Flet ish-deputeti Partisë Socialiste, Marko Bello - Bota Sot
Flet ish-deputeti Partisë Socialiste, Marko Bello

Intervista

Flet ish-deputeti Partisë Socialiste, Marko Bello

Nga: Albert Zholi Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 14:25
Marko Bello

 

Situata politike në vend duket se po shkon në favor të opozitës, ndërsa ky mandat i dytë po rezulton i vështirë për qeverinë “Rama”. "Ai ka sjellë në qeveri emra të panjohur, pa karrierë politike dhe pa ngarkesa po ashtu”, pohon Bello. Duke shtuar se “në fund të fundit janë zgjedhjet, ato që tregojnë realisht se cila forcë gëzon mbështetje të shumicës së qytetarëve”. Ndërsa duke iu referuar zgjedhjeve të afërta lokale, ai pohon se ato do të jenë një test real i mbështetjes që gëzon njëra, apo tjetra forcë politike. Sipas tij, “të krijohet përshtypja se edhe opozita vuan nga sëmundjet që vihen re edhe te partia e shumicës: formalizëm, figura të panjohura, shmangie e rregullave dhe statutit, zgjedhje me probleme, imponim i vullnetit të njëshit absolut, etj”...

Cili është mendimi juaj për 16 shkurtin? Sipas jush, a do të sjellë diçka të re kjo protestë e re e opozitës?

Opozita e bashkuar ka njoftuar mbajtjen e një proteste në datën 16 shkurt, kundër mënyrës sesi po qeveris Shqipërinë mazhoranca e Partisë Socialiste. Ka ditë që kreu i opozitës, Lulzim Basha po takon simpatizantë të Partisë Demokratike, por edhe qytetarë në një përpjekje për të siguruar mbështetje mbi tezat e saj dhe të opozitës në përgjithësi. Paralelisht, me akuzat se vendi po keqqeveriset, se krimi nuk po luftohet si dhe sa duhet, se korrupsioni i ka kapur të gjitha nivelet e pushtetit dhe integrimi në Bashkimin Evropian është vënë në pikëpyetje, opozita po artikulon edhe një pjesë të programit alternativ, më saktë disa masa për uljen e çmimeve të energjisë elektrike, karburantit dhe tatimit mbi të ardhurat. Kjo protestë do të shërbejë edhe për të parë nivelin e mbështetjes reale të opozitës nga qytetarët.

Tashmë dihen ndryshimet në qeverinë “Rama”. Cili është mendimi juaj me këto ndryshime, a do të kalojë kriza në qeveri? Emrat e rinj që u vunë ministra, mos vallë tregon se Partia Socialiste ka krizë intelektualësh?A ishte ky veprimi më i mirë i Ramës, sidomos me delegimin e kompetencave si ministër i Jashtëm, z. Cakaj?

Ndryshe nga mandati i parë qeverisës (2013-2017), në mandatin e dytë kryeministri dhe kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama po ndjen vështirësi si në drejtim të realizimit të reformave, ashtu edhe sa i përket performancës së kabinetit qeveritar. I ballafaquar me një seri skandalesh, ai u detyrua të riformatonte qeverinë në fund të vitit të kaluar, në një përpjekje për të ristartuar në pistën e vështirë të realitetit shqiptar. I ndërgjegjshëm për lodhjen e qytetarëve me klasën politike në përgjithësi dhe mazhorancën në veçanti, Rama ka sjellë në qeveri emra të panjohur, pa karrierë politike dhe pa ngarkesa po ashtu. Qëllimi është që të shmangë shigjetat e opozitës ndaj figurave të kompromentuara, me ngarkesa dhe të akuzuar për një sërë aferash dhe skandalesh, duke i servirur opinionit publik një qeveri pa ngjyrë e mëkate të mëparshme. Të shikojmë nëse qytetarët do ta pëlqejnë këtë menu të shefit të qeverisë, i cili duket se po kërkon kohë...

Si do ta komentoni protestën e studentëve. A ishin të drejta kërkesat e tyre? Pse nuk po mbështeten dhe a ka përgjegjësi stafi pedagogjik?

