Jakup Krasniqi tregon se kush e solli kaosin e viteve të fundit në Kosovë, ja çfarë thotë për raportin e Dick Marty-it - Bota Sot
Jakup Krasniqi tregon se kush e solli kaosin e viteve të fundit në Kosovë, ja çfarë thotë për raportin e Dick Marty-it

Intervista

Jakup Krasniqi tregon se kush e solli kaosin e viteve të fundit në Kosovë, ja çfarë thotë për raportin e Dick Marty-it

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 shkurt 2019 Në ora: 08:08
Jakup Krasniqi

Ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që ishte përgjegjësi për seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës, ka rrëfyer emocionet e 17 shkurtit 2008.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Krasniqi ka thënë se për atë ditë ishin përgatitur të gjitha institucionet e shtetit.

Si institucione të shtetit, Krasniqi, ka thënë se kishin komunikim të pa parë e të papërsëritur, por, sipas tij, ai komunikim pas Pavarësisë e sidomos pas vitit 2010 nuk u vazhdua më.

Ai ka treguar edhe arsyen pse ishte zgjedhur 17 shkurti si dita historike, ndërsa në përvjetorin e 11-të, ka numëruar edhe arritjet, por edhe ngecjet e shtetit tonë.

Në këtë intervistë, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ka kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve, duke e quajtur atë ide të huaj dhe të çmendur.

Ai ka theksuar se fajtori vjen që nga koha e Raportit të Dick Martit, një raport që sipas tij, është përgatitur në kuzhinën e Beogradit, në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Serbisë.

Ndërsa, teksa ka folur për letrën e amerikanëve drejtuar krerëve të Kosovës për heqjen e taksës, Krasniqi ka thënë se presioni është i padrejtë.

“Bota sot”: Z. Krasniqi, a mund të na përshkruani emocionet e 17 shkurtit 2008, kur u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës?

Jakup Krasniqi: Në fakt, emocione më të mëdha kam pasur në qershorin e vitit 1999 atëherë kur është çliruar Kosova nga forcat ushtarake, policore e administrative të pushtuesit dhe largimi i tyre jashtë kufijve të Kosovës. Për mua aty është fillimi i Lirisë dhe i Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, në momente kur pret të formatizohet e ndërkombëtarizohet një aspiratë e madhe e brezave, e sidomos atëherë kur e sheh të realizohet angazhimi jetësor të dekadave të angazhimit tënd për çlirim, më e madhe se emocionet është droja se si do të rrjedh procesi i atij finalizimi të madh. Në momente të tilla emocionet sikur dalin në plan të dytë, ndoshta edhe për faktin se i tërë përqendrimi është sesi do të përfundojë procesi, për të cilin kishin luftuar, punuar e sakrifikuar shumë breza.

“Bota sot”: A ka rrjedhur e gjithë seanca siç e kishit planifikuar pasi ishit përgjegjës për drejtimin e seancës më të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës?

Jakup Krasniqi: Për atë ditë ishim përgatitur të gjitha institucionet e shtetit. Si institucione të shtetit kishim një komunikim të pa parë e të përsëritur, por ai komunikim pas Pavarësisë e sidomos pas vitit 2010 nuk u vazhdua më. Sa i përket seancës së Pavarësisë, pa dyshim që ajo ishte seanca më e rëndësishme e institucionit përfaqësues të popullit të Kosovës, por edhe e gjithë legjislaturës së Pavarësisë. Natyrisht, akti i Pavarësisë nuk ishte i personalizuar siç prezantohet në mediet qeveritare më pas?! Rëndësia e saj i kalonte shumë herë edhe kufijtë e Kosovës. Konsideroj që e gjithë seanca ka kaluar ashtu si e kemi planifikuar. Ndoshta për këtë më shumë mund të flasin ata që e kanë shikuar përmes ekraneve televizive se sa ne që ishim të angazhuar e të ngarkuar me përgjegjësitë institucionale.

“Bota sot”: A mund të na tregoni pak nga bisedat që kishit bërë bashkë me krerët e tjerë të shtetit, me miqtë ndërkombëtarë për shpalljes e Pavarësisë? Pse u vendos 17 shkurti si data historike?

Jakup Krasniqi: Pas përfundimit të Bisedimeve të Vjenës, e sidomos pas miratimit të Dokumentit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës në Kuvend, kemi pasur shumë bisedime si mes nesh si krerë të institucioneve dhe palës ndërkombëtare në Kosovë e sidomos me përfaqësuesit e SHBA-së e BE-së. Bisedat kanë qenë të përqendruara në: Deklaratën e Pavarësisë, për simbolet e shtetit – Flamurin e Himnin e po ashtu edhe për Kushtetutën e Kosovës. Kuptohet nuk ishte lehtë, sidomos në kontinentin e Vjetër – Evropë , që kishte gati një shekull që ishte përmbyllur bërja e shteteve ose se paku kjo nuk kishte ndodhur pas LDB-së. Pra, bërja e shtetit të pavarur nuk ishte punë e lehtë. Natyrisht, shteti ynë është bërë në koordinim të plotë me Komunitetin Ndërkombëtar e sidomos me vendet e demokracive euro-atlantike. U vendos 17 shkurti, që të ishte një datë e veçantë në historinë tonë dhe të ishte në një kohë me mot të ftoftë. Kjo i kishte edhe arsyet e veta, ndoshta të sigurisë. Edhe zgjedhja e vikendit nuk ishte e rastësishme.

“Bota sot”: Cilat sipas jush, janë të arriturat e Kosovës në këto njëmbëdhjetë vite shtetësi?

Jakup Krasniqi: Të arriturat e Kosovës në shtet-ndërtim janë të mëdha, si: Pavarësia me sovranitet, Kushtetuta me institucionet kushtetuese, infrastruktura ligjore e miratuar, njohjet ndërkombëtare dhe se fundi ushtria e Kosovës. Kosova gjatë këtyre viteve ka marrë një pamje tjetër si në ndërtim e infrastrukturë publike.

“Bota sot”: Po për ngecjet, çfarë mund të na thoni?

Jakup Krasniqi: Në ditë të tilla më shumë duhet të flitet për sukseset, ndonëse edhe ngecjet janë të shumta, gati në çdo segment të rëndësishëm të jetës i hasim ato dhe kjo nuk është vetëm pasojë e mos dijës, por më shumë e grykësisë se njerëzve të veshur me pushtet të pakufizuar. Ngecja e dhimbja më e madhe është: Mos krijimi i perspektivës së njerëzve për të jetuar e punuar në Kosovën e Lirë! Ngecja e madhe pastaj është në zbatueshmërinë e ligjeve, në Sistemin e Drejtësisë i cili është jofunksional, në zhvillim e punësim. Ngecje të mëdha ka edhe në arsimin publik e privat (në cilësi) dhe shëndetësinë publike, etj. Kjo klasë politike pa përjashtim, për këtë gjendje ka përgjegjësi të mëdha dhe zor që kjo mund ta ndryshojë këtë gjendje! Mbase ndryshimet kërkojnë kohë e përgjegjësi tjera.

“Bota sot”: Z. Krasniqi, në kohën kur shteti po mbush 11-të vjet, është aktualizuar ideja e “korrigjimit” të kufijve të Kosovës me Serbinë. Si e vlerësoni ju këtë ide?

Jakup Krasniqi: Sidomos në këtë fazë, është ide jo vetëm e huaja, por është edhe e çmendur!

“Bota sot”: A cenohet sovraniteti territorial Kosovës dhe a rrezikohet marrëdhëniet me shtetet mike përmes kësaj ideje, kur dihet se Republikën e kanë njohur më shumë se 100 vende me këtë territor?

Jakup Krasniqi: E gjithë gjurulldia e viteve të fundit, fajtorin e ka brenda nesh! Dhe ky fajtor vjen që nga koha e Raportit të Dick Martit, një Raport i përgatitur në kuzhinën e Beogradit, në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Serbisë, i cili ka pjellë Gjykatën Speciale. Mos uniteti ynë e ka sjellë presionin e vendeve perëndimore mbi Kosovën. Gabim është të mendohet se presioni është mbi Kryeministrin e Kosovës. Vetëm të qulltitë e politikës sonë e mendojnë ketë.

“Bota sot”: Miqtë ndërkombëtar, sidomos SHBA-ja, ka rritur presionin ndaj Qeverisë së Kosovës, për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës? A duhet hequr taksa?

Jakup Krasniqi: Mos uniteti dhe mos ndërtimi i konsensusit kombëtar, ka sjellë edhe ketë presion të jashtëm. Gjithsesi, presioni është i padrejtë!

“Bota sot”: Si mund të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë, çfarë mund të bëjë Kosova në këtë rast?

Jakup Krasniqi: Mund të gaboj, por zor është të arrihet një marrëveshje me Serbinë, e cila ka mbetur edhe 20 vjet pas luftës çlirimtare në kornizat e forta të krimit e të gjenocidit të njohur serb.

“Bota sot”: Z. Krasniqi, ju e keni përmendur Bashkimin Kombëtar, si zgjidhje për shqiptarët në Ballkan. Sa janë gjasat për realizimin e një projekti të tillë?

Jakup Krasniqi: Bashkimi Kombëtar do të ishte zgjedhja më e mirë për kombin, por me këtë klasë politike mbarëkombëtare vështirë e arritshme në këtë kohë çakordimesh dhe mungesës së madhe të komunikimit përmbajtjesor ndër politik e ndër institucional Shqipëri – Kosovë, etj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...