Glauk Konjufca paralajmëron: Thaçi do të përballet me protesta në sheshet e Republikës

Intervista

Glauk Konjufca paralajmëron: Thaçi do të përballet me protesta në sheshet e Republikës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 20 shkurt 2019 Në ora: 08:54
Glauk Konjufca

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka thënë se, Lëvizja Vetëvendosje e cilëson si të rrezikshëm aventurën e presidentit Hashim Thaçi, ku sipas Konjfucës, kjo aventurë ishte personale dhe e vetmuar e tij deri para disa muajsh.

Ai ka paralajmëruar protesta gjithë popullore nëse presidenti Thaçi vazhdon në planet e tij në prekjen e territorit, e gjithashtu ka folur edhe për “Pranverën Shqiptare”, të cilën kreu i Vetëvendosjes e paralajmëroi para pak javësh.

 “Bota sot”: Në cilin pozicion qëndron Lëvizja Vetëvendosje në mes idesë së presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, vendosmërinë e kryeministrit Haradinaj për mos heqjen e taksës dhe presionit ndërkombëtar për heqjen e saj?

Glauk Konjufca: Lëvizja VETËVENDOSJE! e cilëson si shumë të rrezikshme aventurën, që deri para pak muajsh ishte personale dhe e vetmuar, të Hashim Thaçit. Përveç idesë ne mendojmë që është i gabuar edhe njeriu prapa kësaj ideje. Republika e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet emergjencave dhe halleve personale të presidentit, i cili tenton të bëjë gjithçka, madje të luaj edhe me territorin e vendit vetëm që vet ai të shpëtojë. Në anën tjetër, për të kuptuar se me sa domosdo e ka këtë marrëveshje Hashim Thaçi vërehet edhe nga fakti se ai në vazhdimësi kërkon pezullimin e taksës për të vazhduar dialogu, ndërkohë që ne mbështesim taksën ndaj Serbisë, ndonëse ajo assesi nuk do të duhej të vinte si revansh ndaj disa veprimeve të Serbisë kundër Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ne mendojmë që ndaj Serbisë duhet të ketë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Sa i përket presionit ndërkombëtar, Kosova i ka dy opsione: të konformohet në pafundësi ndaj çdo kërkese ndaj saj duke lëshuar pe, ose të ndjekë rrugën tjetër për t’i bindur aleatët që Kosova është në anën e së drejtës dhe se taksa është mjet i domosdoshëm që Serbia të ndalë luftën ndaj nesh. Ne nuk kemi çfarë të ndryshojmë, por është Serbia ajo që duhet të ndryshojë shumë karshi nesh.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta gjithë-popullore nëse preken kufijtë e Kosovës në marrëveshjen me Serbinë, a mendoni se këto protesta do të ketë efekt pas nënshkrimit të marrëveshjes, apo jeni duke shqyrtuar mundësinë e protestave para marrëveshjes finale Kosovë-Serbi?

Glauk Konjufca: Lëvizja ka organizuar tashmë një protestë gjithë popullore që u mbajt me 29 shtator të vitit të kaluar. Kjo protestë pa dilemë mund të cilësohet si më e madhja e pasluftës në Kosovës, që do të thotë se qytetarët e vendit kanë shprehur qartazi kundërshtimin ndaj kësaj aventure të Presidentit dhe të kujtdo që bëhet vegël e tij. Deri tani nuk ka asgjë konkrete dhe të shkruar sa i përket këtyre gjërave që po fliten, mirëpo nëse Hashim Thaçi vazhdon drejt realizimit të këtij plani atëherë sigurisht se do të përballet me protestat nëpër sheshet e Republikës. Një marrëveshje që është thjeshtë zbatim i projektit serb për vendin tonë nuk mund të gjej zbatim këtu.

“Bota sot”: Kosova po i bën 11 vite që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si e vlerësoni ju shtet-ndërtimin e Kosovës gjatë këtyre viteve?

Glauk Konjufca: Megjithëse Kosova shpalli një pavarësi të cunguar më 17 shkurt 2008, këto 11 vite do të duhej të shënonin një përpjekje serioze për të shtuar sovranitetin e vendit dhe për të sjell zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët. Përgjatë gjithë këtyre viteve të pas shpalljes së pavarësisë kjo mendësi e qeverisjes e prirë nga PDK e ka degraduar sovranitetin e vendit gjithnjë e më shumë përmes marrëveshjeve të dëmshme e lëshimeve të reja ndaj Serbisë. Shpallja e pavarësisë, por edhe opinioni i GJND-së për Kosovën kanë qenë momente historike për të avancuar përpara me fuqizimin e shtetësisë së Kosovës. Në vend se këto dy momente të shfrytëzoheshin për të fuqizuar shtetin tonë këta i kanë përdorur pikërisht për të kundërtën, për të zhbërë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Nga marrëveshja për “Zajednicë” te “Demarkacioni” me Malin e Zi vetëm sa është sulmuar dhe cunguar vendi e deri te përpjekja aktuale për shkëmbim territoresh Kosova ka qenë në rrugën e kundërt për të forcuar shtetësinë e saj.

“Bota sot”: Kohëve të fundit kemi parë një përafrim të qëndrimeve mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, sa ka gjasa që ju me LDK-në të jeni në një koalicion qeverisës në zgjedhjet e ardhshme?

Glauk Konjufca: Ajo për çka në vazhdimësi jemi koordinuar me LDK-në si forca opozitare deri më tani janë lidhur kryesisht me temat me të cilat jemi gjendur përballë. Pra, aktualisht kemi një koordinim të duhur për të gjitha veprimet në lidhje me kundërshtimin e këtij dialogu. Tashmë së fundmi, kemi dalur me një deklaratë të përbashkët nga takimi i dy kryetarëve, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, që shprehte konturat e pikëpamjeve tona mbi aventurën e rrezikshme të Presidentit, rishqyrtimin e marrëveshjeve të arritura nga procesi i deritanishëm i dialogut, pastaj kërkesa për legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve të reja e deri të kërkesa për përcaktimin e vijave të kuqe me Serbinë dhe kundërshtimin e çfarëdo konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Aktualisht, si subjekte jemi të preokupuar me problematikat nëpër të cilat po kalon vendi dhe se nuk ka ndonjë diskutim eventual për çështje të koalicioneve, pasi që për tema të tilla do të mund të flisnim kur të jemi para atij procesi.

“Bota sot”: A do të ketë mocion për rrëzimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me partitë e tjera?

Glauk Konjufca: Tashmë e kemi theksuar disa herë që opozita nuk i ka ende numrat për të rrëzuar qeverinë, për më tepër një grup i deputetëve me mandate të vjedhura me votimin e buxhetin treguan qartë që tashmë janë me pozitën. Ne jemi në përpjekje të vazhduar për të siguruar numrat dhe kurdo që i sigurojmë ato pa asnjë hezitim do të nisim mocionin për rrëzimin e qeverisë.

“Bota sot”: Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka paralajmëruar një “pranverë shqiptare”. Çka nënkupton kjo?

Glauk Konjufca: Kjo deklaratë e Albin Kurtit është dhënë në një bashkëbisedim që ai kishte me studentët e Universitetit të Tiranës që po protestonin në lidhje më kërkesat e tyre ndër to edhe ajo për arsim pa pagesë, kërkesë që edhe ne e kemi në Alternativën tonë qeverisëse. Duke parë gjendjen dhe protestat e drejta të studentëve atje, por edhe negociatat me Serbinë dhe tendencën që të nënshkruhet një marrëveshje e dëmshme, atëherë natyrshëm do të mund të presim një “pranverë shqiptare”. Nëse tentohet që në mënyrë klandestine popullit të Kosovës t’i imponohet një marrëveshje e tillë atëherë sigurisht se këta negociatorë do të përballen me protesta në rrugët dhe sheshet e Prishtinës.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje në disa sondazhe ka dalë ndër të parat parti të të preferuarave nga populli, përfshirë edhe në sondazhet e gazetës “Bota sot”, ku Albin Kurti ka mposhtur të gjithë liderët e tjerë politik nga partitë tjera. Si e komentoni këtë?

Glauk Konjufca: Orientimi i drejtë konceptual, program i qartë politik me Alternativën qeverisëse dhe konsistenca në përpjekjen tonë politike bëjnë që Lëvizja VETËVENDOSJE! në mënyrë të natyrshme të shkojë drejt subjektit që do të qeverisë me vendin. Në disa nga sondazhet e fundit Lëvizja është pozicionuar si subjekti i dytë në vend, por ajo që është me rëndësi këtu është se në secilën matje Lëvizja ka ngushtuar diferencën me subjektin e parë që tregon për tendencën e vazhduar në rritje të përkrahjes për subjektin tone. Ndërkaq, Albin Kurti tashmë bindshëm është figura më e përkrahur dhe më me ndikim në vend. Kur kemi parasysh këto dy elemente, subjektin politik në rritje dhe kandidatin më të përkrahur në Republikën e Kosovës, atëherë kjo diferencë me vendin e parë lehtësisht përmbyset dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! del si subjekti më i madh në vend.

“Bota sot”: Ekipi negociator për bisedimet me Serbinë ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të dalë me një platformë për dialogun e cila pritet të votohet në Kuvend, cili do të jetë qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje në raport me këtë?

Glauk Konjufca: Pikat të cilat i kemi theksuar nga takimi mes Kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa janë pika të domosdoshme para çdo veprimi politik e institucional drejt formulimit të një platforme a strategjie të negociatave me Serbinë. Së pari, duhet ndaluar kjo mënyrë e negocimit që është nisur pa legjitimitet dhe pa kredibilitet nga presidenti Thaçi, të cilit i është bashkangjitur ekipi negociator, dhe të shkojmë në zgjedhje për kredibilitet të ri institucional.  Vetëm pastaj do të mund të fillonim me hapa të tjerë. 

“Bota sot”: Çfarë prisni nga puna e Shpend Ahmetit si kryenegociator i dialogut?

Glauk Konjufca: Që në krijim të këtij ekipi negociator ne kemi potencuar që këta po i bashkëngjiten aventurës personale të Hashim Thaçit. Ideja që theksonte ky ekip negociator se kinse po e limitonin përpjekjen e presidentit në realitet paraqet aktin që “amniston” tendencën e tij për pazare të reja me Serbinë. Nuk mund të presim asgjë as të mirë as origjinale nga dikush që ka përfunduar dhe është bërë pjesë e përpjekjeve të Hashim Thaçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat