Intervistë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

Intervista

Intervistë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 01:32
Intervistë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet këto ditë në Uashington ku të enjten zhvillohet Mëngjesi i Lutjeve, një aktivitet që tradicionalisht grumbullon në kryeqytetin amerikan udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme të botës. Të martën Presidenti Thaçi ishte ftuar për të folur në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë mbi gjendjen aktuale në Kosovë dhe sfidat me të cilat ndeshet vendi i tij në këtë fazë të rëndësishme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Presidenti Thaçi ishte i ftuar për një intervistë të drejtpërdrejtë në studiot e Ditarit:

Zëri i Amerikës: Z. President, Uashingtoni bëri sërish thirrje për pezullimin e tarifave që qeveria juaj ka vënë për mallrat nga Serbia. Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Trump u shpreh, po citoj, “tarifat krijojnë sfida për marrëdhëniet tradicionale, të forta, dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe se udhëheqësit tuaj e kanë të qartë seriozitetin e qëndrimit të Washingtonit”. Si i lexoni ju komente të tilla? Përmbajnë ato elemente paralajmëruese për Kosovën?

Hashim Thaçi: Ajo që dua të theksoj qysh në fillim është se çdo herë që kemi qenë së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si Kosovë kemi dalur mirë dhe kemi dalur fitues, qoftë në Rambuje që sot shënojmë 20 vjetorin e fillimit të konferencës, qoftë në procesin e bërjes së pavarësisë, e në të njëjtën kohë edhe tash të themelimit të ushtrisë. Prandaj çdo këshillë dhe mesazh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të respektohet me përpikërinë më të lartë prej institucioneve të vendit. Por duhet kuptuar edhe diçka, ne jemi ballafaquar si shtet i Kosovës me veprime agresive nga ana e Serbisë, veprime këto që e kanë lënduar shtetin e Kosovës, funksionimin e shtetit edhe në rrafshin e brendshëm edhe në rrafshin ndërkombëtar. Prandaj, masa e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës ka qenë veprim i duhur në kohën e përshtatshme, por në të njëjtën kohë, tash duhet të mendojmë të shikojmë nga e ardhmja dhe e ardhmja është respektimi i një opinioni dominues prej skenës politike për jo heqjen e tarifës, por pezullimin e tarifës, ashtu siç është edhe këshilla prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, spektrit politik kosovar, nga shoqëria civile, në mënyrë që të hapet rruga për vazhdimin e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe në të njëjtën kohë të ruajmë dhe kultivojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Tek e fundit, më të çmueshme janë raportet tona të shkëlqyera dhe ruajtja e këtyre raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa ndonjë veprim që e ngulfat Kosovën, e izolon Kosovën apo që në të njëjtën kohë dërgon mesazh se Kosova po luan rolin e destruktivit në proces të dialogut, prandaj një percepsion i tillë nuk duhet të lejojmë që të krijohet në Uashington, në Bruksel dhe as kudo, por veprimi i institucioneve të vendit ka qenë i drejtë.

Zëri i Amerikës: Por si do ta parandaloni këtë gjë kur kryeministri i vendit tuaj këmbëngul që tarifat duhet të mbahen derisa Serbia të njohë Kosovën. A prisni që tarifat të pezullohen?

Hashim Thaçi: Unë pres maturi, veprime të interesit gjithëpërfshirës, të interesit lokal, por edhe të interesit të investimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s. Nuk mund te kemi sukses të vetmuar në asnjë proces. Është një Amerikë, nuk janë disa. Ne bashkë kemi fituar lirinë dhe pavarësinë dhe SHBA-të ishin të vetmet që na mbështetën për themelimin e ushtrisë, prandaj është e njëjta Amerikë dhe duhet të kemi parasysh se veprime të mëtutjeshme do të jenë të koordinuara mes institucioneve të vendit, megjithëse pushtetet janë të ndara, por duhet të shikojmë më tepër në interesin strategjik sesa në interesin politik ditor.

Zëri i Amerikës: A jeni optimist se tarifat do të pezullohen së shpejti?

Hashim Thaçi: Jam optimist në vendime të drejta, në vendime strategjike, jam optimist se Kosova nuk do ta merr barrën e bllokadës së procesit të negociatave. Ne kemi insistuar që të vazhdojë dialogu, pavarësisht taksës, por kemi një këshillë këmbëngulëse edhe prej Uashingtonit edhe prej Bashkimit Evropian, që së paku për disa kohë, tre mujore ose katër mujore, të pezullohet kjo çështje që t’i hapet mundësi e re vazhdimit të dialogut dhe mundësi arritjes së një marrëveshjeje paqësore në mes të dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Siç u shprehët edhe ju, tarifat duhet të pezullohen që të fillojë dialogu i bllokuar me Serbinë...

Hashim Thaçi: Unë nuk pajtohem në asnjë rrethanë me kushtëzimin e Serbisë për dialog, por e kemi këtë realitet të tarifës dhe kushtëzimin nga Serbia prandaj duhet të manovrojmë për të gjetur një zgjidhje kreative në mënyrë që t’i hapet mundësia vazhdimit të dialogut.

Zëri i Amerikës: Dje në takimin që patët në Këshillin e Marrëdhënieve me jashtë, organizata më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara e cila grupon ekspertët më të mirë të politikës së jashtme amerikane, ju u shprehët për një korrigjim të lehtë të kufijve. Çfarë nënkuptoni me këtë?

Hashim Thaçi: Unë e kam theksuar edhe më herët, e ritheksoj edhe sot se unë punoj që në kuadër të përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton zgjidhjen përfundimtare të çështjes së të zhdukurve, të refugjatëve, të edukimit, të shëndetësisë, të trashëgimisë kulturore serbe, artefaktet arkeologjike, që i hap mundësi zhvillimit ekonomik dhe që në fund benefiti për Kosovën do të jetë njohja nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran, anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njohja edhe prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian dhe hapet mundësia për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian. Tash do të punojmë për një zgjidhje kreative në fund, ku të dy palëve do t’u plotësohen interesat edhe shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. por edhe interesat e investimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dhe natyrisht se në fund nuk ka njohje mes dy vendeve pa definimin e qartë të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Unë e kam theksuar edhe më herët e ritheksoj edhe sot se punoj dhe mendoj se do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën dhe as hapësirat e tjera.

Zëri i Amerikës: A ka tjera vija të kuqe Kosova që nuk duhen cenuar? Për shembull, komunat që janë në veri, komunat me shumicë serbe flas, a janë ato pjesë e negociatave që mund të ndodhin?

Hashim Thaçi: Vijë e kuqe për Kosovën është nën një, që nuk ka dialog ku nuk ka siguri për njohje nga Serbia në fund dhe për t’i hapur mundësi anëtarësimi Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pa këto dy gjëra nuk ka kuptim asnjë dialog.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se kjo marrëveshje do të nënkuptojë njohje nga Serbia, anëtarësim në OKB, por do të kërkojë si shkëmbim që të negociohen kufiri verior i Kosovës për rajonet me shumicë serbe, a është kjo pjesë e negociatave?

Hashim Thaçi: Unë nuk mund të përgjigjem në diçka që nuk është kërkuar dhe nuk mund të përgjigjem në diçka që mund të shtrojë si çështje Serbia, por mund të konfirmoj se askush nuk ka hedhur në tavolinë hartat. Por ajo që mund të them përsëri është se marrëveshja do të arrihet ndërmjet dy vendeve sovrane me njohje reciproke.

Zëri i Amerikës: Atëherë si e shpjegoni faktin se ekspertë, ish zyrtarë, analistë në Shqipëri, në Kosovë, në pjesën perëndimore, të gjithë flasin për mundësinë e ndryshimit të kufirit, jo thjesht definim, që është bërë ndërmjet Kosovës e Malit të Zi apo në mes të Kosovës e Maqedonisë. Ju jeni shprehur për korrigjim të lehtë që përpara ka qenë tabu dhe nuk hapej, tashmë ju e keni hapur.

Hashim Thaçi: Korrigjim të kufirit Kosova ka bërë edhe me shtetin e Maqedonisë, unë e kam nënshkruar. Korrigjim të kufirit ka bërë edhe me Malin e Zi, unë e kam nënshkruar. Ka pasur trazira, ka pasur probleme, gaz lotsjellës, ka pasur demonstrime, dërgime të mesazheve jo të mira për shtetin e Kosovës në botë por në fund të gjithë janë bindur se marrëveshja ka qenë e drejtë dhe e saktë. Në të njëjtën kohë, ne që kemi një kufi, një territor me Serbinë rreth 410 kilometra, duhet definitivisht ta definojmë para përmbylljes së marrëveshjes apo si kusht për përmbyllje të marrëveshjes për njohjen reciproke. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e vijave kufitare. Tash unë opinionet e ndryshme i respektoj por mund të them se me saktësi dhe qartësi mund të flasin vetëm ata që janë në proces, ndërsa të tjerët janë opinione të lira. Tash, shteti i Kosovës ka themeluar delegacionin shtetëror, ata dje kanë qenë në Bruksel dhe janë duke diskutuar çështje të interesit të rëndësishëm për shtetin e Kosovës për mundësinë e përmbylljes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, kështu që duhet të kemi besim te njerëzit që janë zgjedhur nga parlamenti, delegacionin shtetëror, në ata njerëz që kanë edhe integritetin, fuqinë dhe legjitimitetin e legalitetin e institucioneve në Kosovë, tjetër gjithçka do të jetë transparente dhe marrëveshja ne fund ratifikohet nga parlamenti ose përmes një referendumi, kështu që gjithçka do të jetë e hapur dhe informuese botërisht dhe shumë transparente për qytetarët e vendit, sepse askush nuk do të mund të vendos i vetëm, por vendimmarrja përfundimtare i mbetet parlamentit të Kosovës pastaj edhe të autoriteteve të Serbisë siç është edhe me Greqinë e Maqedoninë me rastin e arritjes së marrëveshjes ndërmjet tyre.

Zëri i Amerikës: Dukej që në momentin e parë kur u hap çështja e kufijve, ju keni krijuar shumë kundërshtarë dhe këta kundërshtarë thonë që presidenti nuk po na informon sa duhet dhe ka një mungesë të transparencës për këto që po ndodhin. Ka edhe të tjerë që thonë se po të dinë më shumë, ndoshta ne do të jemi mbështetës të tij. Përse mendoni që është bërë gjithë ky debat i madh në qoftë se kufijtë nuk janë kërkuar apo shtruar?

Hashim Thaçi: Ne jetojmë në një rajon me konspiracione dhe paranoja që unë i kuptoj plotësisht. Kundërshtime ka pasur edhe në konferencën e Rambujes por ne ja kemi dalur mirë. Kundërshtime, refuzime dhe demonstrime ka pasur në rastin edhe të arritjes së marrëveshjes së Vjenës për dokumentin e presidentit Ahtisari prej nga doli pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës. Është fat që kishte unitet pas katër vitesh për themelimin e ushtrisë së Kosovës, sepse kishim një mundësi të tillë në vitin 2014. Tash natyrisht është faza përfundimtare, i kuptoj shqetësimet e sinqerta por në të njëjtën kohë sikur të kisha diçka më tepër natyrisht se do flisja, por nuk kam çfarë të them më tepër nga ajo që sot delegacioni shtetëror ka në duart e veta, është duke diskutuar dhe unë do të shkoj në Bruksel vetëm kur të kërkohet nga autoritetet e Bashkimit Evropian, prej delegacionit shtetëror, prandaj sot adresa e përgjegjësisë për zhvillimin e dialogut mbetet tek delegacioni shtetëror i Kosovës konkretisht nga zoti Limaj dhe zoti Ahmeti. Kështu që, mendoj se definivisht duhet të hiqen konspiracionet, dilemat sepse procesi ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht transparent.

Zëri i Amerikës: Zoti president, në qoftë se nuk ka ndonjë element të ri të ndryshimit të kufijve, të definimit të kufirit, të korrigjimit të lehtë të kufirit, atëherë përse po thuhet që momenti është tani. Me këtë që thoni ju, në qoftë se nuk ka ndryshim kufiri, kemi të njëjtat negociata me të gjitha çështjet që ju përmendët por pa elementin e ri të kufirit, ky është ai elementi i ri që ka shkaktuar debate të mëdha. Besoj që ka diçka, ka diçka për kufijtë dhe kjo pikërisht është ajo që u mungon analistëve që thonë se jemi të painformuar?

Hashim Thaçi: Sot kritikë për këtë proces janë edhe disa që mua më kanë këshilluar që të pranoj autonomi të Kosovës nën Serbi, do të thotë edhe para viteve 1998, por edhe pas çlirimit. E lëmë këtë anash. E kuptoj reflektimin dhe avancimin në ide, por pyetja ime për kritikët apo skeptikët është; cila është zgjidhja sipas tyre, si mund të na njeh Serbia neve, si mund ta bindim Rusinë për t’u anëtarësuar në OKB? Pse është momenti tani? Është momenti sepse në Rambuje, Serbia nuk ka marrë pjesë në nënshkrim, e ka refuzuar marrëveshjen, në Vjenë e ka refuzuar ndërsa tash është në tavolinën e diskutimit dhe shpreh vullnet për të diskutuar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje. Do të jetë shumë vështirë të arrihet marrëveshja dhe mund të them lirisht se vetëm një përgjegjësi e lartë burrështetase mund të reflektojë për vendimmarrje për nënshkrimin e marrëveshjes, sepse nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën, nuk do të jetë e lehtë as për Serbinë. Por ajo që mund të them është kjo, që Serbia është përfshirë në dialog ka shprehur vullnetin për të diskutuar dhe mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, përndryshe për ne nuk do të kishte fare kuptim ky proces. Por në të njëjtën kohë edhe Rusia ka dërguar mesazhe që nëse palët merren vesh ne do ta mbështesim, gjë që më ka konfirmuar edhe mua personalisht presidenti (Vladimir) Putin por edhe përmes zëdhënësit të Kremlinit. Tjetër, po theksoj që momenti dhe e kemi të angazhuar plotësisht në udhëheqje edhe Bashkimin Evropian dhe mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vet presidentit Trump, prandaj gjithë faktorët global janë të fokusuar, të interesuar dhe ne për mundësitë tona që i kemi nuk mendoj se do të mund ta mbajmë këtë fokus ndërkombëtar për kauzën tonë. Përndryshe do të vazhdojmë të mbesim në një konflikt të ngrirë, me potenciale që vazhdimisht të kthehemi tek tragjeditë e së kaluarës, do të mbesim në një status quo që për mua paraqet dëm, është e rrezikshme dhe rikthim prapa për Kosovën. Ata që flasin për kutinë e Pandorës, kjo kuti është e hapur në Ballkanin perëndimor, unë mendoj se një marrëveshje paqësore e mbyll kutinë e Pandorës.

Zëri i Amerikës:A jeni optimist që marrëveshja mund të arrihet këtë vit?

Hashim Thaçi: Jam optimist, realist.

Zëri i Amerikës: A jeni sot më optimist se sa ishit para disa muajsh, apo jeni më pak sot?

Hashim Thaçi: Definitivisht sot jam më optimist se sa kam qenë më herët, shpresoj që nesër të jem edhe më optimist se sot dhe unë ftoj gjithë spektrin politik për reflektim në interes shtetëror, mbi politikat ditore, apo grupore, apo partiak. Besoj në pjekurinë e spektrit politik gjithashtu edhe të shoqërisë civile, të mediave, të njerëzve opinionbërës, sepse marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi nënkupton kurrë më luftë në mes të serbëve dhe shqiptarëve, nënkupton paqe përfundimtare dhe ne pastaj e kemi si shtet i Kosovës rrugën për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, Serbia e ka rrugën e vet. Përndryshe, do ta bllokojmë njëra tjetrën, në perspektivën euro-atlantike Kosovën dhe të ardhmen evropiane për Serbinë. E kemi obligim arritjen e kësaj marrëveshjeje edhe për hir të fëmijëve tonë, fëmijëve të fëmijëve tonë, sepse do të hapet mundësia e transformimit të plotë të shoqërisë në Kosovë sepse nuk do të merremi ne si udhëheqës me akuza ndaj Serbisë për të fituar vota por me vizion, me program zhvillimor, krijimin vendeve të punës, mirëqenien sociale dhe natyrisht reformat demokratike në rend, ligj, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, sepse është përzier patriotizmi me qeverisje që nuk vlerësohet ndonjëherë a është e mirë apo e keqe, por mjafton të jesh patriot apo të akuzosh Serbinë, je në rregull, por t’i nuk po sjell jetë më të mirë për qytetarët e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat