Ripërcaktimi i kufijve duhet të jetë opsion i parë – Kosova Lindore duhet t’i bashkëngjitet Kosovës - Bota Sot
Ripërcaktimi i kufijve duhet të jetë opsion i parë – Kosova Lindore duhet t’i bashkëngjitet Kosovës

Intervista

Ripërcaktimi i kufijve duhet të jetë opsion i parë – Kosova Lindore duhet t’i bashkëngjitet Kosovës

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 22 shkurt 2019 Në ora: 12:01
Valon Murati

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Lëvizjes për Bashkim Valon Murati, ka thënë se, Presidenti Thaçi ka meritën, që për herë të parë, pas një injorimi që vetë ia bëri për gati një dekadë, e ka hapur çështjen e Kosovës Lindore. Ai ka theksuar se ri-përcaktimi i kufijve do të duhej të ishte opsioni i parë dhe se vetëvendosja e kësaj teme në draft-platformë tregon se çështja e Kosovës Lindore më nuk mund të injorohet më.

“Bota sot”: Në mandatin tuaj si Ministër i Diasporës keni qenë mjaftë aktiv në jetën e shqiptarëve në perëndim. A jeni i kënaqur me punën e pasardhësit tuaj në atë detyrë?

Valon Murati: Unë kam bërë përpjekje që të kryej detyrën time si ministër. Por diaspora duke qenë një shtyllë e rëndësishme e të gjitha zhvillimeve në vend, meriton angazhim permanent të institucioneve tona. Është fascionuese sesa ka gatishmëri nga njerëzit tanë jashtë që të ndihmojnë vendin e tyre në të gjitha mënyrat. Rrethanat objektive të funksionimit të qeverisë në të cilin kam qenë pjesë e buxheti jashtëzakonisht i vogël, kanë bërë që shpesh edhe unë të jem i frustruar me pamundësinë për të bërë më shumë dhe sidomos për të vepruar më shpejt në realizimin e projekteve të shumta që kemi dizajnuar qoftë në fushën e arsimit, të kulturës, ekonomisë etj. Përderisa e kam përshtypjen se ministri aktual, duke qenë edhe zv. kryeministër dhe i angazhuar tani së fundmi edhe në ekipin negociator nuk e ka prioritet çështjen e diasporës, ministria dhe stafi civil vazhdon punën e përkushtuar ndaj diasporës brenda mundësive që ka.

“Bota sot”: Ka më shumë se gjashtë muaj kur politika kosovarë është futur në një “katrahurë” nga e cila nuk ka kush e nxjerrë, a jemi me të vërtet në një krizë politike apo jo?

Valon Murati: Tanimë është bërë një traditë që çdo qeveri të funksionojë në rrethana krize e mosbesimi të plotë. Ndoshta acarimet e skajshme politike janë edhe një trend global i kohëve të fundit. Në rastin tonë lidhet edhe me mënyrën sesi është formuar kjo qeveri, numrat e paktë që ka dhe varësinë fillestare nga Lista Serbe. Por gjithashtu, në anën tjetër edhe opozita ka vuajtur nga mungesa e numrave dhe mundësisë për të rrëzuar apo penguar funksionimin e qeverisë, përderisa për një kohë ka arritur që të pengojë agjendën legjislative. Sidoqoftë ne si Kosovë jemi në rrethana më specifike, ku vazhdon të në nevojitet uniteti, sidomos për shkak të proceseve në të cilat pritet të kalojmë, e posaçërisht ato të dialogut me Serbinë. Dialogu me Serbinë po na gjen më të përçarë se asnjëherë më parë, shumë konfuz e duke shikuar më shumë se sa fitojnë subjektet politike nga qëndrimet ndaj dialogut sesa sa fiton Kosova. Kohëve të fundit kemi një rezolutë për dialogun, një ekip negociator dhe një draft-platformë për bisedimet, që u mundësua edhe nga përfshirja e PSD-së në këtë proces. Me keqardhje më duhet të konstatojë se rezoluta dhe draft-platforma për bisedime në vend se të shtrojnë me guxim çështjet që duhet zgjidhur në mes të Kosovës e Serbisë, e që për ne janë Kosova Lindore dhe tri komunat ne veriun e Kosovës, më shumë kanë trajtuar frikën e panikun e imponuar ndaj opinionit publik në rast se hapet çështja e ndryshimit të kufijve, andaj edhe në këto dokumente me forcë është bërë përpjekje të betonohet situata aktuale, të betonohen kufijtë që janë vendosur mbi kurrizin e popullit shqiptar, të betonohet kushtetuta e cila e ka bërë Kosovën jofunksionale. Këto dokumente janë më shumë dokumente për menaxhimin e frikës e panikut, e dokumente për mos-marrëveshje sesa dokumente të guximshme e vizionare me të cilat synohet realizimi i marrëveshjes me Serbinë. Ka gjëra edhe krejt të çuditshme dhe jo logjike aty! P.sh, krejt draft platforma por edhe rezoluta është e mbushur me kushtëzime e kufizime, thirret në integritet territorial, paprekshmëri të kushtetutë, njohje të domosdoshme nga Serbia si kusht për marrëveshje finale e në anën tjetër parashihet që marrëveshja të shkojë në referendum. Po pse duhet të shkojë në referendum diçka që nuk e prek bazën aktuale kushtetuese, organizimin e brendshëm apo kufijtë? Apo edhe hartuesit e këtyre dokumenteve nuk u besojnë këtyre kushtëzimeve e parimeve që i kanë vendosur?! E vetmja gjë e mirë është se në draft-platformën e bisedimeve shtrohet për zgjidhje çështja e Kosovës Lindore duke u zbatuar parimi i reciprocitetit në të drejta. Ndonëse për ne kjo është e vonshme dhe ripërcaktimi i kufijve do të duhej të ishte opsioni i parë, vetë vendosja e kësaj teme në draft-platformë tregon se çështja e Kosovës Lindore më nuk mund të injorohet më.

“Bota sot”: Në programin dhe platformën politike të subjektit tuaj, kryefjalë është bashkimi i trojeve shqiptare, me theks të veçantë bashkimi i Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës. Në momentumin politik në të cilin gjendemi, sa i përgjigjet politikave të subjektit tuaj?

Valon Murati: Ne kemi hyrë në një moment të ri politik në të cilin tema e Kosovës Lindore është bërë e pashmangshme. Gjithë këto vite, me pa të drejtë politika kosovare ka injoruar çështjen e Kosovës Lindore dhe të drejtave të shqiptareve që kanë mbetur nën sundimin serb. Qoftë bisedimet e Vjenës e sidomos ato të Brukselit në tërësi kanë injoruar këtë çështje dhe kanë trajtuar kryesisht vetëm çështjet e brendshme të Kosovës dhe të pozitës së serbëve në të. Lëvizja për Bashkim që prej vitit 2007, e posaçërisht prej vitit 2010 kur e publikoi Platformën për Zgjidhjen e Çështjes Shqiptaro-Serbe, ka pohuar se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Kosova dhe Serbia i kanë dy probleme të cilat për t’u zgjidhur duhet të trajtohen bazuar në parimin e reciprocitetit. Këto probleme janë çështja e tri komunave në  Kosovën Lindore, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe tri komunave në veriun e Kosovës, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku. Moto e jona ka qenë reciprocitet në të drejta deri në ri përcaktim të kufijve. Ne kemi kërkuar që në bisedimet e Brukselit të shtrohet zgjidhja e  çështjes së Kosovës Lindore duke u respektuar parimi i reciprocitetit. Të gjitha të drejtat që u garantohen serbëve në veri, t’u garantohen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore. Me kohën kemi menduar, duke pasur të drejta të njëjta në të dy anët dhe në një ambient relaksimi të marrëdhënieve të shtrohet gradualisht edhe çështja e ripërcaktimit të kufijve si zgjidhja më e mirë. Në këtë rast ne kemi kërkuar që pjesa shqiptare e Kosovës Lindore, pra aty ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën, t’i bashkëngjiten asaj, dhe në anën tjetër tri komunat në veri të Kosovës në pjesën që jetojnë serbët dhe kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë, t’i bashkëngjiten asaj, e që përjashton fshatrat shqiptare të asaj pjese si Bistricën, Cerajën, Koshtovën, Boletinin, Kelmendin, Zhazhën e Çabra. Ne në platformë kemi trajtuar edhe faktin se pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, ku ka ndodhur spastrimi etnik i 12.000 shqiptarëve në vitin 2000 nuk duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ne përmes kësaj platforme, duke pasur parasysh edhe interesin dhe qasjen e SHBA-ve dhe BE-së deri në fund të pranverës së vitit të kaluar, kemi mend se deri tek ripërcaktimi i kufijve duhet të vihet përmes reciprocitetit në të drejta. Është e qartë se deri vonë bashkësia ndërkombëtare, e posaçërisht amerikanët kanë kundërshtuar me forcë ndryshimin e kufijve. Pas ndryshimit të këtyre rrethanave ndërkombëtare dhe faktit se SHBA-ja dhe BE-ja tani më kanë lejuar të bisedohet edhe për çështjen e kufijve, LB-ja mendon se opsioni i parë në bisedime duhet të jetë ripërcaktimi i kufijve, tek nëse ato dështojnë të vendosim si opsion të dytë në tryezën e bisedimeve parimin e reciprocitetit në të drejta. Ky është një moment historik që nuk guxojmë ta lëshojmë të ik, sepse më pas mund të pendohemi por edhe mund të jetë vonë.

 “Bota sot”: Në njërën anë e kemi Presidentin Thaçi i cili me anë të një korrigjimi siç e quan ai “të lehtë” dëshiron që ta marrë Kosovën Lindore, ndërkohë në anën tjetër e kemi Kryeministrin Haradinaj i cili thotë se është gabim të hapet tema e kufijve, pasi që nuk e dimë ku përfundojmë. Si e vlerësoni dhe ku pozicionoheni ju si LB në këtë situatë?

Valon Murati: Për shkak të platformës që ka hartuar me kohë dhe konceptit që bartë LB-ja ka qëndrim shumë të qartë në këtë drejtim. LB nuk mban anën e askujt por përpiqet që të ndikojë të gjithë aktorët politik me konceptin e vet. Presidenti Thaçi ka meritën që për herë të parë, pas një injorimi që vetë ai ia bëri për gati një dekadë, e ka hapur çështjen e Kosovës Lindore. Ne që nga viti 2010 në të gjitha takimet që kemi pasur me atëherë kryeministrin Thaçi i kemi kërkuar që çështja e Kosovës Lindore të futet në agjendën e bisedimeve, por përgjigja e tij ka qenë se ndërkombëtarët nuk po e lejojnë këtë gjë. Ashtu siç e theksova, tani më këto qëndrime në masë të madhe kanë ndryshuar. Por në anën tjetër, mënyra sesi e ka hapur ka bërë shumë njerëz të frikësohen se ne në këtë marrëveshje kur të hapen kufijtë vetëm do të humbim. Ky pozicionim publik i paqartë i presidentit ka bërë që një pjesë e madhe e partive politike t’i kundërvihen, më shumë për poena politik sesa për çështje parimore. Në anën tjetër pozicionin e Kryeministrit Haradinaj se ne rrezikojmë nga hapja e kufijve dhe se kjo temë nuk duhet hapur fare, unë e konsideroj krejtësisht të gabuar. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum historik, që duke u bërë bashkë, në këto bisedime të shtrojmë çështjen e ndryshimit të kufijve, jo si synim final për të marrë Kosova ulëse në OKB, por për të marrë pjesën shqiptare të Kosovës Lindore, duke përdorur të njëjtin parim, t’i lejohet pjesës serbe të tri komunave veriore të bashkohen me Serbinë dhe rrjedhimisht të krijomë kushtet për ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat Kosovën do ta bëjnë një shtet funksional dhe me sovranitet të plotë. Vetë zgjidhja e këtyre problemeve do të shtrojë rrugën për pranimin e Kosovës në OKB. Cila është alternativa e këtyre që po refuzojnë hapjen e çështjes së kufijve? Vazhdimi i status quos! Apo edhe më keq kjo situatë plus asociacioni i komunave serbe, që edhe kështu siç e kemi obligim ligjor ta zbatojmë është i dëmshëm, për të mos folur në rast se i jepen edhe më shumë kompetenca si pjesë e ndonjë marrëveshjeje. Në të dy variantet ne do të mbesnim pre e lojërave politike të Beogradit përmes Listës Serbe, i cili në vazhdimësi do t’i shfrytëzonte privilegjet bllokuese kushtetuese, kornizën ligjore favorizuese si dhe mekanizmat si asociacioni për të minuar funksionalitetin e shtetit të Kosovë.  Ndërsa vetë do të mund të shpërblehej nga bashkësia ndërkombëtare për vullnetin për dialog dhe me koncesione të vogla (si p.sh. heqja e Kosovës nga kushtetuta e vetë) do të mund të avanconte drejt integrimeve evropiane. Në anën tjetër nuk besoj që në asnjë variant përdorimi i forcës do të ishte një alternativë reale. Sepse përveç që do të dëmtonte rëndë raportet e Kosovës me ndërkombëtarët, e sidomos me NATO-n dhe aleatët tanë kryesor do të mund të na fuste në një rreth vicioz konfliktesh sidomos në veri të vendit nga i cili ne do të dëmtoheshim jashtëzakonisht shumë. Kosova nuk mund të funksionojë si shtet normal me këtë Kushtetutë, ku pakicat prej 5% kanë mundësinë e bllokimit të shtetit vazhdimisht. Rreziku real me këto opsione është që në vazhdimësi do të kishim tensione ndëretnike e të cilat pas disa dekadash vërtet do të dërgonin ndarjen e Kosovës aty ku Serbia e ka synimin tek lumi Ibër, por pa arritur të marrim asgjë në Kosovën Lindore sepse deri atëherë ajo do të zbrazej. Gjithashtu ne në Kosovë do të vazhdonim të kemi në pushtet një klikë politike që merret vetëm me të ashtuquajturat tema të mëdha dhe shumë pak do të kishim politika të vërteta zhvillimore aq të nevojshme për mirëqenien e qytetarëve. Andaj sot më shumë se kurrë na duhet guxim që në bisedimet me Serbinë të shtrojmë për zgjidhje edhe çështjen e kufijve, sepse kështu e shtrojmë rrugën edhe të funksionalizimit të shtetit të Kosovës, e edhe të hapjes së mundësisë së zgjedhjes së formës për bashkim me Republikën e Shqipërisë. Në anën tjetër, duke qenë unik, nëse një marrëveshje e tillë do të dëmtonte seriozisht territorin e Kosovës, përtej këtyre objektivave që përmenda, Kuvendi i Kosovës dhe referendumi do të mund të shërbenin si siguresat e fundit të mbrojtjes së interesit kombëtar e shtetëror. 

“Bota sot”:  E kemi një situatë mjegullie edhe tek qytetarët e Kosovës Lindore, pasi që realisht asgjë nuk është e qartë dhe  duhet ta pranojmë që për çdo shqetësim që kanë ata banorë atje, kanë të drejtë. Sa jeni ju si LB në bashkëpunim apo bashkëveprim me subjektet politike apo OJQ atje, si është disponimi i tyre?

Valon Murati: Ne me vëmendje po i përcjellim ngjarjet politike në Kosovën Lindore dhe jemi në kontakt me shumicën e subjekteve politike relevante por edhe me qytetarët tanë atje. Jemi të vetëdijshëm se pritjet në Kosovën Lindore janë më të mëdha se kurdoherë, por edhe frika nga dëshpërimi është jashtëzakonisht e madhe, dhe kanë të drejtë të jenë të frikësuar kur dëgjojnë deklaratat e politikës kosovare. E ndryshme kësaj radhe është se SHBA-ja, por edhe BE-ja kanë filluar ta trajtojnë më seriozisht çështjen e Kosovës Lindore si pjesë të një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Unë i ftoj edhe subjektet politike edhe qytetarët e asaj pjese të jenë aktiv në ushtrimin e një presioni pozitiv ndaj politikës kosovare në funksion të trajtimit serioz të kësaj çështjeje në bisedimet me Serbinë.

“Bota sot”: Sa afër, aq edhe larg duket një marrëveshje e mundshme me Serbinë ku preken kufijtë, sa jeni ju optimist, nëse dështohet si marrëveshje, kush do të humbte më shumë?

Valon Murati: Marrëveshja nuk është e lehtë fare, sidomos nëse seriozisht hapet çështja e kufijve në mes të dy vendeve. Nëse e shohim situatën aktuale të dialogut, nuk ka shpresa se ky proces mund të përfundojë shpejt. Në anën tjetër, kemi një vendosmëri të administratës amerikane, por edhe të BE-së që marrëveshja të kryhet gjatë këtij viti. Fakt është se të dy vendet kanë nevojë për një marrëveshje. Serbia, për të hequr barrën e rëndë të çështjes së Kosovës dhe për të ecur para me integrimet evropiane dhe fuqizimin e rolit të saj në mes të Perëndimit dhe Lindjes e në anën tjetër Kosova për të konsoliduar sovranitetin e saj, funksionalitetin si shtet, për t’i hapur rrugë anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare përfshirë OKB-në, për t’iu kthyer politikave zhvillimore në arsim, shëndetësi, ekonomi e mirëqenie sociale si dhe për të hapur rrugën e bashkimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke pasur parasysh tërë këta faktorë unë jam optimist i matur. Edhe nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje, zhvillimi i ngjarjeve qoftë të brendshme, qoftë ndërkombëtare do të detyrojë të dyja palët që të ulen seriozisht dhe t’i zgjidhin problemet e mbetura në mes vete. Por kësaj radhe jo të flitet vetëm për Kosovën dhe serbët aty, por edhe për Serbinë dhe shqiptarët atje.

“Bota sot”: Një veprim sa politik aq edhe populist i cili realisht dha efekte politike, është vendosja e taksës 100% për mallrat serbe, cili është qëndrimi juaj për këtë veprim të qeverisë, por edhe për këmbëngulësinë e shefit të qeverisë që të mos e heq taksën edhe përkundër kërkesës së SHBA-ve, mbi të gjitha?

Valon Murati: Ne si LB e kemi përkrahur vendosjen e taksës dhe çdo masë reciprociteti me Serbinë. Duke qenë një masë e drejtë, kemi konstatuar se realisht Serbisë që nga fillimi është dashur t’i përgjigjemi me masa reciprociteti. Por njëkohësisht kemi konstatuar se masa ndonëse e drejtë, nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet me aleatët tanë e sidomos jo me SHBA-të si dhe nuk duhet të bëhet pengesë për arritjen e një marrëveshjeje finale. Në këtë drejtim kemi konsideruar se kryeministri Haradinaj, duke i pasur parasysh të gjitha informacionet e duhura përmes kanaleve diplomatike do të duhej që në momentin e duhur të merrte edhe vendimin e duhur. Ne nuk e dimë ende se deri ku kanë shkuar presionet mbi të, por nëse vërtet ato janë të tilla çfarë edhe po duken në publik, do të duhej dëgjuar këshilla amerikane për suspendim të përkohshëm të taksës. Për më tepër, kjo çështje nuk do të duhej të bëhej pjesë e betejës së brendshme politike të koalicionit qeveritar, apo një përpjekje shtesë e kryeministrit për bllokuar hapjen e çështjes së kufijve. Përndryshe kjo vendosmëri e kryeministrit për të mos e hequr taksën do të ishte e kuptueshme dhe e arsyeshme vetëm nëse ai personalisht ka mesazhe të tjera nga administrata amerikane.

“Bota sot”: Për fund, para ca ditësh Republika e Kosovës festoi 11 vjetorin e pavarësisë, sa jeni të kënaqur me të arriturat dhe cilat janë pritshmëritë për vitet e ardhshme, për ato afatmesme?

Valon Murati: Pavarësia e Kosovës është një e arritur e madhe e popullit shqiptar. Sigurisht ajo ka ardhur edhe si produkt i rrethanave të jashtme dhe të brendshme dhe realisht ka ardhur me kufizime që e rëndojnë funksionalitetin e saj. Ndonëse Kosova nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sot, ajo është shumë larg mundësive reale dhe potencialeve njerëzore që ka. Sidoqoftë ne sot jemi më të lirë se kurdoherë në historinë tonë dhe me mundësitë më të mëdha që të jemi përcaktues të fatit tonë dhe të ardhmes sonë. Ajo që ne na pret në vitet e ardhshme është funksionalizimi i shtetit tonë, sidomos përmes arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, dhe orientimi i krejt energjive të shoqërisë e sidomos të gjeneratave të reja drejt zhvillimit e përparimit. Në këtë drejtim mendoj se ky orientim do të krijonte kushtet edhe për ndryshimin e gjeneratave në politike dhe ardhjen e në skenën politike të profileve krejt të ndryshme të politikanëve prej atyre që jemi mësuar t’i shohim deri më sot.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...