Jemi të vendosur në mbrojtjen e kufijve të 17 shkurtit, Presidenti po manovron me çështjen e Kosovës Lindore

Intervista

Jemi të vendosur në mbrojtjen e kufijve të 17 shkurtit, Presidenti po manovron me çështjen e Kosovës Lindore

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 9 shkurt 2019 Në ora: 11:20
Donika Kadaj-Bujupi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota Sot”, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj-Bujupi ka folur për situatën aktuale politike, sukseset e arritura dhe vështirësitë të cilat na presin në ditët, muajt në vijim. Ajo ka thënë se presidenti Hashim Thaçi po luan me ndjenjat e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit sepse nuk guxohet të luhet me ndjenjat e tyre.

“Bota Sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend. A jeni e kënqaur me dinamikën e zhvillimit të punëve në qeveri?

Donika Kadaj-Bujupi: Situata politike në vend ka hyrë në një qark të panjohur më parë. Taksa 100% si masë diplomatike kohëve të fundit është imponuar si temë aktuale. Në anën tjetër, Qeveria Haradinaj ka punuar me dinamikë të lartë. Siç e dimë, në këtë mandat u bë ushtria, u rritën pagat për punëtorët e sektorit publik, u rritën pensionet, shtesat për fëmijë janë në implementim si dhe është stimualuar prodhimi vendor.

“Bota Sot”: Keni qenë për një kohë të shkurtër edhe pjesë e “Vetëvendosje”-së, me siguri se jeni në gjendje ta bëni një krahasim mes dinamikave me të cilat punohet dhe bëhet politika në këto dy subjekte, pra Aleancë dhe VV?

Donika Kadaj-Bujupi: AAK në aspektin organizativ dallon nga të gjitha partitë politike në vend. Tash që AAK është në pushtet, organizimi politik ka marrë trajta tjera për dallim nga koha kur ka qenë në opozitë. Është shtuar jashtëzakonisht volumi punëve, pasi që tani duhet të punohet edhe në struktura partiake edhe në qeverisje të vendit.

“Bota Sot”: Iu kemi përcjell nëpër rrjete sociale, jeni mjaftë aktive edhe me strukturat e partisë, a mund të na jepni një pasqyrë, si i ka punët në terren momentalisht Aleanca?

Donika Kadaj-Bujupi: Si asnjë here më parë, shumë të rinj e të reja, ekspertë të fushave të ndryshme, afarist e punëtorë, kanë shfaqur vullnet për përkrahur AAK-në. Krahasuar me vitet e kaluara, puna në terren këtë vit dhe vitin që shkoi na bën të sigurt se jemi rritur dhe se do të rritemi edhe më shumë.

“Bota Sot”: Në vitin që lamë pas, besoj që suksesin më të madh si deputetë në rrafshin personal e konsideroni aprovimin e kërkesës tuaj lidhje me shtesat e fëmijëve. Cili do të jetë prioriteti juaj, apo dëshira juaj që ta realizoni në 2019?

Donika Kadaj-Bujupi: Ky vit do të jetë i punëtorëve. Aktualisht jemi duke punuar në përmirësimin e kushteve të punëtorëve në sektorin privat. Shumë shpejtë do të dalim me propozime konkrete për këtë çështje.

“Bota Sot”: Sa jeni të kënaqur me partnerët e koalicionit, shpesh po dëgjojmë kundërthënie dhe deklarata kundërshtuese. Si është realisht atmosfera brenda?

Donika Kadaj-Bujupi: Siç dihet edhe publikisht, kemi s’përputhje rreth mbajtjes ose jo të taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Qëndrimet tona janë të qarta dhe shpresojmë në harmonizimin e këtyre qëndrimeve me partneret e koalicionit.

“Bota Sot”: AAK ka deklarua se taksa 100% do të hiqet dy javë pas ditës kur Serbia ta njeh Kosovën shtet. Serbia në anën tjetër e ka bërë të qartë se pa kompromis, nuk do ta njohë kurrë Kosovën shtet. Deri në cfarë kompromisi është e gatshme AAK të futet, për hir të arritjes së njohjes nga Serbia?

Donika Kadaj-Bujupi: AAK, pikë të panegociueshëm i ka kufijtë e Kosovës. Për neve si subjekt, është e papranueshme çdo temë rreth kufijve. Ne jemi të vendosur në mbrojtjen e kufijve të 17 shkurtit. Për neve nuk ka rëndësi pushteti para interesave shtetërore. Fundja, e kemi obligim edhe kushtetutës ta bëjmë këtë. Jemi të prirë që të mos lëvizim nga ky qëndrim.

“Bota Sot”: Nexhat Daci, kryetari i ASHAK ka deklaruar se e mbështet presidentin Thaçi në idenë e tij për bashkimin e komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke e ruajtur Veriun por edhe Ujmanin. Po ju si AAK, si do ti përgjigjeshit pritjeve të qytetarëve të asaj ane, se në këto biseda finale do të trajtohen edhe ata seriozisht?

Donika Kadaj-Bujupi: Siç e përmenda edhe me lartë, AAK është kundër lojërave me kufij. Është jashtëzakonisht qesharake mënyra se si po manovron Presidenti me shpresën e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Kjo lojë në masë të madhe është mashtrim, sepse që të gjithë e dimë se Serbia nuk është e interesuar t’i shoh bashkë shqiptarët. Kjo është lojë tipike e z. Thaçit dhe bëjmë mirë nëse nuk përfshihemi në të. Ne nuk kemi as njohje reciproke. Aktualisht, më i rëndësishëm është fokusi në forcimin e Kosovës sepse pastaj Kosova si shtet do të mund të mbronte qytetarët shqiptarë të mbetur matanë kufirit. 

“Bota Sot”:  Besoni se roli i ekipit negociator në bisedimet me Serbinë nuk do të jetë vetëm teknik?

Donika Kadaj-Bujupi: Kompetencat e ekipit negociator me Serbinë janë të qarta. Nuk ka hapësirë ligjore që ata të dalin jashtë kompetencave që ia kanë deleguar deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Bota Sot”: A pritet të ketë bashkëpunim dhe transparencë të Presidentit Thaçi me ekipin dialogues?

Donika Kadaj-Bujupi: Harmonizimi i qëndrimeve mes institucioneve është thelbësor për funksionimin e mirë të vendit. Besoj se në emër të kësaj që të gjithë do të thirren në përgjegjësi.

“Bota Sot”: Si i komentoni kërkesat e opozitës për zgjedhje?

Donika Kadaj-Bujupi: Është në natyrën e subjekteve opozitare kërkesa për zgjedhje ose për dorëheqje të qeverisë. Nuk mendoj se ata janë të bindur se qeveria Haradinaj nuk është duke bërë punë të mbara në këtë mandat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat