Peza: Pellazgët jetuan 10 mijë vjet para erës së re

Intervista

Peza: Pellazgët jetuan 10 mijë vjet para erës së re

Nga: Ahmet Pllana Më: 31 mars 2019 Në ora: 13:24
Dr. Sejfulla Peza

Tiranë, prill 2019 – Qendra për Studime Pellazgjike në Tiranë zhvillon aktivitet hulumtues shkencor qe 26 vite dhe është marrë kryesisht me Pellazgët dhe gjuhën pellazge. Kjo Qendër ka botuar disa libra shkencor, revista, broshura dhe ka mbajtur simpoziume, tribuna dhe tryeza shkencore. Kryetari i kësaj Qendre, Dr. Sejfulla Peza dhe Dr. Liljana Peza janë autorë të librit “Drita mbi Pellazgët dhe gjuha e tyre”. Qendra boton edhe revistën shkencore "Dodona", në të cilën botohen shkrime shkencore rreth Pellazgëve dhe gjuhës pellazge. Prof. Dr. Luftulla Peza nga Tirana është studjues i pasionuar dhe i rrallë dhe madje ndër të rrallët në Ballkan dhe Europë që është marrë me studimin e Pellazgëve dhe pellazgjishtes. Dr. Peza është marrë tërë jetën dhe ka hulumtuar arkivat e vendeve të rajonit dhe Europës vetëm e vetëm që të zbardhë të vërtetën për Pellazgët. Ne shqiptarët e kemi prejardhjen nga Pellazgët. Peza ka themeluar Qendrën e Studimeve Pellazgjike në Tiranë. Ai ka thënë se Pellazgët kanë jetuar 10 mijë vjet para erës së re.

“Bota Sot”: Ju keni themeluar Qendrën e Studimeve Pellazgjike në Tiranë. Cili ishte qëllimi i themelimit të kësaj Qendre dhe çfarë aktivitetesh hulumtuese shkencore keni zhvilluar?

Dr. Sejfulla Peza: Në Tiranë kemi themeluar Qendrën për Studime Pellazgjike me qëllim të zbardhjes të së vërtetës së popullit Pellazg. Qendra e Studimeve Pellazgjike studjon popullin Pellazg dhe pellazgjishten, ndërsa kjo Qendër tubon të gjithë studjuesit e historisë së lashtë të kombit tonë dhe të gjuhëve të lashta që lidhen me gjuhën shqipe, siç është gjuha pellazge, gjuha ilire, gjuha thrake, gjuha maqedone, etj. Kjo Qendër organizon Simpoziume shkencore për çdo dy vjet. Mirëpo, për të zhvilluar veprimtarinë tonë kemi mjaft vështirësi në realizimin e projekteve tona shkencore, pikërisht për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Mjerisht askush nuk na ndihmon që të zhvillojmë veprimtarinë tonë shkencore që ka interes kombëtar. Ne kemi zhvilluar shumë aktivitete në hulumtime shkencore rreth pellazgëve dhe gjuhës pellazgjishte.

Kemi mbajtur Simpoziumin shkencor, të pestin me radhë, në Vlorë më 20 tetor të vitit të kaluar. Gjithashtu, kemi mbajtur edhe tryeza e tribuna shkencore në këtë drejtim.

“Bota Sot”: Qendra e juaj a ka edhe ndonjë qendër diku tjetër, po e zëmë edhe këtu në Prishtinë?

Dr. Sejfulla Peza: Qendra jonë e Studimeve Pellazgjike e ka një degë këtu në Prishtinë dhe emërtohet Qendra e Studimeve Pellazgjike, Dega në Prishtinë. Një kohë kryetar i kësaj Qendre ka qenë Dr. Muharrem Carrabregu. Ky njeri ka vdekur kah fundi i vitit 2017 dhe na vjen keq që ka vdekur. Ai ka qenë kryesori i Degës këtu në Prishtinë. Tashti po ngrehim një degë të re edhe në Maqedoni, në Shkup. Ndërsa, planifikojmë që shumë shpejt të ngremë edhe një Degë në Itali. Atje ka shqiptarë që duan të merren me studimin shkencor të pellazgjishtes. Atje janë dy shqiptarë nga Shqipëria, të cilët atje kanë ikur ka vite dhe që jetojnë atje dhe që duan të merren me studimin e Pellazgëve dhe gjuhës pellazge.

“Bota Sot”: A keni probleme në punën që bëni në hulumtime shkencore dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera, sikurse në botimin e librave, mbajtjen e simpoziumeve, tribunave, tryezave shkencore, etj.?

Dr. Sejfulla Peza: Qendra jonë ka probleme me funksionimin e saj për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Aq më tepër kur askush nuk na ndihmon e as mbështet materialisht. Të gjithë ata që janë në Kryesi të Qendrës dhe anëtarë të Qendrës, kryesisht thuaja se janë pensionistë, të cilët marrin pensione të vogla vetëm deri në 300 mijë lekë në muaj dhe nga ky pension i vogël nga vullneti i madh arrijnë të ndajnë mjete nga pensioni i tyre, vetëm e vetëm që të mbajmë simpoziumet tona të rregullta dhe të zhvillojmë aktivitetet tona dhe të botojmë ndonjë libër shkencor për pellazgët ose ndonjë revistë, fletushkë ose broshurë. Këtë e bëjmë vullnetarisht sepse e do kombi, e do atdheu, e do shkenca, e do kultura. Pasion e kemi këtë punë, qe 26 vjet merremi me këtë punë bashkë. Vetë i paguajmë të gjitha shpenzimet. Bizneset shumë pak ndihmojnë, edhe pse u kemi bërë atyre thirrje që të na ndihmojnë. Sido që të jetë, mbajtja e një Simpoziumi shkencor kërkon shpenzime dhe mbështetje materiale, por askush nuk na ndihmon. Mjerisht, bizneset private nuk na ndihmojnë e as nuk na i sponzorojnë aktivitetet tona që i zhvillojmë.

Shumëherë shumë projekte tona kanë mbetur pa u realizuar mu për shkak të mungesës së mjeteve financiare dhe mungesës së mbështetjes nga ana e bizneseve. Bizneset nuk e ndihmojnë kulturën e kombit tonë.

“Bota Sot”: Qendra e Studimeve Pellazgjike në Tiranë a ka botuar ndonjë libër?

Dr. Sejfulla Peza: Po si. Ne kemi botuar libra shkencor për Pellazgët. Unë dhe bashkëshortja ime Liljana jemi autor i librit "Drita mbi Pellazgët dhe gjuha e tyre". Ndërkaq, Qendra jonë boton edhe revistën shkencore "Dodona", në të cilën botojmë shkrime shkencore rreth Pellazgëve dhe gjuhës pellazge. Ky libër, ndonëse është një hulumtim i madh shkencor dhe ndriçim mbi të vërtetën e Pellazgëve, nuk u shit shumë në Tiranë e as në qytetet tjera në Shqipëri, kurse në Kosovë nuk u shit ky libër, sikur nuk pati fare interesim për te për ta blerë. Ne i kemi dhuruar disa ekzemplarë të këtij libri Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Ka rënë lexueshmëria e librit, ky është mjerimi ynë i kohës

“Bota Sot”: Sa shitet dhe sa lexohet libri sot? A ka interesim për librin akoma, apo ka rënë interesimi për blerje të librit dhe lexueshmëri të librit?

Dr. Sejfulla Peza: Libri sot mjerisht lexohet pak. Kush  blen libër sot, shumë pak ose aspak, sepse një intelektual, një qytetar, një student apo një nxënës, më  parë e pi një birrë ose një gotë raki, një kafe ose një makiato, se sa ta blejë një libër. Ky është mjerimi ynë i kohës. Në vitet e fundit ka rënë lexueshmëria e librit në Kosovë, madje edhe në Shqipëri, krahasuar me atë periudhën e mëhershme kur libri është lexuar shumë. Nuk e kuptojnë njerëzit tanë se pa libër nuk bën. Një shtëpi që nuk ka libër dhe një familje që nuk lexon libër, ajo shtëpi nuk ka dritë, por ka terr. Libri është më se i domosdoshëm për t’i pajisur me dituri njerëzit. Libri është një dritare diturie.

“Bota Sot”: A keni për të shtuar diçka të re sa i përket çështjes pellazge?

Dr. Sejfulla Peza: Shikoni. Së shpejti do ta kemi në duar librin të cilin e kemi përgatitur tash e sa kohë, ngase e kemi gjetur edhe sponzorizuesin për botimin e librit.  Ka mbaruar redaktimi i librit dhe brenda muajit e dorëzojmë në shtypshkronjë për ta botuar. Besoj se gjatë verës do të dali në dritë dhe do të jetë në duar të lexuesve.

“Bota Sot”: A mund të na flisni pak për Pellazgët, në cilën periudhë kohore kanë jetuar?

Dr. Sejfulla Peza: Shikoni. Pellazgët janë popullata më e vjetër e identifikuar në botë, para të gjithë kombeve të tjera. Dhe këto identifikohen në mijëvjeçarin e dhjetë para Erës së Re. Siç e thash shenja e Zeusit është gjetur te Pellazgët. Ajo shenja kryqi i thyer është gjetur në ekzemplarin “Shpresat e Kulturës Trifilli’ në Ukrainë. Pellazgët kanë jetuar shumë më përpara. Janë gjetur dokumente se Pellazgët kanë jetuar para 10 mijë vjetësh. Kjo dokumentohet se ata e kanë pas Zeusin e tyre, përveç asaj edhe në kulturën e Vinkes që e referova sot, edhe aty është një kulturë e plotë që tregon për Pellazgët dhe ekzistencën e Pellazgëve dhe shtrirjen e tyre. Shtrirja e Pellazgëve ka qenë e gjithë Evropa, Evropa Jugore deri në Mesopotami, deri në Ukrainë nga lindja, pastaj gjithë Mesdheu. Kjo ka qenë shtrirja kryesore e tyre. Mirëpo, Pellazgët kanë pasur shtrirje edhe më të gjerë që njohim ne dhe që nuk njohim ne. Pellazgët kanë pas toponiminë e tyre, që janë ruajtur dhe ruhen akoma, që tregojnë praninë e tyre. Për shembull: në Norvegji është gjetur një mbishkrim me fjalët: ‘sot ça’ ose ‘sot ka’, që tregon për gjuhën pellazge, por që përputhen me gjuhën shqipe. Kjo është gjetur në Norvegji në kohën e Domëve, në kohën e bronzit, para erës së re, që është gjetur në Norvegji në kohën e Dontes në shek.15 para erës së re. Ekzistojnë edhe toponimet e ndryshme, sikurse fjala ‘brinjtajn’. Çka don të thotë fjala “brinjtajn”? Fjala ‘brinjtajn’ i thonë Britanisë së Madhe. Në Amerikën Latine gjithashtu ka toponime dhe mbishkrime që tregojnë praninë e Pellazgëve. Në Lindjen e Largët, po kështu. Në Afrikë, po kështu. Për shembull, në Afrikë, Republika Mali, është një shtet në Afrikë, çka don të thotë fjala Republika Mali, që vjen nga fjala mali në shqip. Këto tregojnë se edhe në vendet tjera ka pas Pellazg dhe kanë lënë gjurmët e tyre. Miëpo, më e rëndësishmja është edhe kjo. Emërtimet e kontinenteve, të gjitha kontinentet, shpjegohen me anë të gjuhës shqipe, që tregon dhe janë dhënë nga Pellazgët.

“Bota sot”: Cilët popuj janë sot trashëgimtarë të kulturës pellazge dhe pasardhës të pellazgëve?

Dr. Sejfulla Peza: Trashëgimtarët e tyre tani i tregon gjuha. Ja tani. Gjuha pellazge, si ka qenë? Janë ruajtur mbishkrimet e gjuhës pellazge. Për shembull në kulturën e Zinkës ruhet fjala ujë. Po në këtë kulturë në vendin e quajtur Durdas në Rumani ruhet fjala dorë, që është dora. Në Migenë është ruajtur gjuha e Migenës, janë gjetur shkronjat e shkruara ‘zi a zi, dmth. zi a më zi. Fjala ‘zi’ është zi, mbajtja e zisë për vdekjen e anëtarit të familjes, që tregon për gjuhën Pellazge. Është ruajtur Stela e Lemnit, është një monument i madh prej guri ku janë gdhendur shumë fjalë pellazge, për shembull fjala pis, zi a zi, etj. Në gurin e një varri është gjetur mbishkrimi zi a zi. Për shembull, në Athinë në shek. 8 para erës së re, është mbishkrimi i Athinës, është mbishkrim në gjuhën shqipe. Për këtë ne kemi shkruar dhe e kemi botuar në libra dhe në revistën “Dodona”.

“Bota Sot”: Ju pretendoni se edhe maqedonët, edhe kroatët, edhe sllovenët, edhe shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e trojeve tjera shqiptare, janë me prejardhje pellazge. Sa është e saktë dhe e dokumentuar kjo?

Dr. Sejfulla Peza: Po. Kjo është e dokumentuar në bazë të hulumtumeve shkencore që i ka bërë Qendra jonë e Studimeve Pellazgjike, kudo dhe gjithkah, në Ballkan, Europë, Azi, Afrikë, Skandinavi, etj. Të gjitha janë të dokumentuara shkencërisht, se ne shqiptarët jemi me prejardhje pellazge, sikurse edhe maqedonët, kroatët, sllovenët, boshnjakët, etj. janë me prejardhje pellazge. Pas Pellazgëve vijnë Ilirët. Ju e dini që i tërë Ballkani ka qenë Iliri. Të gjitha këto ne i kemi botuar në librat tanë dhe në revistën “Dodona”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat