Taksa e mirëseardhur, por miqësia me SHBA-në duhet ruajtur - Bota Sot
Taksa e mirëseardhur, por miqësia me SHBA-në duhet ruajtur

Intervista

Taksa e mirëseardhur, por miqësia me SHBA-në duhet ruajtur

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 26 mars 2019 Në ora: 11:36
Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci e konsideron si të suksesshme punën e tij të deritashme.  Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”, Lladrovci, ka thënë se ka realizuar edhe projekte tjera, që nuk ishin pjesë e fushatës dhe premtimeve.  Ai ka folur edhe rreth situatës politike në nivel qendror. Ka thënë se e përkrahë taksën por edhe ruajtjen e miqësisë me SHBA-në. Po ashtu, Lladrovci ka dhënë një përgjigje mjaft interesante kur është pyetur se a do t`i përgjigjet një ftese eventuale nga Gjykata Speciale.

“Bota sot”: Tash e gati dy vite jeni kryetar i Komunës së Drenasit, ku zgjedhjet i keni fituar pas një mbështetjeje të madhe nga banorët e Drenasit. Nga kjo perspektivë, prej gati gjysmë mandati, sa e vlerësoni se keni përmbushur pritshmëritë e votuesve tuaj?

Ramiz Lladrovci: Jam shumë i lumtur për punën e deritashme dhe pres që të gjitha zotimet e mia që nga fushata t’i jetësoj, sepse, qytetarët e komunës tonë, meritojnë më shumë dhe më mirë, jo vetëm infrastrukturë por edhe punësim, shëndetësi, arsim, kulturë e sport. Por, nuk do të ndalem, kam realizuar edhe projekte tjera që nuk ishin pjesë e fushatës dhe premtimeve. Prandaj e ritheksoj se ndjehem i lumtur.

“Bota sot”: Më parë keni qenë edhe deputet edhe ambasador në Republikën e Shqipërisë. Cila pozitë të cilën e keni pasur si politikan, ju ka bërë të ndiheni më komod (cila ka qenë më e lehtë)?

Ramiz Lladrovci: Më komod jam ndjerë si ambasador, për rrethanat dhe përgjegjësitë. Deputeti ka angazhime të jashtëzakonshme, kur respekton nevojën dhe hallin e qytetarit. Si deputet, kam pasur shumë më tepër angazhime dhe ballafaqime me nevoja të qytetarëve që ma kanë besuar votën, jam ndjerë besa edhe borxhli ndaj secilit që më kishte votuar, prandaj me punën e ambasadorit ka qenë për mua dhe familjen time më lehtë. Por, politikani mbetet i tillë në secilin post, merr përgjegjësi sipas ndërgjegjes.

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend, pasur parasysh që jo rrallë flisni apo merreni edhe me problemet politike shtetërore?

Ramiz Lladrovci: Për problemet madhore të vendit, nuk kam dëshirë të flas, por megjithatë, kohë pas kohe kam lëshuar postime në rrjetin social apo reflektim ndaj ndonjë situate. Mendoj se politika jonë shtetërore dhe nacionale mund të bëjnë më shumë, duhet të bëjnë më shumë, për hir të misionit të secilit që ka zotim interesin e qytetarëve dhe të vendit. Kurrë nuk është boll të bëjmë për qytetarët pa dallim, atdheun tonë, për kombin tonë.

“Bota sot”: A besoni se i është dhënë hapësirë përmirësimit të demarkacionit me Malin e Zi, a besoni se do të përmirësohet?

Ramiz Lladrovci: Mendoj se klasa jonë politike duhet të jetë e vetëdijshme që secila ditë e vitit nuk është fushatë. Kur përfundojnë zgjedhjet, secilin e pret puna për zotimet e veta, ashtu e shoh edhe demarkacionin. Është vonë sot të përpiqesh të luash rrolin e heroit të shekullit të kaluar. Tashmë, kemi përgjegjësi krejt tjera dhe fjalori për shumë politikanë duhet të ndryshojë për më mirë. Nuk kemi nevojë as të akuzojmë kë, as të fyejmë kë, as të përpiqemi ta mbivotojmë mendimin ndryshe. Ajo që mendoj se na duhet secilit është më shumë punë e më pak fjalë.

“Bota sot”: Momentalisht e kemi një qeveri e cila realisht nuk duket dhe aq stabile. Në njërën e anë e kemi kryeministrin Haradinaj i cili duket shumë i vendosur në taksën 100%, ndërkohë që në anën tjetër e kemi thuajse çdo lider të subjekteve tjera në pozitë, por edhe disa të opozitës që dikush më me zë, e dikush me më pak zë, e thonë se duhet të rishikohet taksa. Si e shihni ju gjendjen e koalicionit?

Ramiz Lladrovci: Koalicioni mendoj se po punon mirë, është shumë aktiv dhe për këtë nuk kam vërejtje, aq më pak kur i shoh çështjet nga komuna ime, nga niveli lokal. Rreth taksës jam deklaruar me dy fjalë, zgjate Zot, por miqësia historike me ShBA-në, po ashtu, me çdo çmim duhet ruajtur.

“Bota sot”: Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, për herë të parë pas luftës e ka përmendur edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, si qytete të cilat përmes marrëveshjes finale me Serbinë, mund t`i bashkëngjiten Republikës së Kosovës. A besoni ju që ka mundësi që këto komuna ti bashkohen Kosovës, pa humbur asgjë Kosova?

Ramiz Lladrovci: Nuk mendoj se është e lehtë për Presidentin, gjithashtu e besoj se secili nga ne e ka një pjesë të shpirtit edhe në pjesët që kanë mbetur jashtë Kosovës, në Luginë e më gjerë, jo në kuptimin e përvetësimit apo marrjes së tokave, sa të ndjenjës tonë të përbashkët, për interesat tona të përbashkëta, interesin nacional dhe të drejtën e jetës së lirë të secilit shqiptar në shtëpi të vet, edhe në Luginë. Mua, më mjafton të kujtoj bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e mi dëshmorë dhe të gjallë nga Lugina, të mos ndjehem ashtu siç do të doja.

“Bota sot”: Shohim çdo ditë largimin e të rinjve nga Kosova. Si pjesë e kësaj klase politike, pse mendoni se po ndodhë kjo ku është gabuar?

Ramiz Lladrovci: Si i pari i komunës, pavarësisht që i takoj PDK-së, pa dallim ndaj secilit qytetar që është në skamje e ndjej, e ndjej pamundësinë për të bërë për secilin që meriton përkrahje, por edhe bashkë ndjejë me të rinjtë që kanë shqetësim rreth perspektivës së tyre. Pse bashkë ndjejë, sepse, me çlirimin e vendit tonë, liria dhe gjasat e barabarta janë vlera e parë e arritur. Të tjerat janë histori individuale të lidhura me aftësi, këmbëngulje, rrethana dhe fat. Më prek çdo ikje e të riut nga atdheu, andaj, përpiqem të krijoj mundësi me prioritet për të rinjtë tanë, jo vetëm me qendrën e re të biznesit por edhe me bursa etj.

“Bota sot”: Bazuar në atë shprehjen tuaj të famshme “Forca e bën fuqinë”, nëse i kemi parasysh Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, cili në këtë rast do të ishte “I Forti” e cili “I Fuqishmi”, në kontekstin e qëndrimit i pa lëkundur në raport me bindjet e tyre, mbi zgjidhjen e problemi me Serbinë, me anë të dialogut.

Ramiz Lladrovci: Nuk mund të flas në këtë kontekst të krahasimit, për shkak se i kam miq në rend të parë, pastaj, mendimi im rreth çështjeve madhore që ata përfaqësojnë, nuk mendoj se është i domosdoshëm. I respektoj të dytë dhe suksesi i tyre është sukses edhe për vendin, në veçanti në raport ndaj Serbisë, kur dihet se më shumë se 1600 familje të personave të pagjetur e jetojnë ankthin e çdo minute dhe dite për më të dashurit e tyre, dhe tragjeditë tjera që na kanë ndodhur, prandaj kam besim se udhëheqësit tanë, do të jenë në krye të detyrës si çdo herë.

“Bota sot”: Muaji mars, mund të themi se njihet edhe si muaji i Komandantit Legjendarë Adem Jashari, me që ju e keni njohur dhe keni vepruar përkrah heroit të kombit, duke e njohur karakterin dhe perspektivën me të cilën i ka parë gjërat ai, a mendoni se do të ishte i kënaqur me gjendjen aktuale në vend Adem Jashari, nëse jo, a mendoni se do të lejonte të vinte deri te kjo pa-kënaqësi qytetare?

Ramiz Lladrovci: Kapitulli i veçantë i historisë tonë të re është kapitulli i Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe Familjes Jashari. Vet përmendja e kësaj Familjeje, zgjon në mua respekt dhe krenari, që i kam njohur dhe që me punën time, nuk mendoj se do të ishin të zhgënjyer. Për tjerët në politikë apo që kanë përgjegjësi nuk mund të flas, sepse disa krahasime nuk jam i prirur t’i bëj. Secili nga ne bart në shpirtin e vet, pjesë nga arritja apo mosarritja e konstatimit madhor, Bac u kry!

“Bota sot”: Gjykata Speciale tashmë ka filluar intervistimin e disa personave si dëshmitarë të dyshuar, si një nga protagonistët çfarë prisni nga ky proces?

Ramiz Lladrovci: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, për kombin tonë edhe e shenjtë, sepse, pas shumë shekujsh, UÇK me aleatët tanë, arritëm realizimin e idealeve që të jemi të lirë krahas shteteve të lira e demokratike. Nuk pres që gjyqi të jetë objektiv, qoftë edhe nga ftesat e para që u publikuan, ngase, vet themelimi i tij, për të gjykuar vetëm shqiptar, për luftën brenda shtëpisë tonë dhe tokës tonë, flet mjaft. Ne kemi paguar një çmim të jashtëzakonshëm për lirinë, nuk pres as qasje meritore për çlirimtarët tanë me vet faktin se kanë marrë ftesa për Hagë. Konsideroj se luftën e UÇK-së, nuk mund ta njollos askush, sepse Kosova ishte e tëra me UÇK-në, kush më pak e kush më shumë.

“Bota sot”: A do t`i përgjigjeshit ftesës eventuale të Gjykatës Speciale për të dëshmuar?

Ramiz Lladrovci: Pyetje hipotetike, me përgjigje hipotetike, Ferronikeli tri gjiro para përfundimit të kampionatit do të shpallet kampion...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...