Makolli: Nuk protestojmë kundër vetvetes, Agim Bahtiri individualisht në tubimin e VV-së

Intervista

Makolli: Nuk protestojmë kundër vetvetes, Agim Bahtiri individualisht në tubimin e VV-së

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 prill 2019 Në ora: 12:08
Vesel Makolli

Sekretari i përgjithshëm i ARK-së, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli e konsideron si stabile situatën aktuale politike në Kosovë. Makolli në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ndonëse është e dhimbshme ikja e të rinjve nga Kosova është e drejtë demokratike e tyre. Ai ka thënë se derisa koalicioni qeverisës e ka shumicën në Kuvend, funksionon normalisht.

Në anën tjetër, Makolli ka potencuar se pjesëmarrja e kreut të Mitrovicës Agim Bahtiri në tubimin e VV-së ishte individuale, pasi AKR nuk mund të protestoj kundër vetvetes.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike e shoqërore në vend konkretisht ikjen e të rinjve nga Kosova?

Makolli: Gjendja aktuale politike në Kosovë, aktualisht është stabile, por megjithatë ka tendenca për destabilizim të situatës sidomos nga pala serbe e ndihmuar nga Rusia. Çdo destabilizim do të shkonte në favor të palës serbe dhe ndikimit rus në këtë pjesë të Evropës andaj liderët dhe partitë politike shqiptare duhet të jenë shumë vigjilent, të kujdesshëm dhe në veprimet e tyre duhet të jenë gjithmonë të koordinuara me faktorin relevant ndërkombëtar e në kundërshtim me tentativat serbo-ruse.
Në shek. 21 e sidomos në pjesën ma demokratike dhe liberale të globit në Evropë, lëvizjet e qytetarëve janë normale si ato për vizita në vendet e ndryshme apo për të kërkuar një punë me te përshtatshme. Situata e vështire ekonomike jo vetëm në vendin tonë por edhe në vendet tjera post-komuniste ka bërë që shumë të rijë nga këto vende të kërkojnë vende pune apo mirëqenie në vendet Perëndimore. Në tjerat shtet kjo është mbase normale por tek ne kjo shpesh edhe keqpërdoret për interesa të ndryshme, e në rastin tonë mund të përdoret edhe për interesat të ndikimeve nga jashtë. Është e dhimbshme kjo lëvizje e sidomos e rinisë, por në anën tjetër është e drejtë demokratike që çdo njeri të kërkoj vendin ku kishte me pas mirëqenie më të mirë. Duhet të ceket se nëse thirremi në statistika relevante migrimi nga Kosova ka pasur rënie të dukshme nga viti 2015 e deri më sot.

“Bota sot”: Kujt duhet t`i adresohet faji për ikjen e madhe të të rinjve që po ndodhë këtyre ditëve?

Makolli: Çdo shtet i Evropës lindore gjegjësisht i sferës post-komuniste, është përball me largime e të rinjve nga vendi për të kërkuar mirëqenie në vendet e zhvilluara perëndimore. Shkaku kryesor i largimit të të rinjve vjen nga gjendja e rende ekonomike, gjegjësisht nga zhvillimi i ulet në ekonomin vjetore në këto shtet pas rrënimit të ekonomisë centraliste-socialiste. Kjo po ashtu ka ndodhur edhe tek ne, ku një pjese e fajit e ka edhe privatizimi i shumë fabrikave të ish sistemit të cilave ju është ndërruar komplet destinimi duke lëne pa vende pune dhjetar-mija punëtor. Në ndërkohe nuk kemi pasur investime të duhura nga jashtë dhe me një zhvillim ekonomik vjetor që është sjellë zakonisht rreth 4-6%, ka qenë e pamundur që tu gjejmë vend pune gjithë asaj ‘’armate’’ te papunëve dhe të rinjve që kanë arrit për tregun e punës. Për të pasur një punësim të mirëfilltë vjetor i cili kishte me ndaluar në masë të madhe largimin e të rinjve nga vendi, duhet ta kem një zhvillim ekonomik minimum dy shifrorë. Nuk mund ta fajësojmë vetëm qeverinë paraprake edhe me pak qeverisjen aktuale pasi që ky ‘’virus’’ e ka gjenezën qysh nga paslufta, sidomos gjatë qeverisjes së UNMIK-ut dhe të Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit. Ne duhet që tani e tutje të marrim hapa dhe veprime konkrete për krijimin e kushteve të favorshme për thithjen e investimeve të jashtme . Një ndër kushtet kryesore është uniteti jonë, stabilizimi i gjendjes politike si dhe luftimi sa më i shpejtë dhe i rreptë i dukurive negative të shoqërisë tonë, sidomos i korrupsionit dhe nepotizmit.

“Bota sot”: Si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sa keni bërë për uljen e numrit të të papunëve përgjatë kësaj qeverisjeje?

Makolli:
MPMS me punën dhe aktivitetet e saja, rendësi të veçantë i jep ndihmese për punësimet sa me të mëdha të punëkërkuesve. Në shtatë regjione të vendi tonë funksionojnë qendrat e aftësimit profesional që bëjnë aftësime profesionale për mbi 30 profile të ndryshme. Gjatë viti të kaluar në këto qendra janë trajtuar rreth 6000 persona. Po ashtu gjatë vitit të shkuar , përmes ministrisë sonë janë ndërmjetësuar në punësim të rregullt 3800 persona, si dhe 3000 tjerë nëpërmes masave aktive ndërmjetësuese. MPMS vitin e kaluar i ka trajtuar mbi 12.000 punë kërkues . MPMS ka bashkëpunim të rregullt me projekte të përbashkëta profesionale me GIZ , UNDP, IOM etj. Kjo praktikë e angazhimit dhe punës se gjertanishme do të aplikohet në masë edhe më të madhe të mundshme në vijim duke kontribuar në punësimin e sa më shumë punëkërkuesve.

“Bota sot”: Si po qeveriset aktualisht me vendin?

Makolli: Askund në vendet demokratike një parti nuk e ka shumicën absolute për të qeverisur vet, e kjo është ana pozitive e demokracisë pasi që çdo here duhet të këtë koalicione për ta qeverisur vendin. Demokracia e thotë që shumica (edhe nëse është shumica e thjeshtë ) me vetëm një votë më shumë, duhet të respektohet nga opozita dhe çdo vendim i marrë me shumicë të thjesht duhet të aplikohet. Kjo është normale për vendet demokratike por te ne që jemi një demokraci ende e brishtë, opozita zakonisht çdo veprim e bënë vetëm për interesa partiake për të krijuar kushte që para kohe të vinë në pushtet. Janë shumë normale kundërshtimet dhe kritikat e opozitës, se ajo është një lloj mbikëqyrëse e punës të pozitës dhe katalizator nxitës për një punë sa më azhure, efektive të qeverisë së saj. Momentalisht qeverisja e vendit është në suaza normale, Kuvendi është duke funksionuar dhe duke aprovuar ligjet dhe normat e tjera të nevojshme juridike. Po ashtu me disa raste kur vendimet është dashur të merren me 2/3 të votave, e që kanë qenë në interes të shtetit, opozita ju ka bashkëngjitur pozitës, çka është shumë normale pasi që interesi i shteti është mbi të gjitha. Pozita e respekton opozitën dhe çdo herë i ka parasysh dhe i merr në konsideratë çdo propozim apo vërejtje që ka bazë të mirëfilltë.

“Bota sot”: Cilat janë raportet tuaja me partnerët qeverisës?

Makolli: Raportet me parterët qeverisës janë shumë korrekte dhe në nivel të lartë bashkëpunimi duke respektuar marrëveshjet dhe duke pasur parasysh funksionimin e institucioneve shtetërore dhe në veçanti interesin e përgjithshëm shtetëror. Koalicioni qeverisës deri më tani e besoj që kështu do të jetë deri në fund të mandatit, ka kryer detyrat dhe obligimet qeverisëse të praruara me normat juridike shtetëror, duke i mbrojt interesat e shteti sidomos në arene ndërkombëtare gjegjësisht duke krijuar klimë të përshtatshme për thithje të investimeve të huaja.

“Bota sot”: A është AKR përkrahëse e protestës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër PAN-hajnisë, apo z. Agim Bahtiri apo ky është qëndrim individual i z. Bahtiri”?

Makolli:
Është një fatkeqësi për vendin tonë , që kemi ende njerëz që mendojnë se pushteti duhet të merret me ane të revolucionit. Kjo mendësi që i për këtë kohës komuniste e që e ka zanafillën tek Revolucioni Francës është e pa kuptimit për kohen e demokracisë dhe është një non-sens që nuk mund të paramendohet ne shek. 21. Revolucioni është diçka jo natyrore dhe vet revolucioni në fund e ka shkatërruar vet veten, kjo është treguar edhe në praktiken historikësh deri me tani andaj, evolucioni është ajo e natyrshmja edhe ndryshimet politike duhet të vinë në forme të evoluimit , gjegjësisht duke respektuar zgjedhjet dhe votën e lire të sovranit. Gjithçka që del jashtë votës se lire dhe me demonstrim dhe linçime rrugore, është jonormale dhe e papranueshme në boten demokratike. Fatkeqësisht tek ne, Avni Rrustemi merret si revolucionar dhe hero e ky indoktrinim ekziston ende tek të rinjtë e Kosovës, e në fakt veprimet e viti 1924 në Shqipëri kanë qenë kundër revolucion dhe përmbysje e pushtetit të fituar nga vota e lirë. Shkaku i kësaj edhe pushteti i 1924 –tës i të ashtuquajtur “revolucion demokratik” nuk është pranuar nga as një fuqi demokratike e Evropës. Ne nuk jemi kundër protestave nëse ato janë paqësore dhe me kërkesa të arsyeshme dhe jo me linçime. Protestat paqësore, pozita sigurisht do ti respektoj dhe do të ndërmerr hapa për përmirësimin e mangësive eventuale. Në protestën me moton që e përdor LVV nuk e përkrahim si parti. Agim Bahtiri në atë tubim ka qenë si individ dhe si kryetari Komunës dhe ka paraqit mendimin e vet personal. Ne nuk mund të protestojmë në atë mënyrë kundër vetvetes pasi që ne jemi vet pjesë e qeverisë.

“Bota sot”: Së fundi opozita ka kërkuar kthim të dialogut në pikën zero, sa mendoni se mund të realizohet një gjë e tillë?

Makolli: Zyrtarisht nuk kemi asnjë para marrëveshje, por të gjitha ato që kane dal në mjetet e informimit kane qenë supozime apo mendime pa asnjë frazë të shkruar në letër. Fillimi i bisedimeve do të jetë edhe po të fillohet tani, apo fillim do të jetë edhe pas disa muajve pas zgjedhjeve eventuale që po i kërkon opozita. Kur kemi të bëjmë me interesat jetike të shteti të Kosovës, të gjitha partitë politike vendor dhe liderët e tyre duhet ti lënë anash interesat partiake, vetjake dhe të jenë unik në mbrojtjen e interesit të shtetit si dhe në synimet e tjera që dalin nga vendimet apo platformat të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Këtë duhet të kenë parasysh të gjitha partitë politike dhe liderët e tyre, sidomos kur është rasti i bisedimeve me Serbinë të monitoruar nga faktori ndërkombëtar për një zgjedhje që do të nënkuptonte pranimin reciprok të të dy shteteve. Çdo vendim që merret në Kuvendin e Kosovës është legjitim dhe duhet të respektohet edhe nga opozita. Në situatën që gjendemi kur faktori ndërkombëtar kërkon bisedime me Serbinë për zgjidhjen e problemit shekullor shqiptaro-serb, nuk benë të përdoret për interesa politike apo për të kërkuar zgjedhje që opozita mendon që do ti shkojnë në favor, pasi që kjo do të thotë humbje kohe dhe bllokim të iniciativës së miqve tanë ndërkombëtar, e posaçërisht SHBA. Synimet tona për njohjen reciproke mes shtetit tonë dhe Serbisë, si dhe arritjen e karriges së dytë shqiptare në kombet e bashkuara, duhet të jenë alfa dhe omega e çdo grupi punues dhe e çdo lideri tonë pa marrë parasysh se, a është në pushtet apo në opozitë.

“Bota sot”: Në këtë rast, a do të kishte një distancim nga ideja e Presidentit Thaçi për “Korrigjim kufijsh”?

Makolli: Presidenti Thaçi dhe jo vetëm, jam i sigurt që nuk merr asnjë iniciativë pa konsultime me miqtë tanë ndërkombëtar, por edhe deklarimet e tij zyrtare nuk janë për ndryshim kufijsh por për një demarkacion të kufirit ku kishte me u përfshi eventualisht ndonjë korrigjim i vogël pa implikime të mëdha.
Evropa si vendi më i zhvilluar i botes sidomos në pikëpamje kulturore, demokratike dhe liberale është duke shkuar në drejtim të bashkimit , mënjanimi të kufijve dhe të aplikimit të një demokracie të përgjithshme në terë territorin e saj. Zgjidhja më e mirë e të gjitha çështjeve etnike dhe kontesteve territoriale mes shteteve do të ishte në Bashkimin Evropian ku vijat kufitare do të luanin vetëm rolin e kufijve administrative dhe populli shqiptar në BE do të arrinte edhe bashkimin e tërësishëm kombëtar. Çdo lëvizje e kufijve kishte me sjellë si pasojë ndonjë konflikt dhe luftë eventuale, e cila do të shkonte në dëm tonin. Serbia si palë humbëse është duke luftuar për rehabilitim e saj dhe për kthimin e pjesëve te territori të cilat ka poseduar me parë , e për të arrit këtij qellim është në gjendje edhe të nxis konflikt rajonal. Në çdo veprim tonin duhet ta koordinojmë me nunin e shtetësisë tonë SHBA-në dhe aleatët tonë, duke i stopuar synimet serbe si dhe tentimin e ndikimit rus në këtë pjesë të globit.

“Bota sot”: Si e keni parë ju këtë ide z. Makolli?

Makolli: Çdo ndërrim i kufijve në plotë kuptimin e fjalës pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Evropës bëhet, e në veçanti nëse bëhet fjalë për Ballkanin, ku Rusia tenton ta kthej ndikim e saj kishte me qenë hapja e “Kutisë së Pandorës’’ duke sjell pasoja dhe implikim të mëdha në tërë Evropën dhe jo vetëm . Në Evropë e sidomos në pjesën e Ballkanit është e pazgjidhur çështja e etnike, gjegjësisht e përfshirjeve të etnive ose kombeve në shtetet e tyre. Shqiptarët kanë qenë kombi i cili më së shumti ka pësuar me vendosjen e paqes dhe kufijve të shtetit gjatë kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës dhe paqes pas Luftuese së Dytë Botërore. Edhe kombet tjera si gjermanët , hungarezët , rumunët nuk e kanë të zgjedhur plotësisht bashkimin e kombit në një shtet por rasti i shqiptarëve ka qenë me eklatant pasi që mbi dy të tretat e territorit shqiptar kanë mbet jashtë shteti amë. Mos zgjedhja e problemeve në tavolinë ka sjellë deri tek luftërat e ndryshme, lufta e fundit në masë të madhe e ka përmirësuar një padrejtësi që i është bërë shqiptarëve dhe me krijim e shteti të Kosovës është krijuar një stabilitet në Ballkan dhe me gjerë. Pala humbëse Serbia, e po ashtu edhe Rusia e cila ka planë për ndikim në këtë pjesë të globit tentojnë që të krijojnë destabilitet dhe krijimin e një vatre të krizës me qëllim të shfrytëzimit të situatës për interesat e tyre gllabëruese dhe përfituese. Veprimet tona duhet të jenë të matura, bllokuese ndaj kundërshtarëve dhe në koordinim të plotë me nunin e shtetësi tonë SHBA-në dhe aleatet.

“Bota sot”: Si po ju ecën koalicioni me PSD-në në komunën e Prishtinës?

Makolli: 
Jemi shumë të kënaqur me koalicionin dhe funksionimin qeverisës në komunën e Prishtinës, duke pasur respekt të dyanshëm. Dihet që vota e jonë ka qenë vendimtare për fitore e PSD, gjegjësisht të Shpend Ahmetit. Deri më tani raportet tona, janë në nivel të kënaqeshim duke respektuar marrëveshjen dhe duke punuar në të mirë të qytetarëve të Prishtinës. Mendoj që kështu do të vazhdoj deri në fund të mandatit.

“Bota sot”:Kemi informacione se kryesuesi i Asamblesë në Komunën e Prishtinës mund të shkarkohet këtyre ditëve dhe në vend të tij të vini ju, sa qëndron një gjë e tillë

Makolli: Këtë që e thoni ju për mua është një risi dhe po e dëgjoj për herë të parë, andaj po ju garantoj që nuk ka asgjë të vërtet në këto spekulime. Asambleja komunale është duke funksionuar në suaza të normales. Nuk kemi pasur asnjëherë bllokim të situatave, pengesa eventual por në fund gjitha vendimet dhe aktet e duhura që i miraton asambleja kanë kaluar me shumicë të nevojshme të votave. Besoj që kështu do të jetë deri në fund të mandatit.

“Bota sot”: Po flitet shumë këto ditë për zgjedhje të jashtëzakonshme, a keni vija të kuqe për ndonjërën prej partive politike?

Makolli: Është e pakuptimitë dhe nuk mund të mbajmë zgjedhje çdo gjashtë muaj sipas tekëve të dikujt, të cilët e kanë opsesion pushtetin dhe dëshirën me çdo kusht ta marrin atë, duke shkelë edhe mbi parimet e demokracisë. Kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme është vetëm për interesa partiake, për ta larguar vëmendjen e opinionit për situatën e krijuar në partitë e tyre. Opozita duhet të jetë shtytëse e pozitës për pune sa ma efikase e jo pengesë. Duhet njëherë e përgjithmonë ti kuptojmë rregullat e demokracisë, që ai që fiton duhet respektuar dhe duhet mbikëqyret e jo të pengohet, duhet punuar e përgatitur për zgjedhjet e radhës. Të kërkosh zgjedhje shkaku që ti nuk i ke fituar zgjedhjet është absurde. ‘‘Numri është ligji i botës’’ thotë Pitagora, mirëpo në politikë, e sidomos tek në kjo nuk është treguar e vërtetë, pasi që edhe qeveria më shumicë absolute është rrëzuar. Rregullat e thonë 50 për qind plus një, dhe qeveria funksionon normal. Duhet ti respektojmë rregullat e demokracisë dhe të punojmë dhe të përgatitemi për zgjedhjet normale dhe me punën tonë ta bindim popullin që votën tu a jep atyre të cilët kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Për çdo rast ne jemi të përgatitur për zgjedhje dhe nuk kemi vija të kuqe për askënd. Normalisht që ne jemi parti demokratike-liberale duke respektuar ekonomin e tregut. Programi ynë në fokus e ka zhvillimin ekonomik, thithjen e investimeve të jashtme, se vetëm në këtë mënyrë arrihet zhvillim i mirëfilltë ekonomik i vendit dhe ndalimi i migrimit të rinisë tonë nga vendi. Duke u bazuar në këtë çdo parti e cila e ka programin e mirëfilltë të zhvillimi ekonomik dhe të ekonomisë së tregut dhe që është i përafërt me programin tonë, është me i mundshëm një koalicion eventual me të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat