Qeveria do të dorëzohet brenda këtij viti, LDK duhet të shkojë e vetme në zgjedhje

Intervista

Qeveria do të dorëzohet brenda këtij viti, LDK duhet të shkojë e vetme në zgjedhje

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 prill 2019 Në ora: 21:07
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxherri, ka thënë se koalicioni qeverisës në Kosovë, do të prishet brenda këtij viti.

Ajo në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se përplasjet mes partnerëve të koalicionit, janë një “luftë hienash”.

Sipas saj, LDK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhjet e reja, mirëpo nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gaxherri ka thënë fjalë të mira për VV-në, duke theksuar se ajo ishte më normale se kurrë gjatë këtij mandati e meritë për këtë, sipas saj, ka LDK-ja.

Deputetja e LDK-së e ka quajtur të “krisur” presidentin Hashim Thaçi për idenë e korrigjimit të kufirit, e cila siç ka thënë ajo është zbehur.

Ajo ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që qytetarët të pyeten për idenë e hapjes së “Kutisë së Pandorës” e pastaj të vazhdohet dialogu me Serbinë.

“Bota sot”: LDK-ja ka nisur zgjedhjet e brendshme. Na tregoni se si po rrjedh procesi zgjedhor?

Gaxherri: Zgjedhjet në LDK kanë filluar brenda procedurave dhe afateve ligjore dhe LDK-ja i ka ndarë në dy grupe degët e saj. Degët të cilat konsiderojmë se kanë më shumë nevojë për organizim ose prurje të reja, apo të themi, degët në të cilat nuk e kemi ne pushtetin, janë në proces e sipër duke i përmbyllur zgjedhjet që konsideroj se deri tash kanë shkuar shumë mirë, me sukses dhe pa asnjë telashe. Ndërsa, grupi tjetër i komunave do të fillojë në maj. Besoj që deri në fund të majit, do të kryhen zgjedhjet në të gjitha degët e pastaj edhe delegatët do të shkojnë në Kuvendin qendror dhe do të kemi zgjedhjen e kryetarin, kryesisë e Këshillit.

“Bota sot”: Kë do ta përkrahni ju për kryesi të LDK-së në këto zgjedhje?

Gaxherri: Për Kryesinë e LDK-së nuk mundemi absolutisht të komentojmë këtë tash, derisa të përfundojë hyjmë në procesin zgjedhor, sepse ndoshta do të shkojnë të gjithë delegatë të rinj. Secili jemi në proces zgjedhor dhe secili do të sfidohemi. Nuk ka asnjë mundësi me dhënë ndonjë mbështetje për askënd tash për tash.

“Bota sot”: A do të jeni ju kandidate për ndonjë pozitë në LDK, qoftë të kryetarit apo nënkryetarit?

Gaxherri: Ne secili, sidomos ne të cilët kemi kontribut tash e 30 vite në LDK, natyrisht se kemi të drejtë të kemi ambicie dhe të shprehim gatishmërinë, pasi e kemi edhe përvojën. Por, unë po e përsëris se nuk mund të themi asgjë pa u përmbyllur procesi zgjedhor, sepse ne do të hyjmë të gjithë në zgjedhje, së pari në nëndegë, degë e pastaj në qendër. E në qendër do të shikojmë. Ne të gjithë duhet të jemi të gatshëm dhe gjenerozë, ta mbështesim njëri-tjetrin. Unë nuk kam asnjë vërejtje, pasi LDK-ja ka shumë përvojë, si të keqe, po ashtu edhe të mirë. Ne duhet të zgjedhim kandidatët më të mirë dhe në zgjedhje të shkojmë të përgatitur dhe të relaksuar që ta përmbyllim procesin ashtu siç kërkohet nga ne.

“Bota sot”: Si i shihni këto përplasjet e fundit mediale që po ndodhin mes anëtarëve të LDK-së, kemi rastin e Vjosa Osmanit dhe Lutfi Hazirit?

Gaxherri: Sinqerisht, nuk i mendoj si përplasje, i shoh si ambicie të shëndosha . Ndoshta ata nuk kanë pasur nevojë që t’i bëjnë kaq publike, pasi kemi shumë hapësirë brenda partisë, sepse këtë e ka demokracia. Kemi organet e partisë, ku mund të hapim tema, megjithatë këto janë çështje ambiciesh. Në fund të fundit, ata janë politikanë dhe e kanë menduar se mund të flasin. Ose është ndoshta nganjëherë ndonjë moment. Por, unë ju siguroj se në LDK, situata është shumë e relaksuar, brenda kontrollit statutor dhe demokratik.

“Bota sot”: Këto raporte a mund të ndikojnë keq tek elektorati?

Gaxherri: Prandaj, secili politikan e ka përgjegjësinë që të ofrojë një energji pozitive dhe një stabilitet të fuqishëm në LDK, jo vetëm për elektoratin tonë dhe eksponentët politikë në LDK-në. Kosova ka shumë nevojë për LDK-në, ka pasur gjithmonë e sidomos në këto vite. Prandaj, nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë përgjegjësinë e madhe që e kemi karshi shtetit, e pastaj vijnë përgjegjësitë më të vogla personale apo grupore. LDK është shtetformuese dhe ka përgjegjësi shtetërore dhe e ka për obligim të zhvillojë këtë vend, t’u jap shpresë të rinjve, të cilët e kanë marrë rrugën e ikjes nga Kosova. Ne duhet të jemi këtu që t’u themi atyre se Kosovën duhet ta bëjmë bashkë dhe Kosova bëhet.

“Bota sot”: Qeveria është kritikuar shumë për punësime familjare dhe raportet mes liderëve të koalicionit qeveritar nuk janë të relaksuara për shkak të mospajtimeve për çështje të mëdha. Opsion nga analistët shihen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në rast se bëhen, LDK shkon e vetme apo në koalicion parazgjedhor me VV-në?

Gaxherri: Shumë gjëra i thatë dhe nuk kam nevojë t’i elaboroj pse ne kemi kërkuar tash e një vit zgjedhje të reja. Kërkesa qëndron ende, pasi kjo qeverisje është shumë e dëmshme për vendin dhe ne natyrisht se vetëm në këtë mënyrë, mund ta çlirojmë vendin. Për të shkuar në zgjedhje nuk është lehtë. Ne si LDK, por edhe me Vetëvendosjen natyrisht se në këtë mandat kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe të shëndetshëm. Ky është një shembull shumë konkret që kur LDK-ja është në opozitë, qoftë edhe me VV-në, ajo e shtin në binarë, sepse VV-ja kurrë nuk ka qenë më normale se kësaj radhe, asnjëherë.

Unë nuk e marr në taborin negativ dhe të them se VV-ja ishte e manipuluar, ka bërë veprime të papranueshme ligjore karshi “Qeverisë Mustafa”, por qytetarët duhet ta shohin që kur LDK-ja është në opozitë dhe lider i saj, ajo reflekton tek subjektet tjera, madje edhe tek VV-ja. Kjo për mua është pozitive. Nuk ka rëndësi se pse VV-ja nuk po sillet keq me këtë qeveri, a nuk po guxon apo nuk po do. Është çështje e tyre. Me rëndësi është që ne duhet të edukohemi si parti politike dhe të kuptojmë se jemi në shërbim të vendit, këtu nuk kemi muskuj, por përgjegjësi dhe duke u bazuar në Kushtetutë dhe ligje, këtë duhet ta mësojmë të gjithë dhe pastaj gjithçka do të jetë më mirë. Kjo qeverisje ka më shumë problem brenda vetes se sa me opozitën. Meqë nuk i kemi numrat për rrëzimin e saj, ne nuk kemi çka të bëjmë më shumë se sa të thërrasim çdo javë seancë të Kuvendit për tema të caktuara. Kjo ndoshta nuk është e mjaftueshme, sepse duhet t’i kemi numrat për rrëzimin e saj.

Sa i përket zgjedhjeve të reja, ne e kemi diskutuar këtë në mbledhjen e fundit të Këshillit të LDK-së dhe aty kemi vendosur që LDK-ja të shkojë e vetme në zgjedhje, por kjo çështje mund të diskutohet prapë, sepse kanë lëvizur disa muaj, procese dhe situata. Mund të diskutohet, por personalisht mendoj që LDK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhje dhe duhet të punojë shumë, sepse ka shumë argumente që qytetarët duhet ta votojnë partinë tonë, sepse është partia e parë që ajo vendos me këtë të bëjë koalicionin e që nuk përjashtohet që ajo të jetë VV-ja.

“Bota sot”: Pse nuk i siguruat numrat për rrëzimin e qeverisë edhe pse ishit shumicë shqiptare?

Gaxherri: Gjithmonë kur je opozitë, nuk je shumicë. Shumica është gjithmonë qeverisëse dhe ne nuk kemi qenë asnjëherë shumicë, por kemi qenë opozita më e fuqishme jo vetëm për numra, por edhe për përbërje. Megjithatë, numrat në demokraci e thonë të vetën dhe ne duhet të mësohemi ta kuptojmë këtë. Mbi 50 përqind shumica shqiptare është në opozitë, por numrat e bëjnë të vetën. Pastaj, është tjetra gjatë rrugëtimit tonë, problemi me VV-në, e cila është ndarë dhe pjesa tjetër e saj shkoi në qeverisje me koalicionin qeverisës. Natyrisht se para kësaj ishte edhe largimi i Listës serbe, për të cilën ne e kemi tejkaluar qeverisjen e vendit. I kemi dhënë Listës serbe të kuptojë se Qeveria e Kosovës nuk rrëzohet nëse Lista serbe pretendon të jetë vendimtare në Kosovë. Këtë hap dëshiroj shumë që qytetarët ta mbajnë mend, sepse LDK-ja nuk ka ndërmarr hapa kur ajo ka bërë hapa në këtë drejtim. Ne duhet t’i tregojmë Serbisë se dimë dhe mund të udhëheqim bashkë. Por, pastaj kur janë në pyetje veprime të përditshme, sidomos kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë, ne jemi këtu për të ndaluar ata të veprojnë në dëm të vendit. Veprimi i PSD-së normal që na ka shkaktuar hendikep, sepse na mungojnë numrat e opozitës dhe tash ata (koalicioni qeverisës) me PSD-në i kanë numrat. Por, ajo është një qeverisje që nuk funksionon brenda për brenda. Këta kanë probleme, aty është një luftë e hienave mes vete, të cilët i tregojnë njëri-tjetrit muskujt, ose na tregojnë neve se sa janë të kapur në shpenzime buxhetore dhe është irrituese dhe shqetësuese mënyra e qeverisjes së tillë. Qytetarëve iu shkakton pasiguri të thellë kur e sheh secilin duke dhënë deklarata kundër njëri tjetrit në opinion dhe kjo është e papranueshme. Nuk iu ndihmon as PSD-ja, askush nuk i ndihmon më kësaj qeverie, pasi vërtetë këta e kanë qëllimin personal qoftë në punësim, në shpërndarje të buxhetit, apo edhe në politikat e brendshme dhe të jashtme. Të gjitha këto janë garë e ulët dhe e rrezikshme për vendin, e cila nuk jep fryte pozitive, prandaj kësaj qeverie nuk mund t’i zgjatet më mandati.

Jam shumë e sigurt që këtë vit vet koalicioni qeverisës do të dorëzohet, sepse kështu nuk mund të funksionojë më. Si gjithmonë qeverinë gjithmonë e rrëzon partneri në koalicion, siç ishte edhe rasti me ne, kishim mbi 80 vota, por PDK-ja ishte e gatshme të bënte lojë si gjithnjë. Edhe kësaj radhe presim që kështu do të ndodhë. Këta nuk e kanë problem që të vazhdojnë qeverisjen e tyre, pasi kanë interesa të përbashkëta, ndërsa me ne nuk ka pasur kurrfarë interesi. Prandaj, na kanë rrëzuar me arsyetimin se nuk po mund të marrim vendime të mëdha. Kjo ka qenë arsyetim qesharak e banal, ndërsa me këta që gjithë kohën opinioni i sheh duke na bombarduar me përplasjet e tyre, nuk e rrëzojnë njëri-tjetrin, sepse i kanë interesat e përbashkëta. Nuk e kanë për shtati shkuarjen në zgjedhje asnjë subjekt politik, përveç neve dhe VV-së dhe fatkeqësisht demokracia i përcakton numrat.

“Bota sot”: Presidenti Thaçi po këmbëngul që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen Kosovës dhe të mos preket veriu. Sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë?

Gaxherri: Kjo është oferta më e tmerrshme dhe qesharake që ka mundur të fyejë dinjitetin shqiptar që e ka bërë Thaçi. Ta kemi parasysh: sipas Thaçit, Serbia nuk na paska njohur, se ne nuk e paskemi kërkuar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin me ia bashkuar Kosovës, prandaj nuk paskemi mundësi të bëjmë marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe që kjo e fundit të na njeh si shtet të pavarur. Këtë t’ia thuash një fëmija 5-6 vjeçar, ai do të dijë që të përgjigjet. Por, sipas rrjedhave të tanishme, mund të them se situata ka ndryshuar shumë. Ideja e papranueshme e Thaçit, e cila ka qenë kërkesë e Serbisë, këtë e dinë të gjithë, është zbehur shumë. Këtë e tha edhe zyrtari amerikan Matheë Palmer në Tiranë, që ideja e korrigjimit të kufirit, nuk është më temë. Prandaj, ideja e Thaçit është zbehur dhe kjo është pozitive.

Njëkohësisht kleçka e kryeministrit të vendit me taksën që është munduar ta shesë edhe si çështje elektorale dhe personale, shihet edhe si pengesë dhe shantazh brenda koalicionit. Unë pajtohem që në raport me Serbinë duhet të kemi masa, por edhe çështja e kërkesës për ta hequr taksën nga faktori ndërkombëtar, këto ditë është më e zbehur. Çështja ka ndryshuar në aspektin e dialogut me Serbinë.

Dhe çështja tjetër që thoshte Thaçi se nëse marrëveshja nuk arrihet këtë vit, Kosova do të përfundonte si Palestina. Një deklaratë e tillë nga një president ivendit, mjafton për ta shikuar sa po i kontribuon ai vendit. Edhe kjo tezë ka rënë dhe ka dalë shumë e pavërtetë. Ka qenë një lojë e ulët dhe e rrezikshme e presidentit për interesa të tij personale, për frikërat e tij nga Gjykata Speciale, të cilën e ka ndez vet nga papjekuria e tij, nga sjelljet e tij të papranueshme ka ndodhur edhe Gjykata Speciale, e cila natyrisht është në dëm të vendit. Por, ai është personi kyç pse u formua kjo Gjykatë, sepse është edhe kërkesë publike akuza ndaj tij dhe ai nuk duhet ta shfrytëzojë Kosovën për çështje të tij personale, kjo është e papranueshme.

Në një aspekt, sa i përket çështjes së dialogut, unë e shoh çështjen si më të mirë, më të relaksuar edhe nga faktori ndërkombëtar, që tregon se nuk kemi nevojë të ngutemi dhe të diskutojmë për sovranitetin dhe territorin e vendit. Kjo një herë e përgjithmonë është mbyllur më 17 shkurt 2008, kur u shpall Pavarësia me këta kufij dhe ne nuk guxojmë të hapin “Kutinë e Pandorës”, sepse jemi ende shtet i brishtë, pa fuqi ekonomike dhe ushtarake, dhe unë nuk e di kush është ai person i krisur që guxon të thotë se jemi të gatshëm të flasim për territore. Jemi shumë të vetëdijshëm që Serbia nuk është e gatshme të shkëmbejë territore me kushte të barabarta. Çështja me dialogun merr kohë, sepse Kosova duhet të shkojë në zgjedhje, duhet të marrë legjitimitetin e qytetarëve, duhet të pyesim ata se a janë të gatshëm të hapin “Kutinë e Pandorës”, ata duhet të na japim besimin ose jo, e pastaj të vazhdojmë me dialogun me Serbinë dhe shumë kushte tjera që duhet t’i vendosim Serbisë.

“Bota sot”: Administrata Trump thotë që 2019, është momenti i duhur për arritjen e marrëveshjes me Serbinë. A do të kishte pasoja një marrëveshje e ngutshme për Kosovën?

Gaxherri: Një marrëveshje e ngutshme, që e kemi dëgjuar nëpër koloare të ndryshme, nëpër takime të brendshme që janë bërë me këdo qoftë nga presidenti i vendit, është e papranueshme. Nuk kemi nevojë të ngutemi. Kosova gjendet në një situatë shumë të pafavorshme, sidomos në raport me BE-në. BE duhet të jetë më gjeneroze dhe më e balancuar me Kosovën. Ne jemi shteti i vetëm në rajon që nuk kemi lëvizje të lirë. Nuk po përfitojmë ende asgjë nga ky proces. Dhe sjellja e Serbisë karshi Kosovës duhet të ndalet. BE duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se në tavolinë jemi vende të barabarta. Kosova duhet të ecë tutje për në BE. Në të kundërtën, duhet një qeverisje e përgjegjshme, ta zhvillojë dhe t’ia kthejë shpresën vendit, sepse në fund të fundit, nuk ka hiq rëndësi a na njeh neve një Serbi a jo, nuk ka hiq rëndësi nëse nuk e kemi një ulëse në BE, sepse ka shumë vende të zhvilluara që nuk kanë ulëse në OKB dhe vazhdojnë jetën me shumë prosperitet. Edhe ne, duhet të ndjekim këtë rrugë. Duhet t’ia bëjmë të qartë miqve dhe kundërshtarëve që ne jemi serioz, e kemi bërë luftën, kemi kaluar tranzicionin, e kemi shpallur pavarësinë dhe jemi duke zhvilluar një shtet. Ta luftojmë korrupsionin, pasi jemi shtet. Te ne është e kundërta. Ata që i kemi miq, janë shumë të zhgënjyer me ne, ndërsa ata që i kemi kundërshtarë, kanë shumë argumente për ne, sepse politikanët tonë po i japin shembull më të keq se si zhvillohet krimi i organizuar, se si bëhen punësimet në vend, se si trajtohet studenti e pacienti në këtë vend dhe këto gjëra tashmë janë të patolerueshme. Ne duhet të merremi me probleme të përditshme e sa i përket dialogut me Serbinë, duhet të jemi shumë korrekt, sepse pa marrë parasysh çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë, ne Serbinë e kemi fqinj. Ka shumë histori nëpër vende, ku kanë ndodhur luftëra dhe sot kanë bashkëpunime. Serbinë e kemi fqinj dhe duhet të bashkëpunojmë, por të kemi kushte që ky bashkëpunim të jetë reciprok, jo i njëanshëm.

“Bota sot”: Është mbushur një vit nga miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave, ndërsa jemi në 2019 nuk kemi as viza dhe as rishikim të Demarkacionit. Pse ndodhi kjo?

Gaxherri: Ky është ndoshta çelësi apo hapi i parë i dështimit të kësaj qeverie, e cila ka ardhur në pushtet me këtë kauzë. E ka rrëzuar dhe kallë vendin, bashkë edhe me VV-në për këtë temë dhe erdhi në pushtet me arysetimin se e kanë bërë një aneks kontratë me Malin e Zi që do të rishikohen dy pika dhe me kusht që do të kemi liberalizimin e vizave. Për këtë edhe LDK-ja e ka votuar këtë marrëveshje dhe çka ka ndodhur? As nuk kemi liberalizim të vizave dhe as rishikim të demarkacionit. Kjo çështje po fle dhe ne kemi përfaqësues të vendit që na shesin patriotizëm çdo ditë, ndërsa në aspektin faktik, nuk kemi asgjë. Njëri lider përplaset atje se do t’ia marrë Serbisë një pjesë e do t’ia falë një pjesë tjetër, tjetri përplaset se do t’ia bëjë këtë e do t’ia ndalojë këtë. Kryeministri e ka përgjegjësi edhe demarkacionin me Serbinë, pasi kur erdhi në pushtet tha që do të merret me çështje të brendshme, ndërsa me ato të jashtmet presidenti, ndërsa sot përdorin forma jo transparente për ta stopuar njëri-tjetrin, ndërsa ato tema që i kanë nisur i kanë lënë përgjysmë. Nuk ka asgjë të shëndetshme, gjithçka është politikë brenda llojit të tyre dhe nuk po bëjnë asgjë të mirë për vendin, në raport me Serbinë apo me miqtë ndërkombëtarë. Sjelljet dhe veprimet e tyre i kanë dëmtuar raportet me shtetet mike. Kjo qeveri është e paaftë, ky president është një njeri, i cili problemet e tij personale don t’i zgjedh përmes pazareve me popullin e vet e që këto janë të papranueshme. Zgjidhja e vetme për këto probleme, janë zgjedhjet. Shpresojmë që edhe vet koalicioni ta kuptojë këtë dhe të shkojmë në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat