Asnjë metër katrorë nuk është pronë e Behgjet Pacollit, në projektin “Prishtina e re”

Intervista

Asnjë metër katrorë nuk është pronë e Behgjet Pacollit, në projektin “Prishtina e re”

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 20 prill 2019 Në ora: 18:27
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se që nga marrja e detyrës në këtë ministri ka filluar të punojë me një ritëm të shtuar në përmirësimin e gjendjes së ambientit në vend. Ai ka theksuar se me nismat të cilat vetëm se i ka filluar, dimri i viti 2019 vendin do ta gjejë me ajër më të pastër.

“Bota sot”: Si e keni gjetur gjendjen në ministri, në momentin që e keni marrë në drejtim?

Matoshi: Realisht ka një përkushtim të madh të qeverisë për ti dhënë prioritet çështjeve mjedisore dhe ne jemi munduar që problemet që i kemi gjet, me u ballafaqu me to. Unë kam ardhur ushtrues detyre me 3 gusht të vitit të kaluar, e me 15 tetor jam emëruar ministër. Më 3 gusht ka qenë vetëm rreth 20% e buxhet e shpenzuar, sidomos ajo e pjesës për investime kapitale, kështu që vitin e kaluar jemi përballur me presionin e kohës për t`i implementuar të gjitha projektet të cilat kanë qenë të planifikuara në buxhet. Konsideroj që ja kemi dalë mirë, këtë vit kemi filluar me kohë, punët, projektet tona kanë filluar së implementuari në teren, një pjesë e tyre janë në shpallje e sipër. Ministrinë e kemi gjetur të pa fokusuar në disa prej çështjeve kryesore siç është shembull rezervat ujore, Kosova është ndër vende me më së paku rezerva ujore, unë tash jam në fazën finale të negocimit me Bankën Botërore për ndërtimin e dy hidrosistemeve të reja, të cilat do ta rrisin sasinë e ujit në Kosovë, pasi që të gjitha lumenjtë tanë dalin jashtë vendit dhe neve na mbetet shumë pak ujë.

Në anën tjetër kam punuar shumë këtë kohë për udhëzimet administrative për ligjin që trajton ndërtimet pa leje, brenda dy jave do ta kemi në fuqi edhe këtë ligj me të gjitha udhëzimet administrative të veta, po ashtu gjendjen ambientale e kemi gjetur jashtëzakonisht të keqe, kemi udhëheq një task forcë për pastrimin e Kosovës për tre muaj, që ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme, si rezultat i saj Kosova sot e koordinon fushatën globale të pastrimit të tokës. Kam nxjerrë udhëzimin administrativ për gjoba për ata që hedhin mbeturina dhe kjo sigurisht se kërkon një zbatueshmëri më të madhe.

“Bota sot”: E përmendët iniciativën për pastrimin e Kosovës me anë të aksioneve. Përveq suksesit në mbeturinat që keni mbledhur, a mund të flasim edhe për sukses në vetëdijesimin e qytetarëve që të kenë kujdes në ruajtjen e ambientit?

Matoshi: Kanë qenë dy qëllimet kryesore të gjithë atij aksioni. E para ka qenë vetëdijesimi i qytetarëve dhe e dyta ndërrimi i gjendjes. Ne tek vetëdijësimi i qytetarëve domosdoshmërish kemi pasur dhe ka një vetëdijësim të qytetarëve për sa i përket çështjeve mjedisore, mund të them se rreth 10% e qytetarëve kanë marrë pjesë në ato aksione, në mënyra të ndryshme.

Qëllimi i dytë ka qenë që ta ndërrojmë gjendjen. Në tërë territorin e vendit janë grumbulluar gjithsej më shumë se 30 mijë ton mbeturina nëpër vende të ndryshme.

“Bota sot”: Viteve të fundit, Kosova e veçanërisht Prishtina është vlerësuar nga të dhënat si vendi me ajrin më të ndotur në botë. Pse po ndodhë kjo?

Matoshi: Shiko, nuk është vetëm Prishtina, është Shkupi, Sarajeva, Tuzlla, janë qytete kryesisht të këtij rajoni të cilët e kanë këtë problem. Ndotja e ajrit tashmë është problem global, kjo nuk duhet të na ngushllojë, por duhet të ndërmarrim veprime adekuate. Unë i kam propozuar qeverisë së Republikës së Kosovës të cilin edhe e ka miratuar në lidhje ndalimin e përdorimit të thëngjillit. Kemi një projekt me qeverinë japoneze që e asiston ministrinë e mjedisit, e përmes neve edhe KEK-un, me teknologjinë më të avancuar për ta parandaluar ndotjen e ajrit. Kemi edhe donatorë, bashkëpunëtorë tjerë me të cilët punojmë me projekte që ndërlidhen me ajrin si MCC, po ashtu do të ketë një investim bukur të madh në MM, për pajisjet e reja të cilat në kohë reale do të bëjnë matjen e cilësisë së ajrit. Sot e kemi përkohësisht të lansuar një aplikacion të cilin mund ta shkarkojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në kohë reale e sheh gjendjen e ajrit në tetë qendra të Kosovës, aty ku i kemi stacionet e vendosura.

Me këto masa të cilat po i përmend, nuk do të thotë se do ta zgjidhim komplet problemin e ndotjes së ajrit, por mund të them se në vitin 2019 do të kemi ajër më të pastër. Problemi i ajrit nuk zgjidhet as me një ministër, as me një mandat, as me një qeveri. Këto janë projekte madhore, politika më afatgjate, por që gjithsesi siç e thash, dimrin e 2019-ës, do ta kemi me ajër më të pastër.

“Bota sot”: Sa po rrespektohet apo zbatohet urdhëri juaj ligjin për gjobitjen e atyre që hedhin mbeturina?

Matoshi: Inspektorët e MM, policia e Kosovës dhe inspektorët komunal janë përgjegjës për zbatimin e këtij ligji administrativ, deri tani janë mbi 600 dënime të shqiptuara. Jemi në procedurë finale për arritjen e një kontrate me përmbarues përmes të cilëve do të arrijmë që në mënyrë të detyrueshme do të inkasojmë këto të dhëna, edhe pse kam informacione se shumica e dënimeve janë paguar, pasi që qytetarët e kanë atë mundësinë që kur gjobiten me shembull 100 euro, nëse e paguajnë brenda 15 ditëve, e paguajnë vetëm gjysmën.

Këtu më duhet patjetër ta cekë si diçka shumë të rëndësishme edhe nevojën për ngritjen e infrastrukturës për hedhjen e mbeturinave, ne nuk mund ti ndëshkojmë qytetarët derisa nuk iu kemi siguruar infrastrukturë se ku ata mund ti hedhin mbeturinat, në mënyrë që të mos i hedhin në rrugë.

“Bota sot”: Cili është plani i “Prishtinës së Re”, çka në të vërtet është ai plan dhe a janë reale dyshimet se po bëhet kjo për shkak të Behgjet Pacollit, pasi që flitet që në atë pjesë Pacolli ka shumë troje?

Matoshi: Kosova do të ishte shumë herë më e mirë se që është sot, nëse do të zbatoheshin idetë e z. Pacolli. E kaluara e tij na ka treguar se ai din ti bëjë punët mirë. Ideja ka qenë që të ndërtohet, dhe vazhdon të jetë ajo ide që qytetin administrativ ta ndërtojmë jashtë, e që Prishtinën e sotme t`ua lëmë qytetarëve. Ne kemi nevojë të kemi një qytet administrativ ku do të kalonte qeveria e institucionet, këtu ku jemi tani do të duhet eventualisht të mbetej komuna e Prishtinës.

Zonën ku flitet se do të ndërtohet “Prishtina e Re”, me përgjegjësi e them se asnjë metër katrorë nuk është pronë e Behgjet Pacollit, ai nuk ka asnjë pronë të vetën brenda atij territori.

