Presidenti Thaçi: Kosova do të mbetet multietnike

Intervista

Presidenti Thaçi: Kosova do të mbetet multietnike

Më: 21 janar 2019 Në ora: 11:58
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë me gazetën e Vjenës “Kurier” ka folur për situatën politike në Kosovë dhe rajon. Ai ka bërë thirrje që të shfrytëzohet momentumi i krijuar për arritjen e një marrëveshje me Serbinë, si parakusht për anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB. Ai ka theksuar se tashmë ekziston një mbështetje globale për arritjen e një marrëveshje, jo vetëm nga BE-ja dhe SHBA, por edhe nga Rusia. Ai gjithashtu ka folur për taksën dhe liberalizimin e vizave.

Kjo është intervista e plotë e presidentit Thaçi:

Kurier: A keni sjellë ndonjë risi në lidhje me tarifat ndaj produkteve serbe?

Hashim Thaçi: Kosova ishte e detyruar në një formë apo tjetrën të merrte masa të tilla. Ne do të bëjmë çmos, që dialogun mos ta vështirësojmë. Por, Serbia nuk guxon të vendosë kushte për vazhdimin e dialogut. Unë shpresoj se bllokada së shpejti do të përfundojë.

Kurier: Do të thotë kjo se Kryeministri Haradinaj së shpejti do të tërheq plotësisht taksat?

Hashim Thaçi: Unë shpresoj, se së shpejti do të ketë një zgjidhje për të vazhduar bisedimet. Për një marrëveshje, e cila do të ishte e mirë si për palën kosovare, ashtu edhe për atë serbe dhe e pranuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Kurier: Nëse do duheni të vëni bast, besoni se gjatë këtij viti mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë?

Hashim Thaçi: Do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur. Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës është absolutisht e domosdoshme. Nuk duhet të ketë kurrë më luftë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Në gjithë rajonin duhet të mbizotërojë paqja. Ne duam të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo një të përkohshme.

Kurier: A do të pranonte Kosova ndonjë marrëveshje, në të cilën Republika e Kosovës nuk do të ishte e pranuar si shtet në mënyrë eksplicite nga Serbia?

Hashim Thaçi: Një marrëveshje pa njohjen e Kosovës si shtet, pa një vend në OKB, nuk do të kishte kuptim. Unë besoj dhe po punoj për të siguruar që Republika e Kosovës të ketë një ulëse në OKB dhe të njihet në nivel global. Bashkimi Evropian (BE) dhe Federica Mogherini udhëheqin këtë proces dialogu. Kemi mbështetje të madhe nga SHBA, sidomos nga Donald Trump. Gjithashtu edhe një pranim nga Rusia, nëse ne kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kjo ka munguar në të kaluarën. Është një moment i përshtatshëm në nivelin ndërkombëtar. Nëse një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e pranuar nga BE-ja, SHBA-ja dhe e pranuar nga Rusia, kjo do të nënkuptonte mbështetje globale.

Kurier: Pra, ju jeni të sigurt se Rusia do ta njohë Kosovën si shtet, nëse Beogradi dhe Prishtina janë dakorduar për një marrëveshje?

Hashim Thaçi: Pas kësaj marrëveshjeje, Kosova së shpejti do të ketë një ambasadë në Moskë.

Kurier: A mund letra e Donald Trump (për Thaçin dhe Vuçiqin) të thyej akullin aktualisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?

Hashim Thaçi: Kjo është një letër përkrahëse, që mëton një balancë të interesave për të dy anët. Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment, kjo mund të çojë në një përkeqësim të situatës. E kam bërë të qartë se Republika e Kosovës do ta shfrytëzojë këtë mundësi. Unë e shoh këtë në kuptimin e qëllimeve strategjike dhe jo të politikës ditore kosovare.

Kurier: Ideja e shkëmbimit të territoreve është ende në tavolinë?

Hashim Thaçi: Marrëveshja do të përfshijë të gjitha fushat: personat e pagjetur, zhvillimin ekonomik, trashëgiminë kulturore dhe pika të tjera. Nuk do të ketë kufij në linja etnike. Të dy vendet do të mbeten multietnike. Do të mbizotërojë fryma multietnike dhe evropiane. Ne dëshirojmë të kemi kufij të hapur dhe tregti të lirë. Jo kufij klasik si në të kaluarën. Marrëveshja do të çojë përpara zhvillimin ekonomik, do të sigurojë mirëqenie më të mirë, do të ofrojë një jetë më të mirë dhe me më shumë investime ndërkombëtare. Republika e Kosovës është një vend i ri që ka shumë potencial, i cili ende nuk është shfrytëzuar mjaft mirë deri më tani.

Kurier: Kufijtë e hapur do ta bënin shkëmbimin e territoreve të panevojshme?

Hashim Thaçi: Unë po flas për kufijtë e hapur dhe jo për vija etnike, pra për një model evropian. Jam i bindur se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të mundësojë një bashkëpunim të përsosur në rajon.

Kurier: Kosovarët janë ende në pritje të lëvizjes pa viza për në BE...

Hashim Thaçi: Kjo është me të vërtetë një padrejtësi për qytetarët e Kosovës. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret, madje edhe më shumë se të tjerët në rajon. Megjithatë, ne kemi vetëm një rrugë: integrimin evropian. Ne jemi të zhgënjyer, por ne nuk do të largohemi nga kjo rrugë.

Kurier: BE-ja frikësohet se shumë të rinj kosovarë duan të shkojnë në Evropë.

Hashim Thaçi: Fushata zgjedhore për zgjedhjet e BE-së sapo ka filluar. Disa shtete anëtare nuk duan të rrezikojnë dhe kjo është në fakt një çështje e brendshme e shteteve anëtare të BE-së. Por, Republika e Kosovës është duke e paguar çmimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat