Qelaj jep shifra alarmante: 38 gra u vranë brenda 10 viteve  

Intervista

Qelaj jep shifra alarmante: 38 gra u vranë brenda 10 viteve  

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 mars 2019 Në ora: 15:30
Naim Qelaj

Në një intervistë për gazetën “Bota sot, Naim Qelaj zëvendësministër i Drejtësisë dhe Koordinator Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ka thënë se pjesa më e madhe e viktimave të dhunës janë gra, pastaj janë fëmijë por ka edhe burra.

Ai ka pohuar se dhuna në familje mund të fillojë nga dhuna psikologjike e mund të vazhdojë deri tek veprat penale më të rënda siç është privimi nga jeta. Sipas tij, 38 gra janë vrarë në 10 vitet e fundit.

Ato kanë qenë viktima të dhunës në familje, të vrara nga anëtari i familjes.

“Bota sot”: Cili është roli juaj si Koordinator Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, sepse opinioni nuk është i njoftuar për rolin e kësaj pozite?

Qelaj: Para se të përgjigjem në këtë pyetje më duhet të them se dhuna në familje është një dukuri që paraqet shqetësim global, padyshim që kjo dukuri është shqetësuese edhe për Kosovën. Fakti se numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje po rritet nga viti në vit shpërfaq të gjitha aspektet negative që ka kjo dukuri në shoqërinë tonë, e që ka paraqit nevojë të krijohen mekanizma institucional dhe infrastrukturë ligjore për parandalim, luftim të kësaj dukurie e gjithashtu mbrojtje dhe ri integrim për viktimat. Në këtë aspekt është parashikuar pozita e Koordinatorit Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, të cilën e bartë zëvendësministri i drejtësisë, që udhëheq dhe koordinon Grupin ndërministrorë për mbrojtje nga dhuna në familje, të formuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe monitoron zbatimin e Strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje.

“Bota sot”: A ka dhunë në familjet e Kosovës? Sepse ju thatë se numri i rasteve të raportuara është shqetësues?

Qelaj : Dhuna në familje ka qenë prezentë në Kosovë gjatë gjithë kohës por ajo nuk është raportuar. Kjo dukuri e keqe e shoqërisë nuk mund të luftohet pa raportim në institucionet kompetente që kanë për obligim ligjor të ndërmarrin masa përkatëse. Ajo që po them unë, është fakti se bazuar në raportet e agjencive që trajtojnë rastet e dhunës në familje, prezenca e dhunës në familje është shqetësuese. Vetëm gjatë vitit 2018 janë raportuar 1541 raste të dhunës në familje, rreth 300 raste më shumë se në vitin 2017. Ndërsa rritja e numrin të rasteve të raportuara nuk është vetëm indeks që matë prezencën e dhunës, por në të njëjtën kohë është tregues edhe i ngritjes së vetëdijes në përgjithësi në shoqërinë tonë që dhuna duhet të raportohet dhe padyshim është tregues i besimit që viktimat kanë në institucione. Ngritja e vetëdijes shoqërore, rritja e besimit tek institucionet, raportimi i dhunës, zbatimi efikas i ligjit dhe procedurave në këto raste ndikon jo vetëm në parandalim të dhunës por eviton edhe rastet që fatkeqësisht mund të përfundojnë me pasoja shumë të rënda.

“Bota sot”: A lidhen rastet e dhunës në familje me ndonjë faktor të veçantë në Kosovë, pra a ka të bëjë me gjendjen ekonomike apo sociale, apo ndonjë faktor tjetër?

Qelaj: Dhuna në familje ushtrohet ndaj viktimave të ndjeshme dhe kategorive më të lehtë të cenueshme siç janë gratë, fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta. Pra, nëse kërkojmë faktor që ndikojnë në shkaqet që rrisin numrin e rasteve të dhunës në familje, mund të themi që janë shumë faktor dhe jo vetëm faktori ekonomik ose social, sepse një numër i madh i rasteve vijnë nga familjet që kanë kushte të mira ekonomike. Faktorë që ndikojnë në prezencën e dhunës në familje është edhe faktori edukativ e që më vonë pasqyrohet në mentalitet dhe botëkuptim të individit, pastaj paragjykimet dhe keqinterpretimet e dokeve zakonore duke lejuar mundësin që në raportet ndër njerëzorë në kuadër të një familje të ekzistojë pabarazi gjinore.

“Bota sot”: Viktima të dhunës në familje a janë vetëm gratë, apo edhe burrat?