“Bota sot”: Keni deklaruar se asnjë hidrocentral në vend nuk funksionin sipas ligjit, nuk është i paisur me leje nga ana e MM. Çka po bëhet në këtë drejtim?

Matoshi: Unë besoj që kanë filluar të vijnë në vij gjërat. Edhe më herët e kam thënë se asnjë nga hidrocentralet ekzistuese, as ato që janë në operim, e as ato që janë në ndërtim e sipër nuk kanë leje mjedisore. Asnjë nga ata nuk e ka kthyer ambientin në gjendje të pranueshme për tu pajisje me lejen mjedisore. Unë i inkurajoj të gjithë ata që kanë ndërtuar hidrocentrale, që kanë leje ujore e leje ndërtimit, të kthehen e të punojnë në ambient, ta binë ambientin në gjendje të pranueshme, e pastaj të vijnë e të pajisën me leje nga MM. Vetëm atëherë ata mund të funksionojnë legalisht, si ata funksionojnë sot, nuk më përket mua as ministrisë time, është kompetencë e institucioneve tjera. Unë kam lexuar e pa lajme pozitive në këtë drejtim, e di që po bisedohet për të shkyçur disa prej hidrocentraleve derisa nuk pajisen me leje mjedisore dhe mendoj që temat që i kemi diskutuar e ngritur në nivel më të lartë, kanë bë që kjo punë tash të marrë një zgjidhje përfundimtare në aspektin pozitiv.

“Bota sot”: Sa po punohet në fushën e energjisë së ripërtërishme, e dimë se BE i ka disa kufiza, disa kushte në këtë drejtim. Ku jemi në këtë drejtim si vend?

Matoshi: Mendoj që janë bërë hapa shumë të mirë, tash e kemi një 32.4 MegaVat në funksion i cili është projekt i KIK-as, që është energji me erë, ka disa solare, ka pak me ujë. Politikat e vendit po orientohen drejtë asaj që të ketë pak më tepër licenca për energjinë diellore dhe me erë, e më pak në atë me hidrocentrale. Ka lëvizje të mira, tash e kemi një investitorë strategjik të cilës ia kemi dhënë statusin e investitorit strategjik për një park me erë, që është në fshatin Selac të komunës së Mitrovicës e që besoj se kuotat për neve janë lehtë të arritshme.

“Bota sot”: Sa po respektohen lejet e ndërtimit në pasurit natyrore, parqet kombëtare të vendit. Kemi parë viteve të fundit jo rrallë aksione për rrënimin e objekteve pa leje në Prevallë e Brezovicë?

Matoshi: Ne do të kemi parasysh, obligimi jonë është mbrojtja, zhvillimi e modernizimi i parqeve nacionale. I kemi dy, Bjeshkët e Nemuna dhe Sharri. Po ashtu mbrojtja e resurseve tona. Vitin e kaluar, pak kohë pasi që kam filluar punën si udhëheqës i ministrisë, e kemi pasur një aksion për rrënimin e objekteve përgjatë liqenit të Batllavës, ndërkohë janë shqetësuese informatat për ndërtime pa leje në parqet nacionale, kemi ndërruare një veprim të ri që ka të bëjë me vendosjen e Laurave në hyrjet e parqeve nacionale. Ato do të vendosen në Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit, banorët kishin një lloj indinjate, por mund të them se kjo ka ndodhë për shkak se ata nuk kanë qenë të informuar mirë, pasi që qëllimi i tyre është ruajtja e parqeve, ndalimi i prerjeve ilegale i pyjeve, të mbrohet nga ndërtimet pa leje, por edhe të ruhet bota shtazore që i bënë më atraktive këto parqe. Gjithashtu ministria këtë vit ka plane për rregullimin e infrastrukturës nëpër parqe nacionale, si parkingje, krijimin e stazave të ecjes, mundësive më të mira të rekreacionit për vizitore e shumë tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat