LDK pa Rugovën fizikisht dhe me të ideologjikisht është ajo që i duhet Kosovës - Bota Sot
LDK pa Rugovën fizikisht dhe me të ideologjikisht është ajo që i duhet Kosovës

Intervista

LDK pa Rugovën fizikisht dhe me të ideologjikisht është ajo që i duhet Kosovës

Arbnora Zhushi Nga Arbnora Zhushi Më 17 shkurt 2019 Në ora: 09:37
Ibrahim Rugova dhe Adnan Merovci

Adnan Merovci, njeriu që i qëndroi afër për vite të tëra presidentit historik të Kosovës, ka thënë se pavarësia e Kosovës i atribohet udhëheqësit politik të Kosovës, dijetarit Ibrahim Rugova i komplementuar nga udhëheqësi luftarak, patrioti Adem Jashari. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Merovci ka thënë se Rugova do ta afronte Kosovën më afër funksionalizimit të plotë se sa që është sot, por sipas tij, ai e ka kryer misionin e vet dhe na mbetet neve të punojmë tutje.

Ai ka theksuar se çdo cenim i raporteve me SHBA-të, është prekje në bekimin e Presidentit Rugova dhe bukë-përmbysje. Sipas tij, taksa ndaj Serbisë nuk mundet dhe as nuk duhet të jetë prishës i raporteve të shkëlqyera me vendin mik.

Merovci ka deklaruar se LDK-ja pa Rugovën fizikisht dhe me të ideologjikisht është ajo që i duhet Kosovës.

Ai ka folur edhe për arsyen se pse presidenti i tanishëm Hashim Thaçi po e imiton presidentin Rugova. Ish-pjesëtari i sigurimit të Rugovës ka rrëfyer edhe takimin dhe fjalët e fundit të Rugovës për të.

“Bota sot”: Ju jeni një ndër njerëzit që i keni qëndruar afër Presidentit Ibrahim Rugova me vite të tëra. Në 11-të vjetorin  e Pavarësisë së Kosovës, si e shihni Republikën tonë? A është ajo që e dëshironte presidenti Rugova?

Merovci: Republika e Kosovës është gjendje faktike që nga referendumi i vitit 1991 kur populli i Kosovës u deklarua për pavarësinë e saj. Ajo funksionoi në kushte specifike deri më 12 qershor 1999 ku u çlirua Kosova, për t’u zyrtarizua dhe njohur ndërkombëtarisht nga 17 shkurti 2008. Pavarësia e Kosovës i atribohet udhëheqësit politik të Kosovës nga dijetari Ibrahim Rugova i komplementuar nga udhëheqësi luftarak, patrioti Adem Jashari. Republika e Kosovës sot është në ecejaket e saj për t’u funksionalizuar dhe forcuar karshi sfidave të mëdha që kryesisht vijnë nga pushtuesi i saj, Serbia. Sot Kosova është Republikë Parlamentare e njohur nga më shumë se 100 shtete, megjithatë mosnjohja nga 5 shtete evropiane ka shkaktuar turbulenca ndërkombëtare me pasojë ngecje në integrimin e saj në strukturat dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare.                                                                                                                  

Presidenti Rugova ka qenë njeri i punës dhe i bërjes së gjërave të ndodhshme e jo i dëshirave. Dmth, ai me punë dhe veprim do ta afronte Kosovën më afër funksionalizimit të plotë se sa që është sot, megjithatë mendoj se Presidenti Rugova ka kryer misionin e vet dhe na mbetet neve të punojmë tutje.

Bota sot”: Presidenti Rugova kishte arritur marrëdhënie të shkëlqyeshme me miqtë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-të. Tani po shohim se marrëdhëniet me këtë mik janë buzë prishjes për shkak të taksës së vendosur ndaj produkteve serbe. Pse erdhi deri tek një situatë e tillë?

Merovci: Marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare kanë bekimin e Presidentit Rugova dhe si të tilla ne së paku duhet t’i mbajmë. Çdo cënim i tyre, sidomos me SHBA-të, është prekje në bekimin e Presidentit Rugova dhe bukë-përmbysje që është në kundërshtim me traditën tonë.

SHBA-ja është krijuesi i shtetit shqiptar të Shqipërisë, pa Kosovën dhe krijues dhe mbrojtës i shtetit të Kosovës. Si rrjedhim logjik, çdo acarim i marrëdhënieve me të është acarim me atë që të krijojë, mbrojti dhe që të mbanë edhe sot. Kjo që e thashë, vlen në përgjithësi. Taksa ndaj Serbisë as nuk mundet as nuk duhet të jetë prishës i raporteve të shkëlqyera. Këtë më shumë e shoh si çështje politiko-mediale se sa esenciale.  

Bota sot”: A është LDK-ja aktuale, ajo të cilën do ta dëshironte presidenti Rugova? A është ajo e gatshme të marrë në dorë drejtimin e shtetit?

Merovci: LDK-ja nga ndarja me Presidentin Rugova ka pësuar metamorfoza shumëdimensionale, si pasojë ka përjetuar rëniet të cilat i ka tejkaluar falë traditës institucionale që ka patur nga fillimi. LDK-ja pa Rugovën fizikisht dhe me të ideologjikisht është ajo që i duhet Kosovës. Megjithatë, edhe pas Rugovës, LDK-ja është brumi politik më kualitativo kuantitativ në Kosovë. Ajo në gjirin e saj ka potenciale gjigante kadrovike. Kjo i bie që drejtimi i shtetit nga LDK-ja jo që mundet, por i duhet Kosovës.

“Bota sot”: Pse sipas jush presidenti i tanishëm Hashim Thaçi po e imiton presidentin Rugova?

Merovci: Askush nuk ka lindur i ditur. Si në në jetë, e aq më parë në politikë, imitimet, kopjimet dhe luajtja e roleve është pjesë e saj. Presidenti Rugova nuk kishte kënd ta imitonte, ai doli nga nevoja e kohës për ta udhëhequr popullin. Ai si dijetar njihte më së miri popullin e vetë duke u bazuar edhe në studimet e tij. Ai njihte Skënderbeun, Pjetër Bogdanin, Ali Pashë Tepelenën, Napoleon Bonapartën, Vëllezërit Frashëri, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Nënë Terezën, etj, etj. dhe kjo mbase i shërbeu që në rrugëtimin e tij udhëheqës të ketë suksesin epokal. Tani imitimi i Rugovës nga çdokush e në veçanti nga Presidenti aktual Thaçi është mëse i justifikueshëm. Ai në Rugovën pa me sy dhe dëgjoi me vesh artikulimin politik që për mrekulli ia përvetësoi dhe e futi në funksion për sukseset e veta.

Bota sot”: A mund të na rrëfen diçka të pathënë për takimin e fundit me prsidentin Rugova. Cilat ishin fjalët e tij të fundit për ju?

Merovci: Pasi që kam deponuar dëshminë time në Tribunalin e Hagës si dëshmitar kundër Millosheviqit dhe nominimin tim për Drejtor të Postës së Kosovës nga UNMIK-u, Presidenti Rugova më pati thënë të shkoj në Postë, por të rri edhe aty, por të dyjat nuk bëjnë i thashë, duke marur parasysh punët e shumta në Postë. Ja kam kompletuar ekipin për Protokoll, për Siguri dhe për Transport, i kam caktuar përgjegjësitë për këto punë dhe jam tërhequr nga aktiviteti im me Presidentin Rugova.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...