Arben Gashi: PSD’ja është në Qeveri, PDK fajtore për keqqeverisjen e Haradinajt

Intervista

Arben Gashi: PSD’ja është në Qeveri, PDK fajtore për keqqeverisjen e Haradinajt

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 17:03
Arben Gashi

Deputeti i LDK’së, Arben Gashi ka thënë se Partia e Shpend Ahmetit është shndërruar në patericë dhe përkrahëse të Kadri Veselit e Ramush Haradinajt. Po i përkrah të gjitha vendimet e Qeverisë, përfshirë edhe miratimin e buxhetit.

Njëri prej deputetëve më të votuar të LDK’së deklaron se dy partitë më të mëdha në Kosovë s’po mund ta rrëzojnë Qeverinë, për shkak se Shpend Ahmeti dhe PSD kanë vendosur të rreshtohen krahë Qeverisë.

Ka theksuar se Ramush Haradinaj e ka degraduar qeverisjen në Kosovë si Kryeministër i shantazhuar nga brenda dhe jashtë koalicionit.

Mirëpo, fajtori kryesor, sipas Arben Gashit, është PDK’ja që po lejon Kryetarin e AAK’së të keqqeverisë me Kosovën.

Sipas tij, Partia e Kadri Veselit si partia më e madhe në koalicion bart përgjegjësinë kryesorë për të gjitha të këqijat e Qeverisë.

Ai ka parashikuar se PDK do t’i shohë dëmet e kësaj qeverisjeje në zgjedhjet e ardhshme.

Gashi ka treguar se LDK shpejt hyn në zgjedhjet partiake të cilat mund të zgjasin deri në vjeshtë. Ka thënë se gara për Shef të LDK'së do të jetë e hapur për secilin kuadër të partisë.

Pse s’ka një koordinim opozitar ndaj Qeverisë, e cila vazhdon të jetë pakicë?

Arben Gashi: Vullneti opozitar nënkupton më shumë sesa një vullnet i shprehur politik. Nëse shohim për momentin, pjesë e opozitës nuk mund të konsiderohet Partia Socialdemokrate. Të gjitha vendimet që kanë të bëjmë me Qeverinë i ka përkrahur dhe i përkrah. Kështu që jemi në një fazë që duhet të definojmë se kush është opozitë dhe çka nënkuptojmë me opozitë. Për mendimin tim, PSD nuk konsiderohet opozitë, duke i parë sjelljet në Kuvend dhe jashtë Kuvendit.

Megjithatë, zyrtarët e PSD’së po deklarojnë se kanë një dokument me nënshkrimet e tyre për rrëzimin e Qeverisë, por që nënshkrimet nuk po i japin LDK e VV?

Arben Gashi: S’mund t’i komentoj deklarimet e tyre publike. Por, prej sjelljes së tyre në Kuvend dhe jashtë tij, pra, PSD ka përkrahur çdo vendim të Qeverisë dhe ia kanë mundësu që Qeveria të vazhdojë punën. Ndryshe, sot, nuk do të kishim këtë Qeveri.

Albin Kurti dhe disa zyrtarë të VV’së i kanë bërë disa oferta LDK’së për koalicion, me kushtin që Kurti të ishte kandidat për Kryeministër. Në këtë frymë kanë publikuar edhe një sondazh...

Arben Gashi: Nuk e di a është diskutuar zyrtarisht kjo në LDK. Por, unë personalisht mendoj se nëse ka vullnet për një koalicion mes LDK dhe VV’së duhet të diskutohet mbi bazën e parimeve. E, jo mbi bazën e kushteve. Parimi i parë do të duhej të ishte cili është grupi më i madh parlamentar ose cila është partia më e madhe. Dhe mbi bazën e kësaj do të bëhej renditja në një listë të mundshme zgjedhore. Po ashtu, edhe marrja e përgjegjësive instucionale do të bëhej mbi fuqinë politike. Pra, krejt kjo është një hipotezë, që nuk i komentoj hipotezat, por kësaj radhe, po lëshohem në këto hipoteza. Mirëpo, ne jemi përballë një situatë reale, duke lënë anash hipotezat, kemi një koalicion të çakorduar, i cili qeverisjen e vendit e ka shndërruar në pazare për shtetin dhe për interesa të individuale apo grupeve që vetshpallen opozitë por përkrahin pushtetin.

Bazuar në situatën aktuale politike, numrat në Parlament, si mund të rrëzohet kjo Qeveri?

Arben Gashi: Mendoj se Qeveria e Kosovës momentalisht është e papranueshme ndërkombëtarisht, edhe e papranueshme në aspektin e politikës së brendshme. Është e paqëndureshme në aspektin e vendimmarrjes, sepse duhet t’i nënshtrohet shantazheve të brendshme politike. Qeveria e Kosovës me zor po shtyhet. Asnjë vend normal, demokratik, nuk do të lejonte Kryeministri të bie pre e shantazheve dhe kërcënimeve politike. Problemi kryesor në Kosovë është se Kryeministri e di se më nuk mund të bëhet Kryeministër. Duke qenë bartës i një partie të vogël, Kryeministri po synon me çdo kusht të mbetet në pushtet. Kjo nënkupton se duhet të bësh lëshime në kurriz të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Problemi është edhe të koncepti se si është ndërtuar koalicioni. Dhe, këtu fajtori kryesor në këtë mes është PDK’ja sikurse është humbësja më e madhe që po i lejon këto t’i ndodhin Kosovës. Në rastin më të mirë, ata do të jenë edhe dy vite në pushtet, dhe do të shohim se si do të përballet PDK’ja, e cila do të jetë humbësja më e madhe si partia kryesore në koalicion.

Çka duhet të bëjë LDK'ja për ta rrëzuar këtë Qeveri?

Arben Gashi: Duhet të jemi real në këtë situatë në të cilën gjendemi. Ne duhet të punojmë ofertën tonë qytetarëve se si duhet të qeveriset me Kosovën.  Duhet të tregojmë për brishtësinë dhe rrezikun që vjen nga kjo Qeveri. Të vetëm nuk mund ta rrëzojmë Qeverinë. As bashkë me Vetëvendosjen. Sepse s’i kemi numrat. Si rezultat i skemës qeverisëse këta i kanë numrat për të qeverisur maksimumin edhe dy vjet. Në rastin më të mirë kjo Qeveri duhet të bie sa më shpejt. Mirëpo, PSD është duke e mirëmbajtur këtë koalicion. Është e drejtë e tyre. Por, PSD nuk mund të sillet si opozitë e të përfitojë si parti në pushtet.

Megjithëkëtë, kundërshtarët politikë të LDK’së po thonë se as ju nuk jeni të gatshëm për zgjedhje për faktin se jeni në proces zgjedhor partiak, liderin e keni me probleme shëndetësore?

Arben Gashi: Kushdo që mendon kështu, ju them, le ta provojmë dhe e shohim nëse LDK’së po i konvenon apo jo shkuarja në zgjedhje. Një parti serioze është gjithmonë e gatshme për zgjedhje. LDK ka kuadro të majfteushme për secilën pozitë. Për Kryeministër dhe për pozita të tjera. Nuk ka kurrëfarë frike dhe është e gatshme të shkojë në zgjedhje në cdo moment.

Isa Mustafa dha disa deklarata kontradiktore për përfshirjen ose jo në dialog përmes një rikonfigurimi?

Arben Gashi: Mendoj se është keqintperetuar Kryetari i LDK’së. Kryetari Mustafa ka dhënë deklaratë për qeveri gjithëpërfshirëse nëse kërkohet që partitë e opozitës të marrin pjesë në Delegacionin Shtetëror për bisedime me Serbinë. Z. Mustafa ka thënë se për këtë çështje partitë në pushtet duhet të marrin përgjegjësi. Në këtë rast sipas aranzhimit tonë kushtetues i bie përgjegjësia është te Qeveria e Kosovës. Nëse partitë në pushtet e opozitë janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë në dialog atëherë LDK do të ishte e gatshme të marrë përgjegjësitë në një Qeveri gjithëpërfshirëse për përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi. Nuk ka kërku hyrje në koalicion. Ne konsiderojmë se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në dialog. Ekipi Dialogues aktual nuk i përfaqëson institucionet kushtetuese të Kosovës. Z. Mustafa ka pasur vlerësimin dhe marrjen e përgjegjësisë shumë të saktë. LDK është e gatshme të marrë përgjegjësinë mbi bazën e një qeverie gjithëpërfshirëse.

Qysh po e shihni përplasjen e AAK’së, PDK’së dhe përfshirjes së amerikanëve në këtë mes për taksën ndaj Serbisë?

Arben Gashi: Problemet mes koalicionit qeverisës janë thelluar dhe PDK për çdo ditë do ta kuptojë pse është përgjegjësja kryesore për gjendjen në Kosovë. PDK është përgjegjëse pse Ramush Haradinaj është Kryeministër. Të gjitha veprimet e papërgjegjshme të Qeverisë i bie barra mbi PDK’në. Këto probleme do të thellohen. PDK do të vetëdijesohet se është duke i bërë dëm Kosovës me këtë lloj qeverisjeje të vendit.

Kur pritet të fillojnë zgjedhjet në LDK dhe kush mund të jetë kandidat për Shef të Partisë?

Arben Gashi: Procesi pritet të fillojë se shpejti. Do t’i identifikojë personat që kanë mundësi reale të votohen për Kryetar të LDK’së. Do të jetë një proces normal për të cilin besoj se do të shkojë qetë. Nuk janë vendosur ende datat se kur mund të përfundojë procesi. Një ide është të përfundojnë zgjedhjet deri kah muaji maj-qershor ose deri në shtator-tetor. Kalendari ende nuk është vendosur./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat