Diskutimi me pasardhësit e Millosheviqit është amnisti për krimet e luftës

Intervista

Diskutimi me pasardhësit e Millosheviqit është amnisti për krimet e luftës

Nga: Gresa Bajraktari Më: 16 prill 2019 Në ora: 15:15
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe gazetarja e gazetës "Bota sot", Gresa Bajraktari

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje janë përmendur prej kohësh nga opozita. E për mocionin, se kur pritet të shkojë vendi në zgjedhje dhe a mund të ketë një koalicion me LDK-në, për gazetën “Bota sot” ka folur deputeti Rexhep Selimi. Ai ka folur dhe për taksën ndaj Serbisë, ku sipas tij nuk duhet të hiqet taksa, e aq më pak që kërkohet si kusht për vazhdimin e dialogut nga ana e Serbisë, derisa shton se taksa nuk i prish raportet me SHBA-të. Sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, deputeti Selimi ka vlerësuar se ky është një plan për ndarjen e brendshme të Kosovës, ka plan dhe për ndarjen e faktorit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe se Serbia dëshiron që të ketë kontroll territorial në Kosovë. Rexhep Selimi ka folur po ashtu dhe për ftesat për luftëtarë të UÇK-së nga Gjykata Speciale dhe se si do t’i përgjigjej ai një kërkesë të tillë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Rexhep Selimi:Gjendja aktuale politike në Kosovë tashmë po vlerësohet jo vetëm nga ne që jemi protagonistë në politikë, por mbi të gjitha nga qytetarët si një gjendje e rëndë, e padurueshme dhe e nevojshme për të ndryshuar.

“Bota sot”: Pati vlerësime pro dhe kundër taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës dhe kërkesa të shumta që ajo të hiqet. Sipas jush a duhet të pezullohet apo hiqet taksa?

Rexhep Selimi: kërkesa e parë dhe presion, më shumë se kërkesë, ka ardhur nga Serbia. Është e kuptueshme se në mënyrë të drejtpërdrejt nuk kanë mundur të na bëjnë presion përveç se me prezencën e tyre ose të Listës Serbe e cila në institucionet e Kosovës e ka shpallur bojkotin. Pra ky ka qenë presioni i parë për ta hequr taksën sepse në fakt kjo taksë ndoshta peshon mbi ekonominë e Serbisë por sidoqoftë e mbron ekonominë e Kosovës. Pastaj si rezultat i kësaj, ka pasur presion edhe nga presidenti i Republikës, që për mua është e çuditshme që nga presidenti i Republikës të vije një presion në mbrojtje të interesit ekonomik të një vendi tjetër, në këtë rast të shtetit të Serbisë, në dëm të interesit ekonomik të Kosovës. Dhe pastaj, si rezultat i këtyre dy kërkesave, këto dy segmente të këtij boshti kanë vënë si kusht heqjen e taksës për vazhdimin e bisedimeve. Prandaj, kur të huajt apo miqtë kërkojnë heqjen e taksës, ata kërkojnë vazhdimin e bisedimeve dhe heqjen e taksës e kërkojnë si kusht të Serbisë për vazhdimin e dialogut, prandaj kur të huajt e kërkojnë këtëpër vazhdimin e bisedimeve, ndërsa kur Thaçi e kërkon këtë, e kërkon në shërbim të vazhdimit të bisedimeve dhe raportit me Vuçiqin, kur Serbia e kërkon këtë, e kërkon mbrojtjen e ekonomisë së vet dhe në dëm të ekonomisë së Kosovës. Kaq e thjeshtë është.

“Bota sot”: Serbia po e kushtëzon dialogun me heqjen e taksës. Sa ia vlen të vazhdohet një dialog i tillë me kushtëzime nga ana e Serbisë?

Rexhep Selimi:Nëse do të ishte pengesë taksa, për vazhdimin e dialogut, atëherë aq më mirë, aq më e rëndësishme është taksa sepse kur heqja e taksës vije si kusht nga Serbia, i bie që në këtë dialog Serbia na ka vënë kushte, në vend që ne t’i vëmë kushte atyre. Kur Serbia kërkon heqjen e taksës për vazhdimin e dialogut, kjo i bie që të jetë heqja e taksës kërkesë e Serbisë në vend të kishte kërkesa Kosova ndaj Serbisë. Prandaj, përpos që e mbron ekonominë dhe prodhuesit e Kosovës, heqja e kësaj takse e ka edhe dimensionin tjetër të mirë sepse po bëhet pengesë e vazhdimit të një të keqe që quhet dialog me Serbinë.

“Bota sot”: A mendoni se me mos heqjen e taksës pas kërkesës së SHBA-së, u prishën raportet me ta?

Rexhep Selimi:Jo. Nuk i kemi të varura raportet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes një asnjë interesi të Serbisë në Kosovë, as nuk mund të rregullohen përmes Serbisë e as nuk mund të prishen përmes Serbisë. Raportet me Amerikën peshojnë mbi atë se çfarë bëjmë ne për ndërtimin e shtetit, ku hisedarë janë edhe miqtë tanë, aleatët tanë, pra SHBA-të. Pra, nëse ne e dëmtojmë shtetin deri në atë shkallë sa që edhe e nxjerrim nga funksioni, atëherë kjo është prishja e raporteve me miqtë tanë, që janë dhe sponsorizuesit kryesorë nga jashtë për të pasur Kosova shtet. Prandaj, raportet mes Kosovës dhe SHBA-së nuk janë të varura nga Serbia, përkundrazi raportet Kosovë-Amerikë janë të drejtpërdrejta dhe nuk kanë pse të kenë në mes taksën me Serbinë.

“Bota sot”: Sa mendoni se mund të arrihet marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti, derisa dialogu është ende i pezulluar?

Rexhep Selimi: Kam dëgjuar që po kërkohet në mënyrën retorike një zgjedhje e pranueshme për të dyja palët. Në momentin kur po flasim, nuk ka zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, respektivisht nuk ka zgjidhje të mirë për të dyja palët. Kosova është shtet i pavarur, Serbia e do Kosovën ta ketë nën sovranitetin e vet. Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme, ose është Kosova shtet i pavarur, ose nuk është i pavarur. Prandaj, çdo lëvizje nga pozicioni i pavarësisë së Kosovës, është dëmtim dhe shkatërrim i kësaj pavarësie. Kështu që nuk ka zgjidhje për momentin, për fat të keq të dikujt, nuk ka zgjidhje të përbashkët, nuk ka zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ka ose shtet i pavarur Kosova, ose nën Serbi.

“Bota sot”: A mendoni se do të implementohet ideja e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh apo do të mbetet vetëm ide?

Rexhep Selimi: E ashtuquajtura ide për shkëmbim kufijsh, e them kështu, e kamufluar kështu, ka të bëjë me një plan për ndarjen e brendshme të Kosovës, ka plan dhe për ndarjen e faktorit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Por, sidoqoftë, kur jemi e fokusuar tek e para, në vend që bisedimet të sillnin si rezultat integrimin e gjithë qytetarëve në shtetin e përbashkët që quhet Republikë e Kosovës, atëherë po del që bisedimet me Serbinë po e sjellin si rezultat ndarjen e Kosovës, diçka e planifikuar, e kërkuar në mënyrë shumë strategjike nga vetë Serbia. Sepse tek e fundit, Serbia nuk e ka fort problemin e qytetarëve serbë të Kosovës, as të shqiptarëve por është e fokusuar tek territori, tek marrja aq sa mundet e territorit, nëse nuk do të mundte ta merrte Kosovën, ta kthente sërish nën sovranitetin e vet. Pra, në pamundësi që ta kthejë Kosovën nën sovranitetin e vet, atëherë Serbia ka vazhduar me planin për të pasur kontrolle të Kosovës në territor, eventualisht edhe për t’i aneksuar krejt.

“Bota sot”: Prej kohësh VV dhe LDK kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme. A duhet të shkojë vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Rexhep Selimi:Duket që tashmë jemi pajtuar të gjithë, ata që janë pro apo kundër se ky vit do të jetë vit zgjedhor. Dilema ka qenë a do të ketë zgjedhje në pranverë apo në vjeshtë, ne mendojmë që sa më shpejtë që të vijnë zgjedhjet, aq më shumë do të përfitojë Kosova nga kjo situatë. Gjithashtu, përveç kaq, Kosova nëse do të shkonte në zgjedhje sa më shpejt, kjo do të ishte zgjidhja për problemet me të cilat po përballet Kosova. Kështu që zgjedhjet janë edhe zgjidhja e vetme për të ndryshuar kursin e ecjes së këtij shteti në shtet-bërjen e tij, sepse në këtë kurs nuk kemi të bëjmë më me shtet-bërjen e tij, kemi të bëjmë me një rrjedhje të sovranitet, të pavarësisë së Kosovës, në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë në këtë rast. Prandaj, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Ka shumë arsye pse ne duhet të shkojmë në zgjedhje. Që prej ditës së parë kur është formuar kjo qeveri në varësi të Listës Serbe dhe deri në këto momente kur po flasim, kur kjo qeveri nuk e ka mazhorancën në Kuvend, përfshirë këtu dhe keqqeverisjen, nepotizmin, korrupsionin,etj, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër përpos që të shkohet në zgjedhje të reja, për të krijuar një situatë të re, në favor të qytetarë të Kosovës.

“Bota sot”: Sipas jush, a do të ndodhin tash zgjedhjet apo në vjeshtë?

Rexhep Selimi: Sa më shpejtë që ndodhin, aq më mirë do të jetë për Kosovën.

“Bota sot”: Një koalicion LDK-VV a do të ishte zgjedhje e duhur për të shpëtuar Kosova nga kriza?

Rexhep Selimi:Jemi herët të flasim për koalicione.

“Bota sot”: Çfarë po ndodhë me mocionin për rrëzimin e Qeverisë? A po punoni ende për bërjen e numrave që ju duhen?

Rexhep Selimi:Edhe referuar përvojës, opozita është opozitë pasi nuk i ka më shumë vota se mazhoranca, është e kuptueshme, prandaj opozita është opozitë, mazhorancaështëmazhorancë. Por, ndryshimi i raportit politik në Kuvendin e Kosovës po ndodhë dhe mund të ndodhë shpejt dhe ndryshimi i parë që të ndodhë brenda forcave politike në raport mazhorancë-opozitë besojmë që sa më shpejt që shkojmë në kërkimin e mocionit, do të jetë dhe më mirë edhe për ata që mendojnë se kjo situatë tashmëështë e padurueshme, qofshin ata në pozitë apo opozitë.

“Bota sot”: A do t’i pranoni edhe votat e Listës Serbe?

Rexhep Selimi: Ne nuk bashkëpunojmë e as nuk e kërkojmë kontributin e Listës Serbe në këtë rast. Megjithatë ne nuk mund t’ua ndalojnë se si votojnë atë. Këtë duhet ta kuptojmë. Ne nuk kërkojmë kontributin e Listës Serbe, nuk i kërkojmë nënshkrimet e tyre, nuk bashkëpunojmë me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë, por në anën tjetër nuk ua mohojmë se si votojnë ata. Ashtu si e kanë votuar këtë qeveri, ata mund sërish ta mbështesin qeverinë, vetëm ta rrisin pazarin karshi qeverisë.

“Bota sot”: Këto ditë u shënuan përvjetorët e disa masakrave dhe gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë, sipas jush a është bërë mjaftueshëm për një padi ndaj Serbisë për krime lufte apo qoftë edhe për dokumentimin e krimeve të luftës?

Rexhep Selimi:Vetë diskutimet me pasardhësit e Millosheviqit është amnisti për krimet e kohës së Millosheviqit. Serbia për fat të keq vazhdon të mbetet Serbi e njëjtë, si në kohën e Jugosllavisë, po ashtu në kohën e Millosheviqit dhe po ashtu në kohën e pas Millosheviqit në qeverinë e sotme. Pra, Serbia po vazhdon të mbetet për Kosovën siç ka qenë gjithnjë dhe kjo është fatkeqësi edhe për ta, por gjithsesi edhe për ne. Por, pavarësisht kësaj, ajo çfarë ka ndodhur tash e 20 vite në Kosovë, është një spastrim etnik i Kosovës, fushatë e spastrimit etnik të Kosovës nga ana e forcave kriminale dhe terroriste serbe, ka ndodhur gjenocid kundër shqiptarëve, masakra të njëpasnjëshme dhe gjithsesi luftë kundër shqiptarëve të pambrojtur në atë kohë. Në anën tjetër, ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ka bërë luftë çlirimtare. E tash në çfarë pozicioni e kanë sjellë qeveritë Kosovën. Në vend që Serbia të përgjigjej për krimet që ka bërë, qeveria e mëhershme po udhëheqja e tanishme, pushteti, e ka dërguar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në bankën e të akuzuarve për krime kundër njerëzimit. Paramendoni në çfarë situate e kanë sjellë dhe nuk ka tjetër përgjegjës për këtë, përveç atyre që e kanë sponsorizuar ligjin për Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, të cilët akoma për fat të keq janë në pushtet.

“Bota sot”: E përmendet dhe UÇK-në. Gjykata Speciale ka nisur me intervistimin e disa dëshmitarëve (ndër ta edhe të dyshuar), si një nga ish komandantët e UÇK-së, si e vlerësoni këtë proces?

Rexhep Selimi: Tash kjo është pasojë e datës 3 gusht të 2015. Për fat të keq është e kuptueshme tash. Përderisa është formuar Gjykata, ajo është formuar që thërrasë njerëz në intervista dhe unë jam mërzitur me datën 3 gusht 2015 dhe tash po përballemi me atë vendim të keq, të padrejtë dhe të rëndë  padrejtë ndaj UÇK-së.

“Bota sot”: Si do t`i përgjigjeshit ju një ftese eventuale nga Specialja?

Rexhep Selimi: Nuk kemi as llogari e as plan e as vullnet ta kundërshtojmë tash në aspektin individual. Kemi mundur ta kundërshtojmë me votën tonë në Kuvendin e Kosovës. Se ka bërë këtë Kuvendi i Kosovës, prandaj ka pse askush ta kundërshtojë përgjigjen ndaj ftesës së tyre. Kështu që, kjo tashmë as nuk është e diskutueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat