Përgjigja për vizat në Bruksel, ideja për “korrigjim kufijsh” vuri në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës

Intervista

Përgjigja për vizat në Bruksel, ideja për “korrigjim kufijsh” vuri në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 janar 2019 Në ora: 07:57
Sami Blakaj

Në një intervistë ekskluzive për gazetën  “Bota sot” njohësi i Politikave të BE-së, Sami Blakaj, ka folur rreth dështimeve të mëdha të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai ka thënë se, një meritë e madhe për këto dështimet i faturohen Serbisë dhe diplomacisë serbe, e cila në mënyrë aktive dhe të pandalshme është duke e penguar konkludimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Po ashtu, Blakaj, ka folur edhe rreth çështjes së liberalizimit të vizave duke thënë se tanimë topi është në anën e topi është në anën e autoriteteve evropiane të cilat së fundi nuk kanë treguar qasje korrekte karshi qytetarëve të Kosovës.

“Bota sot”: Cili është problemi që Kosova ka ngecë në arenën ndërkombëtare?

Sami Blakaj: Problemet sistematike me të cilat është ballafaquar Kosova gjatë këtij viti në rrafshin e brendshëm sigurisht që kanë reflektuar negativisht edhe në rrafshin ndërkombëtar. Mungesa e vazhdueshme e një konsensusi të brendshëm politik, përplasjet dhe qëndrimet kontraverse ndërmjet presidencës dhe qeverisë karshi dialogut me Serbinë, mosfunksionimi i mirëfilltë i organeve më vitale të shtetit, siç është Kuvendi i Republikës së Kosovës si dhe mungesa e përfaqësimit dinjitoz në politikën e jashtme ka bërë që vendi ynë të paraqesë një imazh negativ dhe të shënon ngecje të dukshme në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Pse dështoi Kosova sa i përket liberalizimit dhe në duart e kujt mendoni se është kjo çështje?

Sami Blakaj: Kosova tashmë ka përmbushur kriteret e parapara për liberalizimin e vizave. Madje kjo është konfirmuar edhe nga vetë institucionet e BE-së, siç është Komisioni dhe Parlamenti Evropian dhe se vendimi final do duhej të miratohej gjatë këtij muaji nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian, gjë që nuk ndodhi. Këtu mendoj se topi është në anën e autoriteteve evropiane të cilat së fundi nuk kanë treguar qasje korrekte karshi qytetarëve kosovarë, duke i lënë ata edhe më tutje si popullin më të izoluar në kontinentin evropian.

“Bota sot”: Çështja e njohjeve është duke çaluar. Ku mendoni se qëndron defekti sipas jush?

Sami Blakaj: Defektet janë të shumta, duke u nisur nga diplomacia jonë e "përgjumur", bisedimet me Serbinë e deri te propaganda e kësaj të fundit në dëm të Kosovës. Mendoj se Kosova që me nisjen e dialogut në Bruksel, ka sfiduar veten në politikën e jashtme, politikë kjo që ka karakterizuar dinamikën e diplomacisë kosovare në një nivel të ulët dhe jo të favorshëm për shtetin e Kosovës. Duhet nënvizuar se mungesa e vazhdueshme e një platforme të qartë politike nga ana e palës së Kosovë për një "Marrëveshje finale" me Serbinë si dhe së fundi ideja e presidentit Thaçi për "korrigjim kufijsh" ka vënë në pikëpyetje vetë shtetësinë e Kosovës, duke iu dhënë një arsye më tepër skeptikëve të pavarësisë se Kosovës se subjektiviteti shtetëror i vendit tonë nuk është i definuar akoma. Kjo situatë padyshim që ndikon në ngecjen e njohjeve për Kosovën si dhe zbehë subjektivitetin tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vitin 2018 për Kosovën sa i përket proceseve të Integrimeve Evropiane?

Sami Blakaj: Viti 2018 ishte jashtëzakonisht sfidues për Kosovën dhe rrugëtimin e saj në proceset integruese. Ky vit fatkeqësisht lë vendin me pritje të shumta, por me arritje të pakta. Vlen përmendur tri pritjet kryesore që për qytetarët kosovarë mbetën të premtuara, por jo edhe të realizuara, siç janë premtimi për sjelljen e njohjeve të reja, anëtarësimi i Kosovës në mekanizma ndërkombëtar si dhe premtimi për heqjen e vizave. I gjithë ky premtim i konvertuar tashmë në dështim politik dhe diplomatik vjen si rezultat i mungesës së pjekurisë shtet formuese, rrjedhimisht i mungesës së një strategjie të politikës së jashtme, e cila në një formë apo tjetrën bëri që Kosova këtë vit më shumë të shënon regres sesa progres.

“Bota sot”: Përse Kosova dështoi në anëtarësimin e UNSEC-os dhe INTERPOLIT? Cili ishte shkaku sipas jush?

Sami Blakaj: Mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, fillimisht në UNESCO dhe më pas edhe në INTERPOL është një dështim i radhës i diplomacisë së Kosovës, e cila nuk po arrin dot të krijoi një agjendë nacionale e cila në mënyrë meritore dhe sistematike do të lobonte për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar. Një meritë e madhe për dështimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare i faturohet Serbisë dhe diplomacisë serbe, e cila në mënyrë aktive dhe të pandalshme është duke e penguar konkludimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Liberalizimi i vizave është një nga çështjet më aktuale në vend. Si e vlerësoni punën që po bëhet për këtë nga institucionet në vend?

Sami Blakaj: Institucionet përgjegjëse kosovare kanë punuar në vazhdimësi rreth procesit të liberalizimit të vizave dhe kjo tanimë është konfirmuar edhe nga organet më të larta të Bashkimit Evropian. Megjithatë Kosova ka ende punë për të bërë në shumë fusha dhe veçmas në sistemin e drejtësisë, sistem ky i cili vazhdon të mbetët vrimë e zezë për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane.

“Bota sot”: Luftimi i krimit dhe korrupsionit është po ashtu një kusht tjetër mjaft i rëndësishëm për liberalizim të vizave. Sa mendoni se po bëhet kjo?

Sami Blakaj: Lufta kundër krimit dhe korrupsionit edhe gjatë vitit 2018, ka qenë vazhdimisht pjesë e deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror, por rezultatet konkrete kundër kësaj dukurie kanë munguar. Kam përshtypjen se kjo dukuri e shëmtuar më shumë është duke u "luftuar" në hollët e hoteleve përmes seminareve e konferenca shtypi, sesa që po luftohet realisht në zyrat e shtetit, prokurorisë dhe gjykatave. E gjithë kjo po bëhet për të kamufluar mos punën e sistemit tonë të drejtësisë që fatkeqësisht është i kapur dhe i diktuar nga politika.

“Bota sot”: Institucionet vendore kanë kritikuar BE-në lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Pse kjo shtyrje nëse janë plotësuar të gjitha kriteret?

Sami Blakaj: Kritika e institucioneve të vendit drejtuar BE-së në parim është kritikë e drejtë. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret, nga kriteri i parë deri në kriterin e 95-të. Gjatë këtij viti Komisioni Evropian ka dalë me një vlerësim pozitiv se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe Parlamenti Evropian mund ta votojë këtë rekomandim. Një votë e tillë ka ndodhur. Tash përgjigjja është në Bruksel dhe vota pro ose kundër liberalizimit më shumë ka të bëjë me rrethanat politike të vet BE-së sesa me Kosovën. Sot në shumë vende të Bashkimit Evropian ekziston pikëpyetja e madhe nëse Kosova është e gatshme për kontroll ndaj migracionit dhe nëse BE-ja do të ballafaqohet me një valë të re të migracionit nga Kosova. Tema e migracionit shihet si shumë problematike dhe me shumë ndikim në zgjedhjet e ardhshme në Bashkimin Evropian, meqë migracioni aktualisht është një politikë mjaft problematike.

“Bota sot”: A mund të ketë ndonjë ndikim përfundimi i dialogut tek pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Sami Blakaj: Përmbyllja e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë që në preambulë do të kishte njohjen reciproke padyshim që Kosovës do t`i sillte njohje të reja jo vetëm brenda pesëshes së BE-së, por edhe më gjerë. Përtej njohjeve të reja, Kosova do të anëtarësohej shumë shpejt në mekanizma të tjerë ndërkombëtar dhe do të siguronte ulësen e saj në OKB.

“Bota sot”: A mendoni se BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare do të lejojnë dështimin e dialogut pasi që kanë investuar një kohë të tërë në arritjen e këtyre marrëveshjeve?

Sami Blakaj: Nuk mendoj që Bashkësia Ndërkombëtare në përgjithësi dhe BE në veçanti do ta lejonte dështimin e një procesi të tillë. Përmbyllja me sukses e procesit të dialogut dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi nuk është vetëm interes nacional ndërmjet të dyjave vendeve, por është interes mbi nacional për të cilin faktori ndërkombëtar ka investuar me dekada të tërë.

“Bota sot”: Cilët nga faktorët po ndikon në tërheqjen e njohjes dhe kush duhet dhënë përgjegjësi për këtë?

Sami Blakaj: Tërheqja e njohjeve të shtetësisë sipas ligjit ndërkombëtar quhet REVOKIM. Në praktikën e së drejtës ndërkombëtare akti i revokimit të njohjes është akt i rrallë dhe si i tillë nuk është praktik e shteteve demokratike. Në rastin e Kosovës revokimet për njohje zakonisht kanë ardhur nga vendet e botës së tretë, me demokraci dhe ekonomi të varfër, e të cilat janë lehtësisht të ndikueshme. Këtë mundësi diplomatike ka ditur ta shfrytëzojë me dinakëri diplomacia serbe, e cila për dallim nga diplomacia kosovare është shumë aktive dhe fatkeqësisht po shënon rezultate evidente kundër Kosovës dhe subjektivitetit të saj shtetëror.

“Bota sot”: Cili është mesazhi i juaj, për vitin që sapo hymë?

Sami Blakaj: Uroj që viti 2019 të jetë vit me më pak premtime dhe me më shumë realizime, me më pak varfëri me më shumë zhvillim ekonomik! Qytetarëve uroj të kenë shëndet, mirëqenie ekonomike dhe më shumë mbarësi në Vitin e Ri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat