Valëvitja e Flamurit të UÇK-së në trevën autoktone shqiptare - Tuz dhe fitorja e shqiptarëve në zgjedhjet lokale të Marsit 2019

Intervista

Valëvitja e Flamurit të UÇK-së në trevën autoktone shqiptare - Tuz dhe fitorja e shqiptarëve në zgjedhjet lokale të Marsit 2019

Nga: Rexhep Elezaj Më: 10 mars 2019 Në ora: 22:52
Nikollë Shabani

“Më gëzon pa masë fakti se ngritja e flamurit të UÇK-së në Tuz u bë në ditët e Marsit, kur Epopeja e luftës së UÇK-së në Prekaz festohej këtë vit me emblemën e ushtrisë së Republikës së Kosovës“!

Bota Sot: Çfarë ndodhi në politikën shqiptare të kësaj treve autoktone shqiptare, Malësinë e Madhe, e cila më në fund u profilizua si subjekt unik i partive shqiptare në Mal të Zi?

Mr. Nikollë Shabani: Po, ky sukses në politikën shqiptare në trevat etnike shqiptare në Mal të Zi, solli një fitore të shumëpritur prej kohësh. Për t’u përgjigjur më sakët në pyetjen tuaj, po bëjë një sqarim të vijimeve paraprake. Me fillimin e pluralizmit partiak të viteve të 90-ta shqiptarët në këtë trevë ishin ndër të parët që dolën të unifikuar me një subjekt partiak, Lidhjen Demokratike (LD) në Mal të Zi, e cila ishte Lëvizja e vetme e shqiptarëve në këtë shtet, e cila arriti të përfaqësohet ligjërisht në Parlamentin malazez me 4 deputet në dhjetor 1990; Gjergj Gjokaj, Tahir Pereziqi, Mustafë Çapuni dhe Xheladin Zeneli, i zëvendësuar pas emigrimit në SHBA nga Skënder Hoxha. Deri në vitet 2000 këtu u paraqiten edhe disa subjekte tjera politike shqiptare, por një platformën më të mirë e paraqiten dy subjektet politike, LD me Mehmet Bardhin në krye, për një autonomi territoriale e zbatuar që nga 12 shtatori i vitit 1992, e paraqitur po ashtu zyrtarisht në Angli tek Lordi Blek Karington, dhe UDSH-ja e Ferhat Dinoshës me një autonomi personale, derisa nga diaspora jonë në SHBA dhe Evropën perëndimore u sugjerua Platforma me elemente bazë për regjionalizim. Në fakt, në një projekt-ide të regjionalizimit, unë personalisht isha Drejtor i Bordit të Drejtorëve të Qendrës për zhvillim rajonal, e njohur si “ Avokat-Center” për sektorin joqeveritar-Civil me seli në Ulqin që përfshinte edhe Tivarin (e themeluar me 2003), dhe që nga fillimi u mbështetem financiarisht si dhe në mënyrë logjistike nga USAID/SHBA, duke implementuar këtë projekt përmes organizatës amerikane ORT, ku përveç të tjerave, prioritet kishte hapja e një Universiteti në gjuhën shqipe.

Potenciali dhe projekti i lartë përmendur u refuzua dhe kjo çoj deri në përçarje të thellë mes partive shqiptare në MZ, duke shkaktuar formimin e partive të reja politike shqiptare, siç ishin “Forca Demokratike” e Nazif Cungut dhe Partia Demokratike e Fatmir Gjekës, të cilat nuk dolën me ndonjë platformë të re, por në garën politike morën një numër të konsiderueshëm të votave, duke shkaktuar kështu ndarje lokaliste të elektoratit shqiptar në MZ. Këtë shkapërderdhje e shfrytëzuan shqiptarët e rreshtuar në DPS-in e Millo Gjukanoviqit, siç ishin Loro Nrekiq, Luigj Shkrela, Nikollë Gegaj,etj duke shtuar radhët e kësaj partie me anëtarë shqiptar.

Pra, zgjedhjet dhe fitorja e 3 marsit 2019 forcuan bindjen e trazuar të shqiptarëve në MZ, se vetëm duke qenë të bashkuar dalim fitimtarë, dhe kjo fitore do ndikojë që në të ardhmen të unifikohet edhe strategjia politike e shqiptarëve në MZ.

Image
Fitorja e zgjedhjeve në Tuz nga shqiptarët.

Bota Sot: Cilin moment do e kishit veçuar si dështim i politikës kombëtare të shqiptarëve në MZ..?

Mr. Nikollë Shabani: Përçarja e vazhdueshme është elementi më negativ politik në këto treva shqiptare, e cili e ka burimin në lojën e kundërshtarit politik që nga koha kur këto treva iu shkëputen shtetit shqiptar. Si momenti më dështues ishte rasti, kur hapja e planifikuar e Universitetit në gjuhen shqipe u shndërrua në një degë të Fakultetit të mësuesisë jashtë trevave autoktone shqiptare në Nikshiq, ku aktori kryesor i këtij dështimi, me dashje apo pa të, ishte z. Ferhat Dinosha, i cili më pas kaloi në poste diplomatike të shtetit malazez. Dhe, momenti tjetër ishte kur LD në MZ, parti e lëvizjes kombëtare e shqiptarëve në këtë shtet, u atakua aq shumë sa që në zgjedhjet për pushtetin lokal në Ulqin në vitin 2010 mbeti pa përfaqësuesit e saj në pushtetin lokal, dhe e tëra kjo me një skenar të gatuar kundër faktorit patriotik shqiptar në MZ.

Derisa kulmi i kësaj hajke arriti kur në zgjedhjet lokale të vitit 2014 në Ulqin nuk kishte asnjë parti shqiptare e cila në formë direkte apo indirekte, që të mos kishte hyrë në koalicion me partinë DPS-it të Millo Gjukanoviqit. Për këtë shkak një grup i madh i intelektualëve shqiptarë u dëshpruan nga ky qëndrim servil i tyre dhe vendosen unanimisht që votën t’ia japin DPS-it (kjo parti për herë të parë mori më shumë vota se partitë shqiptare - 9 përfaqësues në pushtetin lokal). Qëndrimi im asokohe çoj në atë që partitë shqiptare mbeten bashkë deri me 2018.

Bota Sot: Çfarë ndikimi do ketë tek faktorët politik shqiptar në MZ fitorja e partive shqiptare në komunën e Tuzit..?

Mr. Nikollë Shabani: Shqiptarët në Malësi – Tuz dhe në krejt trevën tonë autoktone në MZ e kishin të nevojshme një fitore si kjo, edhe pse kjo fitore nuk e reflekton realitetin e elektoratit shqiptar këtu, ngase fitorja do duhej të ishte edhe më e thellë. Shqiptarët unanimisht me 2006 kontribuuan me votën e tyre që Mali i Zi ta rikthente shtetësinë e tij pas 70 viteve, por ky “falënderim” ndaj shqiptarëve nuk zgjati shumë, sepse vetëm disa muaj më vonë, me 09 shtator 2006, u bastisen shtëpitë e shqiptarëve në Malësinë e madhe nga policia dhe forcat speciale malazeze, si aksion i njohur kundër “Fluturimit të Shqiponjave”, ku u burgosen dhe u maltretuan edhe shumë mërgimtarë tanë nga SHBA-të..!?

Mua personalisht në zyrën tonë për zhvillim Rajonal të mbështetur nga USAID-it në Ulqin, më është vendosur dhe ka shpërthyer eksplozivi në ora 06 të mëngjesit në verën e 2007-tës, dhe pyetja e parë e inspektorit Glenzha ishte, se çfarë lidhjesh kisha unë me “Fluturimin e Shqiponjave”?! Për këtë akt deri më sot në 2019 nuk kam marrë asnjë raport nga organet hetuese të MZ, por as malësorët në Tuz, sot e kësaj dite nuk morën sqarimet e duhura për bastisjet në vitin 2006..!?

Prandaj, fitorja në Tuz ditë më parë duhet të jetë kthesë pozitive për shqiptarët, e cila në vete përmban faktorin përbashkues – të unitetit të forcave politike kombëtare shqiptare në MZ. Shqiptarët këtu nuk i shohin si kundërshtarë forcat politike të malazezëve në pushtet, sepse qeveritarët malazez e njohën ndër të parët pavarësinë e Kosovës, u bënë pjesë e NATO-s dhe tash aspirojnë që sa më shpejt të anëtarësohen në BE. Politika malazeze bëri një shkëputje rrënjësore nga Serbia, pra nga politika sllaviste-hegjemoniste kundër shqiptarëve. Kjo dëshmon se edhe shqiptarët në MZ tash duhet të pozicionohen pak më ndryshe, krahasuar vite më parë ndaj malazezve. Me zgjedhjet në Tuz vërejtëm qartë se çfarë kthese pozitive bëri pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë në këto zgjedhje, pra shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje, duke votuar në mërgatë pranë përfaqësive diplomatike, ose me postë. Shqiptarët kanë një elektorat të madh në mërgatë, rreth 75%, në mesin e tyre duhet të pajisen urgjentisht me dokumente përkatëse dhe pa ndonjë procedurë të stërngarkueme. Votimi në diasporë duhet të vëzhgohet direkt nga shoqatat shqiptare në mërgim në koordinim me qendrat diplomatike të Malit të Zi, ngase pjesëmarrja e tyre në zgjedhje e favorizon qartë faktin, se shqiptarët nuk mund ta kenë më statusin e pakicës në MZ, meqë janë autoktonë në trevat e tyre brenda një statusi autonom të autoktonisë së tyre në MZ. Shqiptarët janë e vetmja popullatë e cila në këtë shtet nuk është sllave. Pakica boshnjake dhe muslimane e njohin veten si malazez të islamizuar, edhe pse një pjesë e madhe e tyre kanë prejardhje etnike shqiptare. Pakica serbe shumica e tyre përbëhet nga malazez të cilët e njohin veten si serb, dhe janë të lidhur ngushtë brenda kishës serbe, ku brenda saj ka edhe serbë të ardhur që nga mesi dhe fundi i shekullit 20-të në MZ. Pakica kroate është po ashtu autoktone në Bokën e Kotorrit, ku shpeshherë ata veten e deklarojnë si Bokel, e jo direkt si kroat, çfarë dëshmon për autoktoninë e tyre arbërore me rrënjë deri në Ilirinë e mbretëreshës Teutë. Shtetësia e parë malazeze njihet me themelimin e shtetësisë së përbashkët të Bokës dhe Malit të Zi me një marrëveshje të dy anshme, dhe para se Mali i Zi ta bënte këtë marrëveshje, ai fitoi dalje në det përmes trevave shqiptare të Tivarit dhe Ulqinit në Kongresin e Berlinit. Lidhur me këtë shihni foton e ngritjes së flamurit shqiptar në Tivar pas shumë e shumë viteve me 2014 nga intelektualët e Pellgut Verior të Shkodrës, të cilët aderojnë në Shoqërinë “Don Gjon Buzuku”.

Image
Prof.Dr Bari Brisku, Mr.Nikollë Shabani, Don Fran Markiqi, Zef Kovaçi, Gjergj Pepgjoni, Nikollë Stanovoqi, Gjergj Pekiqi, Jak Koci, Zef Vuçiqi .. në mesin e Shestanasve në Tivar të shoqërisë “Don Gjon Buzuku” me 28 Nëntor 2014. Në sfond kështjella e Tivarit – qyteti i vjetër.

Pra shqiptaret nuk mund ta kenë statusin e pakicave në Mal të Zi, edhe pse disa e lakmojnë atë status-fond për shkaqe financiare!

Bota Sot: Çka mund të na thoni më afër për lexuesit tanë lidhur me valëvitjen e Flamurit të UÇK-së në ditën e zgjedhjeve në Tuz ?

Mr. Nikollë Shabani: Po, një të vërtetë duhet cekur, kur presidenti Millo Gjukanoviç u pozicionua kundër sistemit kriminal të Millosheviçit (31 shtator 1997, duke nënshkruar marrëveshjen me partitë opozitare në MZ në Vilën Gorica-Podgoricë) me policinë e tij të posa formuar në radhët e asaj policie ndër më të besuarit ishin policët rezervist shqiptarë, të cilët nuk ishin të pakët në numër, ku edhe disa u plagosen gjatë grevave në Podgoricë, duke mbrojtur qëndrimet e marrëveshjes në fjalë. Kur ushtria jugosllave gjatë bombardimeve të NATO-s në bashkësinë e fundit jugosllave në përbërje të së cilës ishte Serbia dhe Mal i Zi, në shënjestër ishin shqiptarët, Bokelët, dhe vetë malazezët, të cilët tentonin të shkëputen nga Serbia. Siç kishin të gjithë strategjinë e tyre për t’u mbrojtur, ashtu edhe ne shqiptarët kishim strategjinë tonë, e cila në një moment të duhur do paraqitej me flamurin e UÇK-së, që u përpilua edhe Statuti i UÇK-së në MZ, i ngjashëm me atë në trevat tjera nën ish Serbosllavi. Pra, në të gjitha trevat shqiptare u paraqit ky fenomen mbrojtës – çlirimtar përveç në Mal të Zi jo në tërësi. Siç dihet, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ajo e Maqedonisë (Ushtria çlirimtare kombëtare), ajo e Luginës së Preshevës dhe Bujanovcit (UÇPMB), pra mungonte vetëm ajo e Pellgut Verior të Shkodrës.

Gjatë atyre çasteve kritike, ku priteshin masakra edhe ndaj popullatës shqiptare nga ushtria jugosllave në Mal të Zi, u hap një kamp ndërkombëtar nga Kryqi i Kuq në Koplik-Shkodër. Falë vëllezërve kosovarë me të cilët në atë kohë veproja në Mërgatën tonë në Gjermani, unë kryesoja shtabin emergjent në Ludwigshafen, meqë rast, mes tjerash, formuam një grup i cili do monitoronte dhe përgatiste mbrojtjen për këto treva. Konkretisht, zotëruam veprimin në territorin, nga gryka e Bunës deri në liqe të Shkodrës-Skje, ku ishim në lidhje të përhershme me kryetarin M. Bardhin dhe veteranin e Lëvizjes Kombëtare, shestanasin - Zef Kovaçin (i anëtarësuar në Lëvizjen kombëtare që nga viti 1964, gjatë strehimit në kampin e refugjatëve politik shqiptar në Latino-Itali, vend mes Romës dhe Barit, shpeshherë të kontaktuar asokohe nga Ernest Koliqi, etj., për organizim të mbrojtjes së çështjes shqiptare).

Si veprim kryesor ishte përkujdesja dhe përgatitja e korridorit kryesor pritje të popullatës së pambrojtur, ku kishim planifikuar daljen në Breg te Bunës në katundin e Reçit dhe Shën-Gjergj, ku do priteshin të përndjekurit nga Ulqini përmes dy rrugëve, asaj që vjen nga Shtoji dhe nga ajo e Zogajve të Ulqinit. Për korridorin në fjalë është botuar edhe një artikull në gazetat gjermane një vit më vonë, me 17 Qershor 1999 në gazetën “Rhein-Pfalz” me titull: ”Immer in Bewegun Bleiben”- (Gjithmonë qëndro në lëvizje”), pra, para 20 viteve.

Image
Mikut gjerman, z.Bardens duke i dhënë librin mbi masakrat serbe në Kosovë, 2000.

Për këtë aksion bëmë edhe një plan të detajuar në Mars të vitit 1988 me komandantin, tani dëshmor, Fehmi Lladrovcin në shtëpinë e drenicasit Beqir Rama në para lagjen Ogersheim-Ludwigshafen, deri në ora 06 të mëngjesit, pas një takimi që kishim një natë më parë me bashkëkombësit tanë në Mannheim, në klubin “Dardania”. Takimin e kryesonte veprimtari i shquar Begzat Gashi, derisa në panel ishim; Fehmi Lladrovci nga Lëvizja, Rasim Sadiku nga Lidhja Demokratike dhe unë-Nikollë Shabani nga asociacioni i intelektualëve (BISHM) dhe si përfaqësues i shtabit të Emergjencës për Ludwigshafen. Në atë kohë ishin të pakët ata që dilnin të flisnin para masës shqiptare në mërgatë, ngase i tërë aktiviteti ishte i koordinuar me Shtabin e UÇK-së në Kosovë. Në takimin e cekur më lartë, i cili ishte i mbyllur dhe i cili zgjati deri në ora 06 të mëngjesit u caktuan edhe dy bashkë kryesues me mua për territorin e rrezikuar, Ulqin-Tivar-Malësi/Tuz, Rasim Sadiku, bashkëveprimtar dhe shok i jetës i Hamëz Jasharit, i dashtun i veçantë i bacit Shaban si dhe i dërguari i parë nga Kosova në vitin 1991 për të marrë armatim në Kroaci tek gjenerali Tomë Berisha, dhe Ejup Murseli, pjesëtar i grupit të parë i cili ushtarakisht u stërvit në Shqipëri dhe ishte në grupin stërvitës bashkë me komandantin legjendar Adem Jasharin, të cilët nuk u dërguan në luftimet e Kosovës, por u autorizuan për veprime në këtë trevë, derisa për Kosovën bënim regrutimin e ushtarëve në Gjermani, në koordinim me shtabet qendrore të UÇK-së. Po ashtu, kyçja jonë ishte aktive në regrutimet që u bënë në Shtutgart në klubin “Aleksandër Mojsiu”, ku organizimin kryesor e bënte kryesia e Asociacionit tonë të Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë në Mërgim (BISHM).

Image
Kryesia e BISHM-it

Ne shqiptarët i vlerësojmë lartë miqtë tanë përherë, Malazezët e dinë se 100 vite shtetësi i humbën kur mbreti Krajl Nikolla deshi ta merrte me çdo kusht Shkodrën dhe përfundoi në ekzil të përjetshëm derisa vdiq në Francë. Politika e dikurshme malazeze, besojmë se sot i takon të kaluarës, andaj duhet kuptuar se shqiptarët sot respektojnë veten dhe sakrificën e të parëve të tyre maksimalisht, sepse historia e të kaluarës na ka mbështetur me shpinë për muri dhe në të ardhmen nuk do zmbrapsemi më. Duhet të ecim vetëm përpara. Siç e thashë më sipër, shqiptarët sot në MZ duhet të përkrahën në mënyrë që të pozicionohen drejt kundrejt politikës së Malit të Zi, ta trajtojnë në mënyrë të duhur autoktoninë e tyre në trevat e tyre shekullore, te përqendrohen me krejt vlerat përkatëse të cilat e çrrënjosin nga statusi i popullit pakicë në MZ, si dhe të kenë tretman të barabartë me malazezët brenda këtij shteti. Në të kundërtën gjithmonë do dominojë paqartësia e cila mund të çojë në ndonjë veprim krejt të skajshëm.

Më gëzon pa masë fakti se ngritja e flamurit të UÇK-së në Tuz u bë në ditët e Marsit, kur Epopeja e luftës së UÇK-së në Prekaz festohej këtë vit me emblemën e ushtrisë së Republikës së Kosovës!

Image
Prekaz, qershor 1999, një dhuratë për ciceronin.

Po u ofroj për lexuesit një informatë të Republikës së Kosovës – nga Ministria për Informim e 05 Marsi të vitit 1988, meqenëse personalisht nga Kosova i pranoja këto informata që t’i njoftoja shqiptarët në mbledhjet e shtabit të emergjencës në Landin Rhein-Pfalz, ku isha kryetar i këtij shtabi (udhëzimet i merrnim nga shtabi qendror në Bonn), dhe për sqarime të veçanta kontaktonim ministrin e Mërgatës, Dr. Mujë Rugova, me të cilin kemi bashkëpunuar për shumë veprime strategjike me të cilat e ndihmonim direkt në front Ushtrinë çlirimtare.

Këtë dekret informativ mbi gjendjen në Drenicë dhe mbarë Kosovën nga ngjarjet e Marsit 1988, ia dedikoj si shenjë kujtese Malësisë dhe Tuzit, tërë shqiptarëve në Pellgun Verior të Shkodrës, me porosinë, se në vitet e luftës çlirimtare në Kosovë, ishte i gjithë kombi shqiptar me juve, o Malësi e madhe! Vendasve të mi iu dëshiroj suksese të pafundme në jetë, duke iu premtuar mbështetje të plotë nga potenciali i mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropën perëndimore. Planifikojmë që së shpejti t’i bëjmë një vizitë Malësisë, ashtu siç e bëmë në vitin 2011 në Deçiç me delegacionin nga Drenica, i kryesuar nga Murat Jashari. Po ashtu, edhe kësaj radhe po akordohemi me Isa Shalën në Kosovë dhe me deputetin Vasel Sinishtaj nga Tuzi, për një vizitë të ngjashme në Malësi. 

Image
Delegacioni nga Drenica tek Kulla e Dedë Gjon Lulit me 2011 erdhi fundi masakrave ndaj shqiptarëve, më në fund edhe në Malësi, aty ku u ngrit Flamuri i parë shqiptar nga trimat e Dedë Gjon Lulit, qe pas kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Lavdi dëshmorëve të kombit!

Lexoni dekretin Informativ të 5 Marsit 1988:

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat