Veprimtaria e studiueses Leonora Laçi në një intervistë ekskluzive ku flet për studimet kushtuar diasporës dhe persekucionit komunist - Bota Sot
Veprimtaria e studiueses Leonora Laçi në një intervistë ekskluzive ku flet për studimet kushtuar diasporës dhe persekucionit komunist

Intervista

Veprimtaria e studiueses Leonora Laçi në një intervistë ekskluzive ku flet për studimet kushtuar diasporës dhe persekucionit komunist

Nga: Beqir SINA - New York City Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 12:14
Leonora Laçi

Veprimtaria dhe studiuesia e njohur nga Shkodra,  Leonora Laçi në një intervistë ekskluzive për gazetën Bota sot, flet për studimet kushtuar diasporës dhe persekucionit komunist Ajo rrefen se çfarë e shtyu t’i futej rrugës së letrave , nëpërmjet studimeve të saj të cilat ia kushton më së shumti diasporës shqiptare anti komuniste dhe presekucionit komunist, sidomos atij të klerikve gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Zonjusha Laçi duke biseduar me gazetarin e Bota sot në SHBA, i tha tij se : "Duket se ka një këndveshtrim ndryshe ndaj së kaluarës, i thonë thuajse 3 dekada demokraci dhe nëse nuk mund t’i shpërblejmë monetarisht të persekutuarit të paktën moralisht t’i japim mbështetjen e duhur, të dijnë që nuk janë vetëm. Dhimbja e tyre është dhe e jona".

Kush është Leonora Laçi për lexuesin?!

 Atëherë, Leonora ka mbaruar studimet universitare dhe pasuniversitare në Shkodër e Tiranë, dhe nuk ndalet së hulumtuari për çështje historike kryesisht historinë ndryshe. Nuk jam ndalur asnjëherë së  menduari rreth të shkruarit. Më pëlqeu një shprehje e prof. Arshi Pipës ku thoshte se: “Unë mund të heqi dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira ime absolute.”

Kam botuar këto libra;

-Emigracioni politik shqiptar ne vitet 1944-1955, Botimet Rozafati , Shkodër:2015.

-Veprimtaria e kol. Xhemal Laçit përmes dokumentave dhe kujtimeve” 2M Printing, Durrës: 2016.

-Abati i Mirditës, mons.Frano Gjini- Martir i Kishës Katolike,  në bashkautorësi me studiuesin dhe publicistin Tomë Mrijaj-n,  Shkodër: 2018.

Lexuesit më njohin më së shumti nga artikujt kritikë drejtuar sistemit politik shqiptar të këtyre 28 viteve, kjo është forma që kam zgjedhur të protestoj, të kundërshtoj padrejtësitë që na bëhen çdo ditë. Duke qenë e pafuqishme për t’i ndryshuar gjërat, të pakten t’i shkruajmë si një dokumentim të realitetit.

Po ashtu jam dhe Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës “Trojet e Arbrit” që nga viti 2014, si dhe bashkëpunëtore e jashtme e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe  Pasojave të Komunizmit.

Image

Leonora Laçi studiuese, shkrimtare dhe publiciste. Çdo të thotë kjo për ju?

Leonora studiuese, siç e përmenda më lartë, jam autore e disa librave dhe studimet janë ato që më marrin më së shumti kohë. Pasi unë jam e mendimit se sa më shumë lexon aq më shumë kupton se sa pak di.

Leonora shkrimtare dhe publicist, këto po i marrë sëbashku pasi kryesisht artikujt e përditshëm janë ese e opinione, por kam bërë dhe parathënie librash si të librit të Ndue Gjon Marku “ Mirdita, Dera e Gjomarkut, Kanuni” e ribotuar nën kujdesin e Bianca Gjomarkut (e bija), parathënien e librit të ish gazetarit të Zerit të Amerikë z.Gjon Kadeli “Kujtimet e një t’merguemi”; 2018,  parathënien e librit të Fatbardha Mulleti Saraçi të botuar në vitin 2018 me titull “Saga e Dhimbjes” nën kujdesin e ISKK. Apo dhe artikuj historik e pjesëmarrje nëpër konferenca kombëtare ndërkombëtare.

Të jesh një emër i afirmuar në Shqipëri nuk është e lehtë ndonëse jemi një vend i vogël, ekziston një mosbesim ndaj të rinjve dhe si rrjedhojë mbështetja është më e vogël dhe i riu duhet të çajë vetë në një shteg të pa rrahur. Kështu ishte dhe rrugëtimi im. Por vjen një moment që ndal dhe reflekton e kupton se ia ke dal, ia ke arritë asaj çfarë ti e ke menduar si ditë të largët ose të pamundur.

Image

Çfarë ju shtyu t’i futeshit rrugës së letrave?

Dëshira për të bërë studime është shtuar dita ditës. Nuk e teproj kur e krahasoj dëshiren time për të hulumtuar më tej, si ajo thirrja hyjnore kur njerëzit e fesë i përkushtohen dhe i shërbejnë Zotit. Ekziston një vullnet, pasion dhe dëshirë për ta vazhduar këtë rrugëtim, që është si një mision për t’i shërbyer vendit tim përmes studimeve.

 Nëse një ditë nuk hedhi diçka në letër më duket sikur e vras atë ditë. Preferoj t’i vras ditët me punë të dobishme. Shkrimet më kanë bërë të njoh shumë njerëz, shumë personalitete, të gjendem në rrethe intelektualësh, madje dhe të vlerësohem mes tyre dhe kjo të jep kurajo për të vazhduar duke qenë se jetojmë në një realitet shqiptar dekurajues dhe leximi, shkrimi të mbajnë larg toksikimit nga ky realitet.

Pse zgjodhët pikërisht diasporën politike, dhe e keni prioritet atë në studimet dhe shkrimet e juaja ?

Ka shumë arsye se pse unë kam zgjedhur pikërisht diasporën dhe më vjen mirë që ma bëtë këtë pyetje.

Dita ditës më mundon fakti se si diaspora është shkrirë për atdheun, intelektualëve më të zotë të pas Luftës së Dytë Botërore i pushojnë eshtrat jo të qetë nëpër dhena të huaja.

Personalitete të ndryshme të diasporës patën kundër një sistem të tërë dhe mekanizmat e tij, e nga ana tjetër patën kundër përplasjet e jetës nëpër botë e nganjëherë dhe bashkatdhetarët e vet, por sërisht nuk u demoralizuan, shkruan, botuan revista, libra, krijuan organizata, ngritën zërin në diplomacitë e huaja për gjendjen e Shqipërisë.

Kam plotë personalitete frymëzues për mua mes tyre. Këto ditë pata në dorë numra të ndryshëm të Revistës Jeta Katholike e botuar në Nju York që filloi publikimin që në fund të viteve ’60,  ku përmes artikujve të Mons. dr. Zef Oroshit arrita të kuptoj se sa e vështirë ishte për te të ngrinte Kishën e Parë Katolike Shqiptare.  Në sediljen e mbrapme të makinës udhëtonte me të dhe makina e tij e shkrimit sepse nuk kishte zyrë për të shkruar artikujt, studiot e zyrat e para të përpunimit të revistës iu bënë bodrumet e dashamirësve. Mons. dr. Zef Oroshi shkroi në disa numra rreshtë të revistës listen e emrave që kontribonin për ngritjen e kishës shqiptare, ku kishte dhe vëllezër mysliman që nuk u kursyen, ai shënoi çdo qindark që jepej, madje e vlerësoi së tepërmi kontributin e vëllezerve mysliman, të cilët kishin filluar nga ana tjetër të bënin përpjekjet për ngritjen e Xhamisë së Parë në Nju York, dhe ai shpreh merzi për faktin se shqiptarët katolik nuk po ishin në gjendje t’i mbështesnin ata për ngritjen e xhamisë. Dhe kur sheh figura të tilla si Mons. dr. Zef Oroshi apo Imam Salih Myftia që ndonëse familjarët e tyre dergjeshin burgjeve dhe internimeve këta kontribuonin për të mbajtur gjallë frymën kombëtare.

A nuk e meriton Mons. dr. Zef Oroshi një monument në oborrin e Kishës Zoja e Shkodres në Nju York si vlerësim për kontributin e tij ?! A nuk e meritojnë nderimin këto figura të diasporës si; Mons. dr. Zef Oroshi, Dom Anton Kçira, Imam Salih Myftija, Baba Rexhepi, prof. Arshi Pipa,  Imam Vehbi Ismaili, Imam Isa Hoxha, etj, ?! Mos të flasim pastaj për figura të rendësishme të letrave shqipe në Europë si; Ernest Koliqi, Martin Camaj, Mustafa Kruja, Karl Gurakuqi, Pater Paulin Margjokaj e shumë tjerë.

Këta e shumë të tjerë ishin nxitja kryesore e imja, dhe do të vazhdoj pa u ndalur për të shkruar për diasporën shqiptare, personalitete të letrave dhe aktivistë që nuk menduan për tu pasuruar por kishin një sy nga Shqipëria dhe ndonëse larg ata dhanë gjithçka për t’ia lehtësuar dhimbjen familjarëve të vetë.  

Image

Ku i bazoni më shumë studimet e juaja në këtë fushë?

Studimet e mija përveç diasporës janë të përqendruara dhe tek persekucioni komunist. Jam marrë me figura të diasporës të cilët kanë qenë të anatemuar dhe nuk kanë pasur të drejtë të kthehen në atdhe. Pra tema e diasporës me figura nacionaliste kanë qenë të lidhura ngushtë në botimet apo artikujt e mi, siç është botimi i librit kushtuar veprimtarisë së kol.Xhemal Laçit. Si dhe figura klerikësh qoftë të diasporës apo klerikë të shpallur martirë nga Selia e Shenjt siç është Mons. Frano Gjini Abat i Mirditës.

Pse zgjodhët pikërisht më shumë diasporën politike në SHBA?

Emigracioni shqiptar i arratisur gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore u vendos pas viteve ’60 më së shumti në ShBA, dhe atje vazhduan aktivitetin e tyre kombëtar, politik apo dhe fetar.

Prandaj fokusi im është përqendruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke qenë se ata  në vendin më demokratik gjetën atë çfarë Europës i mungonte lirinë, në ShBA nuk gjeten mure, por  as kufizime e paragjykime, aty u mirëpriten.

Në ShBA krijuan shoqata kulturore apo fetare,  krijuan revista e boletine periodike, gjetën një mergatë shqiptare të konsoliduar dhe të rrethuar rreth Federates Panshqiptare Vatra e themeluar nga Imzot Fan Noli dhe Faik Konica.

Sa e vështirë është sipas teje të merresh në studime në Shqipëri për persekutimin komunist por edhe me klerikët fetar në veçanti?

Vështirësia qendron tek dokumentet komuniste. Tek libri i fundit kushtuar Abatit të Mirditës Mons.Frano Gjinit më është dashur të lexoj përmes rreshtave dhe të shpjegoj që dokumentet e gjyqit të tij, pra dëshmit e dhëna janë shkruar nën torturë duke pranuar akuza të paqena dhe dokumentet e asaj kohe duhen marrë me rezervë. Lexuesit e painformuar mundet që ato dokumente të manipuluara t’i marrin si të mirëqena dhe t’i përdorin si fakte historike. Pasi praktika e manipulimit të së vërtetës apo gënjeshtra komuniste ka qenë mjaft e aplikuar në atë kohë dhe studiuesit nuk duhet të bien pre e atyre “fakteve”.

Vështirësia që kam hasur ështe dhe se tashmë dokumentet që kanë të bëjnë me gjyqet dhe dënimet e dhëna nuk mund t’i kërkosh më në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme por duhet bërë kërkesë tek Autoriteti për Hapjen e Dosjeve, kjo duket lehtësuese nga njëra ana por nga ana tjetër dokumentet që mund të marresh janë të censuruara, ka fshirje emrash dhe kjo ta vështirëson punën studimore.

Çfarë impakti dhe sa mendoni janë të vlefshme, diskutimet rreth persekutimit 45 vjeçar, dhe sa lexohen studimet dhe tema të tilla në Shqipëri, kur dihet se mentaliteti i regjimit pra majtizmi është vështirë të “shkulet” dhe dominon mbi nacionalizmin dhe të djathtën?

Vitet e funditi temat mbi persekucionin kanë marrë një hapësirë me të madhe qoftë në programacionet televizive ku rrahen mendimet, qoftë në shtypin e shkruar. Dita ditës po botohen libra me kujtime, me dëshmi gojore, me fakte, po bëhen dokumentare rreth persekutimit komunist, po ashtu veprojnë organizata joqeveritare me qëllim njohjen e krimeve të komunizmit, mbahen konferenca e seminare për të reflektuar mbi të shkuaren.

Është për tu theksuara që edhe organizatat e huaja që veprojnë në Shqipëri i kanë dhënë një mbështetje qoftë edhe financiare nismave për zbardhjen e së kaluarës, dhe këto janë shumë të dobishme mbi ndergjegjësimin e shoqërisë shqiptare. Pra ka një tendenc në rritje për njohjen e së kaluarës duke vënë theksin tek ana e errët e saj. Studime të ndryshme nga studiues të ndryshëm të huaj e shqiptarë, eksperienca të vendeve ish-komuniste po sillen në Shqipëri.

Pra duket se ka një këndveshtrim ndryshe ndaj së kaluarës, i thonë thuajse 3 dekada demokraci dhe nëse nuk mund t’i shpërblejmë monetarisht të persekutuarit të paktën moralisht t’i japim mbështetjen e duhur, të dijnë që nuk janë vetëm. Dhimbja e tyre është dhe e jona.

Cili do të jetë studimi i radhës?

Studimi i radhës lidhet sërisht me diasporën shqiptare në ShBA, por tani për tani është ende në hapat e parë. Një udhëtim drejt ShBA-s do ishte mjaft i nevojshem, me mbështetjen e diasporës edhe ky studim mund të realizohet siç duhet.

Ju falenderoj për intervisten dhe ju përgëzoj për punën e palodhur që bëni duke përcjellë  në kohë reale ngjarjet e komunitetit shqiptarë në ShBA.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...