Protestat e studentëve rrëzuan propagandën e qeverisë, sipas së cilës punët në Shqipëri po shkonin mirë dhe se qytetarët do të pranonin kokëulur dhe pafundësisht padrejtësitë, arrogancën dhe korrupsionin e administratës qendrore e lokale. Ajo njëherazi befasoi edhe vetë opozitën e përgjumur dhe pa ide, me masivitetin e saj dhe entuziazmin, që ngjalli thuajse tek gjithë populli. Fatkeqësisht, ajo protestë nuk i përmbushi pritshmëritë dhe shpresat e shumicës së qytetarëve, të cilët me naivitet besuan se studentët do të zgjidhnin edhe shumë nga problemet e mëdha, me të cilat po ballafaqohet shoqëria shqiptare. Gjithsesi, ajo mbetet një rreze shprese për një vend, që ende nuk po përfundon tranzicionin nga sistemi totalitarist drejt një shoqërie ku sundon shteti i së drejtës dhe ekonomia e tregut. Kërkesat e tyre mëse të drejta treguan gjendjen e vështirë, në të cilën ndodhet arsimi i lartë në vendin tonë, eksperimentet e dështuara të politikës ndër vite dhe ligjet e formuluara në shkelje të kushtetutës dhe që bien erë klientelizmi. Stafet pedagogjike nuk i mbështetën në kohën  e duhur protestat, çka u shfrytëzua nga politika për të thelluar hendekun dhe në disa raste armiqësuar raportin e tyre me studentët.

Riorganizmi i Partisë Demokratike, a do të sjellë sipas jush një frymë të re në kampin opozitar?

Duke mos nënvlerësuar përpjekjet e opozitës për riorganizim dhe rifreskim të strukturave të saj, të krijohet përshtypja se edhe opozita vuan nga sëmundjet që vihen re edhe te partia e shumicës: formalizëm, figura të panjohura, shmangie e rregullave dhe statutit, zgjedhje me probleme, imponim i vullnetit të njëshit absolut, etj. Konstatohet nënshtrim i strukturave, anëtarësisë, pranim i gjithçkaje që thotë i pari i partisë, opozitë që përgjithësisht bëhet nëpërmjet disa deklaratave për shtyp, pra fare pak lejohet të dëgjohet zëri i anëtarësisë dhe qytetarëve.

Pra, situata duket e tensionuar. A mendoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Opozitat në përgjithësi kërkojnë revansh dhe zgjedhje të parakohshme për të rifituar pozitat e humbura dhe ardhur në pushtet. Në rastin tonë, është e vërtetë se situata duket se shkon në favor të opozitës, por në fund të fundit janë zgjedhjet ato që tregojnë realisht se cila forcë gëzon mbështetje të shumicës së qytetarëve. Zgjedhjet lokale që pritet të zhvillohen në fund të qershorit janë një test real i mbështetjes që gëzon njëra, apo tjetra forcë politike. Nuk mund të them se do të kemi apo jo zgjedhje të parakohshme, por sigurisht pas qershorit do të kemi një tablo më të qartë sesi do të shkojnë gjërat. Nëse opozita e bashkuar arrin të përmbysë situatën dhe sigurojë mbështetje në qytetet kryesore, ditët e qeverisë mund të shkurtohen. Në të kundërt, mazhoranca do ta mbyllë mandatin e saj 4-vjeçar dhe do guxojë të kërkojë një mandat të ri qeverisës, edhe pse ky skenar duket se ka pak gjasa të ndodhë.

Si e shikoni ecurinë e reformës në drejtësi?

Reforma në drejtësi ka ngjallur pritshmëri të madhe tek qytetarët e zhgënjyer nga sistemi i drejtësisë, korrupsioni dhe paaftësia e shumicës së trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Vetingu ka nxjerrë jashtë sistemit dhjetëra individë të korruptuar që më shumë se të japin drejtësi kanë menduar të majmen me paratë e qytetarëve halleshumë, por megjithatë reforma po ecën shumë ngadalë. Ndërkohë, ka raste që të bëjnë të dyshosh se ka tentativë për ta kapur sistemin dhe vënë atë nën kontroll. Gjithsesi, mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian është e palëkundur dhe ndoshta mbetet garancia e vetme se herët a vonë rezultatet e kësaj reforme nuk do të mungojnë. Të shpresojmë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...