Gjini: “Makina” e presionit për heqjen e taksës karikohet nga disa individ brenda Kosovës

Intervista

Gjini: “Makina” e presionit për heqjen e taksës karikohet nga disa individ brenda Kosovës

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 16 mars 2019 Në ora: 20:22
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në intervistën për “Bota sot”, me gazetarin Kushtrim Maliqi

Kryetari i Komunës së Gjakovës dhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e konsideron si të susksshme punën e tij në këtë komunë, pas marrjes së mandatit në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ai ka theksuar se është duke u bërë një punë tepër intenzive e investimeve dhe bashkëpunimit të disa koncepteve të reja të zhvillimit në Gjakovë.

Po ashtu, Gjini ka folur rreth gjendjes aktuale politike në vend, si dialogun me Serbinë, taksën dhe idenë për ndryshimin e kufijve. Sipas tij, makina” e presionit mbi Kosovën për taksën 100%, karrikohet nga disa individ brenda Kosovës.

“Bota sot”: Kryetar, e keni marrë Komunën e Gjakovës nën udhëheqje, pas një mandati nga ana e Mimoza Kusarit, ndërkohë që para saj ka qenë bashkë-partiaku juaj Pal Lekaj. Si e keni gjetur ju Komunën e Gjakovës, kur keni ardhur si i pari i saj?

Ardian Gjini: Ka pasur mungesë të investimeve për një kohë të gjatë në Gjakovë, por në të njëjtën kohë ka pasur edhe elemente të mungesës së vizionit, d.m.th ka funksionuar le të ndodhë çka të ndodhë. Më tepër kjo kohë deri sot ka qenë një periudhë riparimi, jo zhvillimi. Nuk kemi parë asnjë element infrastrukturorë, qoftë në aspektin social apo ekonomik, e kemi pas një periudhë të gjatë, që kur në Gjakovë vetëm është riparuar ajo që ka mbetur e pa përfunduar nga e kaluara. Në ato rrethana në të cilat është zhvillu puna, edhe vullneti i njerëzve për me punuar më shumë bie. Tash, e kemi një punë tepër intenzive e investimeve dhe bashkëpunimit të disa koncepteve të reja, të zhvillimit në Gjakovë. Mendoj që jemi në një periudhë e cila ka me reflektuar gjatë.

“Bota sot”: Duke pas parasysh se në Republikën e Kosovës buxheti i Komunave është i vogël, nënkupton që suksesi i një kryetari komune varet edhe nga raporti i kryetarit të komunës me institucionet qendrore, me qeverinë. Nëse kemi parasysh këtu se ju përpos që e keni bashkëpartiakë kryeministrin Haradinaj, ju njiheni gjithashtu edhe si i afërt personal me kryeministrin, sa po ju ndihmon ky fakt?

Ardian Gjini: Absolutisht na shërben, tani në këtë periudhë të qeverisjes Haradinaj, Gjakova e ka pasur fluksin më të madh të investimeve në 30 apo 40 vitet e fundit. Shumë gjatë nuk ka pasur investime në Gjakovë as në infrastrukturë, e as në aspekte tjera. Janë disa vendime të mëdha e të vlefshme për Gjakovën, por jo vetëm për Gjakovën, por për të gjithë rrafshin e Dukagjinit e për krejt Kosovën. Siç është rasti i Zonës Ekonomike Amerikane, që është vendim i qeverisë së vitit të kaluar e që shpresojmë që sivjet të operacionalizohet. Kemi vendime të mëdha në infrastrukturë, kemi vendime të mëdha edhe në aspektet tjera zhvillimore, si sport për shembull e kemi buxhetin e stadiumit. Pra, definitivishtë është shumë pozitive dhe e mirëseardhur, nëse qeveria është e disponuar me ndihmuar një komunë. Duhet ti sqarojmë pak gjëra, nuk mund të themi se Komuna e Gjakovës është e privilegjuar, në asnjë mënyrë, por, Gjakova është sjellë në nivel të barabartë me komuna tjera, diku që prej vitit 1988, në Komunën e Gjakovës nuk ka pasur asnjë projekt të madh infrastrukturorë, asnjë. Tani kemi, po punohet në qarkore, në stadium etj, por përpos tek komunat, është jetike me pas mbështetjen e qeverisë, sepse qeveria e ka buxhetin.

Ne kemi arritur me i realizu të hyrat vetanake në 117%, diku 23-4 % më shumë se vitin paraprak, në vitin 2018 më shumë se 2017, është hera e parë që ndodh në komunën e Gjakovës. E kemi ndryshuar raportin e buxhetit për sa i përketë shpenzimeve kapitale, e kemi sjellë mbi 30%, kurrë nuk ka qenë kaq i lartë, do të thotë se edhe vetëm investime vetanake kemi arritur me pas diku gati 9 milion euro, sivjet në vitin 2019. Në anën tjetër tepër interesante janë,disa veprime tjera qe i kam ndërrmarrë, si për shembull, me anë të disa veprimeve të mia, komuna e Gjakovës është shpallur komuna më transparente në Republikën e Kosovës, me anë të publikimit të dokumentacionit, raporteve periodike, e me të gjitha. Kemi qenë më të mirët edhe në aksionin ta pastrojmë Kosovën, kemi ndër prokurimet më të mira në Kosovë, e kemi pasur të pastër procesin e prokurimit edhe pse vëllimin e prokurimit e kemi rritur 100%, për me shpjeguar këtë është shumë e thjeshtë. Pesë milion ka qenë vëllimi i prokurimit në vitin 2017, gati 11 milion ka arritur në vitin 2018, e sivjet shkon edhe më lartë. Do të thotë se ka shumë elemente që një qeverisje, apo komunës i japin energji të re, të cilat ne i kemi ndërmarrë.

“Bota sot”: Gjatë fushatës për kryetarë Komune, kemi pasur shumë kritika për paraardhësen tuaj, cilat kanë qenë ata hapat të cilat i keni pasur më emergjent, për të bërë diçka ndryshe nga ish-kryetarja Mimoza Kusari?

Ardian Gjini: Prej gabimeve të mëdha fillestare që kanë ndodhë ka qenë se qeverisja e kalume i ka ndërpre të gjitha projektet të cilat i ka trashëguat nga qeverisja paraprake, d.m.th prej qeverisë Lekaj. Mendoj që ky ka qenë gabim serioz, e që i ka kushtuar vetë qeverisjes 4 vjeçare paraprake. Ajo që kam bë unë që me i vazhdu të gjitha projektet që kanë mbetë, mos me i lënë varrë, mos me i ndërpre asnjë prej projekteve që kanë ekzistuar, ato të prokurime e të kontraktume i kemi vazhduar, më tepër se gjysmën e atyre që kanë mbetur i kemi përfunduar për një vit. Në të njëjtën kohë kemi arritur me paguar në vlerë të pastër monetare rreth 2,5 milion euro borxhe. Të njëjtën kohë e kemi nisur një proces të nisur për të marrë kredi për qarkoren dhe për hyrje dalje, që ka qenë një barrë e madhe për Komunën e Gjakovës, tani në vend se me marrë kredi, ato punë po i kryejmë me para të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ashtu qysh i ka kryer secili qytet i kësaj Republike. Ka qenë jo e logjikshme që Gjakova me qenë i vetmi qytet në Kosovë që për rrugë kryesore, që kanë karakter nacional të merr kredi, ndërkohë që në të gjitha komunat tjera janë kryer pa kredi. Sivjet i nisim edhe tri segmente tjera të qarkores, po e përmbyllim infrastrukturën e madhe pa pas nevojë me marrë kredi, në të njëjtën kohë e kemi kryer segmentin e parë të shëtitores së lumit Krena, sivjet e kryejmë edhe segmentin e dytë, i cili është tri herë më i gjatë se pjesa e parë, kemi arritur të bëjmë një gjë të tillë sepse kemi pasur buxhet shtesë, e ai vjen me anë të të hyrave vetanake shtesë, do të thotë se i kemi tejkalu të hyrat me pothuajse 800 mijë euro, që na kanë bë me u ndje shumë komod me buxhetin tonë.

“Bota sot”: Me gjithë këto rezultate të cilat i cekët, si kryetarë i komunës së Gjakovës, si e shihni gjendjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në terren?

Ardian Gjini: Tashmë të gjithë po e dinë, Aleanca po rritet fuqishëm edhe në sondazhe edhe në të gjitha llojet e matjeve të cilat janë bë kohëve të fundit, të cilat nuk i kemi bërë ne, por të tjerët. Në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se AAK i ka fituar zgjedhjet komunale në shtatë komuna, komuna e 8 për pak s`është arritur. Do të thotë se e kemi një fuqi edhe në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Qeverisja Haradinaj, ka lënë disa gjurmë shumë të mëdha pozitive për Kosovën vetëm për një vit qeverisje, siç janë disa çështje të cilat kanë qenë zvarrë për vite me radhë, janë kryer brenda një viti, duhet me e cek këtu po se po ushtrinë, e cila është meritë e drejtpërdrejtë e kryeministrit Haradinaj, sigurisht se edhe e tjerëve, por praktikisht pjesën dërrmuese të punës e ka kryer vetë kryeministri, ligjin për Prishtinën i cili pothuajse për një dekadë ka mbetur duke u zvarritur prej zyrës në zyrë, ligji për pagat, sado që mundet me pas defekte të cilat duhet me u përmirsu, prapë është një avancim jashtëzakonisht i madhe në krahasim me gjendjen të cilin e kemi pas para se ta kemi këtë ligj, dallon si nata me ditën. Është hera e parë kur Kosova po i përdorë levat e veta si shtet, ta marrim si shembull taksën, përkundër kritikave, përkundër presionit, për herë të parë dikush duhet me ardhë me i thënë Kosovës, mos bë kështu ose bë kështu për shkak të një vendimi sovran. Serbia ka filluar me e pa që ne marrim vendime sovrane dhe nuk jemi një shtet që praktikisht pret në zyre se kush po vjen e çka me i kallxu me bo.

“Bota sot”: Duke pas parasysh që një pjesë të madhe të karrierës tuaj politike e keni zhvillu në qendër, në Prishtinë. Si e shihni nga pozita në të cilën jeni gjendjen aktuale politike në vend?

Ardian Gjini: Çfarëdo ndryshimi ose paralajmërimi i ndryshimeve përcillet me situata që mund të quhen apo të bashkëngjiten me një nervozizëm të shtuar, apo situata që mund të duken më kaotike, veç paralajmërimi i një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë, e aq më tepër paralajmërimi i ndonjë mundësie cilado coftë ajo për lëvizjen e kufijve, e ka rritur tensionin në Prishtinë. Mendoj që në këto rrethana është pak a shumë e pritshme, mirëpo shpresa ime është që institucionet qendrore e sidomos kuvendi, deputetët e Kosovës me mrri me pa përtej asaj çka mund të servohet për çdo ditë. Me pas një këndvështrim pak më të gjerë, me pa se ku mund të shkojnë proceset, me provuar me ia dhënë Kosovës një periudhë të shpejtë të të bërit të ligjeve, këto që i kemi përpara por edhe të një stabilitetit të llojit, që Kosova mos me u dukë e dobët, në krahasim me ndonjë oponent, apo vend i cili gjithmonë ka treguar armiqësi, pra Serbia, e cila vazhdon të sillet në mënyrë armiqësore. Kuvendi duhet me e marrë këtë rrol, mos me e bë veten me u dukë keq, pasi që kjo reflekton në të ardhmen e vendit, kjo s`ka të bëjë vetëm me atë nëse na po duam të bëjmë që një qeveri me u dukë më keq, këto janë çështje që ndodhin në demokraci, çdo opozitë provon që pushtetin me e qitë keq, por në këto rrethana me bo me u dukë keq gjithçka, po e lëndon Kosovën, si dhe mundësitë që ne i kemi për të ardhmen po i kufizojmë disi. Ky është njëfarë apeli i imi i cili mund ta kisha bë si një koleg i tyre për shtatë vite. Në të njëjtën kohë, partitë politike, gjithmonë bëhen gati për zgjedhje, por mendoj që nganjëherë duhet me pas kujdes, pasi që kostoja mundet me qenë më e madhe se sa që duket.

“Bota sot”: Kohëve të fundit, si rezultat i taksës por edhe disa vendimeve tjera jo aq të rëndësishme sa taksa, të paktën në opinion duket sikur kryeministri i vendit, bashkë partiaku juaj është në telashe serioze jo vetëm në kuadër të koalicionit qeverisës, por edhe me ndërkombëtarët. Sa qëndrojnë këtë konstatime, apo opinione?

Ardian Gjini: Nuk mundet të quhet konflikt, ka mospajtime në lidhje me taksën, por besoni që presioni që vjen për heqjen e taksës, mbushet me karburant, karikohet prej Kosovës. Nëse Kosova kish me pas një politikë monolite sa i përket pozicioneve të veta kundrejt Serbisë, atëherë edhe presioni kish me qenë më i vogël, por kryeministri është jashtëzakonisht pastër i vetëdijshëm se ku është Kosova, ka vizionin e pastër se ku duhet me shku Kosova dhe nuk është dikush që e ndërron qëndrimin saherë që të fryejnë erërat. Kosova e njeh kryeministrin Haradinaj në të gjitha etapat e jetës së tij, edhe një herë po iu them se ky presion, kjo situatë besoni çka po iu them, mbushet me karburant kë Kosovë.

“Bota sot”: Të kthehemi edhe pak tek taksa 100%. Është kjo tema më aktuale në vend, për shkak të së cilës, opinionin në Kosovë çdo ditë e zbardhë mëngjesi me pikëpyetjen nëse do ta zë terri qeverinë aktuale. Ju personalisht si e vlerësoni taksën 100% për mallrat serbe dhe ato të Bosnjës, cili do të ishte ai presioni i cili do ta bënte kryeministrin Haradinaj të largohej taksa?

Ardian Gjini: Kur iu thash që presioni nga jashtë për taksën është i mbushur, apo i karikuar nga brenda, nga Kosova, mendova pak a shumë edhe këtë që ju e bëni si pyetje. Ne kemi lejuar që Kosovës me iu bë presion. Kosova ka laju. Institucionet tona kanë leja, debati jonë i brendshëm ka lejuar që presioni me ardhë tek ne, në këtë rast Kosova e ka marrë një vendim të pastër e sovran, vendime të tilla ka marrë edhe Serbia, nuk na i njeh tabelat, na vjedhë energjinë, nuk i lejon fëmijët në Preshevë me mësu me libra shqip, do të thotë ata i kanë marrë vendimet e veta që janë jashtëzakonisht të padrejta, jo njerëzore në fund të fundit, e nuk iu është bërë presion. Kurse ne marrim një vendim, themi se nuk po dojm me të leju që në tregun e Kosovës, mos me i sill sikur të ishte treg i saj, ne vendosim për tregun tonë, pastaj i gjithë presioni kthehet kah Kosova, pasi që ne kemi leju. Për 20 vite pas luftës, mos të flasim para lufte, Serbia e ka konsideruar Kosovën treg të vetin, sikur me qenë treg i brendshëm i saj, gjithçka shlirë, në të njëjtën kohë na ka dëmtuar në të gjitha aspektet e mundshme ku ka pasur mundësi. Në fund të fundit ne e marrim një vendim i cili ka të bëjë me tregun tonë, i cili në mënyrë absolute është sovran. Pse kemi lejuar kështu, të gjitha ata që kanë lejuar me ndodhë kjo, e që kanë lobuar me na u bë presion për taksën, le ta pyesin veten, sepse kanë gabuar rëndë.

“Bota sot”: Pas gjithë këtyre gjërave që i diskutuam, a i konvenojnë AAK-së zgjedhjet?

Ardian Gjini: Nëse dikush mendon nëse AAK-së i konvenojnë zgjedhjet ose jo, sa për me marrë vota, nëse kalkulimi i pastër është vetëm vota, atëherë po. Por nëse kalkulimin e bëjmë pak më njerëzorë, atëherë zgjedhjet nuk i konvenojnë askujt, për shkak se vendin e qesim në situata jashtëzakonisht problematike, besomni. Ata që kanë përvojë në politikë, që e njohin politikën, që i shohin gjërat në shumë dimensione, e të cilat mund të japin nga një pasqyrë për secilin variant të mundshëm se çka dhe si mund të prodhohen situatat e reja. çdo vendim i ri e prodhon një situatë të re, pastaj ajo situatë e prodhon një tjetër, kush bën analiza e din që nuk është mirë për Kosovën me pas zgjedhje. Por, po e përsëris, nëse e kemi fjalën për vota, po për aleancën është më së miri që sa më shpejt me shkuar në zgjedhje.

“Bota sot”: Me që një kohë të gjatë, siç e thamë edhe më lartë, keni qenë në pozita të ndryshme si në parti ashtu edhe në institucione, a po ju pëlqen puna si kryetarë Komune?

Ardian Gjini: Kam qenë ministër, deputet, kam qenë këshilltarë i dy kryeministrave, kam mbajtë funksione të ndryshme në Prishtinë, por puna më kërkuese të cilën e kam pas deri sot është kjo që e kam tani, si kryetarë i Komunës. Ka shumë punë, kërkesa, okej edhe unë jam kërkues shumë për vetën, i nxjerri vetes punë shumë, krejt është në rregull, por në të njëjtën kohë ka satisfaksion të drejtpërdrejt. Ke punë me qytetarët, iu ndihmon qytetarëve, realizon projekte të cilat janë të prekshme, menjëhershme, e ka satisfaksionin e vet patjetër.

“Bota sot”: Edhe pse keni ende kohë, por a jeni të interesuar edhe për një mandat tjetër, apo do të mjaftoheni me këtë që po e vazhdoni?

Ardian Gjini: Nuk mund ta di tani. Mendoj që në parim, kryetarët e Komunave duhet me e lyp edhe mandatin e dytë, si parim. Arsyeja pse me e lyp mandatin e dytë është e dyfishtë, e para për me e mrri me bo diçka ma shumë, por e dyta dhe po ashtu e rëndësishme, është ajo me e vërtetu se a ka pëlqyeshmëri për mandatin e parë. Tash nuk mund të jap përgjigje në këtë gjë, pasi që nuk varet vetëm prej meje, varet prej shumë faktorëve, rrethanave, shumëçka është rreth kësaj teme, por në parim po.

“Bota sot”: Për fund, kryetar, meqë thamë se jeni person i afërt me kryeministrin Haradinaj, mund të ju pyes se pse nuk po bëhet më shumë për qytetarët e Preshevës? Në qeverinë e parë të Haradinajt, kemi pas një iniciativë për hapjen e një zyreje për qytetarët e atyre komunave në Kosovë, sot është harru kjo temë, pse s`po bëhet më shumë, nëse veç ka mundësi?

Ardian Gjini: Unë mendoj që kish me qenë ndihmesë e madhe për Preshevën, por ne duhet me pas kujdes se çka, çfarë shpresa rrisim tash. Kur ka qenë kryeministri Haradinaj për herë të parë kryeministër, mos harroni se kanë qenë rrethana krejt tjera, se kemi pas pavarësinë ne si Kosovë. Tash jemi në disa rrethana tjera, marrëdhëniet me Serbinë i kemi krejt tjera. Hapja e një zyreje në të ardhmen, me siguri se ish dashtë me qenë pjesë-pako e njohjes nga Serbia. Në këto rrethana, me siguri është e pamundur, por unë besoj që është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm e vizionarë i Kosovës, që në momentin që të kemi njohje reciproke, atëherë në atë pako të jetë edhe një zyre e Kosovës në Preshevë, e cila ka me i mbajtë lidhjet. Në fund të fundit ne jemi të ngjitur, çka do që ndodhë në aspektin politik, nuk i lëviz as fshatrat e as qytetin atje, ato aty kanë me mbetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat