Ish deputeti rrëfen momentin kur votoi pro Pavarësisë së Kosovës: Kam pas dënesë nga gëzimi - Bota Sot
Ish deputeti rrëfen momentin kur votoi pro Pavarësisë së Kosovës: Kam pas dënesë nga gëzimi

Intervista

Ish deputeti rrëfen momentin kur votoi pro Pavarësisë së Kosovës: Kam pas dënesë nga gëzimi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 shkurt 2019 Në ora: 14:23
Prof. Riza Smaka

Data 17 Shkurt 2008 do të mbetet gjithmonë në mendjet e secilit shqiptar, pasi është data historike kur Kosova shpalli pavarësinë e saj. E këtë vit, Kosova shënon përvjetorin e saj të 11-të të pavarësisë.  Në këtë përvjetor, për gazetën “Bota sot”, ka rrëfyer emocionet dhe momentin e shpalljes së pavarësisë, ish deputeti dhe anëtari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Riza Smaka. Ai ka rrëfyer emocionet që ka pasur bashkë me kolegët e tij deputetë, në ditën historike, si dhe si e sheh Kosovën 11 vite pas asaj dite, kur Kosova u bë shtet i pavarur e demokratik.

“Bota sot”: Jemi në përvjetorin e 11-të të pavarësisë së Kosovës. Si e kujtoni 17 shkurtin e vitit 2008?

Riza Smaka: Isha një nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të legjislaturës së tretë dhe  kisha oportunitetin të  kam qenë një nga anëtarët e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Më parë kisha  nderin të isha një nga anëtarët  e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të miratuar në vitin 1990 në Kaçanik. Edhe gjatë hartimit të Kushtetutës së Shqipërisë isha  një nga katër konsulentët kosovarë për hartimin e   saj, të Kushtetutës së Shqipërisë. Këto i theksova për të apostrofuar rolin, vendin dhe funksionin e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës   të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në datën 17 shkurt 2008, e cila,  për shkak të kontekstit të relacioneve politike të jashtme dhe të brendshme, ishte akt politik e juridik sui generis, i veçantë si për kah pesha ashtu edhe për kah  rëndësia gjeo – politike, historike, juridike afatgjate. Gjatë tërë procesit të meditimeve referuar procesit dhe procedurës si dhe momentit të shpalljes së Deklaratës në fjalë, isha  në rrjedha dhe i involvuar në këtë apo atë  mënyrë. Çasti i  shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ishte sensitiv e emocionalisht  i stadit më të lartë. Unë, personalisht, e sa di unë, edhe jo pak deputetë tjerë, kam qenë shumë i lumtur, i gëzuar, i nderuar dhe i privilegjuar për oportunitetin e pjesëmarrjes aktive në aktin më madhor të vendit tonë, në shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në çastin e votimit për Deklaratën në fjalë, pothuajse, spontanisht kam pas votuar pro dhe njëkohësisht kam pas dënesë nga gëzimi, momenti historik e politik kritik dhe kthesë përfundimtare në favorin e perspektivën e projektuar në dimension progresiv të vendit tonë.

“Bota sot”: Na trego pak për detajet e asaj dite, si deputet i asaj legjislature. Cilat ishin ndjenjat që ju përcillnin ju dhe deputetët tjerë?

Riza Smaka: Ditë më parë nga shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, me kolegë, qytetarë, miq, farefisnorë e familjarë komentonim zjarrtë çastin historik të rëndësisë së veçantë  të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Para fillimit të seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kolegë deputetë e deputete përshëndeteshim, përgëzoheshim dhe përuroheshin  ngazëllyeshëm.

“Bota sot”: Sa ishte emocionues momenti kur u shpall Kosova shtet i pavarur dhe sovran?

Riza Smaka: Akti i shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ishte emocionant, sensitiv, i gëzuar dhe shprehje e ndjenjave fitimtare të  statusit politik të Kosovës – shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik e të pandashëm të cilën klauzë më pastaj e kemi pas stipuluar në nenin 1 par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Sa ndiheni i privilegjuar apo me fat që keni qenë pjesë e asaj legjislature që u shpall pavarësia e Kosovës?

Riza Smaka: Ndjehem i  privilegjuar dhe me fat nga fakti se isha njëri nga   pjesëmarrësit  aktiv i autorizuar për të votuar “Për” shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së republikës së Kosovës, aktit politik – juridik e historik themeltar e primar për themelimin, konstituimin dhe funksionalizimin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës, aktit të ëndërruar e të mbështetur me sakrifica të paskajshme  hiç më pak se  gjatë 86 vjetësh!

“Bota sot”: Këtë vit u bënë 11 vit që kur Kosova është shtet i pavarur. Si e shihni Kosovën tani 11 vite pas pavarësisë?

Riza Smaka: Unë për kah natyra, mentaliteti dhe temperamenti, jam person optimist, me vullnet të çeliktë për punë serioze e tejet profesionale dhe të dedikuar për objektiva më parë të skicuara e të projektuara. Kur, në vendin tonë, z B. Koushner ishte Përfaqësues Special i KS të OKB-së për Kosovën, nga ai kam qenë i emëruar kryetar i Këshillit Gjyqësor – Prokurorial të Kosovës me detyrë për t’ia propozuar Strukturën Organizative të Gjykatave dhe të Prokurorive Publike si dhe për t’ia propozuar kandidatët për gjykatës e prokurorë publikë. Gjatë një procesi  relativisht të gjatë e të ndërlikuar, kryesisht, sipas propozimeve tona, të Komitetit    të Përbashkët Këshillëdhënës për Sistemin e Drejtësisë të përbërë nga ekspertë  vendorë e të jashtëm, z Koushner i ka pas themeluar të gjitha gjykatat e prokuroritë publike të të gjitha instancave si dhe i ka pas emëruar të gjithë gjykatësit e prokurorët publikë. Pra ka qenë establishuar njëra nga tri segmentet kryesore të shtetit tonë. Atëherë, shpresoja dhe besoja se sistemi i drejtësisë do të ishte shembulli më i mirë “Për Se” si dhe për legjislativin dhe ekzekutivin në vend madje edhe gjithandej. Fillimisht, sistemi gjyqësor e prokurorial i Kosovës ka pas  funksionuar sa dhe sikundër kërkohej dhe pritej. Rrjedhimisht, në vend të  përparimit të tij, kryesisht, për shkak të erozionit nga influencat politike e pushtetare, gjykatat dhe prokuroritë publike gradualisht kanë degraduar si në sasi ashtu edhe në cilësi të kryerjes së rasteve juridike prokuroriale e gjyqësore. Në anën tjetër, administrata publike nuk është e organizuar sa dhe sikundër kërkohet sipas standardeve të objektivizuara e për aq është inefikase dhe ineficiente. Rrjedhimisht, aktet ligjore në fuqi nuk aplikohen në mënyrë konsistente e konsekuente. Pra ligji i aplikuar nuk zbatohet sa kërkohet e për aq vendi ynë, është shtet juridik por nuk është shtet i së drejtës. Ka jo pak akte ligjore të definuara dobët që përmbajnë vakume dhe kontradikta juridike të brendshme e më shumë të jashtme. Me keqardhje rezulton fakti i pakontestuar se, dimensioni dhe intensiteti   i korrupsionit është i gjerë, arrogant dhe prezent në shumë institucione e struktura shtetërore. Korrupsioni vetvetiu rezulton shumë defekte, dobësi e parregullsi në të  gjitha hallkat e strukturave shtetërore.

“Bota sot”: Në cilat fusha mendoni se ka përparuar më shumë e në cilat ka më shumë ngecje në këto 11 vite?

Riza Smaka: Përparimet janë të vogla në veprimtaritë shoqërore të cilat kanë mundur të ishin shumë më të zhvilluara, efikase dhe eficiente. Arsimi, shëndetësia, shkenca çalojnë dukshëm. Nuk e kemi sistemin e arsimit adapt me tregun e punës por me zhvillimin stihik, të paplanifikuar dhe për aq të dështuar. Gjykatat,  prokuroritë dhe administrata publike janë nën nivele të standardeve të mirënjohura. Prodhimi gjithnjë nuk është në nivelin e mundur. Tregtia ndoshta është ca më e zhvilluar por në të dominojnë dukuritë negative të dumpingut, kartelizmit, monopolit në treg dhe të kompeticionit të pandershëm. Konsumatori nuk është i mbrojtur përkundrazi është i atakuar nga marifetllëqet apo spekulimet tregtare më së të ndryshme.

“Bota sot”: Si e sheh Kosovën 10 vite më vonë?

Riza Smaka: Dëshiroj dhe besoj se është dëshirë e shumicës absolute të  qytetarëve të Kosovës që, vendi ynë në dekadën që pason, të bëhet shtet i së drejtës, me prokurori e gjykata efikase e eficiente, me akte ligjore të definuara e të sanksionuara përshtatshëm, me ekzekutiv në funksion të zbatimit të ligjit dhe me legjislativ kompetent, me sistem të pagave sipas kritereve e normativave të objektivizuara, me vlerësim real e adekuat të punëve të kryera dhe të pakryera apo të kryera “aramara”, me ligj për përgjegjësinë morale, politike, funksionale dhe me aplikim konsekuent të tij dhe të akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

“Bota sot”: A ka vend për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Kosovës?

Riza Smaka: Kushtetuta është ligji suprem i shtetit. Pra edhe Kushtetuta është akt ligjor por i pari dhe më i larti në shtet e si i tillë ju  nënshtrohet imperativave të kohës për ndryshime, plotësime e përmirësime. Aq më parë kur nuk ka pasur, nuk ka as nuk mund të këtë akt ligjor perfekt. Jeta shoqërore, socio- ekonomike e politike për kah natyra është dinamike dhe karakterizohet me zhvillime të cilat vitruelisht nuk mund të parashikohen. Pra jeta shoqërore për dallim nga rendi juridik i shtetit është dinamike e aktet ligjore, pra edhe kushtetuta janë të karakterit statik. Rrjedhimisht dinamika e imponon statikën për të zënë hapin e kohës, për t’u përshtatur me dinamikën zhvillimore. Edhe gjatë aplikimit të akteve ligjore, pra edhe të Kushtetutës vërehen dispozita të paplota, të paqarta të cilat si të tilla duhet të ndryshohen, plotësohen e përmirësohen varësisht nga konteksti dhe kompleksi  i  rrethanave. Kushtetuta e vendit tonë do të duhej që të rishikohej në një vlerësim analitik dhe të konkludohej se ku e në të cilat pjesë kërkon modifikime e novelime. Për të qenë më i qartë në pyetjen e juaj, konsideroj se konkretisht do të duhej bërë modifikime e novelime të Kushtetutës në:

Harmonizimin e teksteve të saj në shqip, serbisht e anglisht,

Zgjedhjen e shkarkimin e kryetarit të Kuvendit,

Strukturën e Kuvendit,

Statusin e deputetit/es pas certifikimit të mandatit,

Zgjedhjen dhe shkarkimin e Presidentit,

Zgjedhjen  e Qeverisë,

Definimin dhe udhëheqjen e politikave shtetërore e të jashtme...

Bazat themelore të sistemit zgjedhor...

“Bota sot”: Si do t’i uroje qytetarët e Kosovës në këtë përvjetor të pavarësisë?

Riza Smaka: Rroftë Republika e Kosovës, shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...