Nuk ia zgjasim jetën kësaj qeverie, Korrigjimi i kufijve, zhbërje e shtetësisë së Kosovës

Intervista

Nuk ia zgjasim jetën kësaj qeverie, Korrigjimi i kufijve, zhbërje e shtetësisë së Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 mars 2019 Në ora: 07:15
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila gjatë intervistës për gazetën “Bota sot”

Alternativa nuk do t’ia zgjasë qeverisjen qeverisë Haradinaj. Kështu ka deklaruar kryetarja e partisë Alternativa për Kosovën, Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, duke thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sa i përket idesë për korrigjimin e kufijve, ajo ka thënë se realizimi i asaj ideje nënkupton zhbërje të shtetësisë së Kosovës dhe kthim në gjendje më të keqe se para vitit 1999. Ndërsa i përket çështjes së taksës, ajo thotë se nëse hiqet taksa duhet të dihet se çka vjen në vend të taksës në raport me Serbinë, e nëse kryeministri e heq taksën tani, Kusari-Lila ka vlerësuar se kjo tregon çështjen e presionit ndaj tij.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Mimoza Kusari-Lila: Gjendja aktuale me siguri është në nivelin më të ulët të mundshëm në kuptimin e asaj se cili është perceptimi i publikut dhe cila është marrja e përgjegjësisë për problemet të cilat e rëndojnë Kosovën. Mendoj se kemi një amullim shumë të madh të problemeve si të brendshmeve si të çështjeve fqinje, në këtë rast në dialogun me Serbinë dhe mungesë të përgjegjësisë totale të qeverisë. Nuk e besoj se në këtë periudhë të pasluftës kemi pasur qeverisje më të dobët dhe performancë më të dobët të qeverisjes dhe ikje nga përgjegjësitë të cilat i takojnë.

“Bota sot”: Taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës po kundërshtohet dhe po kërkohet të hiqet. Sipas jush a duhet të pezullohet taksa?

Mimoza Kusari-Lila: Problemi ose presioni për taksën ka ardhur më shumë si pasojë e mos menaxhimit të mirë të situatës nga fillimi. Se Serbia meriton sanksione dhe natyrisht që meriton një qasje një përballje të drejtpërdrejt  në raport me problemet dhe sfidat të cilat ata ia sjellin Kosovës por kjo qeveri prej vendosjes së taksës dhe formës si është shkruar vendimi e ka ekspozuar veten në presion ndërkombëtar e në veçanti atë të miqve, si rrjedhojë e mos përcaktimit të drejtë të kushteve për heqjen e taksës. Dhe tash jemi në këtë pikën që kemi një përkeqësim serioz të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ngritje d.m.th të kërkesave në vazhdimësi nga miqtë tjerë siç është Gjermania, dhe natyrisht një mungesë të koordinimit të brendshëm të faktorit vendor në vendimmarrje të cilin e kemi parë prej fillimit, d.m.th e kemi një koalicion i cili që në ditët e para të formimit të tij ka pasur thyerje, divergjenca në vendimmarrje dhe asnjëherë nuk kanë qenë unik në raport me çështjet kombëtare. Edhe tek taksa, prej garës se kush do ta merr përgjegjësinë ose e kujt ishte ideja në momentin kur taksa kishte një popullaritet të lartë, ku të gjithë u bënë ideatorë për taksën e deri tek pika që filluan të tërhiqen një nga një nga pozicionet dhe prapë të mungojë uniteti dhe të mungojë një ide e qartë se si të veprohet. Një reciprocitet duhet të ekzistojë me Serbinë, nëse Serbia e dëmton Kosovën, të njëjtat masa Kosova duhet t’i përdorë ndaj Serbisë. Tek rasti i taksës duhet të gjendet një konsensus në të cilin i përcakton fazat e menaxhimit të situatës me taksën, d.m.th nëse hiqet taksa, atëherë çka vendoset në vend të taksës dhe cilat janë masat që i rrinë karshi Serbisë për secilin problem të cilin ata e ngritin kur është rasti i Kosovës, prej diplomacisë së Kosovës ose lobimit negativ e deri tek problemet e tjera për moszbatim të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

“Bota sot”: Në Kosovë erdhi zyrtari amerikan David Hale, ku kryeministri u deklarua se është i gatshëm për vazhdim të dialogut dhe për tregti të lirë. Cili është komenti juaj për këtë?

Mimoza Kusari-Lila: Nuk i di detajet e takimit, se çka është diskutuar dhe për çka janë dakorduar palët. Por e di se mënyra se si është menaxhuar krejt situata ka treguar mungesë të vizionit por edhe qasje shtetformuese. D.m.th, kryeministri ka mbajtur një pozicion të mirëfilltë në aspektin e ruajtjes së integritetit territorial në pozicion të mirëfilltë, në raport me atë çka rrezikoi presidenti Thaçi.

“Bota sot”: Çka nëse hiqet taksa nga ana e kryeministrit, pas gjithë kësaj këmbëngulje që ka pasur deri tani?

Mimoza Kusari-Lila: Po nëse kryeministri e heq tash taksën e tregon se ka qenë çështje se sa mund të jetë i madh presioni ndaj tij dhe nuk e di se cili mund të jetë ai presion dhe që duhet të tregojë se cilët janë hapat tjerë që duhet t’i ndërmerr pa ardhur puna në njëfarë mënyrë që të disiplinohet ose të sillet një vendim nga presioni ndërkombëtar.

“Bota sot”: Kryeministri ka thënë se pa taksa nuk hiqet pa njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë. Sa është e rëndësishme njohja nga ana e Serbisë, derisa Serbia nuk ka kërkuar falje për viktimat e luftës?

Mimoza Kusari-Lila: Ka qenë një kontradiktë e drejtpërdrejtë këtu sepse të thuash jam i gatshëm për dialogun ndërsa nuk e heq taksën derisa të na njeh Serbia është kontradiktë. E para është se dialogu është mbajtur që të vihet në një pikë që Serbia e njeh Kosovën. Pastaj, nëse e ke taksën si mekanizëm për të na njohur Serbia, nuk ka fare nevojë për dialog për arsye se pastaj i diskuton çështje tjera pas njohjes së ndërsjellë ndaj njëra tjetrës, prandaj këtu ka qenë kontradikta e Haradinajt. Ndërsa për njohje të Serbisë të them të drejtën janë shumë çështje që kanë munguar për tu diskutuar në dialog dhe përveç njohjes që është njëra nga ato, mund të jenë dëmet e luftës, çështjet e kthimit të pronës që Kosova ka mbetur në disa raste në Serbi siç janë asetet e ndërmarrjeve tona që janë në Serbi, pastaj janë humbjet që janë bërë, vjedhja e fondit penzional të Kosovës, në kohën e represionit të Millosheviqit, ku asnjëherë nuk është kërkuar falje, por përpos kërkim faljes janë edhe gratë e dhunuara gjatë luftës dhe pastaj pagesa që duhet të bëhet për këto krime dhe për këto dëme që janë për ndaj popullatës së Kosovës dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar ne në një mënyrë ose tjetër një qasje të delegacionit kosovar në raport me këto tema. Dhe krejt në fund, përpos humbjes në asete që i ka bërë Serbia Kosovës duke shkatërruar e bombarduar, edhe humbjet që kemi pasur pastaj në ekonomi, pasi na i kanë humbur tregjet, punëtorët që kanë mbetur pa punë për shumë e shumë vite. Duhet llogaritur të gjitha këto dëme që Serbia duhet t’ia kompensojë Kosovës.

“Bota sot”: Sa mendoni se është i vlefshëm Ekipi Negociator dhe Platforma e tyre për dialogun, derisa dialogu udhëhiqet nga presidenti i vendit?

Mimoza Kusari-Lila: Fatkeqësisht ekipi nuk arriti as për së afërmi të marrë ndonjë përgjegjësi ose kompetencë që e kishte presidenti deri tani. Në fakt ne patëm një bllokim të përgjithshëm të situatës por edhe çdo gjë që flitej ose diskutohej që ekipi më tepër të mbetej nën hijen e asaj që ka arritur presidenti deri tash, se sa ta zëvendësojë presidentin. Domethënë edhe vendet edhe BE kur kanë përshëndetur formimin e Ekipit, kanë përmendur se rezultatet e negociatave të cilat i ka udhëhequr presidenti dhe angazhimi i ekipit, tregojnë një unitet të palës kosovare, që nuk ishte ideja këtu. Ideja fillestare kur është përmendur ekipi negociator ka qenë që të zëvendësohet presidenti dhe jo që t’i shtohet si mekanizëm ndihmës dhe tash me formimin aktual dhe në veçanti pa prezencën e dy partive opozitare kryesore, LDK dhe VV, dyshoj se mund të ketë rezultat dhe kredibilitet të përgjithshëm dhe aq më pak miratim në Kuvendin e Kosovës. Por edhe mënyra se si u menaxhua i tërë procesi, edhe Platforma, u soll në njëfarë mënyrë në Kuvend në mbrëmje që të thirrej një seancë në mëngjes, para pak ditësh, që d.m.th do të ndërhynte në seancën e rregullt që ishte rritur me 7 mars nga kryesia e Kuvendit. Domethënë vetë qasja e qeverisë, qasja e ekzekutivit në raport me dialogun është joserioze. Nuk mund të merren seriozisht nëse për një dokument të asaj rëndësie ata e trajtojnë në atë formë që e konsiderojnë se mund të përfundojë për një orë dhe e thërrasin seancën një orë përpara seancës së rregullt, që u pa me vështirësi të mëdha edhe në vota minimale kaloi pastaj, e votoi platformën.

“Bota sot”: Duke u bazuar në gjendjen aktuale për dialogun, sa mendon se brenda këtij viti mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë?

Mimoza Kusari-Lila: Temat janë shumë të gjera, shumë tema dhe nuk janë përfshirë dhe disponimi në Serbi dhe disponimi i krejt palës serbe po shihet se ka si të them pak gjasa ose janë shanset shumë të vogla që të ketë ndonjë rezultat çfarëdo. Është po e njëjta Serbi, nuk ka ndryshuar as në qasje, as në sjellje dhe mënyra se si ata i sjellin vendimet, po kjo Serbi të pritet se do të bëjë ndonjë kthesë dramatike me Kosovën është shumë vështirë e besueshme. Prandaj, shanset se viti 2019 mund të sjellë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që e përmbyll këtë kapitull janë shumë të vogla. Unë them se me atë çka po shohim, kur kemi problem konsensusi minimal politik brenda Kosovës, do të kemi problem më të madh të konsensusit të përgjithshëm me Serbinë.

“Bota sot”: Jeni pro apo kundër korrigjimit të kufijve, idesë së presidentit?

Mimoza Kusari-Lila: Kjo ide do të ishte fatale për Kosovën. Korrigjimi i kufijve në vete në bazë të vijave etnike do të ishte hiq më pak se zhbërje e shtetësisë së Kosovës dhe siç e kemi parë ka rrezikuar edhe njohjet e Kosovës, vetë hapja e temës ka rrezikuar njohjet dhe ka ulur numrin e njohjeve. Lëre më të kishte një finalizim të marrëveshjes, do ta kthente Kosovën ndoshta më keq se në vitin 1999, pas hyrjes së forcave ndërkombëtare dhe administrimit të UNMIK-ut, se diskutimi i temave dhe trajtimi i tyre në mënyrën si u bë, ishte me të vërtetë një kthim prapa dhe një dëm i parikuperueshëm për Kosovën. Do të ishte e vështirë e besueshme që do të kishte pasoja jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin e Ballkanit dhe do të lëvizeshin kufijtë dhe do të kishte konflikte të panevojshme në baza etnike në një kthim prapa ndoshta në periudhën e luftërave të Ballkanit.

“Bota sot”: Pse po mendoni se presidenti i ndërroi fjalët për idenë e korrigjimit të kufijve, pas vizitës të zyrtarëve amerikanë në Kosovë?

Mimoza Kusari-Lila: Presidenti ka manipuluar gjatë gjithë kohës me opinionin publik brenda Kosovës por edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ka manipuluar duke e prezantuar idenë si një ide e cila do të bënte zgjidhje dhe do të kishte mbështetje në Kosovë, d.m.th duke shkuar në kundërshti, e para me popullin e Kosovës dhe e dyta me të gjitha normat dhe vlerat por edhe ligjin ndërkombëtar. Presidenti nuk e di se cila ka qenë telashja e tij apo zori i tij që të hyjë në këto diskutime, por ky është një diskutim të cilin e kanë pasur të gjithë ideatorët që e kanë kundërshtuar vetë ekzistimin e shqiptarëve në Ballkan, kanë folur apo kanë trajtuar tema të definimit apo të ridefinimit të kufijve në baza etnike dhe natyrisht shkaktimin e problemeve dhe telasheve dhe natyrisht dhe të konflikteve në Ballkan.

“Bota sot”: Opozita, LDK dhe VV po kërkojnë zgjedhje të parakohshme. A duhet të shkojë vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme sipas jush?

Mimoza Kusari-Lila: Unë nuk mendoj se sa janë partitë të gatshme, por mendoj se interesi i vendit është që vendi të shkojë në zgjedhje. Kjo qeveri e ka arritur fundin e asaj se çfarë mund të performojë një qeveri, duke treguar mungesë të përgjegjësisë, të të angazhimit, të divizonit, strategjisë, rrezikim të vendit e tashmë edhe me krizë financiare dhe ekonomike dhe konsideroj se kësaj qeverisje duhet t’i vije fundi sa më shpejt. Se sa është gati Alternativa është pak e rëndësishme se sa është e rëndësishme që të ndërrohet kursi i rrjedhës apo jetës institucionale në Kosovë. Ndërsa, natyrisht nëse thirren zgjedhjet, jemi gati të shkojmë në zgjedhje.

“Bota sot”: Jeni përmendur për të qenë në udhëheqje gjithëpërfshirëse. A do të ishit e gatshme ta bënit këtë?

Mimoza Kusari-Lila: Është shumë e vështirë të mendosh apo të besosh se këta do të mund të pajtoheshin për një qeveri gjithëpërfshirëse kur s’po mund të arrijnë marrëveshje për shumë gjëra të rëndësishme dhe me peshë për kohën. Prandaj, për mua prej fillimit kur është përmendur si ide, më është dukur pak e besueshme se mes këtyre njerëzve mund të ketë dakordim për çfarëdo. Unë jam e gatshme që të marr përgjegjësi por në bazë të vullnetit dhe votës së qytetarëve, ne do të garojmë në zgjedhje bashkë me partitë tjera dhe pastaj në bazë të rezultatit marrim përgjegjësitë të cilat na takojnë, nga një proces demokratik dhe i mirëfilltë.

“Bota sot”: Cili është raporti me Ilir Dedën aktualisht? Sa ekziston mundësia që ai të largohet nga partia juaj?

Mimoza Kusari-Lila: Ne kemi pasur diferenca në qasjen, mënyrën se a duhet të përfshihet Alternativa në Ekipin Negociator dhe aty ka qenë tërheqja e tij nga aktivitetet e partisë. Ai zyrtarisht është pjesë e Alternativës por në aspektin formal ose të funksionimit nuk ka qenë pjesë e mbledhjeve të kryesisë, në disa prej mbledhjeve të fundit ose nuk ka kontribuar. Gjithashtu dhe votimin në Kuvend e ka bërë në bazë të vullnetit të tij dhe jo në bazë të vendimeve të partisë. Por mendoj se është çështje e tij dhe organeve të partisë që të përcaktohen në raport me të, ndërsa në raport me përcaktimin e Alternativës ne jemi shumë të qartë, jemi parti opozitare, do të bëjmë maksimumin dhe do ta japim atë edhe në parlament, por edhe në jetën politike që të tregojmë se kësaj qeverisje duhet t’i vie fundi dhe në asnjë mënyrë nuk jemi të gatshëm t’ia zgjasim jetën qeverisjes Haradinaj.

“Bota sot”: Do të thotë, Ilir Deda nuk ka dhënë dorëheqje edhe pse nuk merr pjesë në mbledhje>?

Mimoza Kusari-Lila: Jo formalisht nuk ka dhënë dorëheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat