Historiani i njohur zbulon se nga kush lindi ideja për ndarjen e Kosovës, hedh në shesh 4 emra - Bota Sot
Historiani i njohur zbulon se nga kush lindi ideja për ndarjen e Kosovës, hedh në shesh 4 emra

Intervista

Historiani i njohur zbulon se nga kush lindi ideja për ndarjen e Kosovës, hedh në shesh 4 emra

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 shkurt 2019 Në ora: 10:11
Frashër Demaj

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, historiani Akademik Frashër Demaj, ka thënë se, Kosova duhet ta forcojë subjektivitetin ndërkombëtar dhe ta shtrijë sovranitetin e saj në gjithë territorin. Sipas tij, dialogu me Serbinë jo vetëm që është nisur gabimisht por kështu si po zhvillohet s`do të ketë asnjë rezultat.

Demaj vlerëson se “Korrigjimi”, “shkëmbimi” i territoreve apo terme tjera të përdorura janë lojë fjalësh, pasi Kosova në asnjë mënyrë nuk do të dal e fituar nga hapja e këtyre temave, posaçërisht tani kur është në defensivë të plotë diplomatike.

“Bota sot”:  20 vite nga çlirimi, e 11 vite nga Pavarësia. Ku mendoni se ndodhet Kosova sot?

Frashër Demaj: Liria është kusht i parë dhe i domosdoshëm për të ndërtuar një jetë normale. Natyrisht duhet vlerësuar të gjithë faktorët që kanë ndikuar që Kosova dhe qytetarët e saj ta fitojnë lirinë. Sa herë që flitet për luftën dhe lirinë e Kosovës në rend të parë krijohet një ndjenjë e veçantë dhe shprehje falënderimi për SHBA, NATO-n, Bashkimin Evropian dhe gjithë faktorët tjerë kontribuues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, për të ndërtuar një jetë normale duhet të plotësohen edhe një varg i kushteve të domosdoshme që realisht mungojnë në vendin tonë. Që nga viti 1999, Kosova ka kaluar neper një proces të vështirë. Është sfiduar nga aspekte dhe faktor të ndryshëm që kanë ndikuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi në zhvillimet e gjithëmbarshme. Gjatë këtyre 20 viteve pothuajse të gjitha proceset dhe pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës janë vonuar dhe natyrisht përgjegjësia bie fillimisht mbi faktorin ndërkombëtar dhe institucionet e përbashkëta vetëqeverisëse për mungesë efikasiteti por në asnjë mënyrë nuk mund të amnistohet faktori i brendshëm dhe institucionet e Kosovës të cilat e kanë përgjegjësinë kryesore për ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore. Për të mos qenë skajshmërisht pesimist duhet pasur në konsideratë edhe arritje dhe përparime të ndryshme në shumë fusha por pritshmeritë e qytetarëve të Kosovës nuk janë realizuar as përafërsisht. Aktualisht Kosova ka institucione të brishta, të pa qëndrueshme, njerëz jo kompetent në shumë fusha të caktuara, parlament jo funksional, qeveri jo legjitime e krijuar nga një koalicion i pa natyrshëm i kushtëzuar në çdo hap me numra të ministrave dhe zëvendësministrave jashtë logjikës normale politike si dhe opozitë të pa fuqishme, një president misterioz dhe të pa përgjegjshëm përballë përgjegjësive kushtetuese e shtetërore,  mungesë të komunikimit institucional, qëndrime të një anshme dhe jo parimore, përfaqësim të dobët diplomatik (hiq disa përfaqësues të pakët që kanë treguar rezultate konkrete), mungesë projektesh zhvillimore ekonomike, politike, diplomatike, pa kënaqësi të skajshme qytetare, mungesë të shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës, përballje të pa suksesshme me shumë shërbime sekrete anti-kosovare që veprojnë ne vend, prokurori e gjykata të kapura nga pushteti, mungesë e theksuar e zhvillimit ekonomik dhe shumë fenomene tjera që pengojnë zhvillimin normal të Republikës së Kosovës. Thjesht politikanët e sotëm po e vrasin shpresën e të rinjve kosovarë për një jetë të dinjitetshme në vendim e tyre. Kosovës po i ikën truri dhe fuqia meqë në çdo bisedim në mes të rinjve temë kryesore është largimi nga Kosova.

“Bota sot”: Dihet se tashmë shteti i ri i Kosovës ka flamurin, Ushtrinë dhe Policinë e saj. Por në  këtë kontekst, a mendoni se kështu Kosova do ta krijojë një identitet të saj, shtetëror, por edhe nacional, pas një periudhe kohore?

Frashër Demaj: Kosova ka të gjitha institucionet e saj shtetërore, pavarësisht se janë të brishta dhe shpeshherë jo rezultative. Flamuri, stema, ushtria, policia janë  institucione që simbolizojnë një shtet sovran dhe të pa varur. Nga ana tjetër Kosova e ka identitetin e vet kombëtar sepse është e banuar me mbi 95 për qind me popullsi shqiptare dhe natyrisht pjesa tjetër me komunitete të ndryshme nacionale qe e begatojnë Kosovën si shtet qytetar. Kosova shtet sovran dhe i pavarur është kompromis i kosovarëve me ndërkombëtarët si rezultat i rrethanave konkrete në rajon dhe me gjerë. Çdo tendencë për të krijuar “kombin kosovar” është në kundërshtim me interesat kombëtare dhe përpjekje e dështuar sepse gjithë lufta dhe përpjekjet shekullore të popullit shqiptar të Kosovës janë bërë për liri dhe bashkim kombëtar. Jam i bindur që shqiptarët janë në rrugë të duhur dhe do të vazhdojnë angazhimin e tyre në procesin e integrimit dhe perspektivës kombëtare. Na pret një proces i gjatë për të arritur deri te një akt i shumë pritur.

“Bota sot”: Cilat janë arsyet kryesore të mos arritjes së konsolidimit të shtetit tonë në planin e brendshëm?

Frashër Demaj: Mungesa e një lidershipi intelektual në institucionet e Kosovës ka ndikuar në degradimin e  institucioneve. Korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, militantizmi politik dhe fatura që paguajnë politikanët në pushtet për këtë fenomen degradues, keqpërdorimi i pushtetit, instalimi i grupeve para politike dhe politike në institucione profesionale dhe dukuri tjera janë frenuesit kryesorë që pengojnë konsolidimin dhe zhvillimin e Kosovës.

“Bota sot”: Cilat janë rreziqet kryesore që mund t'i ndodhin Kosovës?

Frashër Demaj: Kosova është e atakuar shumanshëm dhe në shumë drejtime. Rreziku më i madh i vjen nga Serbia e cila fillimisht u mundua të pengonte Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës gjë të cilën nuk e arriti. Më pas i instrumentalizoi serbët lokal duke ngritur përmes shërbimeve inteligjente struktura paralele, ilegale dhe kriminale në veri të Kosovës dhe në enklavat serbe gjithandej nëpër Kosovë. Kurse tani bën përpjekje të pareshtura që të mos e lejoj Kosovën të funksionoj si shtet normal përmes “Lista Srpska” dhe eksponentëve tjerë si dhe duke shantazhuar e penguar Kosovën në anëtarësimin në institucione ndërkombëtare siç ishte rasti në UNESCO, Interpol dhe duke lobuar tek disa vende kryesisht afrikane dhe aziatike që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, përkatësisht të tërheqin njohjet. 

Rrezik në vete përbën edhe rritja e ekstremizmit e cila Kosovës i ka kushtuar me cenim serioz të imazhit ndërkombëtar. Në organizimin e brendshëm politik Kosova është shumë e rrezikuar nga kriminaliteti, ekonomia jo formale, pa barazia sociale, mungesa e përgjegjshmërisë së bartësve të institucioneve, mosfunksionimi i shtetit juridik dhe fenomene tjera.Rrezik në vete paraqet edhe shpërqendrimi i vëmendjes së miqve tanë nga Kosova dhe heqja nga prioritetet e politikës së jashtme amerikane dhe asaj të Bashkimit Evropian.

“Bota sot”: A mund të arrihet korrigjimi i kufijve pa një përplasje mes Kosovës dhe Serbisë dhe cilat mund të jenë efektet negative?

Frashër Demaj: Pushtimi dhe copitmi i territoreve shqiptare është shumë i hershem. Serbia gjithmonë ka bërë projekte shtetërore për copëtimin dhe grabitjen e territoreve shqiptare të cilat kanë dalë në sipërfaqe me protagonistë si Garashanini, Andriqi, Cvijiqi e deri te Qosiqi. Ideja e këtij të fundit ka lindur dekada më herët kur Qosiqi si “babai” i kombit serb, u bë kryetar i Jugosllavisë (Serbi dhe Mali i Zi). Ai në janar 1993 e kishte lansuar projektin e ndarjes në proporcion 60:40% në favor të Serbisë. Dobrica Qosiq në vitin 2004 deklaronte se Kosova duhet ndahet sepse ky është interes i Serbisë dhe kështu do të gjendet “kompromisi midis të drejtës historike dhe të drejtës etnike dhe zgjidhjen racionale të antagonizmave shekullore ndëretnike” në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Sipas logjikës qosiste Serbia e merrte shumicën e territorit të Kosovës kurse pjesa e mbetur mund ti bashkohej Shqipërisë. Pra ndarja e Kosovës, “ndryshimi i kufijve”, “korrigjimi”, “korrigjimi i lehtë“ nuk janë interes nacional i shqiptarëve e as që e zgjidhin çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përkundrazi, nëse ndahet territori gjeoetnik i Luginës, për një kohë të shkurt nuk do të ketë shqiptarë atje siç nuk ka mbet asnjëri në Sanxhakun e Nishit i cili ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.  

“Bota sot”: “Korrigjimi i kufijve” për shumë kë po nënkuptohet edhe si ide për shkëmbim territoresh me Serbinë, pa prekur vijat etnike, si e komentoni ju këtë?

Frashër Demaj: Kosova duhet ta forcoj subjektivitetin ndërkombëtar dhe ta shtrij sovranitetin e saj në gjithë territorin. “Korrigjimi”, “shkëmbimi” apo terme tjera të përdorura janë lojë fjalësh. Kosova në asnjë mënyrë nuk do të dal e fituar nga hapja e këtyre temave, posaçërisht tani kur është në defensivë të plotë diplomatike.

Me këtë projekt preken vijat etnike dhe cenohet rëndë sovraniteti i Kosovës dhe interesat e popullit shqiptarë sepse trungu etnik i Luginës copëtohet. Serbia nuk ia jep Kosovës Luginën për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Mos harroni që për korridorin dhjetë që kalon nëpër luginë janë bërë luftëra.

“Bota sot”:  A ka mundësi që Kosovës t`i bashkohen Presheva, Medvegja e Bujanoci e në anën tjetër të mos preket veriu, ashtu siç po pretendon Presidenti Thaçi?

Frashër Demaj: Është e pa pranueshme të luhet me fatin e shqiptarëve të Luginës. Retorika e presidentit se “do ta marrim edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen” është retorikë boshe pa asnjë vlerë dhe mashtrim që i bëhet opinionit qytetar të Luginës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Me këtë retorikë Presidenti i Republikës së Kosovës më shumë duket një aventurier i pa pjekur politikisht se sa një burrë shteti i përgjegjshëm për deklaratat e tij. Nëse Serbia nuk po na njeh shtetësinë kështu siç jemi pa na dhënë asgjë atëherë si mund të presim që Beogradi ta na i jep këto vendbanime shqiptare apo si mund t’ia marrim ne. Serbia do të ishte mirë të na njihte për shkak të fqinjësisë por e ardhmja e Kosovës nuk është e varur nga fakti nëse na ka njohur apo jo shteti serb. Është edhe në interes të Serbisë ta njohë Pavarësinë e Kosovës sa më parë. Kosova duhet të shohë përpara e të mos mbetet peng i primitivizmin nacional shovinist serb. Pra nuk ka asnjë mundësi të marrim e të mos japim. Fundja Presidenti i Kosovës ka obligim kushtetues që të bëj publike projektet që kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës para se të futet në bisedime apo negociata. Duhet të ketë konsulencë të gjerë me institucione relevante që mund ta këshillojnë për të mirën e Kosovës dhe interesave kombëtare.   

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë? Dhe a mendoni se një qasje e tillë ka ardhur si pasojë e politikanëve të Kosovës?

Frashër Demaj: Eksponentë të caktuar brenda BE-së për interesa të ngushta dhe mandatorë për shkak të pretendimeve për tu bërë laureatët të çmimeve të paqes dhe të tjerë me orientime pro serbe kohën e fundit kanë dëmtuar rëndë interesat e Kosovës. është e pa pranueshme që të përkrahen veprimet destruktive të Serbisë ndaj Kosovës nga ana e BE-së. Këtyre qarqeve duhet bërë e qartë se Kosova vërtetë ka problem të natyrave të ndryshme por është shtet sovran dhe i pavarur prandaj duhet ta respektojnë mbi këto parime. Kosova ka nevojë për ndihmën e BE dhe jam i bindur që BE do ti kuptoj drejt nevojat e Kosovës për shtet, sovranitet, liri, paqe e perspektivë evropiane.

“Bota sot”: Kosova tashmë ka nisur procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të mirëfilltë, si e vlerësoni këtë hap të institucioneve të Kosovës?

Frashër Demaj: Ky është një hap i rëndësishëm. Transformimi i FSK dhe formimi i ushtrisë së Kosovës e afron vendin tonë më afër anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike. Njëkohësisht  i kontribuon paqes dhe qetësisë rajonale si dhe shuan shpresat e Serbisë për rikthim në Kosovë. Përveç kësaj, ushtria e Kosovës është garanci e paqes dhe sigurisë si dhe e gatshme që krahas ushtrive të NATO-s të shërbej në misionet paqësore nëpër botë. shpresoj që ushtrinë e Kosovës ta drejtojnë oficer të shkolluar në Akademitë Ushtarake euro perëndimorë dhe amerikane.

“Bota sot”: Dialogu me Serbinë është nisur gabimisht pa një platformë paraprake të analizuar mirë në përputhje me konceptin strategjik të shtet formimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës?

Frashër Demaj: Dialogu me Serbinë jo vetëm që është nisur gabimisht por kështu si po zhvillohet unë jam i bindur që s`do të ketë asnjë rezultat. Për të qenë rezultativ dialogu me Serbinë do duhej nisur mbi bazën e reciprocitetit. Pra, Kosova dhe Serbia të diskutojnë si dy vende fqinje, sovrane dhe të pa varura. Nuk mund të ketë dialog për sa kohë në Kushtetutën e Serbisë, Republika e Kosovës quhet “Kosova e Metohija pjesë integrale e Serbisë...” nëse pala kosovare e pranon dialogun ,mbi këtë bazë atëherë e pranon nënshtrimin dhe Serbia konsideron se po dialogun me një pjesë të territorit të vet. Pra hapi i parë i dialogut do duhej të ishte njohja reciproke, hapi i dytë heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, hapi i tretë demet e luftës dhe kërkim falja për dhunën dhe terrorin e ushtruar nga ushtria dhe policia serbe ndaj popullit të Kosovës, hapi i katërt të pagjeturit, hapi i pestë dëmet e luftës, hapi i gjashtë reciprociteti sa i takon të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, kurse në hapat në vazhdim të diskutohet për interesat e përbashkëta ekonomike, politike, sociale etj. Vetëm mbi këto parime mund të ketë marrëveshje historike me Serbinë.

“Bota sot”: A mendoni se dialogu ka ndonjë alternativë tjetër?

Frashër Demaj: Dialogu parimor  është i domosdoshëm dhe pa alternativë sepse historia e njerëzimit nuk e thotë ndryshe. Shtetet dhe popujt e ndryshëm kanë luftuar mes vete me vite të tëra por në fund janë ulur në tryezën e paqes dhe bisedimeve. Edhe Kosova duhet të dialogoj me Serbinë me ndërmjetësimin dhe garancinë e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve. Kosova asnjëherë nuk duhet të ndjehet inferiore në dialogun me Serbinë sepse inferioriteti krijon avantazhe diplomatike për Serbinë. Gjithashtu shqiptaret nuk duhet ta ndjekin nga pas diplomacinë serbe dhe ti përshtaten interesave të saj siç është bërë shpeshherë. Kosova e ka shansin historik që ta kushtëzoj Serbinë dhe detyroj qe pa njohjen dhe normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën të mos mund të bëhet pjesë e BE.       

“Bota sot”: Si e shihni dështimin e Kosovës në anëtarësimin në organizatat si Interpol dhe UNESCO a mendoni se ka qenë goditje e rëndë për Kosovën?

Frashër Demaj: Mospranimi në UNESCO dhe në Interpol vjen si shkak pasojë e dy faktorëve. E para neglizhenca dhe mungesa e ofensivës diplomatike të Kosovës ose përfaqësimit të dobët në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e dyta anti lobimi dhe shantazhi që i bëri Kosovës Serbia bashkë me aleatët e vet. Kosova ka institucione kredibile arsimore, shkencore e kulturore prandaj do duhej të pranohej në UNESCO. Gjithashtu policia e Kosovës krahasuar me policinë e vendeve të rajonit është shumë më e avancuar, më profesioniste, më e pa korruptuar dhe me anëtarësimin e Kosovës në Interpol, përveç vendit tonë do të përfitonte edhe vet Serbia dhe Interpoli në përgjithësi. Kosova me mos anëtarësimin në këto dy institucione të rëndësishme ka humbur shumë dhe pasojat  do të ndjehen dhe reflektohen çdo ditë e më tepër.

“Bota sot”: Cilët nga faktorët po ndikon në tërheqjen e njohjeve?

Frashër Demaj: Mungesa e diplomacisë efektive sidomos e MPJ është faktori kryesor i dështimit në procesin e njohjeve ndërkombëtare për Kosovën. Edhe Serbia është në ofensivë diplomatike duke lobuar për mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe duke mos reshtur së bëri presion për tërheqjen e njohjeve “sasiore” të disa vendeve të pa zhvilluara të cilat për fat të keq po bien pre e propagandës serbe. Edhe agresiviteti diplomatik me akuzën se Kosova është një vend ekstremist ka ndikuar në procesin e njohjes madje këtë propagandë të servuar si karrem e kanë pranuar edhe qarqe diplomatike me traditë. Prandaj i mbetet qeverisë së Kosovës që përmes MPJ dhe korit diplomatik kosovar të Shqipërisë dhe miqve ndërkombëtarë të behet e qartë se krizën e Kosovës vërtet e kanë shfrytëzuar shërbime të ndryshme anti kosovare por Kosova dhe shqiptarët janë popull evropian si racë, gjeografi, si vlera e qytetërim dhe pavarësisht dobësive Kosova dhe shqiptarët janë të orientuar kah vlerat e civilizimit perëndimor.

“Bota sot”: Si e shihni përplasjet e shpeshta konceptuale midis partive politike të Shqipërisë dhe Kosovës?

Frashër Demaj: Për fat të keq Kosova dhe Shqipëria i kanë marrë nga njëra tjetra modelet më të këqija dhe degraduese. Është shqetësuese qasja dhe fjalori dhe veprimet që bëjnë politikanët andej dhe këndej. Në Kosovë sidomos partitë e pas luftës nuk kanë profil politik të orientuar qartë. Nuk dihet me saktësi profili i tyre majtas, qendër apo djathtas. Partitë e krijuara me ”grusht” marksiste-leniniste kosovare sot hiqen si të djathta kurse metodat i kanë ekstrem të majta.. kohën e fundit ka një orientim të disa partive ka socialdemokracia. Përkundër të gjitha këtyre ka edhe progres në bashkëpunimin e partive politike të Kosovës me Shqipërinë. Tani pothuajse është krejtësisht në sipërfaqe bashkëpunimi i ngushtë i lidershipit të PS me atë të PDK-së pavarësisht se kjo e fundit thirret në vlerat e djathta. Natyrisht që ky bashkëpunim përveç dallimeve teorike konceptuale të filozofisë politike, jo vetë që nuk ka asgjë të keqe por është pozitiv meqë shqiptarët kanë nevojë të bashkëpunojnë dhe të komunikojnë ngushtë për interesa të përbashkëta kombëtare.. Gjithashtu edhe LDK e AAK kanë krijuar bashkëpunim të ngushtë me PD në Shqipëri. VV nga ana e saj sikur i ka ftohur marrëdhëniet e me lidershipin e PS dhe pavarësisht programit majtist shihet të ketë bashkëpunim me PD. Kurse Nisma dhe PSD duke qenë parti të reja mbajnë qëndrime të balancuara dhe kanë një bashkëpunim më të gjerë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...