Qelaj: Pjesa më e madhe e viktimave janë gra, pastaj janë fëmijë por ka edhe burra. Dhuna në familje mund të fillojë nga dhuna psikologjike e mund të vazhdojë deri tek veprat penale më të rënda siç është privimi nga jeta. Kam parasysh 38 gra të vrara, viktima të dhunës në familje, të vrara nga anëtari i familjes brenda këtyre 10 viteve dhe për viktima tjera, burra, që janë vrarë pikërisht për shkaqe familjare, por që nuk kemi një raport zyrtar për numrin e tyre, në mungesë të raportimeve të ndara në gjini, sa i përket rasteve të gjykuara, për të cilat unë mund të flas.

“Bota sot”: Ku gjejnë përkrahje këto viktima?

Qelaj: Dhuna në familje sot në gjithë botën trajtohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Prandaj Republika e Kosovës ka krijuar mekanizma dhe ka hartuar ligje që ofrojnë mbështetje dhe trajtojnë këto raste. Institucioni i parë që viktima i drejtohet për ndihmë është policia dhe në vazhdim të procedurës janë një i madh i institucioneve që janë të përfshira në procedurë të një rasti të dhunës në familje.

“Bota sot”: A po e kryejnë këto institucione gjithmonë punën e vetë si duhet, kujto këtu rastin e fundit në Drenas?

Qelaj: Rastet të cilave ju iu referuat janë në proces të hetimeve prandaj unë nuk dua të paragjykojë dhe të jap qëndrimin tim para se këto procedura të përfundojnë. Megjithatë, dua ta keni të qartë se, përgjegjësia institucionale i bartësve të pozitave publike nuk është vetëm të reagojnë duke “dënuar publikisht “këto raste, duke reaguar pasi ndodhin rastet ose pasojat, sepse është përgjegjësi e tyre të veprojnë dhe marrin masa të cilat parandalojnë rastet e tilla duke identifikuar mangësitë e funksionit të institucioneve që udhëheqin, të marrin masa konkrete që në të ardhmen të mos ndodhin ngjarje të tilla.

“Bota sot”: A po aludoni në deklaratat e bartësve të institucioneve pas publikimit të rasteve të vrasjes së Valbonës dhe vajzës së saj në Gjakovë apo rastin e të miturit në rajonin e Kamenicës që u vra nga babai i tij?

Qelaj: Po pikërisht për këto deklarata po flas, por dhe të tjera. Sepse deklarata e tilla janë popullsite dhe efekti i tyre është vetëm për imazh publik, por në fakt nuk është se pas këtyre deklaratave janë ndërmarr veprime për të parandaluar rastet e tilla në të ardhmen. Nuk mjafton vetëm të shkarkohet një zyrtar ose të arrestohet kryerësi , sepse në rastet kur pasoja ka ardhur për shkak të lëshimeve nga zyrtarët e institucioneve, përveç masave të domosdoshme që përcakton ligji, duhet të bëhet një vlerësim i plotë i faktorëve që kanë sjellë deri të këto lëshime, e pastaj të ndërhyhet për përmirësimin në zbatimit të ligjit dhe procedurave. Pra, është e nevojshme që të mbrohet institucionin nga lëshimet e individëve e ato duhet të jenë masa të rrepta të përgjegjësisë në punë por dhe masa të kontrollit.

“Bota sot”: Duke qenë pjesë e institucioneve, a mendoni se kjo deklaratë e juaja do të merret si kritikë nga institucionet?

Qelaj: Shteti ka për obligim të ofrojë siguri për secilin qytetar të tij. Prandaj aktet abuzive me detyrën para se të dënohen duhet të parandalohen. Me vetë faktin se këto veprime nuk po godasin vetëm viktimat që padyshim janë pjesa më e dhimbshme në këto raste, por po godasin edhe vetë institucionet. Prandaj dhe qëndrimi im është në koherencë me mbrojtjen e institucioneve nga aktet abuzive të individëve.

“Bota sot”: Sa është punuar në Kosovë për hartimin e infrastrukturës ligjore për këto raste?

Qelaj: Ajo që kam vërejt nga një periudhë e shkurtër kohore, se në janar është bërë një viti i angazhimit tim në këtë post, është që institucionet tona kanë marr obligime, përgjegjësi dhe detyra që janë përtej mundësive dhe kapaciteteve për t`i realizuar. Edhe pse kjo është bërë me vullnet dhe qëllim të mirë ka ndikuar që Kosova sot vlerësohet si një vend me infrastrukturë të mirë ligjore por që ka ngecje në zbatim të ligjit. Kur thash, infrastruktura ligjore është mirë, me duhet të shtojë se ky qëndrim është theksuar edhe nga Bashkësia ndërkombëtare në të gjitha raportet për vendin. Ka qenë angazhim ynë institucional i mbështetur nga Agjencitë ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë të harmonizohet legjislacioni me atë të BE dhe vendeve më demokratike, në këtë kuadër edhe i mekanizmave që zbatojnë ligjin duke iu përafruar kushteve që kërkohen për shtetet nga Konventa e Stambollit.

“Bota sot”: Çka keni bërë ju konkretisht në mbështetjen për viktimat?

Qelaj: Ajo që mund të them është se nuk kemi bërë mjaftueshëm, është ri integrimi i tyre dhe fuqizimin ekonomik i viktimave. Kjo në mungesë të kapaciteteve për të plotësuar nevojat dhe kërkesat që ato kanë e që në këtë drejtim. Prandaj këtë vit kam planifikuar që në kuadër të autorizimeve që kam të mobilizojë të gjitha institucionet për zbatimin e Strategjitë kombëtare për mbrojte nga dhuna në familje, në përmbushje të detyrave që dalin për ri integrim dhe fuqizim ekonomikë të viktimave. Për ndryshe qëndrojmë shumë mirë sa i përket parandalimit dhe vetëdijesimit, mbrojtjes dhe koordinimit si dhe hetimit dhe procedimit të rasteve në gjykata, kjo si rezultat i qasjes shumë serioze dhe me përkushtim nga ana e policisë, që janë institucioni i parë ku raportohen rastet, pastaj mbrojtësit e viktimave, prokuroria dhe gjykata.

“Bota sot”: A keni statistika të sakta për numrin e rasteve, natyrën, trajtimin e tyre dhe të dhëna tjera relevante për rastet e dhunës në familje?

Qelaj: Në janar të këtij vitit në bashkëpunim dhe mbështetje me zyrën e BE dhe agjencive të Kombeve të bashkuara kemi funksionalizuar Bazën e Integruar e të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje. Përndryshe, deri në fund të vitit 2018 statistikat kanë qenë jo mirë të koordinuara, shpesh herë kontradiktore me njëra tjetrën që kanë paraqitë pasqyrë jo reale sa i përket numrit të rasteve të dhunës por edhe trajtimit të tyre, në publik. Krijimi i një Bazës së integruar i të dhënave për rastet e dhunës në familje, është kërkesë e kamotshme. Kjo do i jep mundësi edhe informimit më cilësor për publikun, por në anën tjetër u mundëson institucioneve që të bëjnë një analizë dhe vlerësim më të detajuar të kësaj problematike.

“Bota sot”: Cilat janë rezultatet tuaja si Koordinator Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje?

Qelaj: Ajo që për dy dekada është krijuar si rezultat i angazhimit, sidomos i shoqërisë civile e që ka gjetur mbështetje dhe është përkrahur nga institucionet e vendit është një e arritur e madhe për shoqërinë tonë, kur i referohemi çështjes së të drejtave dhe lirive të njeriut e në këtë aspekt edhe qasjes që sot shoqëria jonë ka në luftimin e dhunës në familje. Prandaj, duke parë gjithë këtë angazhim, përkushtim, të arriturat e deritashme dhe duke shfrytëzuar vullnetin politik të qeverisë që përfaqësojë i kam dhënë qëllim vetës që krejt këto rezultate t’i konkretizojë me funksionalizimin e mekanizmave që zbatojnë politikat e hartuar për mbrojtje nga dhuna në familje. Gjatë vitit 2018 kemi arrit me vlerësuar përmes raportit zbatimin e Strategjitë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, kemi krijuar sistemin e bazës së integruar e të dhënave, kemi vazhduar konsolidimin e mekanizmave koordinues lokal dhe kemi arrit të adresojmë shumë çështje që kanë paraqit pengesë në zbatim të ligjit përmes iniciativa për ndryshimet ligjore. Ndërsa, sfidë për vitin 2019 mbetet fuqizimi e mekanizmave ligj zbatues përmes raportimit të rregullt dhe monitorimit të punës së tyre. Krejt çka mund të them në fund është që shoqëria jonë është në rrugë të mirë që të jetë vend lider në rajon sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Ky është një mesazh i qartë për viktimat që rastet t’i raportojnë dhe të kenë besim tek institucionet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat