga viti i ardhshëm paga minimale  në kompaninë tonë do të shkojë nga 250 deri ne 300 euro dhe nuk do të ketë pagë më të vogël se 300  euro përveç praktikantëve dhe punëtoreve fillestar të cilët janë në punë provuese dy muaj .Ata deri sa të marrin statusin e punëtorit do ta kenë pagën më të vogël se 300 do ta shohim sa do ta vendosim mirëpo kur ta nënshkruajnë kontratën e punës do ta ketë pagën minimale 300 euro, që është më rëndësi. Ne  në punë nuk kemi punëtorë të përkohshme të gjithë punëtorët kanë kontrata të plot fuqishme dhe atë ditë që Republika e Kosovës ta futë në fuqi ligjin për sigurimet edhe sigurimet kompania do ti merr përsipër për të gjithë punëtorët.       

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...