Pas taksës 100%, Serbia ka humbur 150 milion euro eksporte në Kosovë - Bota Sot
Pas taksës 100%, Serbia ka humbur 150 milion euro eksporte në Kosovë

Intervista

Pas taksës 100%, Serbia ka humbur 150 milion euro eksporte në Kosovë

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 18 mars 2019 Në ora: 18:33
Agim Shahini

Në një intervistë për gazetën  “Bota Sot”, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka folur në përgjithësi për gjendjen ekonomike në vend, e me theks të veçantë pas vendosjes së taksës 100% nga ana e qeverisë. Ai, ka renditur pesë arsyet se pse ende në marketet tona vazhdojnë të jenë prezentë mallrat serbe. Ndër të tjera është edhe ajo se po keqpërdoren rregullat e CEFT-as, pasi që Serbia përmes Maqedonisë e Malit të Zi, po vazhdon të eksportojë e lirë në Kosovë.

Bota Sot:  Jemi në vitin 2019 dhe Kosova vazhdon të ngecë në disa fusha të ekonomisë, sidomos në atë të prodhimit të konsumit të brendshëm.  Si e shihni këtë situatë, cilat janë problemet e kësaj ngecje?

Agim Shahini:  Kosova mbetet një nga vendet në Ballkanin perëndimor si importuesit më të mëdhenj, nëse marrim dhe krahasojmë në bazë të popullatës. Ne importojmë më shumë se 90% të konsumit të brendshëm, mbi 10% eksportojmë, por si produkte të gatshme, jo më shumë se 3%. Hapësira për të orientuar investimin në Kosovë nga prodhimi janë shumë të mëdha, por edhe pengesat për të qenë prodhues në Kosovë janë shumë të mëdha. Vazhdimisht ka pasur tentime, vazhdimisht aleanca ka bërë presion (AKB), që të bëhen reforma, janë bërë disa,, por ende mbetet numri i vogël i bizneseve që tentojnë që të marrin apo që të zëvendësojnë prodhimet e huaja me të vendit për shkaqe të konkurencës së ashpër e cila vjen. Nëse marrim një krahasim me vendete tjera, në Republikën e Kosovës ka më së paku prodhues.

Një nga sektorët më të fuqishëm sipas hulumtimit të AKB mbetet sektori i tregtisë dhe shërbimeve, i ndërtimtarisë e ndërmjetësimeve. Në Kosovë mbetet prapë mbi 90% kompani individuale, kompani të cilat ende nuk kanë kulturë apo traditë të ortakërisë, do të thotë të jenë shumë aksionarë. Tregjet globale tash po kërkojnë që të bashkohen korporatat, për ti përballuar konkurrencës, tek ne ende ekziston ai trendi që vetë duam të ecim, e për këtë arsye ne kemi një trend negativ të ndërrmarrësisë në vend. Kemi trend negativ të investimeve të huaja në vendin tonë, gjithashtu kemi tred negativ të eksportit, të punësimit.

E vetmja të cilën ne e kemi pozitiv vitin e kaluara është që është rritur dëshira e shqiptarëve për ta lëshuar vendin.

Bota Sot: Sipas kësaj që po thoni, a do të thotë se Kosova është një vend konsumues, harxhues, ku ka vetëm konsumatorë, e jo prodhues?

Agim Shahini: Kosova eksporton mbi 3 miliardë e gjysmë euro para të gatshme për të importuar gjëra të ndryshme, mbetemi një ndër shpenzuesit më të mëdhenj të konsumit, të cilat pra importohen. Partnerët kryesorë nga të cilat importojmë është Bashkimi Europian, sa i përketë tregut të Evropës, ndërkohë që sa i përket vendeve të CEFT-as, është apo ka qenë deri vitin e kaluar Serbia, ku këtë vit nëse vazhdon taksa, sigurisht se do të jetë ndryshe. Ajo çka ka ndikuar shumë më shumë, është se vendi jonë ende ballafaqohet me konsum të prodhimeve të huaja.

Bota Sot: Nga i marrim paratë konsumatorët, duke pas parasysh që përmendët papunësinë në ngritje?

Agim Shahini: Nëse flasim për importet e përgjithshme, aty flasim për importet të përgjithshme që vjen gjithçka në Kosovë. Duke përfshi këtu edhe energjinë elektrike, të cilën prapë e paguajnë qytetarët, eksport i parasë llogaritet gjithashtu edhe investimi në autostrada, derivatet që kanë shumë përqindje të lartë të importit gjithashtu, po ashtu marrin përqindje të lartë edhe produktet me akcizë që vijnë në vend. E tash nga vijnë paratë, ndoshta mbi një miliardë euro, neve na vijnë nga diaspora, statistikat thonë se diku rreth 700 milion euro vijnë nga diaspora, ato që lënë gjurmë, por sigurisht se ato janë shumë më shumë, sepse ne kemi një diasporë që vijnë në sezonën e verës dhe vitit të ri dhe askush nuk din saktësisht se sa para sjellin ata. Ne e kemi bërë një analize se ku investohen shumica e atyre prurjeve dhe kemi përfunduar se në një shumicë të madhe investohen në patundshmëri, pak dikur rreth 15% prej tyre investohen në ndonjë biznes të cilët prapë janë të zhgënjyer, po ashtu ka edhe donacione tjera të ndryshme që sjellin mjete, e që ne pastaj prapë i kthejmë ato, duke importu mallra apo konsum.

Bota Sot: Thatë që paraja e diasporës kryesisht konsumohet apo harxhohet për konsum, apo gjëra apo shërbime familjare. Ju si AKB a keni realizuar ndonjë herë ndonjë strategji për ta orientuar diasporën se ku të investojnë?

Agim Shahini: Diaspora e vendit së fundi është duke menduar ta ndryshoj orientimin e investimeve, nga ajo në patundshmëri individuale, të shkohet në forma tjera, d.m.th nga ato dërgesat familjare të mendohet për investime të ndryshme kapitale. Mund të themi se ne pa diasporën nuk do të ishim këtu ku jemi, kontributi i tyre ka qenë para luftës gjatë luftës, në rindërtimin e Kosovës pas luftës, d.m.th tash në zhvillimin e saj dhe ne sipas një hulumtimi që ne e kemi bërë këtu në AKB, diaspora e Kosovës, që pas lufte e këndej ka sjellë më shumë se 15 miliardë dollarë në forma të ndryshme, si investime apo para të freskëta, ku këto janë infuzion për ekonominë e vendit. Kjo neve vazhdon të na mbajë gjallë ekonomikisht, por nëse ne vazhdojmë që këto mjete edhe tutje i përdorim për eksport si të gatshme, do të kemi vazhdimësi të kësaj gjendje. Kjo ka ndikuar sigurisht edhe në pasivizimin e shoqërisë, por gjithësi duhet ti falënderojmë që edhe sot vazhdojnë e na mbështesin në aspektin ekonomik.

Bota Sot:  Jemi në një situatë kur po bëhen gati katër muaj që nga vendosja e taksës 100% kundrejt Serbisë dhe Bosnjës, ju si AKB si e vlerësoni këtë veprim të qeverisë?

Agim Shahini: Aleanca Kosovare e Biznesit e ka mbështetur vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e taksës 100%, i kemi bërë dy hulumtime në këtë kohë, të dyja kanë rezultuar si pozitive për ekonominë e vendit por edhe për prodhuesit vendorë. Ekonomikisht dhe politikisht ka ndikuar negativisht për shtetin e Serbisë e cila vlerësojmë se gjatë kësaj periudhe pothuajse katër mujore, ajo ka humbur rreth 150 milion euro eksporte në vendin tonë. Ajo më së shumti është dëmtuar dhe gjithashtu duke u brengosur, pasi që ajo e dëshiron tregun e Kosovës, e dëshiron Kosovën e trazuar dhe lobimi i sajë ka bërë që tash, pas kësaj periudhe taksa të kthehet në kontra-efekt për vendin, presionet e faktorit ndërkombëtarë në Kosovë janë shtuar për heqjen e sajë dhe ne duhet të kërkojmë forma të ndryshme, të cilat nuk do ta sjellin taksën në kontra-efekt në integrimin e Kosovës, por të gjejmë alternativa të tjera që hap rrugën e dialogut, që hap rrugën e integrimit të Kosovës, dhe që kthehet i tërë orientimi i gabimeve dhe pengesave kah Serbia, e jo nga Kosova.

Serbisë po i konvenon tash së fundi politikisht taksa, për shkak se ata mendojnë më gjatë për arritjen e shtetit të tyre, se sa për ekonominë e vetë në kuptimin se ata edhe traditën e kanë që për shtet bëjnë apo humbin gjithçka, vetëm e vetëm ta kenë shtetin. Tash ata kanë arritur që pas 20 viteve faktorin ndërkombëtarë ta kthejnë kah vetja në kundërshtim me Kosovën, duke thënë se ata janë fajtorët pse po ngec dialogu. Ajo tash ka nxjerr edhe një kusht tjetër, ku thotë se pa u anual platforma e dialogut, ne nuk bisedojmë. Atyre gjithçka iu dhemb, por asnjëherë nuk duan të ulen e të bisedojnë për tema dhe të mbyllin njëherë e mirë çështjen e Kosovës, sepse ata i mbanë në pushtet kauza mbi Kosovën, ku kjo kauzë mendoj që së shpejti do të përfundon, sepse faktori ndërkombëtarë do ta mbyll çështjen e Kosovës. Ne kemi informacione që Bashkimi Evropian do të kërkon që çështja e shtetit të Kosovës të ngritët në nivel më të lartë, të shkon në Këshill të Sigurimit, e pastaj ai të merren me Kosovën, pasi që Bashkimi Europian nuk po ka mekanizëm dhe ka humb kredibilitetin për shkak të prononcimeve të njëanshme pro Serbe, e që janë përsëritur në disa raste. Tash ne duhet të presim, nuk duhet të ngutemi që me çdo kusht të hyjmë në dialog, pasi që e dimë se për dialogun Serbia është më në zor se ne, duhet të priten zgjedhjet që do të mbahen në muajin Maj, në parlamentin evropian dhe të shohim për ndryshimet që do të ndodhin. Do të ndryshon atje edhe atmosfera, e me siguri edhe në Kosovë e Serbi do të ndryshoj bindja, sidomos në Serbi pasi që atje kërkojnë mandatarë tjetër, e që nuk përjashtohet kjo mundësi edhe në Kosovë.

Bota Sot:  Ditëve të fundit, po qarkullojnë informacione se megjithatë Serbia dhe Bosnja, e sidomos Serbia kanë gjetur forma të reja me anë të së cilave po i fusin mallrat në Republikën e Kosovës. Njëra ndër to është ajo se po i ripaketojnë mallrat nëpër Maqedoni e Mal të Zi, sa janë të vërtetë këta zëra dhe si duhet të sillemi, pasi që çdo ditë vijnë ankesa nga qytetarët se edhe pas katër muajsh takse, marketet tona janë të mbushura me mallra serbe?

Agim Shahini:  Janë pesë arsye pse produktet serbe janë në Kosovë. Njëra është pasi që në ditën kur është marrë vendimi për taksën, në Republikën e Kosovës kanë ekzistuar mbi 34 milion euro mallra serbe, kanë qenë prezent. E dyta është që më pas qeveria e Kosovës mori vendim që të gjitha produktet që janë nëpër depot e marketeve apo nëpër dogana të zhdoganohen dhe të lejohen në treg, cka konsideroj se ka bërë mirë pasi që ato ish dashtë me u hudh, e që në këtë rast kishte me u dëmtu qytetari i Kosovës. E treta është se qytetarët serb e kanë të drejtën që pas çdo hyrje në vend ti kenë 175 euro produkte të Serbisë pa doganë, pra ata mund që gjatë tërë kohës të qarkullojnë, ti sjellin nga 175 euro mallra në Kosovë, e pastaj ato të shpërndahen nëpër markete të ndryshme.  E katërta është se vënia e flamujve pranë produkteve e ka rritur vetëdijen tek qytetarët që të mos i konsumojnë ato produkte, si dhe e pesta është kontrabanda e cila vjen si nga Veriu në masë të madhe e pastaj kemi edhe kontrabandë legale e cila produktet i sjellin nga Serbia në Maqedoni. Të marrim shembull grurin i cili shkon nga Serbia në Maqedoni, bluhet në Maqedoni dhe vjen në Kosovë, kjo realisht është e drejtë sipas marrëveshjes së CEFT-as, gjithashtu edhe vaji ushqimorë, vjen nga Serbia në Maqedoni me cisterna, mbushet atje dhe sillet tek ne. Të gjitha këto kanë bërë që ne në Kosovë, të kemi ende produkte serbe.

Bota Sot: Sa është AKB në koordinim me biznese e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Sa bashkëpunimi, a i keni të identifikuar, si silleni me ta?

Agim Shahini:  Ne në AKB kemi shumë anëtarë, përfaqësues të bizneseve të atyre tri komunave, nuk kanë ndonjë privilegj tjetër, pos që janë sikur çdo biznes në Republikën e Kosovës, pra janë të barabartë. E di që me rastin e taksës, ka pasur shumë ankesa, kanë kërkuar që ato të përjashtohen, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Biznesmenët dhe qytetarët e në Kosovën Lindore e ndihmojnë shumë jetën në Kosovë, kemi lagje të tëra në Kosovë të cilat janë blerë nga shqiptarët atje, ku jetojnë operojnë e punojnë, por ne sigurisht se kemi dëshirë që në asnjë formë, atje të mos mbetet toka pa njerëz. Një ditë edhe Presheva, Medvegja e Bujanoci do të jenë pjesë në forma të ndryshme si pjesë integrale e Kosovës e  Shqiptarisë dhe atje neve na duhet me pas popullatë, biznese që mundësojnë jetën atje. Mendoj që në këtë drejtim është luajtur një rrol i madh nga Këshilli Kombëtarë atje, nga krerët politik të cilët e kanë mbajtur atë popull, me shpresë që një ditë do të bëhet shumë më mirë për ta. Tash është momenti kur në po dialogojmë me Serbinë, ku në momentin e fundit, nëse nuk do të ketë asnjë korrigjim të kufijve, ne mund të kërkojmë standarde të njëjta si për serbet e Kosovës, ashtu edhe për shqiptarët atje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...