Bahtiri: Turp, që qeveria po lejon kolonizimin e Mitrovicës me serbë ardhacakë

Intervista

Bahtiri: Turp, që qeveria po lejon kolonizimin e Mitrovicës me serbë ardhacakë

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 5 prill 2019 Në ora: 08:12
Kryetari i komunë së Mitrovicës Agim Bahtiri dhe gazetari i "Bota sot", Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherit edhe nënkryetarë i Aleancës Kosova e Re, ka folur hapur për shumë çështje, të cilat e rëndojnë qeverisjen jo vetëm në Komunën e Mitrovicës, por edhe gjithë vendin.

Ai ka lëshuar kritika të ashpra për qeverinë e vendit, duke thënë se po hezitojnë që ta shtrijnë sovranitetin e vendit në tërë territorin e Republikës, ani pse atë ia garanton kushtetuta e vendit.

“Bota sot”: Si kryetarë i njërës prej komunave me kërkesat më specifike në vend, gjithashtu edhe nga figurat kryesorë të AKR-së, a mund të na jepni një përmbledhje të situatës aktuale politike, jo domosdoshmërish për komunën tuaj, por edhe për të gjithë vendin?

Bahtiri: Së pari ju falënderoj juve për ardhjen në komunën e Mitrovicës. Situata aktuale politike në vend nuk është e mirë, por njerëzit duhet të mësohen prej asaj që dërgon në progres, e ku është të bashkojmë forcat që të bëjmë më të mirën për këtë vend, sepse ia kemi borxh këtij vendi, këtij populli të vuajtur, të cilët kanë luftuar e përgjakur shumë, por asnjëherë nuk e kanë gëzuar lirinë, deri në luftën e fundit duke iu falënderuar bashkësisë ndërkombëtare, të cilët të pamundurën e kanë bërë të mundur që ne sot të jemi këtu ku jemi.

Duhet të na vret ndërgjegjja e gjakut të derdhur dhe të kthjellemi e të punojmë shumë për këtë vend, pavarësisht bindjeve tona politike, duhet ta kuptojmë një gjë, që ky vend, ky popull ka vuajtur shumë e ne duhet të jemi ata që i përvjelim mangët, i shtrëngojmë duart mes njëri tjetrit dhe krijojmë kushte më të mira për qytetarët. E di se shumë njerëz në krye të këtij vendi kanë mendime të ndryshme, por ai i qarti duhet të jetë jo partiak, por gjithë popullorë për vendin dhe të kthehemi një herë e mirë aty ku duhet. Ne nuk kemi miq për të humbur, pasi që fal tyre ne sot jemi të kursyer nga fjalët që i meritojmë të na thuhen, duhet ta kuptoj e ti dëgjojmë, sepse këtë shtet e kemi 50 me 50 bashkë me ta.

“Bota sot”: Cili është rroli dhe fuqia juaj politike brenda subjektit ku veproni, brenda AKS-së. E kemi parë jo rrallë të keni qëndrime të ndryshme nga strukturat e partisë, nga buron kjo pavarësi dhe liri e juaja karshi subjektit?

Bahtiri: Unë jam i bindur në atë se çdo politikan duhet ta ketë këtë qasje. Fushata politike është kur duhet të bëhet ajo, programet e asaj fushate duhet të kenë vizion, ai vizion duhet të mbahet si pjesë e fjalës së dhënë dhe të mbajtur pastaj, duke mos lejuar rënien në grackën e ujërave të turbullta, duke vepruar për gjëra krejtësisht të kundërta në raport me ato të cilat ia kanë premtuar qytetarëve.

Aleanca Kosova e Re është një parti politike e vogël por e sinqertë, punon me duar të pastër dhe kryen obligimet shtetërore me vizionin për të mirën e vendit, jo me vizione të grupeve por të qytetarëve dhe gjithë popullit. Kur bëhesh kryetarë i një komune atëherë duhet ti thyesh të gjitha barrierat duke u bërë kryetarë i gjithë qytetarëve duke tentuar që asnjëherë të mos ndikohesh nga të tjerët. Unë e kam një qasje të tillë pasi që të gjithë qytetarët, më kanë votuar apo jo ata, kanë thënë ndonjë gjë për mua apo jo, unë të gjithë i konsideroj si një familje e gjerë për mua, për të cilët në mënyrë kolektive mundohem që të bëjë më të mirë time.

Unë edhe në nivelin qendrorë i kam parimet e mia të qarta, sepse kam ardhur me parime të tilla. Nuk jam rikthyer për të përfituar, por për të kontribuar dhe kontributi im do të jetë deri në fund në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Bota sot”: Kemi parë vazhdimisht nisma interesante nga ju, e fundit ka qenë ajo për bashkimin e dy Mitrovicave, asaj Jugore dhe Veriore. Deri ku keni arritur në këtë çështje, a po ju duket e realizueshme, pasi që shpesh jeni kundërshtuar në këtë ide, duke ju thënë se bashkimi i qytetit nuk është përgjegjësi e një kryetari komune?

Bahtiri: Është e vërtet që bashkimi i Mitrovicës nuk është përgjegjësi e një kryetari komune, por duke parë pasivitetin e qeverisë qendrore si në të tanishëm ashtu edhe në të kaluarën që qytetarët e mijë, që janë diku rreth 15 mijë të shpërngulur nga pjesa e veriut me dhunë tash e 20 vite, ku lotët e tyre asnjëherë nuk janë hequr nga faqet e tyre e ta gëzojnë këtë lirë siç e kanë të gjithë qytetarët e tjerë, atëherë mund të them se atë iniciativë nuk e kam bërë as për dëshire e as prej mendjes së madhe, por e kam bërë pikërisht prej zorit. Nuk ka zgjidhje tjetër përpos bashkimit të qytetit, nuk mundemi ta lëmë një qytet krerët e të cilit kokën e kanë në Beograd, ndërsa territorin ajo pjesë e ka në Republikën e Kosovës, që shqiptarët i largon nga atje dhe kolonizon atje me jo shqiptarë nga të gjithë viset e ish-Jugosllavisë. Ku është në këtë rast qeveria e Republikës së Kosovës? Ky është një turp i madh për qeverinë e vendit që asnjëherë nuk merret me Mitrovicën, nuk merren as me urën e Ibrit, paramendoni është një vendim, ura është rivitalizu dhe ende nuk është e lirë ajo për qarkullim, pse?

Kush është ai, ku është qeveria e Republikës së Kosovës, sikur ta kishim bo ne a mund ta paramendoni se cfarë do të kishte me ndodhë? Edhe Këshilli i Sigurimit do të mblidhej.

“Bota sot”: A ekziston vullneti i kolegut tuaj nga ana tjetër e qytetit për të bashkëpunuar me ju në këtë drejtim?

Bahtiri: Jo, sigurisht se jo, ideja e tij dhe e gjithë serbëve është që kufiri të jetë pikërisht tek lumi Ibër, te ura e cila është bllokuar tash e 20 vite. Për këtë çështje askush në qeverinë e vendit nuk e qanë kokën. Ky është një turp për ata, pasi që nuk merr hapa për ta rregulluar këtë çështje. Urat janë për të bashkuar, jo për të ndarë njerëzit. Kjo nuk ka kuptim, unë ndoshta do ti kisha kuptuar në të kaluar kur ka pasur konflikte, tensione. Por prej që kam ardhur unë, gjithmonë e kam promovuar paqen. Në tavolinë unë e di se jam shumë më i fuqishëm, populli shqiptarë në tavolinë është shumë më i fuqishëm, duhet të jetë pasi që ka shumë argumente pasi që është ai i cili është i këtij vendi dhe kjo pasuri e Zotit është në shpirtin, trupin e gjakun e shqiptarit.

Ne si AKR jemi në qeveri, por mund t`iu them se nuk është ajo qeveri të cilin e kemi kërkuar, qeveria që ne pretendojmë është ajo e cila shtrinë sovranitetin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ka kushtetutën, kapacitetin dhe vetëm duhet të vazhdojmë tutje.

“Bota sot”: Keni deklaruar kohë më parë se do të jeni së shpejti kryetarë i Mitrovicës së bashkuar. Këto deklarime tuajat kanë nxitur reagime të kolegut tuaj nga pjesa tjetër e qytetit, ku i ka cilësuar si luftë nxitëse, apo ngritëse të tensioneve. Si e komentoni reagimin e kryetarit të Mitrovicës veriore?

Bahtiri: Unë jam i hapur për të gjithë ata që mendojnë ndryshe, jo vetëm me të, le të jenë 50 në anën tjetër, unë i vetëm në anën time, unë kam argumente të mjaftueshme, ashtu siç kam pasur argumente të fuqishme edhe në Bruksel ku kam pasur argumente të mjaftueshme dhe e kam argumentuar të gjithë atë të cilën kam pretenduar se është e imja, e jona, e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë nuk e kam asnjë problem për tu ballafaquar me këdo, qoftë ai serb apo shqiptarë, i Serbisë apo i Kosovës sepse thash që kam argumente të fuqishme që kjo tokë është dardane, të gjithë këta janë ardhacak, sikur që po vijnë edhe sot, ku po sillën njerëz të cilët kurrë nuk kanë qenë të Kosovës e aq më pak të Mitrovicës.

“Bota sot”: Cila do të ishte rruga të cilën do ta ndiqte AKR për t’i rregulluar këto gjëra me të cilat nuk pajtoheni me këtë qeveri edhe pse jeni pjesë e saj?

Bahtiri: Rruga më e mirë e çdo qeveritari apo kryeministri apo kryetari shteti është ajo që të ndiqet ligji i vendit, absolutisht është e mundur që të realizohen ato që i thash pasi që janë në përputhje me ligjin. Ne e kemi një kushtetutë të aprovuar nga Kuvendi i Republikës e të menaxhuar nga ndërkombëtarët, është kushtetuta më e mirë në rajon, më demokratikja ndoshta në të gjithë botën sidomos për pakicat, sepse nuk ka në botë një shtet i cili e ka lejuar multietnicitetin me vetëm 5% të përbërjes së tij nga pakicat, këtë e ka lejuar vetëm Kosova. Nuk ka asnjë shtet në botë i cili 20 vende të rezervuara në Kuvendin e Republikës ia dedikon atyre 5%, nuk ka asnjë shtet në botë që ia jep në menaxhim 10 komuna minoriteteve, ato komuna nuk kanë ekzistuar, ato janë krijuar vetëm e vetëm që ata të kenë pushtet brenda rretheve të tyre ku jetojnë.

Sot, të jetë kjo Kosovë e tillë e të mos jetë funksionale në shtrirjen e sovranitetin në tërë territorin e saj, kjo është një neglizhencë e madhe, apo ruajtje e disa njerëzve të cilët kanë lidhje direkte me Serbinë. Sikur të kishte qenë AKR në udhëheqje, besoni se këto gjëra nuk do ti kishim, pasi që njerëzit e AKR-së, sidomos unë dhe Presidenti Pacolli, ne jemi të pavarur, s`kemi nevojë për asgjë, vetëm duam të shohim të mira për këtë vend. Mua personalisht ama bash askush nuk mundet të më kushtëzuar për asgjë, as ndërkombëtarët e aq më pak serbët, të cilët unë i respektoj, por së pari ata duhet ta respektojnë shtetin e Kosovës, duhet ta dinë që marrin frymë në ajrin e Republikës së Kosovës, ata duhet të vetedijsohen, e nëse nuk vetedijsohen, atëherë janë ligjet ata të cilët na vetëdijsojnë secilin prej neve.

Nuk guxojmë të veprojmë në stilin, hajde unë ti shmangem shtrirjes së sovranitetit në të gjithë vendin, se mund të kem kundërshtime e pastaj mund të bij keq politikisht, më lehtë është të merremi me gjëra të dorës së dytë, apo me dikë që mbase mund të jenë shtetas të vendeve mike tona për të cilët unë kam respekt të madh sepse i kemi miq, por nuk duhet të harrojmë që ka mundësi që edhe individ të caktuar të shteteve mike për ne, mund të punojnë në të mirë të dikujt tjetër, e unë personalisht nuk bie kurrë pre e mendimeve të personave të tillë.

Tjetër çka është shumë e rëndësishme është zhvillimi ekonomik. Ai duhet të ndodhë patjetër, por zhvillimi ekonomik nuk ndodhë me njerëz të cilët nuk janë të gatshëm ta shtrijnë në të gjithë territorin e Republikës sovranitetin e kësaj Republike, nuk ndodhë me njerëz të korruptuar, po jo që po ndodhë sot në Kosovë është tmerr. Kosova është një vend i vogël, të gjithë dimë për njëri tjetrin si kanë jetuar para lufte, çka kanë pas para lufte prej pasurisë, si i kanë bërë milionerë ata. Njerëzit që para lufte nuk kanë pasur bukë mjaftueshëm, sot janë bërë milioner, prej nga. Ku janë gjyqtarët, ku janë hetuesit. Një hetues jo kush e di sa profesionist e me përvojë, nëse sot shkon e e pyet një fqinjë timin, do t’i tregojë, i gjithë fshati im e din kush kam qenë, sa kam pasur pasuri dhe sa kam sot.

Hajde ta llogarisim që një pagë prej shtetit prej pas lufte e deri sot nuk e ka prek hiq, nuk e ka harxhuar asnjë cent edhe e krahasojmë me pasurin të cilën e ka sot, është 300 herë më e madhe se vlera e pagave që i ka marrë. Nuk ka shansa me të ardhë asnjë investitorë, me të përkrah asnjë shtet nëse ti je i korruptuar, ky korrupsion njëherë e mirë duhet të largohet nga faqja e dheut. A e dini sa nënat, sa fëmijët, sa motrat, gratë qajnë për ata që i kanë humbur në luftë, ata nuk kanë dhënë jetë për tu pasuruar unë apo ti, apo ai tjetri. Duhet të punojmë për këtë Kosovë e cila me vite e shekuj është larë me gjak.

“Bota sot”: Ditëve të fundit, temë shumë aktuale nëpër media është ajo e punësimeve partiake nga partnerët e koalicionit, nga të gjitha partitë politike përpos nga subjekti juaj. Pse po ndodhë kjo me ata, e pse jo me ju.

Bahtiri: Ne i kemi katër ministri, sikur të kishim dashtë të futemi në atë lojë të punësimeve partiake, mund t`iu them se ne nuk jemi aq të mëdhenj, me siguri se do t’i punësonim mbi 50 % të anëtarësisë, por asnjëherë, shiko në cilën do ministri, shiko këtu në komunën që e udhëheq. Unë kur kam ardhur, në komunë i kam gjetur të gjithë PDK, pyete secilin sektor nëse ka pasur largime nga puna në komunën ku unë udhëheq. Asnjë nuk ka pasur. Unë i kam mbledhë të gjithë sektorët, i kam ulur të gjithë dhe iu kam thënë se sot e tutje, kjo është mënyra e qeverisjes të cilën unë e kërkoj. Ju e dini që Mitrovica prinë e para për shumë gjëra, korrupsioni po iu them me plot sinqeritet se është zero, do të jetë i tillë derisa unë të jem kryetarë komune. Për transparencë e kemi zënë vendin e parë, para një muaji kemi zënë vendin e parë. Në pikën kryesore ku kemi nxënë vendin e parë është ajo e prokurimit ku aty bëhen të gjitha të zezat, e ne aty keni dal me 92.7%.

Çdo tender që del në komunën tonë, janë edhe mediet e pranishme, çdo gjë që bëhet janë të pranishme mediat, shoqëria civile. Unë nuk e kam problemin se ai të cilin e marrë në punë nga vjen, problemi im është aftësia e tij për të punuar, për ta kryer detyrën të cilën ia besoj sa më mirë.

AKR-ja ka qëllim të sajin kryesorë që nëpër pozita të caktuara të ketë kuadro të cilat japin shumë për vendin, e jo të i ofrojë vetëm sepse janë pjesë e strukturave të saja./Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat