Albin Kurti flet për bashkëpunimin me LDK-në: Mund t`i mbërrijmë numrat për rrëzimin e Qeverisë

Intervista

Albin Kurti flet për bashkëpunimin me LDK-në: Mund t`i mbërrijmë numrat për rrëzimin e Qeverisë

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 15 janar 2019 Në ora: 08:07
Albin Kurti

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, e ka quajtur mashtrim publik, formimin e ekipit negociator për dialogun me Serbinë. Sipas Kurtit, e vetmja mënyrë për ta ndalur Thaçin, është duke e lënë vetëm atë, duke e braktisur në rrugën e tij, gjë të cilën sipas tij, nuk po e bën koalicioni aktual qeverisës, përkatësisht ekipi negociator.  Kreu i LVV-së, ka thënë se së bashku me LDK-në dhe popullin, nuk do të lejojnë kompromise të tjera të dhimbshme për Kosovën, në dialogun me Serbinë.  Kurti e ka vlerësuar si të rëndë gjendjen politike, ekonomike e sociale në vend. Sipas tij, koalicioni PANA ka mosmarrëveshje të mëdha të brendshme dhe se e vetmja gjë që e mbanë në këmbë këtë koalicion, është kërcënimi i ndërsjelltë.

“Bota sot”: Z. Kurti si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend? 

Albin Kurti: Gjendja në vend po vjen duke u rënduar, mirëpo në të njëjtën kohë edhe guximi e shpresa po vijnë duke u rritur. Në aspektin ekonomik, papunësia po rritet, e në të njëjtën kohë po rritet varfëria dhe dëshira e të rinjve për të emigruar. Sidomos të prekur nga papunësia janë të rinjtë dhe gratë. Buxhetet e komunave e të qeverisë shumë rrallë po përdoren në kuadër të ndonjë projekti ekonomik zhvillimor, por më shumë përdoren për të rritur pasurinë e pushtetarëve dhe për të punësuar sa më shumë mbështetës patiakë. Kjo po sjell një degradim ekonomik, por edhe urbanistik, infrastrukturor, arsimor, shëndetësor etj. E vetmja gjë e cila po vazhdon, është investimi në asfalt, por edhe aty po kontraktohen kompani ndërkombëtare, dhe paratë nuk po mbeten brenda në Kosovë. 
 
Sa i përket shtetformimit dhe përparimit të institucioneve, vazhdojmë të përballemi me të njëjtat sfida: Me korrupsionin e nepotizmin, me mosgjykimin e mosndëshkimin e pushtetarëve që abuzojnë me pozitën, dhe sidomos me tronditjen e shtetësisë së Kosovës, përmes të ashtuquajturit proces të dialogut me Serbinë, i cili deri më tash ka qenë dialog ku Kosova ka shkuar pa plan e pa përgatitje, pa koncept shtetëror e kombëtar, pa llogaridhënie e pa garanci, pa konsensus e pa parime. Ky dialog nuk ka qenë në shërbim të shtetësisë e të shtetit tonë. E as përmbyllja e këtij dialogu me ndonjë marrëveshje, nuk do të ishte në interesin tonë. Siç ka thënë së fundi edhe ambasadori Ëilliam Ëalker, një marrëveshje si ajo që po përflitet, me këmbime kufijsh, ndërkohë që qeveritarët tanë janë të kërcënuar nga Gjykata Speciale, kjo marrëveshje do të mund të ishte vetëm e dëmshme për Kosovën.   

Por, po rritet edhe guximi e shpresa, sepse shumë e shumë qytetarë po i bashkohen Vetëvendosjes, dhe ne po rritemi siç po e tregon organizata e strukturat tona në terren si dhe siç po tregojnë edhe sondazhet. Tash jemi forca e dytë politike, mirëpo rezultati ynë në sondazhe është shumë më i lartë se sa që e kemi patur para se të shpalleshin zgjedhjet e 2017, kur dolëm subjekt i parë. Sepse, siç është provuar tashmë, mbështetja jonë merr hov edhe më të madh në periudhën paraelektorale. Prandaj sërish do të dalim të parët. 

“Bota sot”: Në Bruksel u mbajt takimi konsultues me ekipin negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, cili është mendimi juaj rreth këtij ekipi dhe mënyrës se si u formua ai? 

Albin Kurti: Ky ekip është formuar dhe vazhdon të ekzistojë si një mashtrim publik. U tha se ky ekip do të drejtojë dialogun, mirëpo menjëherë morën përgjigje edhe nga BE edhe nga ShBA, që ky ekip nuk mund të ketë veçse rol konsultativ, pasi dialogu tashmë ka kaluar de fakto në nivel presidentësh, edhe pse këta nuk kanë patur mandat parlamentar.  
 
Ne e kemi thënë, e vetmja mënyrë për ta ndalur një dialog të tillë të dëmshëm, i cili në fakt nuk është dialog por pazar, është që fillimisht ta vlerësojmë në mënyrë transparente, në Kuvend, ecurinë, rezultatet dhe pasojat e deritashme të dialogut paraprak që solli 33 marrëveshje. Po ashtu, le të informohemi një herë se çfarë ka negociuar Thaçi, haptazi apo fshehurazi, e vetëm pasi ta vlerësojmë këtë proces, mund të bëjmë hapa për të nisur një dialog të ri me legjitimitet politik e kushtetues. Sepse dialogu i Thaçit, të cilin po e mundëson tash grupi negociator, ishte dhe vazhdon të jetë pa legjitimitet politik, por edhe pa legjitimitet kushtetues. 

“Bota sot”: Cili do të jetë roli i këtij ekipi z. Kurti? 

Albin Kurti: Ky ekip e kreu rolin e vet. Thaçi ishte i izoluar, dhe vetmia e kishte lënë pa legjitimitet. Ai kishte nevojë që ndërkombëtarisht të shfaqej se kishte njerëz pas tij. E ky ekip e prodhoi këtë imazh, që kinse Thaçin po e mbështet së paku një pjesë e subjekteve politike dhe elektoratit. Kjo gjë e nxori Thaçin dhe dialogun e tij me Serbinë, prej bllokimit ku kishte ngecur. Grupi rreth Thaçit e theu embargon që atij ia kishte vënë populli me protestën masive e madhështore të 29 shtatorit 2018.  

Thaçi ka hyrë shumë thellë, në përpjekje për të shpëtuar vetveten. Prandaj, është e pamundur ta ndalësh atë duke pretenduar se do ta ndikosh dhe do t´ia ndryshosh rrugën. E vetmja mënyrë për ta ndalur Thaçin, është duke e lënë vetëm atë, duke e braktisur në rrugën e tij. Vetëm vetmia mund ta ndikojë, dhe ndoshta ta detyrojë që ta kuptojë se e ka keq. 
 
Grupi negociator, megjithatë, legjitimimin e Thaçit e ka prodhuar vetëm në imazh, pra si maskë. Tashmë edhe ndërkombëtarët e dinë se ky grup negociator nuk i përfshin dy partitë më të mëdha, që përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullit të Kosovës. Ky grup është grup i partive të vogla, udhëhequr nga partia e pestë dhe nga partia e dhjetë.  

“Bota sot”: Përse Vetëvendosje nuk po pranon t`i bashkohet ekipit negociator në bisedimet me Serbinë? 

Albin Kurti: Për arsyet që i përmenda më sipër. Ne i kemi paraqitur katër hapat në të cilat duhet të ecim së bashku, si politikë e Kosovës, për të pasur një dialog legjitim. Njëherë shqyrtim e vlerësim i raportit qeveritar mbi marrëveshjet e dialogut 2011-2017; pastaj, përcaktimi i qartë i qëllimeve tona që i shtrohen Serbisë si kërkesa meqenëse ajo është borxhliu ynë kryesor për dëmet e humbjet e luftës dhe okupimit; platforma me parime dhe, së katërti, ekipi negociator me udhëheqje kredibile dhe strategji përkatëse. Ndërmjet hapit të dytë dhe të tretë nevojiten zgjedhjet e parakohshme për legjitimitet të freskët të institucioneve. Nëse forcat e tjera politike pajtohen për të shkuar në këto katër hapa, atëherë edhe ne do të bashkangjiteshim në dialog. Por, dialogu do të ishte tërësisht i ndryshëm. 

“Bota sot”: Vitin që lam pas nisën paralajmërimet për kompromise të dhimbshme në dialogun me Serbinë, përkatësisht në fazën finale, si i komentoni ju këto zhvillime? 

Albin Kurti: Mendojmë se Kosova ka patur tashmë shumë sakrifica e dhimbje, dhe ka paguar çmimin më të lartë të mundshëm për pavarësimin dhe lirinë. Nuk mendojmë se ka çfarë të japë Kosova. Të njëjtët që po na thonë sot se duhet të bëjmë edhe një kompromis të dhimbshëm, para dhjetë vitesh na kanë thënë se pakoja e Ahtisaarit ishte kompromisi i fundit i dhimbshëm. Tash po na thonë se na duhet edhe një tjetër kompromis i dhimbshëm. A kemi hesap neve që çdo dekadë ta bëjmë edhe një kompromis tjetër të dhimbshëm që na i propozojnë këto elita të shantazhuara prej korrupsionit të tyre? Jo, mendoj se kemi më shumë hesap të ndryshojmë elitat, dhe t´i japim fund një herë e mirë nevojave për kompromise të dhimbshme. 

Sa jeni të koordinuar me LDK-në sa i përket kundërshtimit të këtyre kompromiseve, meqë ditëve të fundit kemi parë një presion ndaj jush për bashkëngjitje në dialog? 

Albin Kurti: Serbia po tregohet e kujdesshme, dhe po flet për ndryshim të vijës ndarëse administrative. Po ashtu, Serbia nuk po flet as për njohje të Kosovës, as për dhënie të territoreve në Luginë, e asgjë të tillë. Ndërsa pala që përfaqëson Kosovën, po lëshohet në deklarata, si për gjërat që pretendojnë që do japin, ashtu edhe për ato që pretendojnë që do marrin. Kur një palë serioze, me koncept politik jetëgjatë, e cila nuk improvizon, ballafaqohet me një palë joserioze, që shkon në dialog pa plan e pa qëndrime, gjithnjë peshorja anon nga të parët. Për më tepër kur të parët kanë avantazhin e ushtrisë shumë më të madhe, ekonomisë shumë më të zhvilluar, dhe diplomacisë shumë më të thellë e më të shtrirë. Prandaj, ky dialog është thellësisht i pabarabartë dhe marrëveshja të cilën këta duan ta arrijnë, përmbajtësisht mund të jetë e dhimbshme, siç po e quajnë vetë ata. Por, ne nuk do ta lejojmë një kompromis të tillë. Pse? Sepse populli nuk e do atë Pazar tyrin, dhe, sepse bashkë me LDK, po e përsëris edhe një herë, jemi dy partitë më të mëdha në Kosovë, me mbështetjen e më shumë se gjysmës së qytetarëve.  

“Bota sot”: Cili do të jetë sipas jush epilogu i fazës finale të dialogut me Serbinë? 

Albin Kurti: Nuk mund të parashoh gjëra të tilla. Sipas meje, ende nuk ka filluar një dialog i mirëfilltë politik në të mirë të Kosovës. Për sa kohë që dialogu bëhet vetëm për të dëmtuar Kosovën, duke kënaqur Serbinë dhe duke shpëtuar prej arrestimit Thaçin, atëherë ky dialog nuk do të mbarojë kurrë. Pra do të jetë po aq përfundimtar sa edhe pakoja e Ahtisaarit. 

Bota sot”: Si po qeverisë me vendin koalicioni PANA? Sa ka gjasa që të mbahen zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti? 

Albin Kurti: E përmenda në fillim, situata është e keqe. Nuk jam nihilist, dhe nuk kundërshtoj gjithçka. Ne e kemi mbështetur ligjin për ushtrinë dhe taksën ndaj produkteve serbe. Por, mendojmë se edhe këto dy ligje kanë qenë improvizime për populizëm, sepse nuk ka patur mendim sistematik pas tyre. 

Koalicioni PANA ka mosmarrëveshje të mëdha të brendshme, dhe aktualisht po arrin vetëm të rrisë rrogat e vetvetes, dhe numrin e këshilltarëve të vetes. E vetmja gjë që e mban në këmbë këtë koalicion, është kërcënimi i ndërsjelltë. Thaçi e PDK kërcënon se do ta rrëzojë qeverinë, partitë e tjera kërcënojnë se do nuk do ta ndihmojnë Thaçin në dialog.  
 
Nuk po punohet, as për zhvillim ekonomik, as për përparim të drejtësisë e të gjyqësorit, as për demokratizim e forcim të shtetit. Nuk po punohet as në drejtim të bashkërendimit politik me Shqipërinë. Po ka vetëm spektakël e folklorizëm, selfie me shqiponjë, apo prerje shiritash para kamerave 7-8 herë rresht brenda një viti. 

“Bota sot”: Sigurimi i numrave për ngritjen e mocionit paraqiti problem për ju dhe LDK-në, mendoni se gjatë këtij viti do ta arrini këtë numër? 

Albin Kurti: Kjo është një prej veprimeve që do ta diskutojmë bashkë me LDK. Ekziston mundësia edhe që ta bëjmë, edhe që t´i mbërrijmë numrat. 

“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e PSD-së karshi koalicionit qeverisës? 

Albin Kurti: Nuk i shoh si relevantë ata që dolën nga Vetëvendosja. Misioni i tyre është të na bëjnë të merremi me ta dhe të na humbin kohë.  

“Bota sot”: Si e shpjegoni këtë: Liderët e Preshevës këto vitet e fundit mbi 20 herë kanë kërkuar nga Prishtina zyrtare që të jenë pjesë e proceseve të dialogut në Bruksel por deri tash asgjë përveç fjalëve dhe premtimeve. Kurse në Bruksel që nga fillimi Vuçiq e Thaçi bisedojnë për serbët e veriut? 

Albin Kurti: Ne e kemi mbështetur, dhe vazhdojmë ta mbështesim qëndrimin se Lugina duhet të marrë pjesë e të përfaqësohet zyrtarisht në dialog. Thaçi dhe shokët e tij thonë për Preshevën fjalë të mëdha, por nuk lënë asgjë me shkrim. Hedhin mesazhe për t'iu pëlqyer opinionit publik shqiptar, e pastaj thonë se nuk kanë asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë. Shkurt, nuk janë seriozë.  

Ne mendojmë se shqiptarët e Luginës duhet të flasin vetë për veten e tyre, në të gjitha nivelet, e edhe duke qenë pjesëmarrës në dialog. Kosova dhe Shqipëria kanë detyrë që edhe t´ua vënë veshin edhe t'ua shtrijnë dorën shqiptarëve të Luginës. Udhëheqësit e Kosovës e të Shqipërisë nuk munden t´i përdorin shqiptarët e Luginës për populizëm, në mënyrë kaq banale, por kurrë të mos i lejojnë të vetëpërfaqësohen. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat