Quni: Edhe po ta gjunjëzonim Serbinë në aspektin ekonomik, politikisht nuk do të na hynte në punë!

Intervista

Quni: Edhe po ta gjunjëzonim Serbinë në aspektin ekonomik, politikisht nuk do të na hynte në punë!

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 29 janar 2019 Në ora: 09:02
Anton Quni

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni ka folur për aktualitetet politike në vend, me theks të veçantë për punën e qeverisë nga prizmi opozitarë, për taksën 100% të vendosur ndaj Serbisë, por edhe për marrëveshjen e cila është paralajmëruar se do të ndodhë së shpejti mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe rreziqet të cilat parashihet që mund ti kanosen vendit si për shkak të aventurave të presidentit Thaçi. Me këtë rast Quni ka deklaruar se edhe po ta gjunjëzonim Serbinë në aspektin ekonomik, politikisht nuk do të na hynte në punë nëse e humbim miqësinë tradicionale me SHBA-në

“Bota Sot”: I nderuar, vitin që lamë pas ishte vit i ushtrisë apo i Forcave të Armatosura, cili është vlerësimi juaj për punën që është bërë në atë drejtim? 

Anton Quni: FSK-ja na ka bërë bashkë të gjithëve dhe dallimet tona politike për FSK-në janë shuar, sepse FSK-ja përbëhet nga motrat dhe vëllezërit tanë, detyra e të cilëve është e shenjtë. Ata janë ushtarë dhe eprorë, vajza dhe djem që kanë veshur uniformën më të bukur për t’iu shërbyer idealeve më të larta dhe më fisnike të njerëzimit. Në emblemat e tyre shohim të kaluarën tonë të lavdishme dhe të ardhmen e ndritur.

Uroj dhe lutem që në këto hapësira të mbretërojë paqja e përhershme, por nëse ajo vihet në rrezik, vajzat dhe djemtë e FSK-së do të jenë aty që të kurorëzojnë vetëm fitore.
FSK-ja përkrah KFOR-it, aleatëve amerikanë, britanikë, gjermanë etj., janë engjëjt mbrojtës të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

“Bota Sot”: E thamë më lartë se 2018-ta ishte vit i ushtrisë, por qytetarët nuk i kanë kapërdirë aq lehtë dështimin në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO, Interpol, rezultatet e dobëta në arsim, kahen në të cilën ka ecur vendi në 2018-ën, nuk ka qenë më e mira e mundshme. Si opozitë si i  keni parë të gjitha këto zhvillime?

Anton Quni: Ne si opozitë, në Parlament dhe në çdo komunikim me strukturat e LDK-së dhe qytetarët, e kemi vënë në pah punën apo mos punën e Qeverisë së Kosovës. Një qeveri ku gërshetohen interesat e mbi 20 partive, e stërngarkuar me ministri dhe personel pasiv dhe e cila keq menaxhohet me fonde, nuk i ka parakushtet për një qeverisje të mirë. Andaj, edhe rezultatet e punës se saj janë aq dëshpëruese.

“Bota Sot”: Si për t`i mbuluar të gjitha ato dështime, duket se qeveria ka vendosur që gjithë mllefin ta shprehë me anë të një takse 100% të vendosur kundër mallrave serbe. Rreth këtij vendimi kemi opinione të ndryshme si nga pozita ashtu edhe nga opozita, por edhe nga qarqe ndërkombëtare të cilët kërkojnë që të hiqet ajo taksë. A po sillet korrekt qeveria në këtë drejtim?

Anton Quni: Sa do që është e arsyeshme taksa 100% dhe masat tjera që mund të aplikohen edhe në emër të reciprocitetit, qeveria duhet t’i ketë në konsideratë edhe raportet me partnerët strategjik, e në veçanti me SHBA-në. Edhe po ta gjunjëzonim Serbinë në aspektin ekonomik, politikisht nuk do të na hynte në punë nëse e humbim miqësinë tradicionale me SHBA-në.

“Bota Sot”: Përmes presidentit Thaçi, vendi është futur në një rrugë pa krye në raport me Serbinë. Ka folur për një korrigjim të mundshëm të kufirit me Serbinë në mënyrë që të arrihet marrëveshje finale, cili është komenti juaj?

Anton Quni: Çdo veprim i cilitdo president që është jashtë mandatit të tij, i përkufizuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për LDK-në është i papranueshëm. Për LDK-në, shtetësia e Kosovës me kufijtë e saj, është përmbyllur me Deklaratën e Pavarësisë. Ajo nuk mund të rihapet.

“Bota Sot”: Iu është dhënë shpresë e madhe qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Buajnocit që me këtë rast do të bashkohen me Republikën e Kosovës, cila do të ishte porosia juaj për ta, a duhet të shpresojnë?

Anton Quni: Kjo çështje është shume e ndjeshme dhe e ndërlikuar me përmasa më të gjera se sa raportet Kosovë – Serbi. Në nivele të ndryshme, kjo çështje po shtrohet edhe si e drejtë legjitime pasi që ato komuna dikur kanë qenë pjesë të Kosovës. Po ashtu, po shtrohet edhe si pjesë e një marrëveshje Kosovë - Serbi. Mirëpo, ka disa rregulla apo parime të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe të përcaktimit të statusit të Kosovës që përcaktojnë qartë karakterin ndërkombëtar te kufijve dhe se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera dhe as nuk ka pretendime që të bashkohet me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. 

Bashkësia ndërkombëtare është për mos ndryshim kufijsh me arsyetimin se mund të destabilizojë rajonin. Fati i Luginës do të varet shumë nga zhvillimet rajonale, përkatësisht nga fakti se a do të ketë hapje të çështjeve territoriale në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Në një rast të tillë, ndryshimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë hapje e çështjes së ndryshimit të kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Kosova nuk duhet t’i dëshpëroj dhe as t’i përdorë fatet e banorëve të Luginës për kalkulime të individëve, por të shtroj problemet e tyre në tryezën e bisedimeve, duke i kërkuar Serbisë që të bëj trajtim të njëjtë dhe t’u njihen të drejtat e njëjta, si komunitetit serb në Kosovë.

“Bota Sot”: A mendoni se ky formacion politikë në pushtet mund të arrijë marrëveshje me Serbinë, apo vendi do të shkojë në zgjedhje së shpejti?

Anton Quni: Rrethanat aktuale nuk e favorizojnë pozitën tonë në këto bisedime, prandaj, çfarëdo marrëveshje në rrethana të tilla do te ishte në dëm të Kosovës.
Dialogu mundet te udhëhiqet dhe të përmbyllet mirë vetëm nga një qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet e reja.

“Bota sot”: Cili është roli opozitar i LDK-së në raport me zhvillimet e fundit, meqë nuk pranuat t`i bashkoheshit grupit negociator?

Anton Quni: Ashtu siç është potencuar tash e disa herë, LDK-ja vlerëson se Marrëveshja Përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa e cenuar në asnjë formë shtetësinë e Kosovës, të përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.  Kufijtë, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit nuk mund të jenë temë e dialogut. Ky është qëndrimi ynë i pandryshueshëm pa marrë parasysh ku jemi, në pozitë apo në opozitë. 

“Bota sot”: Sa ka gjasa që bashkëpunimi aktual që keni me VV-në të vazhdoj edhe më tutje, cilat janë gjasat për një koalicion të përbashkët qeverisës?

Anton Quni: Aktualisht kemi bashkëpunim korrekt në të bërit politika opozitare. Kemi një koordinim të mirë sa i përket kundërshtimit të politikave të këqija të mazhorancës. Ndërkaq, se si do të vazhdoj ky bashkëpunim nëse vendi do të shkoj në zgjedhje, për çfarëdo lloj forme të ngarendjes tonë politike tutje, si zakonisht në LDK vendosin organet e saja më të larta si: Këshilli i Përgjithshëm, kryesia dhe në konsultim me forumet e degët qe partia i ka te shtrira gjithandej Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat