Paralajmëron politologu i njohur: Ehoja e idesë së korrigjimit të kufijve do të shpërndahet në çdo cep të Ballkanit - Bota Sot
Paralajmëron politologu i njohur: Ehoja e idesë së korrigjimit të kufijve do të shpërndahet në çdo cep të Ballkanit

Intervista

Paralajmëron politologu i njohur: Ehoja e idesë së korrigjimit të kufijve do të shpërndahet në çdo cep të Ballkanit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 shkurt 2019 Në ora: 08:05
Albinot Maloku

Në një intervistë ekskluzive për ““Bota sot”” politologu Albinot Maloku, ka thënë se Sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës është i lënduar prej vitesh, sidomos në veriun e saj. Kjo për faktin se Komunat me shumicën serbe që shtrihen në veriun e vendit, pavarësisht përparimit në kuptimin e shtrirjes së pushtetit nga ana e Prishtinës zyrtare, lidhjet i kanë ende të forta me Beogradin zyrtar. Maloku ka folur edhe për idenë e Presidentit Thaçi për  korrigjimin të kufijve, e cila sipas tij buron nga akademiku serb Dobrica Qosiq.

“Bota sot”: Si e vlerësoni koalicionin Qeveritar dhe opozitën në këtë rast? Dhe a mendoni se duhet të jap dorëheqje në këtë kohë kjo qeveri?

Maloku: Partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës, veçmas ato më të mëdhatë, kanë një ngjashmëri me njëra tjetrën. Pra, për nga përmbajtja ky koalicion vjen i natyrshëm dhe konsideroj që përkundër mosmarrëveshjeve, hë për hë, po arrin ta mbajë veten. Ky është perceptim i jashtëm, ndërsa kur flasim për rezultatet e punëve të këtij koalicioni, gjithçka lë shumë për të dëshiruar. ‘Ngecjet’ në krahasim me ‘lëvizjet’ janë shumë më të shpeshta. Njëmbëdhjetë vite pas pavarësisë, si asnjëherë më parë, kemi stagnim njohjesh për shtetin e Kosovës. Po ashtu shfaqet një tendencë për hapje të çështjeve për të cilat nuk është menduar se mund të ndodhin. Ndërkaq ato që ndërlidhen kryekëput me mirëqenien e qytetarit, po lëvizin ngadalë, për të mos thënë aspak drejt premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Koalicioni qeverisës në rrugëtimin politik, sa për opozitën që e kemi, ka për ta përfunduar mandatin pa problem. Pra, LDK e cila e prezanton si opsion ngjitjen e saj drejt bashkëqeverisjes dhe LVV e vetme, nuk besoj se me veprimet e tyre, mund t’ia shkurtojnë mandatin kësaj qeverie. Në këto rrethana, i vetmi opsion i rrëzimit të qeverisë, është prishja e koalicionit, gjë që është pak e gjasshme të ndodh shumë shpejt. Nuk jam duke thënë që kjo qeveri e ka të garantuar rrugën drejt përfundimit të mandatit të cilin ia garanton kushtetuta, natyrisht jo! Gjasat që të kemi zgjedhje të parakohshme janë të mëdha, por ato nuk do të ndodhin para vjeshtës së këtij viti.

“Bota sot”: Si e shihni faktin se sovraniteti i vendit nuk po mund të shtrihet mjaftueshëm në veri?

Maloku: Sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës është i lënduar prej vitesh, sidomos në veriun e saj. Komunat me shumicën serbe që shtrihen në veriun e vendit, pavarësisht përparimit në kuptimin e shtrirjes së pushtetit nga ana e Prishtinës zyrtare, lidhjet i kanë ende të forta me Beogradin zyrtar. Ilustrimi më i mirë për këtë është dorëheqja e krerëve komunal të katër komunave veriore, rast ky për të cilin ende nuk ka një procedurë të rregullt brenda kornizave ligjore relevante. Nëse flasim për funksionimin e Gjykatave dhe Policisë së Kosovës, dihet se ato veprojnë brenda disa marrëveshjeve që janë arritur në bisedimet e më hershme mes Prishtinës e Beogradit në Bruksel. Por, pastaj, pjesëtarët e FSK-së nuk mund të operojnë atje pa një leje nga ana e KFOR-it, e shumë çështje tjera. Si përfundim, konsiderojë se ende nuk është bërë mjaftueshëm në këtë drejtim.

“Bota sot”: Si e vlerësoni taksen e vendosur nga Qeveria e Kosovës kundër produkteve serbe?

Maloku: Është një nga vendimet e rralla të mira nga kjo qeveri, por për të cilin nuk është bërë asnjë analizë paraprake. Tentativa për t’i penguar produktet serbe, kërkesa për reciprocitet e të ngjashme, kanë ekzistuar prej kohësh, mirëpo jo në një kapacitet zyrtar, siç është vendosur tani. Të tilla akte, padyshim se ndërmerren në rrethana shumë të rralla dhe kryesisht janë kallëzues i mungesës së kreativitetit të qeverisjes në atë vend, sidomos për të penguar penetrimin e faktorëve armiqësor, duke vendosur politika penguese por të rregullta. Mirëpo, pavarësisht kësaj, efektet e taksës janë që të gjitha pozitive, pra në favor të Kosovës. Kjo taksë nuk duhet të hiqet, por duhet që një herë e mirë Kosova të nxjerrë vendimet e prera për masa reciproke në të gjitha marrëdhëniet me Serbinë, dhe atë, deri edhe te targat e regjistrimit të veturave.

“Bota sot”: Si e vlerësoni reagimin e ShBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës për heqjen e taksës?

Maloku: Reagimet e Bashkimit Evropian nuk është e nevojshme të përfillen gjithsesi. Kjo sepse, bëhet fjalë për të njëjtën BE e cila nuk i ka përfillur hapat e Kosovës, përkatësisht shfaqjes së vullnetit të saj drejt integrimeve. Rasti i fundit ishte çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi,  marrëveshje kjo që nuk e solli (ashtu siç pretendohej), zhbllokimin e vendit. Ju e dini, qytetarët tanë vijojnë të mbeten më të izoluarit e truallit evropian. Ndryshe në raport me BE-në, mendimi i ShBA-ve duhet respektuar, çfarëdo qoftë ai në lidhje me taksën, mirëpo vendimi është në dorën e Kosovës. Vendimi i Qeverisë së Kosovës është për taksën dhe i njëjti duhet të ngelet në fuqi.  Më e keqja në këto rrethana raportesh, është kur individë të caktuar në pozitat drejtuese të vendit, shfrytëzojnë qëndrimet e zyrtarëve të SHBA-ve për të krijuar perceptime të atilla sikur ka në mesin e qytetarëve të Kosovës, e posaçërisht brenda klasës politike drejtuese të vendit, antiamerikanë. Kësisoj, ligjërata e paradokohshme e presidentit Hashim Thaçi për miqësinë e përhershme Kosovë-SHBA, ishte presion i ulët ndaj vendimit për taksën nga ana e Qeverisë Haradinaj. Megjithatë, përkundër tendencave çdo qytetar i Kosovës që i ka përjetuar vitet 1998-1999, e di fare mirë dhe e mban në zemër miqësinë dhe mirënjohjen për amerikanët.

“Bota sot”: Si e shihni procesin e dialogut Kosovë-Serbi?

Maloku: E ripërsëris, procesi i dialogut të Brukselit është i tejkaluar. Mirë që ka ngelur e nuk po vazhdon avazi i vjetër. Rifutja në dialog pa studiuar çdo gjë që është nënshkruar deri më sot, si dhe analizuar realizueshmërinë e tyre në terren, është vazhdim i dështimit. Është për keqardhje sesi asnjëherë nuk i përmendi Brukseli ndërskamcat e kushtëzimet e Serbisë bërë Kosovës përgjatë kësaj periudhe të dialogimit disavjeçarë. Tani, edhe Brukselit i doli boja me kushtet vënë Kosovës.

“Bota sot”: Si e shihni marrëveshjen përfundimtare në fund të këtij procesi të dialogut?

Maloku: Pala e Kosovës nuk besoj që mund të ofrojë ndonjë propozim më kreativ sesa ato që ka ofruar deri më sot. Njohja reciproke me të gjitha lëshimet e bëra, qoftë me Pakon e Ahtisarit, qoftë me Dialogun e Brukselit, përbënë ofertën më të mirë të Kosovës. Serbia, konkretisht Ministri i Jashtëm Ivca Daçiq ka thënë se propozimi zyrtar i tyre është ripërkufizimi territorial i shqiptarëve dhe serbëve. Kjo nuk manifeston kreativitet as risi. Për të njëjtin ka folur edhe akademiku Dobrica Qosiq. Në Kosovë, diçka të ngjashme po rekomandon edhe presidenti Hashim Thaçi, duke e quajtur si korrigjim kufijsh mes Kosovës e Serbisë. Mendësi e njëjtë me emra të ndryshëm. Daçiq fletë për ri përkufizim kufijsh ndërsa Thaçi për korrigjim kufijsh. Se kjo marrëveshje, në kushtet dhe kapacitetet në të cilat po zhvillohet, do të jetë një fitore e Pirros, për këtë jam i sigurt, por nuk e di cila palë do të jetë fituesja.

“Bota sot”: Cili është versioni i juaj, ndaj ideve për shkëmbimin e territoreve dhe a duhet të ndodh një hap i tillë?

Maloku: Në historinë e zgjidhjes së konflikteve në botë, nuk di nëse ka pasur shkëmbim territoresh. Por se ka pasur zhvendosje popullatash, ky është një fakt. Ndodhitë e tilla gjithmonë kanë qenë tragjike. Korrigjimi i kufijve me vullnetin e palëve edhe mund të ndodhë, mirëpo në mes të Kosovës e Serbisë nuk shoh vullnet që ky korrigjim të jetë i drejtë e me kundërpesha të njëjta. Përkundrazi, pengesat për të mos ndodh korrigjimi i vullnetshëm i kufijve është shfaqur si tendencë qysh në fillim. Serbia nuk e njeh Kosovën si palë të barabartë dhe edhe njëra edhe tjetra nuk e kanë të saktësuar vijën e tyre kufitare. Mandej, shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë edhe një Referendum të realizuar që në të ’90-tat për bashkim me Kosovën, ndërsa serbët në veri kurrë nuk e kanë shprehur vullnetin që t’i bashkohen Serbisë. Janë një mori pengesash që nuk ta prezantojnë si të mundshëm përdorimin e termit korrigjim i kufijve. Nëse flasim për demarkim të kufirit mes Kosovës e Serbisë, kjo është një çështje e domosdoshme e që duhet të ndodh. Kufijtë aktual në Ballkan, realisht nuk janë natyral, mirëpo ri-rregullimi i tyre nuk është i lehtë. Nëse veç ndodh një gjë e tillë, ehoja e idesë së korrigjimit të kufijve do të shpërndahet në çdo cep të Ballkanit.

“Bota sot”: Si e shihni bashkëpunimin e Kosovës me Bashkësinë Ndërkombëtare?

Maloku: Republika e Kosovës në rrafshin e bashkëpunimeve ndërkombëtare lë shumë për të dëshiruar. Pozicioni i saj në arenën ndërkombëtare s’është aspak i volitshëm. Diplomacia e Kosovës nën drejtimin e Behgjet Pacollit ka pësuar disa debakle, shto këtu edhe këto ‘ç`njohjet’ që si term nuk e njeh e drejta ndërkombëtare. Ishin fiaskot në UNESCO, INTERPOL e mekanizma tjerë, që zgjatën listën e dështimeve. Njohjet kanë stagnuar dhe ç ’është më e keqja ambasadat tona nuk është se po përmenden për ndonjë punë interesante në dobi të fuqizimit të Republikës së Kosovës. Si pasojë e impotencës së tyre, disa shtete ku ne kemi ambasadat, abstenuan e nuk votuan për anëtarësimin e shtetit tonë në Interpol. Rast eklatant është Japonia.

“Bota sot”: Sa mendoni se janë plotësuar kriteret e BE-së nga Kosova për liberalizim vizash?

Maloku: Siç ju kujtohet, kur Kuvendi i Kosovës e përmbylli maratonën në çështje e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, nga Brukseli na u tha: urime, Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim. Pasi BE na tha se i keni plotësuar kushtet, mendoj se kushtet nga ana e Kosovës janë plotësuar, por BE nuk e përfundojë pjesën e punës së saj.

“Bota sot”: Cilët nga faktorët po ndikon në tërheqjen e njohjes? Dhe kush duhet dhënë përgjegjësi për këtë?

Maloku: Për t’iu rikthyer sërish kësaj çështjeje: aktorët që stagnuan njohjet ndërlidhen me mungesën e punës së duhur të diplomacisë së Kosovës, si dhe me dialogun e Brukselit. Kosova u shndërrua në pengesë, në vazhdimin e këtij dialogu të padobishëm. Se kush duhet dhënë përgjegjësi për gjendjen në diplomacinë e Kosovës? Natyrisht, ministri aktual i punëve të jashtme. I njëjti, nuk di të jap shpjegim bindës rreth ‘çnjohjeje’, sidomos prej atyre shteteve që janë konsideruar si pjesë e lobimit të tij e me të cilat krenohej. Të thuash se Serbia po përdor lloj-lloj metodash për t’i bindur shtetet në fjalë për të shpikur ‘çnjohjen’ si efekt juridik të së drejtës ndërkombëtare, është diçka e ultë dhe aspak serioze. Pjesë tjetër të fajit kanë edhe përfaqësuesit tanë diplomatikë, që s’janë veçse barrë e buxhetit të Kosovës.

“Bota sot”: Kosova tashmë ka nisur procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të mirëfilltë, si e vlerësoni këtë hap të institucioneve të Kosovës?

Maloku: Nisja e procesit për transformimin e mandatit të Forcave të Sigurisë së Kosovës është çështje që do të jetë në krye të agjendës së vendit, në dekadën e radhës së forcimit të saj. Pasja e shtetit determinon edhe pasjen e Forcave të Armatosura dhe këtë çështje republika jonë do të duhej ta kishte të përmbyllur që moti, mirëpo, më mirë vonë se kurrë.

“Bota sot”: Cili do të jetë roli i ushtrisë së Kosovës në Ballkan dhe çfarë komenti keni për propagandën serbe në këtë drejtim?

Maloku: Edhe roli i Forcave të ardhshme të armatosura të Kosovës do të ketë rolin e njëjtë që e ka secila forcë e armatosur ushtarake në Ballkan. Për dallim nga ushtria serbe që gjithmonë ka provuar të jetë sulmuese e gllabëruese, ushtria e Kosovës si tipare të saj ka misionet e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Veç kësaj, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, herët apo vonë, do të bëhen pjesë e NATO-s, me synim kryesor ruajtjen e paqes, jo vetëm në Kosovë e Ballkan por në të gjithë globin. Propagandat serbe nuk janë risi për askënd e më së paku për ne. FSK s’duhet vetëm të hapëroj drejt realizimit të qëllimit të saj.

“Bota sot”: Si mund të vije deri te anëtarësimi i Kosovës në NATO?

Maloku: Kushti i parë është i plotësuar, Kosova e ka të ndarë mendjen sa i përket anëtarësimit në NATO, e ky duhet të jetë edhe prioritet edhe më i madh sesa anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Me transformimin e plotë të FSK-së në Forca të Armatosura, asaj i krijohet baza për aplikim e anëtarësim në NATO dhe me këtë edhe NATO e përmbyllë ciklin anëtarësimeve të shteteve të Ballkanit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...