Krasniqi: LDK me VV-në si uji me vajin, PDK faktori kryesor politik - Bota Sot
Krasniqi: LDK me VV-në si uji me vajin, PDK faktori kryesor politik

Intervista

Krasniqi: LDK me VV-në si uji me vajin, PDK faktori kryesor politik

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 13 prill 2019 Në ora: 07:51
Memli Krasniqi, Kryetar i Grupit Parlamentarë të PDK-së dhe gazetari i "Bota sot", Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, shefi i grupit parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka folur për çështje të ndryshme, të cilat po e preokupojnë aktualisht skenën politike dhe jetën e qytetarëve të vendit, ku është shprehur i sigurt se këtë vit nuk ka asnjë arsye që të shkohet në zgjedhje. Ai tutje ka folur edhe për idenë e Presidentit Thaçi që lidhet me korrigjimin e kufirit me Serbinë, për çka ka thënë se nuk pritet që në këtë drejtim të ketë së shpejti zhvillime, por që nuk duhet të tregohemi pesimist në mundësin e bashkimit të Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës.

“Bota sot”: Si njëri prej krerëve të Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila po bashkëqeverisje me partnerët e saj Republikën e Kosovës, a mund të na thoni se si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend, sa jeni të kënaqur me zhvillimet që po ndodhin?

Krasniqi: Po në përgjithësi situata politike në vend është stabile, pa dyshim që gjithmonë ekzistojnë sfida të cilat ndërlidhen edhe me procesin e qeverisjes por edhe me proceset tjera të cilat nuk varen drejtpërdrejt nga ne si shtet, por ajo që vlen të theksohet është që institucionet janë duke kryer punët e tyre, janë duke i realizuar obligimet që kanë dhe po ashtu edhe ne si kuvend i Kosovës përkundër vështirësive të caktuara ndonjëherë në përmbylljen dhe përmbushjen e agjendave dhe rendeve të ditës, po funksionojmë. Gjatë kësaj jave kemi dy seanca me një numër të madh të pikave, ku jemi me shpresë që secili prej neve deputetëve pa dallim, a janë pozitë apo opozitë, do të përmbushim mandatin tonë qytetarë, që tek e fundit na obligon për të qenë pjesëmarrës në seanca dhe për të dhënë verdiktin tonë përmes votës.

Në anën tjetër sfidat të cilat i vijnë Kosovës nga jashtë, janë sfida të cilat na preokupojnë të gjithëve. Qeveria e ka përgjegjësinë më të madhe për shkak se qeverisë me vendin, por unë besoj që në temat të cilat ndërlidhen me Kosovën si shtet sovran, pa dyshim që duhet të kemi një pajtueshmëri më të gjerë dhe dakordësim në lidhje me hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.

“Bota sot”: Që prej pasluftës, në një formë apo tjetër, subjekti juaj politik PDK, është një far “play-maker” në politik-bërjen e vendit. Pse zakonisht para zgjedhjeve subjektet nuk hezitojnë të bashkëpunojnë me ju, e gjatë rrugës, gjatë qeverisjes sikur pendohen dhe e mallkojnë veten që janë bashkuar në koalicion me ju. Pse ndodhë kjo?

Krasniqi: Mua më vije mirë që ndoshta partia e vetme në Kosovë që asnjëherë nuk ka qenë përjashtuese, refuzuese dhe nuk ka deklaruar vija të kuqe për partitë e tjera, është pikërisht Partia Demokratike e Kosovës, sepse ne besojmë që të gjitha partitë që marrin votë qytetare e kanë një përgjegjësi për të qenë në detyre qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë në të mirë të vendit dhe përmbushjen e atij mandati qytetarë. Shumë parti të tjera, në momente të caktuara para apo gjatë fushatës kanë thënë se nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në, por kemi përfunduar në bashkëqeverisje me ta, e shpesh pas përfundimit të qeverisjes e kanë rikthyer atë refren të vjetër që nuk duam të kemi bashkëpunim me PDK-në, por që pastaj ndërron konteksti dhe përsëri unë besoj për të mirën e vendit jemi bërë bashkë. Qëndrimi jonë vazhdon të jetë i tillë, ne preferojmë partitë që e kanë një qasje dhe një pozicionim ideologjik të përafërt me neve, pra që janë në qendrën e djathtë, por që sistemi aktual zgjedhorë në Kosovë ndonjëherë e pamundëson krijimin e koalicioneve të bazuara vetëm në pozicionime ideologjike pasi që si sistem proporcional, gjithmonë kërkohet që të krijohen koalicione, e kur ato të krijohen normalisht që ndonjëherë bëhen edhe kompromise që ndërlidhen me programin qeverisës.

Tani pse partitë e tjera gjithmonë merren me PDK-në, unë nuk mund ta komentoj, por që kjo së pari e tregon një gjë që unë besoj që është e ditur për të gjithë, e ajo është se PDK ka qenë dhe vazhdon të jetë faktori kryesorë politik në vend dhe do të mbetet edhe në vitet e ardhshme.

“Bota sot”: Këtë mandat qeverisës po bashkëpunonin me AAK-në e Ramush Haradinajt i cili ka numër më të vogël deputetësh. Ju si PDK e keni kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme kryetarin tuaj Kadri Veselin. A mund të na thoni se cilat janë ato gjëra të cilat Veseli do t`i bënte më mirë se Haradinaj, në qeverisjen e vendit?

Krasniqi: Nuk është hera e parë që ne si partia më e madhe në koalicion e japim pozitën e kryeministrit për të arritur një dakordësim në bashkëqeverisje. Sikur herën e kaluar, ku si fitues të zgjedhjeve dhe si partia më e madhe në kuvend, këtë pozicion ia kemi dhënë Isa Mustafës, kryetarit të LDK-së, ndërsa tash kishim një koalicion parazgjedhorë dhe u dakorduam që AAK e konkretisht z. Haradinaj të ketë përgjegjësinë e pozicionit të kryeministrit. Ajo se  çka është e rëndësishme për mendimin tim, është zbatimi i asaj që unë e quaj kontratë e bashkëqeverisjes e që është programi i qeverisë. Për aq kohë sa ne jemi duke e realizuar në masën më të madhe të mundshme programin qeverisës, unë nuk shoh probleme në funksionimin tonë si qeveri. Tani është krejtësisht e natyrshme që secila parti dëshiron që ta ketë pozicionin e të parit të qeverisë dhe PDK në të kaluarën këtë pozicion e ka pasur në dy mandate me ish- kryetarin z. Thaçi, e normalisht që është besimi dhe objektivi jonë që në zgjedhjet e ardhshme, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës të jetë edhe bartësi i përgjegjësive në udhëheqjen e qeverisë, kjo normalisht që nënkupton respektimin e këtij mandati aktual i cili ende nuk e ka arritur as gjysmën e tij, por në momentin kurdo që të mbahen zgjedhjet pas dy viteve, apo kurdo, atëherë ne si PDK normalisht se do ta kemi edhe kandidatin tonë për kryeministër por edhe një problem qeverisës të cilin do t’ia ofrojmë qytetarëve.

“Bota sot”: Në një prononcim të disa ditëve më parë, edhe ju vetë e pranuat se keni pasur një farë lloj dështimi si PDK në zgjedhjet e fundit. Pse ndodhi kjo, a kishte të bënte me ndryshimin e liderit, apo subjekti juaj duhet të ndryshoj diçka brenda vetes?

Krasniqi: Partia Demokratike e Kosovës nuk ka dështuar në zgjedhjet e kaluara, por ka pasur një rënie të ndjeshme e cila është manifestuar veçanërisht tek zgjedhjet parlamentare. Arsyet janë të shumta dhe i kemi diskutuar disa herë, por ato ndërlidhen edhe me faktin që ne e kemi bërë një koalicion parazgjedhorë pa e përgatitur mirë elektoratin asnjëra nga palët dhe kjo ka rezultuar më pas edhe me një cungim pastaj edhe të numrit të njerëzve që kanë kandiduar nën siglën e koalicionit PAN, duke përfshirë nga PDK nga AAK e NISMA e kështu me radhë. Kjo që mund të duket si një nga arsyet jo shumë relevante, unë konsideroj që ka pasur një rrol shumë substancial, sepse nëse ne do të garonim si në ta kaluarën, ne do të kishim së paku edhe 50 kandidatë të tjera në listë të cilët megjithatë kanë peshë elektorale. Në anën tjetër, ka qenë normalisht sfiduese që një koalicion i tillë të kompaktësohet për një periudhë të shkurtër deri në kohën e zgjedhjeve, e po ashtu efektet tjera të cilat ndërlidhen edhe me fushatën kundërshtuese e kështu me radhë.

Sido që të jetë, për neve ka qenë një moment i rëndësishëm të cilin e kemi trajtuar me seriozitet dhe kjo është arsyeja që menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare kemi pasur takime, vizita dhe aktivitete e angazhim të shtuar në terren, gjë që pastaj ka rezultuar menjëherë me rikthim të suksesshëm të votës së PDK-së, në zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet lokale ne i kemi humbur kryetarët e komunave në disa komuna shumë të rëndësishme ku kemi qeverisur në të kaluarën, por kjo ka ardhur si pasojë e koalicioneve në balotazh. Ta zëmë ne kemi marrë numrin më të madh të votave ndonjëherë që kemi pasur në Prizren,por që pastaj për 200 vota e kemi humbur Prizrenin sepse ka pasur një koalicion të plotë kundër PDK-së. Ngjashëm ka ndodhë edhe në Vushtrri, Mitrovicë gjithashtu edhe në disa komuna të tjera ku ne jemi partia më e madhe, kemi parë numër rekord, por që bashkimi i të gjithëve në kundërshtim ndaj nesh ka rezultuar me fitore të tyre. Por ajo që vlen tani të theksohet është ajo që ne e kemi kthyer mbi 90% të votës tonë në zgjedhjet lokale, duke e pas parasysh numrin e votave që kemi marrë në asambletë komunale që është një votë e drejtpërdrejtë për partinë. Sot jemi në një situatë shumë më të mirë se sa në fund të vitit 2017, sepse gjatë gjithë kohës kemi pasur një angazhim konkret e aktiv në fuqizimin dhe ri dinamizimin e komunikimit tonë të drejtpërdrejtë me votuesit tonë, mbështetësit tanë por edhe me qytetarët në përgjithësi dhe besoj se në çfarëdo lloj zgjedhje të ardhshme kurdo që ato mbahen, Partia Demokratike e Kosovës përsëri do të jetë e para.

“Bota sot”: Vetëvendosje dhe LDK së fundi po dalin me sondazhe në të cilat e paraqesin vehten si subjekt i parë. Ku qëndron PDK, si i keni ju punët me sondazhe?

Krasniqi: Shumë shpesh ndodhë që kurdo që këto sondazhe publikohen, realisht bëhen për të krijuar një bindje politike tek qytetarët dhe mbështetësit e caktuar në veçanti. Partia Demokratike e Kosovës së paku prej viti 2004, kur unë jam marrë me sondazhe me PDK, e këndej, ka pasur një prej aktiviteteve të saj të rregullta matjen e opinionit publik jo vetëm për mbështetjen që ne e kemi, por edhe për të parë kërkesat dhe preokupimet e qytetarëve, e për ti shndërruar ato pastaj edhe në politika.

Në këtë kuadër, unë i shoh si irelevante sondazhet që publikohen sepse tek e fundit ato edhe kur janë të sakta e tregojnë vetëm një moment të caktuar kohorë të mbështetjes. Nëse vetëm rikthehemi në zgjedhjet e fundit, ndoshta një muaj para se të mbaheshin zgjedhjet, ka pasur nëpër sondazhe një rezultat krejt tjetër. Askush nuk e ka prit që koalicioni PAN në asnjë sondazh do të merrte vetëm 39 deputet, e as në anën tjetër askush nuk e ka prit që LDK do të ishte e treta me koalicionin e vetë, pasi që edhe ata pretendonin se janë trë parët. Po e marrë vetëm si shembull për të thënë se i vetmi sondazh i rëndësishëm politikisht është dita e zgjedhjeve. Dita e zgjedhjeve nuk është një moment i cili vjen vetvetiu, por për ditën e zgjedhjeve një parti serioze duhet të përgatitet qysh nga dita e përfundimit të zgjedhjeve të kaluara. Partia Demokratike e Kosovës këtë e ka bërë në vazhdimësi dhe ne vazhdojmë të kemi qasjen e tillë.

“Bota sot”: VV dhe LDK me veprimet e tyre të fundit bashkëpunuese, po paralajmrojnë një bashkëpunim të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme. A i frikësohet kësaj PDK-ja?

Krasniqi: Shikoni, partitë politike janë të thirrura për të vendosur aleanca dhe koalicione, por unë personalisht nuk mund ta paramendoj një koalicion me LDK dhe VV, duke pasur parasysh që pikërisht VV ka qenë jo vetëm kundërshtuesi më i madh i LDK-së në mandatin e kaluara, por ka qenë deri në atë nivel ku kanë sulmuar fizikisht me molotov edhe jashtë çdo normaliteti edhe shtëpinë e kryetarit të LDK-së z. Isa Mustafa, pastaj sulmet të cilat iu janë bërë direkt në kuvendin e Kosovës me ujë, vezë, gjemba para veturë e kështu me radhë. Nuk ma merr mendja se këto gjëra në mënyrë kaq të lehtë do të kapërdihen dhe të shkohet tutje. Pastaj unë besoj që në kuptimin ideologjik LDK dhe VV janë aq larg njëra tjetër sa që do të ishte sikur të tentohet të shkrihet në një substancë të përbashkët uji dhe vaji. Sidoqoftë nuk është domosdo e përjashtueshme si mundësi, por që është për të cilën mund të vendosin lidershipi i këtyre dy subjekteve. Për neve nuk qon peshë aspak a bashkohen apo jo, sepse unë besoj që secila parti politike duhet të i ketë analizat e veta dhe që ti ketë kalkulimet e veta në rast të një gare, kështu që sido që të jetë vendimi i tyre, PDK funksionon pavarësisht prej mundësive të tilla.

“Bota sot”: Vazhdimisht po raportohet nëpër media për ikje apo largim të të rinjve, qytetarëve të këtij vendi për një jetë më të mirë në perëndim. Sa është shqetësuese ky fakt për juve?

Krasniqi: Unë mendoj që sa herë që mund të ketë largim substancial të qytetarëve, veçanërisht të rinjve, secili duhet të shqetësohet e para së gjithash ata që kanë përgjegjësinë vendimmarrëse, qoftë qeveria, kuvendi apo institucionet e tjera. Po ashtu, mendoj që duhet të kemi një analizë të mirëfilltë, e mos të shkaktojmë panik për të fituar ndonjë poen politik. Një nga elementet e rëndësishme duhet të bëhet se a jemi duke folur për një migrim legal apo ilegal, ta zëmë ne jemi ballafaquar në vitin 2015 me një eufori të largimeve ku me dhjetëra mijëra njerëz për një periudhë të shkurtër e kanë lëshuar Kosovën dhe kanë arritur në vendet e Bashkimit Evropian. Shumica prej tyre tashmë janë rikthyer dhe ri integruar, por migrimi legal është rritur, pra migrimi që nënkupton kontratat e punës dhe vizat e rregullta për njerëz të cilët mund të shkojnë dhe të punojnë në shtetet e huaja.

Është problematike dhe e vështirë që të vlerësohet sepse kemi të bëjmë jo vetëm me raste individuale, për shumë vite me radhë ka qenë diaspora ajo që ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës e mesa edhe në mirëqenien ekonomike të familjeve në Kosovë dhe në një anë, ky ndikim financiarë vazhdon të jetë ende shumë i rëndësishëm.

“Bota sot”: Si i shihni punësimet e shumta të familjarëve të kolegëve tuaj nëpër institucione publike. Kjo praktikë ka qenë gjithnjë, por së fundi kjo qeveri sikur po i arsyeton. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj dukurie?

Krasniqi: Shikoni, në momentin kur ende kemi një nivel të lartë të papunësisë, pa dyshim që nuk është aspak e mirëseardhur prezenca e rasteve të nepotizmit politik apo partiak. Kosova është vend i ri dhe është vend i të rinjve dhe absolutisht askush nuk duhet të ndjehet mirë kur nuk arrihet që secili i ri i Kosovës të ketë mundësi të barabarta. E kam thënë edhe më herët që mungesa e mundësive të barabarta, për mendimin tim është një nga problemet më të mëdha që mund ti dëshpëroj njerëzit tanë në Kosovë, andaj mendoj që është pozitive që mediet e kanë luajtur rrolin e tyre vetëdijësues për problemet e nepotizmit, jo vetëm këto të tashmet, por për të gjitha raportimet që mund të jenë edhe për fazat e tjera dhe shpresoj që kjo do të ketë një ndikim pozitiv tek të gjithë vendim marrësit para së gjithash që të ndalohen tendencat e tilla që nuk i bëjnë nderë askujt.

“Bota sot”: Si e keni parë ju vendimin e qeverisë për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve Serbe dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës, pasi që së fundi kjo e ka bllokuar edhe procesin e dialogut. Kryeministri Haradinaj nuk po tërhiqet?

Krasniqi: Taksa ka qenë një vendim shumë i drejt, një vendim i cili ka dhënë efektet e veta pozitive, më shumë se sa vendim ekonomik, vendosja e tarifës ka qenë një vendim politik për ti thënë Serbisë se kjo sjellje destruktive që e ke në raport me Kosovën, do të merr përgjigjen e merituar dhe është arsyeja që ne si PDK e kemi mbështetë edhe e kemi fuqizu edhe duke e marrë parasysh propozimin e z. Veseli që taksa të rritet në 100%. Pas insistimeve të shumta dhe të vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë e mbi të gjitha të SHBA-ve, ne kemi propozuar mundësinë e pezullimit të përkohshëm për ti dhënë hapësirë dialogut sipas kërkesës së miqve, partnerëve tanë dhe që nëse qasja e Serbisë nuk ndryshon, atëherë të futemi në një embargo të plotë që nënkupton reciprocitetin e plotë. Pra ju e dini propozimin e z. Veseli, që ti jepen 120 ditë pezullim, me kushte sepse nuk do të lejoheshin produktet që nuk do të respektonin emërtimin e Republikës së Kosovës, por nëse asgjë nuk do të ndryshonte në këtë periudhë, atëherë propozimi ka qenë që jo vetëm të shkohet në këtë tarifë, por të shkohet në reciprocitet të plot, jo vetëm ekonomik po në të gjitha aspektet.

Sidoqoftë është e kuptueshme që brenda koalicioneve ndodhë që të ketë qëndrime të ndryshme, edhe brenda familjeve mund të kemi mendime të ndryshme, edhe brenda një partie politike kjo është krejtësisht e natyrshme e lëre më brenda një koalicioni ku ka subjekte e mendime të ndryshme. Çka dua të ritheksoj është ajo që taksa dhe qëndrimet tona për taksën nuk janë problemet kryesore tonat si shoqëri, në fakt unë personalisht mendoj që në këta muaj të fundit duke e trajtuar taksën si problemin madhorë të Kosovës, ne kemi lënë anash disa probleme shumë më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë. Andaj, realisht unë besoj që sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Kosova e ka shprehur gatishmërinë e vetë që të merr pjesë pa kushte në këtë dialog, të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia dhe ta tregoj të njëjtën gatishmëri./ Vijon

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...