Kryetari i OVL UÇK-së tregon lajmin shqetësues: Për dy muaj vdiqën 63 veteranë të luftës

Intervista

Kryetari i OVL UÇK-së tregon lajmin shqetësues: Për dy muaj vdiqën 63 veteranë të luftës

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 21 shkurt 2019 Në ora: 10:28
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati, ka thënë se numri i veteranëve të luftës është i fryrë, por për këtë duhet të jap përgjigje gjykata. Ai ka theksuar se sikur të ishte numri real i veteranëve, ata të vërtetit do të merrnin paga më të dinjitetshme. Gucati ka thënë se është pro ruajtjes së integritetit të kufijve shtetërorë, derisa do të kërkojnë nga Presidenti sqarime shtesë lidhur me këtë çështje.

“Bota sot”: Si kryetarë i një komuniteti ndër më të rrespektuarit në vend, komunitetit që sakrifikoi më së shumti për lirinë e vendit, si e shihni pozitën e një ish-ushtari të UÇK-së 11 vjet pas pavarësisë dhe 20 vjet pas lufte?

Hysni Gucati: Unë së pari ju falënderoj juve për kohën që keni gjetur të na vizitoni këtu në selinë qendrore të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa i përket asaj që thatë, e vërtetë është se falë luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë ata që kanë dhënë edhe kontributin më të vogël për vendin, pa dallim, ne sot e gëzojmë pavarësinë e vendit. Është shumë e vërtetë se edhe 11 vite pas pavarësisë, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë në gjendje të mirë ekonomike, nuk jetojnë mirë, këtu duke pas parasysh edhe sëmundjet e ndryshme me të cilat ata ballafaqohen dhe nuk kanë përkrahje nga shteti.

Kohëve të fundit kemi pas shumë, tepër shumë vdekje të parakohshme të ish-luftëtarëve, sidomos nga sëmundja e kancerit, vetëm brenda dy muajve të fundit na kanë vdekur 63 veteranë të luftës, ka pas raste kur nuk kemi mundur të arrijmë nëpër varrime sepse kanë ndodhë nga 3-4 në ditë që kanë vdekur, i kemi informuar të gjithë institucionet e vendit por edhe opinionin e gjerë se çfarë gjendje janë çlirimtarët.

Ne si OVL nuk jemi të kënaqur, sepse është e pamundur që me 170 euro të jetohet, të shtyhet muaji, nuk ka mundësi të shkollosh një fëmijë me 170 euro në muaj, e lëre më nëse ke disa fëmijë.

Me gjithë vështirësitë, unë jam optimist, se gjërat do të lëvizin për të mirë, do ta kthejnë institucionet kokën kah veteranët pasi që nuk është se nuk ka interesim, por nuk quhet interesim nëse kujdesesh vetëm për shokë e ish-ushtarë tuaj, kjo bilës do të ishte edhe një kritikë të cilën do ta kisha bërë publikisht për të gjithë politikanët, ata duhet ta dinë që aty kanë ardhur përmes votës tonë, përmes gjakut të dëshmorëve të cilët me sakrificën e tyre kanë bërë që ne sot të jetojmë të lirë.

“Bota sot”: E përmendët se nuk janë të mjaftueshme të hollat të cilat i marrin sot veteranët, 170 euro janë pak. Por kryetar a mendoni se nëse nuk do të kishim një fryerje të listave siç e kemi, diku rreth 50 mijë veteranë, ku dyshohet se ka manipulime, do të kishte kushte më të mira, mundësi më të mëdha për veteranët e vërtetë?

Hysni Gucati: Janë diku mbi 46 mijë veteranë për hir të korrektësisë, prej tyre 38 440 marrin paga. Nuk jemi të kënaqur me listat, ka parregullsi por unë nuk e kam ndërmend të merrem me to, është drejtësia e cila është e thirrur ta kryej punën e vetë në atë drejtim. Po, nëse do të ishte numri real i veteranëve të vërtet do të duhej të ishte një pagë më e dinjitetshme, ndoshta jo kush e di sa por të paktën afër 300 eurosh do ti kishin marrë. Shifra reale e veteranëve të luftës do ta kalonte 15 mijëshin pa dyshim, se këtu nuk futen vetëm ata që kanë pasur armën ne dorë, po hy edhe logjistika, mjekët dhe pjesëtarët përcjellës. Nëse nuk do të ishte kontributi i mjekëve unë sot nuk do të isha kështu si jam. Ne kemi pas edhe mjek, të cilët na janë vrarë gjatë luftës, kemi anëtarë të logjistikës të cilët janë kujdesur për, pos tjerash për ushqimin tonë, kemi edhe prej tyre që sot janë dëshmorë, kështu që nuk guxojnë të ndahen assesi as ata. 

“Bota sot”: Si OVL qendrore, apo kryesore e Republikës së Kosovës, sa jeni në bashkëveprim me organizatat lokale të veteranëve të luftës, e patëm para ca dite një organizatë e cila thirrej se ka nënshkruar kontratë me ca avokat turq për ti mbrojtur në Gjykatën Speciale ish luftëtarët e UÇK-së, sa jeni në dijeni?

Hysni Gucati: Unë edhe para ca ditësh pikërisht për “Bota sot” kam thënë se ata avokatë nuk janë takuar me neve, ata nuk mund ti mbrojnë veteranët tanë sepse nuk janë të licensuar. Ata në momentin që nuk janë të licensuar për këtë gjykatë nuk kanë mundësi të na mbrojnë, mund ti mbrojnë qytetarët e vetë në Turqi por jo edhe veteranët e UÇK-së. Besoj jeni të njoftuar se një pjesë e avokatëve tanë janë të licensuar që ti mbrojnë bashkëluftëtarët tanë në Gjykatë Speciale. Unë kam bë reagim dhe jemi sqaruar besoj. Për ndryshe kemi bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shoqatat ekzistuese të veteranëve të luftës si-motra dhe jemi të kënaqur.

“Bota sot”: Jemi në një situatë të rëndë në vend, në njërën anë e kemi Gjykatën Speciale e cila çdo ditë dërgon thirrje të reja për bashkëluftëtarët tuaj, një pjesë e tyre edhe akter me peshë në politikë bërjen në vend, por edhe në anën tjetër e kemi një momentum ku po tentohet të arrihet një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd. Sa jeni të informuar ju si OVL, a keni informacione, a pritet të ketë ftesa të reja nga gjykata speciale dhe si do të silleni?

Hysni Gucati: Besoj që jeni në ngjarje, e keni përcjell në vazhdimësi qëndrimet e mia rreth Gjykatës Speciale, gjithnjë kam qenë kundër dhe e kam kundërshtuar pikërisht për arsye se ka qenë gjykatë e njëanshme dhe e padrejtë, besoj që edhe ju pajtoheni në këtë aspekt. Po të kish qenë një gjykatë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim kombësie, do të ishim në rregull dhe nuk do ta kishim kundërshtuar. Asnjë ish-pjesëtarë i UÇK-së nuk është kundër drejtësisë, të gjithë jemi të gatshëm që ti përgjigjemi në çfarëdo forme drejtësisë, këtë e kemi dëshmu si në Tribunalin e Hagës, në gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it.

Gjithmonë e kam përsëritë se luftë të pastër nuk ka, nuk ekziston, por ka luftë të drejt. Në momentin që ka derdhje gjaku, aty nuk ka pastërti, pavarësisht i kujt është gjaku që derdhet, por ka luftë të drejt. Lufta jonë ka qenë e drejtë sepse kemi qenë në tokën tonë, shtëpitë tona, pra në të drejtën tonë.

Sa i përket politikës dhe zhvillimeve të fundit politike në vend sigurisht se nuk jemi të kënaqur. Është e vërtet se ballafaqohemi me presione të mëdha nga ndërkombëtarët, është e vërtet se ka mundësi që një pjesë e shteteve janë në krahun e Serbisë, një pjesë tjetër me neve, por nuk mund të them që jemi të kënaqur me këto bisedime. Unë edhe më herët e kam bë një reagim me ato 33 pikat e asaj kohe, por unë mund të them se besoj në institucionet tona pasi që ata që janë në krye të institucioneve kryesore janë qytetarë të vendit, nuk ka rëndësi subjekti politik të cilës i përkasin. Unë kam pasur raporte shumë të mira me pushtetin e kaluar me LDK-në, si me Isa Mustafën ashtu edhe me Arban Abrashin, kemi bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer. Mua por edhe veteranëve në përgjithësi nuk na intereson përkatësia politike, neve na intereson që vendi, Kosova të ecë përpara. Të zgjidhet njëherë e mirë edhe çështja e pensioneve, unë në fillim kam qenë kundër pensioneve për shkak se kam kërkuar që veteranët të punësohen, jo tu jepet para të gatshme, sepse po prodhojmë parazit çdo ditë.

Ftesat nga Gjykata Speciala sic edhe jeni të njoftuar, tashmë kemi një lum ftesash, së fundi e kemi edhe ftesën për gjeneralin Lahi Brahimaj, më parë kanë qenë edhe Faton Mehmetaj, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, tash edhe kjo vajza Rajmonda Reci. Unë besoj fuqishëm në pafajësinë dhe drejtësinë e tyre, nuk është krim lufte nëse ia ke dhënë një shuplak dikujt në rrethana lufte, nuk është krim lufte nëse një spiuni e ke marrë mbajtje për një kohë duke ia tërheq vërejtjen e ke liruar pastaj. Unë nuk e di pse duhen këto raste të jenë krime të luftë. Jam i sigurt se sikur në Tribunalin e Hagës, edhe kësaj herë do të triumfojmë fuqishëm.

“Bota sot”: Jemi në një situatë ku i kemi dy pozicionime realisht në pole të kundërta në rrafshin politik. E kemi Presidentin e vendit i cili zgjidhjen e problemeve me Serbinë i she duke e konsideruar korrigjimin e kufirit, ku kjo ide bie në kundërshtim të fortë nga ana e Kryeministrit Haradinaj i cili thotë se nuk guxohen të preken kufijtë. Pyetja është se sa janë të njoftuar për këto procese veteranët e UÇK-së dhe në cilin krah janë të pozicionuar?

Hysni Gucati: Unë mendoj që duhet të bëhet një zgjidhje jo vetëm për Kosovën Lindore, por për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë nëpër trojet e tyre etnike. Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë dhe do të jenë pjesë e jona. Edhe unë jam pro ruajtjes së integritetit të kufijve, nuk guxohet të preken kufinjtë. Ne me shumë vëmendje e kemi përcjell rrjedhën e këtyre ngjarjeve shumë të rëndësishme, ende nuk kemi kërkuar sqarim nga Presidenti, por shumë shpejt do ti drejtohemi me shkresë presidencës, me anë të së cilës do të kërkojmë që Thaçi të na ftoj e të na jep informacione shtesë.

Unë kam besim të fuqishëm në Presidentin Thaçi, si një person i cili e ka dëshmuar me kohë vetën, ai nuk do ta shet vendin e vet, është e padrejtë t`i thuhet Hashim Thaçit tradhtar. Presidenti Thaçi kurrë në jetë nuk do ta sakrifikonte fatin e Kosovës për trupin e vetë, të jeni të bindur, edhe nëse 1000 vite ymër me i pas, ai kurrë nuk do ta tradhtonte Kosovën.

Njejtë besoj edhe për kryeministrin Haradinaj, edhe ai është një figurë e dëshmuar atdhetare, përveç dy vëllezërve të rënë për liri, ai ka sakrifikuar edhe vetë personalisht bashkë me pjesëtarët tjerë të familjes, kështu që mendoj që duhet të shikohet për një zgjidhje për të gjithë qytetarët e Kosovës që të hiqet kjo barrierë, në mënyrë që djemtë e vajzat tona në të ardhmen më asnjëherë të mos kenë probleme me Serbinë.

“Bota sot”: Gucati, si kryetarë i OVL për Kosovë, sa jeni në bashkëveprim me OVL e Preshevës, cilat janë pikat në të cilat keni bashkëpunim më të ngushtë, si dhe ku ngecim më shumë?

Hysni Gucati: Ne tashmë e kemi hap edhe degën e Veteranëve të Luftës atje në Preshevë, e kemi kryetarin tonë Nazmi Hajradinin, ajo është publike e din edhe shteti serb, ai është edhe kryetarë i degës për Preshevë si dhe anëtarë i Këshillit Drejtues të OVL të Kosovës.

Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë veteranët e atjeshëm, kemi takime të rregullta mes veti. Kjo edhe do të ishte një arsye pse Presheva duhet ti bashkëngjitet Kosovës, që më kësi probleme të mos kemi me Serbinë.

Ne kemi bërë disa herë kërkesa për tu zgjidhë në mënyre institucionale dhe kolektive problemet me dokumentacion për ish-luftëtarët e UÇPMB-së, të cilët për shkak të presionit të shtetit Serb janë detyruar të vijnë e të jetojnë në Kosovë. Disa prej problemeve janë zgjidhur, por sigurisht se ka edhe shumë të tjerë. Kemi shumë kërkesa, po përpiqemi që t`i zgjidhim të gjithëve se bashku, shpresojmë që së shpejti ti zgjidhim për të gjithë.

Për fund, ju falënderoj për kohën që keni gjetur të na vizitoni dhe ju inkurajoj që asnjëherë të mos i shkëputni kontaktet me veteranët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat