Intervistë me Florian Bieber: Korrigjimi i kufijve ide e vjetër serbe, marrëveshje nuk do të ketë as këtë vit

Intervista

Intervistë me Florian Bieber: Korrigjimi i kufijve ide e vjetër serbe, marrëveshje nuk do të ketë as këtë vit

Më: 21 janar 2019 Në ora: 15:43
Florian Bieber

Për më shumë se 25 vjet, Florian Bieber ka qenë i mbërthyer me historinë e Ballkanit Perëndimor dhe me problemet që e kanë karakterizuar këtë rajon. Historiani nga Luksemburgu, profesor i shkencave politike, është një nga zërat kryesorë akademikë në rajon. Ai në një intervistë ekskluzive për Express ka dhënë pikëpamjet e tij për zhvillimet politike që po ndodhin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për problemin që po e mban peng Kosovën dhe Serbinë.

Ai e cilëson si një ide serbe dhe të rrezikshme nismën për korrigjim të kufijve dhe thotë se nuk do të ndihmojë për arritjen e një marrëveshje finale që ai e parashikon të ndodh në vitin 2020.

Në këtë bashkëbisedim Bieber ka folur edhe për qasjen jo konstruktive të Donald Trumpit karshi dialogut ku është palë Kosova, interesin rus për ta mbajtur Ballkanin në tension dhe përfshirjen e Gjermanisë në trekëndëshin me SHBA-në dhe Rusinë për të zgjidhur ngërçin shumë vjeçar që po e mban të acaruar Ballkanin për kaq vite.

Profesori i Universitetit të Grazit, Bieber, ka folur edhe për detajet se ku ka ngecur Brukseli në ndërmjetësimin e dialogut, dhe për vendimin e Kosovës për taksë ndaj produkteve serbe.

A besoni që Kosova dhe Serbia mund të kenë ndonjëherë raporte të normalizuara ?

Bieber: Sa i përket pyetjes se a mund të kenë Kosova dhe Serbia marrëdhënie normale, do të thoja se në teori nuk po shohim shenja as nga Kosova dhe as nga Serbia për normalizim të plotë të marrëdhënieve, jo formalizim formal, por thelbësor. Ende ka shkallë të lartë të mosbesimit për qëllimet e palës tjetër. Për fat të keq, marrëveshjet e mëparshme të Brukselit nuk kanë sjellur përmirësim në këtë aspekt mes dy vendeve. Përkundrazi, mosbesimi është rritur dhe rrjedhimisht besoj se do të nevojitet kohë e konsiderueshme për normalizim të marrëdhënieve. Çështja është se a do të shërbejë marrëveshja për normalizim të plotë si themel për ta arritur këtë qëllim, nëse shtetet nuk kanë vullnet ta marrin këtë çështje seriozisht dhe ta ngrisin në një nivel tjetër.

Çfarë mund të jetë projeksioni i një marrëveshje finale Kosovë-Serbi sipas jush, që do të mund të ishte marrëveshje afatgjate dhe e qëndrueshme, marrë parasysh se sa fragjil është rajoni ?

Bieber: Ka pak gjasa që të arrihet marrëveshja gjatë këtij viti. Është e vështirë të bëhet një parashikim i tillë pasi Komisioni Evropian po merret me zgjedhjet në parlament. Aftësia ndërmjetësuese e Mogherinit është e kufizuar. Nuk e dimë se kush do të jetë pasardhësi i saj, por e dimë se ajo nuk do të vazhdojë të jetë në pozitën e njëjtë. Rrjedhimisht, mundësia për ta arritur marrëveshjen duket e vogël, duke marrë parasysh kornizën kohore dhe faktin se tensionet janë rritur kohëve të fundit. Gjasat janë më të mëdha që marrëveshja të arrihet vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, për ta arritur këtë, palët duhet të bëjnë përpjekje të mëdha dhe ndoshta duhet ta shfrytëzojnë një format të ri të dialogut që do ta rikthente besimin dhe do që do t’i mbante palët larg retorikës dhe politikave që do ta krijonin një atmosferë konflikti.

A mendoni se është ide e mirë të korrigjohen kufijtë , në shërbim të një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd e cila mund të vendos stabilitet në rajon për një kohë të gjatë ?

Bieber: Sipas mendimit tim, ideja e shkëmbimit të territoreve është ide e keqe për marrëveshjen përfundimtare për disa arsye. Së pari, bisedimet për këtë çështje paraqesin rrezik të konsiderueshëm. Do të kishte njerëz që do të mbeteshin në anën e gabuar të kufirit. Duket e vështirë për ta paramenduar një marrëveshje e cila sërish do të linte serbë në Kosovë dhe shqiptarë në Serbi. Kjo do t’i vendoste ata në një pozitë edhe më të vështirë dhe më të rrezikshme. Po vërehet se kjo ide ka të bëjë me kufi etnik, pavarësisht se çfarë thonë palët. Kjo do të ndikonte që shtetet të jenë më homogjene etnikisht dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Kemi parë vende tjera që janë marrë me ide të ngjashme dhe janë përballur me tensione përgjatë dekadave të tëra. Mendoj se marrëdhëniet e mira janë më të rëndësishme dhe ato nuk ndërtohen me mure të larta, por përmes gjetjes së mënyrave për ta vlerësuar perspektivën e njëri-tjetrit.

A besoni se një lëvizje e kufijve Kosovë-Serbi mund të shkaktoj efekt zingjirë në rajon ?

Bieber: Nuk besoj se ndryshimi i kufirit do ta sillte menjëherë një “efekt domino” sepse një marrëveshje e tillë do të qartësohej plotësisht mes dy shteteve dhe nuk do të ishte ndryshim i njëanshëm i kufirit, siç po mundohet ta bëjë Republika Serbe e Bosnjës. Një veprim i tillë do të ishte më tepër dekurajues në afat të gjatë për të krijuar shtete multietnike në Ballkan dhe do ta nxiste ndarjen e popullsive. Ky veprim do t’ua ngriste zërin nacionalistëve, të cilët dëshirojnë ta nënvlerësojnë statuskuonë. Prandaj, nuk besoj se do të kishte efekt të menjëhershëm “domino”, por ky veprim do ta dobësonte idenë e shteteve multietnike dhe kjo është mjaft e rrezikshme.

E kujt besoni se është ideja e korrigjimit të kufijve, dh e mendoni që Thaçi e Vuçiq do të kishin guximin që si dy udhëheqës të dy shteteve të vogla të vendosnin në tavolinë një ide të tillë. Pra a besoni se një ide e tillë ka ardhur nga një palë e tretë?

Bieber: Mendoj se ideja për shkëmbim të territoreve së pari është paraqitur nga Serbia para një kohe të gjatë. Prandaj, kjo ide nuk ka ardhur nga Kosova apo nga jashtë. Besoj që shumë vende të huaja e kanë pranuar këtë ide për shkak se duket si zgjidhje më e lehtë, por jo për shkak se ka qenë ide e tyre. Përderisa ka dobësi të Bashkimit Evropian, shumë vende janë të interesuara që të zgjedhin mënyra më të lehta për zgjidhjen e problemeve. Kjo përshtatet edhe me ndërveprimet jonormative të cilat i mbështet presidenti Trump.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tani nuk e kanë kundërshtuar kategorikisht një lëvizje të kufijve, dhe tashmë së fundi presidenti Donald Trump ka shfaqur hapur  interesin për përfshirje në fazën finale të dialogut. Cili besoni që mund të jetë kontributi që do të jap SHBA-ja për zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi, bazuar në atë që të gjithë e njohin Donald Trump, a besoni se mund ta komplikoj edhe më tepër situatën?

Bieber: Presidenti amerikan nuk është treguar shumë konstrukiv. Shenjat që i ka dhënë ai dhe këshilltari i tij se ndarja është ide e mirë i dëmtojnë negociatat e Bashkimit Evropian në rajon dhe e bëjnë idenë më të prekshme. Në të njëjtën kohë, nuk po shohim një angazhim të qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara. Më tepër kemi të bëjmë me sabotim të një qëndrimi koherent. Nuk shoh se SHBA-ja ka interes serioz për këtë çështje. Pavarësisht premtimeve për ftesa në Shtëpinë e Bardhë në rast të arritjes së marrëveshjes, duket se kjo është me tepër një lloj shfaqjeje publike sesa angazhim i vërtetë për eliminimin e konfliktit mes dy shteteve.

Gazeta Express: A është ideale që në këtë dialog kaq problematik të përfshihet një shtet autokratik siç është Rusia ?-Pra me çfarë çmimi mendoni se Rusia mund të pajtohej me një marrëveshje eventuale Kosovë-Serbi dhe a vlerësoni se do të jetë në interes të Rusisë që Serbia të mos ketë probleme me Kosovën?

Bieber: Rusia nuk ka interes që zgjidhja të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Ajo e ka penguar angazhimin e BE-së në këtë rajon dhe nuk e ka ndihmuar atë. Rrjedhimisht, nuk pres që Rusia të jetë faktor konstruktiv për çështjen e Serbisë dhe Kosovës. Kosova nuk njihet ndërkombëtarisht në Kombet e Bashkuara dhe Rusia ka rol të rëndësishëm në këtë organizatë. Edhe nëse Rusia do të pajtohej me marrëveshjen mes dy vendeve, anëtarësimi i Kosovës nuk do të ishte i sigurt për shkak se edhe Kina e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Rasti i Krimesë bën që Rusia të mos e jetë shumë e pakënaqur me ndryshimin e kufirit. Motivimi i Rusisë për t’u përfshirë në këtë proces më tepër ka të bëjë me rritjen e ndikimit të saj sesa me ndihmën ndaj vendeve tjera.

A e shihni Gjermaninë në trekëndësh me SHBA-të dhe Rusinë, sa i përket zgjidhjes finale Kosovë-Serbi?

Bieber: Përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, edhe Gjermania është faktor i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm për shkak të faktit se ka qenë shteti që e ka kundërshtuar më së shumti çdo lloj ndryshimi të kufirit, por për shkak se është shteti kryesor në Bashkimin Evropian që është i interesuar për Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Asnjë shtet që e ka mbështetur ndryshimin e kufirit nuk brengoset më shumë se Gjermania, prandaj ky vend është shumë i rëndësishëm, sidomos pasi Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Evropian. Mendoj se do ta shohim një situatë ku Gjermania do të përfshihet në dialog. Perspektiva evropiane për Kosovën dhe Serbinë pa Gjermaninë është shumë e zbehtë, duke marrë parasysh skepticizmit që ekziston në vendet tjera.

Ndërkohë Bashkimi Evropian aktualisht është në një mjegull totale sa i përket vazhdimësisë së dialogut. Nuk pritet që në të ardhmen të ketë  një takim të nivelit Thaçi e Vuçiq, dhe për më tepër vendosja e taksës i ka komplikuar edhe më shumë punët. Ku mendoni se ka gabuar BE-ja me dialogun, dhe a mendoni se SHBA-ja do ta marrë barrë mbi vete zgjidhjen finale të dialogut, duke e lënë kështu BE-në vetëm një spektator?

Bieber: Dialogu i BE-së duket se ka shkuar rrjedhës së vet. Në fillim ishte një qasje e mirë për ta zhvilluar procesin hap pas hapi në mënyrë që të arrihen rezultatet. Sidoqoftë, ajo që nuk ka pasur sukses është fokusimi për të kaluar në fazën tjetër, angazhimi më i qëndrueshëm, përpjekja për të arritur rezultate dhe heqja dorë nga hapat provokues. Hapa provokues kanë bërë të dyja palët. Serbia ka bërë fushatë kundër njohjeve të Kosovës, pastaj ishte incidenti i trenit dhe incidente tjera. Kosova është përfshirë në veprime provokuese me arrestimin e Marko Gjuriqit dhe vënien e taksës. Të gjitha këto janë veprime konfrontuese nga të dyja palët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë arritur t’i menaxhojnë në mënyrë të efektshme këto situata. Nëse negociatat do të rifillonin me një komision tjetër, besoj që do të gjendej një mënyrë të re për funksionalizimin e dialogut dhe ndoshta do të kërkoheshin takime më të rralla, e jo takime të vazhdueshme që duken sikur nuk do të përfundojnë kurrë.

Kosova ka vendosur një taksë ndaj produkteve të Serbisë, si kundërpërgjigje për qasjen e Serbisë dhe luftës që ky shtet e bënë çdo ditë për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës. A mendoni se është një veprim i nevojshëm, dhe a vlerësoni se nëse BE-ja do të kishte qenë më kritike ndaj Serbisë për veprimet joracionale, do të ishte shmangur një veprim i tillë i cili ka futur dialogun në një qorrsokak?

Bieber: Vendimi për taksën ndaj prodhimeve serbe duket se është marrë më tepër për t’i bërë presion Bashkimit Evropian sesa Serbisë. Besoj që Serbia mund ta përballojë këtë humbje më lehtë. Sigurisht, ky vendin i ka rritur tensionet dhe presionin dhe nuk jam i sigurt që është i dobishëm sepse Serbia ka më pak nevojë se Kosova për marrëveshje. Përderisa qeveria aktuale e Serbisë thotë se synon ta anëtarësojë vendin në Bashkimin Evropian, skenari ideal për ta është që të duken se po përpiqen të bëhen pragmatikë me Kosovën, por sikur progresi po pengohet nga Kosova. Shikuar nga perspektiva e udhëheqësisë serbe, ata po synojnë që çështjen e anëtarësimit në BE ta shkëpusin nga çështja e negociatave me Kosovën. Sa më shumë që Kosova të duket si prishëse e negociatave, aq më shumë ka gjasa Serbia ta arrijë këtë synim. Kjo do t’ua linte duart të lira presidentit serb dhe qeverisë së tij. Kosova ka bërë disa gabime strategjike gjatë muajve të fundit, siç është pranimi i idesë për ndryshim të kufirit dhe vendosja e taksës për prodhimet serbe. Këto kanë ndikuar në fuqizimin e pozitës së Vuçiqit dhe në një farë mënyre ia kanë mundësuar atij që t’i bëjë presion Bashkimit Evropian, duke thënë se problemi kryesor është Kosova e jo Serbia.

Për fund, kur besoni se do të arrihet marrëveshja finale bazuar në këto zhvillime, dhe ku mendoni se do të jetë më mirë të nënshkruhet, në Washington apo në Bruksel?

Bieber: Besoj që ka pak gjasa që marrëveshja të arrihet brenda këtij viti, por ka mundësi që ajo të arrihet vitin e ardhshëm, kur ta ketë filluar punën komisioni i ri, i cili mund ta ketë një strategji të re. Mendoj se çështja e vendit se ku do të nënshkruhet marrëveshja nuk është e rëndësishme. Marrëveshja e Dejtonit njihet nga të gjithë si Marrëveshja e Dejtonit. Askush nuk e njeh si Marrëveshja e Parisit për shkak të vendit të nënshkrimit. Sigurisht që do të ishte më e duhur që marrëveshja të nënshkruhet në Bruksel sepse i tërë dialogu e ka origjinën aty, por kjo gjë do të varet shumë nga fakti se kush do të mund ta sjellë marrëveshjen në fazën përfundimtare dhe t’i transformojë bisedimet nga një proces teknik i palëve të cilat të paktën publikisht nuk e pëlqejnë njëra-tjetrën në një proces që do ta ndërtojë besimin dhe t’i bindë qytetarët e të dyja vendeve se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve është në interesin e tyre, e jo të thuhet “ne e urrejmë njëri-tjetrin, por punojmë së bashku”. Ky lloj i mesazheve duhet të ndalet. Tash për tash, duket se Shtetet e Bashkuara janë më pak të përfshira se Bashkimi Evropian në këtë proces, por asnjëri vend nuk mund të vlerësohet si kandidat ideal për këtë, marrë parasysh klimën aktuale politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat