Serwer: Një ide për Samitin e Parisit, BE t’ua japë vizat Kosovës, në këmbim të heqjes së taksës - Bota Sot
Serwer: Një ide për Samitin e Parisit, BE t’ua japë vizat Kosovës, në këmbim të heqjes së taksës

Intervista

Serwer: Një ide për Samitin e Parisit, BE t’ua japë vizat Kosovës, në këmbim të heqjes së taksës

Më: 4 maj 2019 Në ora: 14:32
Daniel Serwer

Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, nuk pret që në takimin e 1 korrikut në Paris të arrihet ndonjë marrëveshje e gjerë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë për të zhbllokuar dialogun e Brukselit, ai ka një ide se si duhet të ecin gjërat në kryeqendrën e Francës. Sipas tij, BE-ja duhet të  liberalizojë vizat për Kosovën, në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.

Këto deklarata Serwer i ka bërë në një intervistë ekskluzive, ku ndër të tjera flet edhe për vizitën e Pompeos në Gjermani dhe ndërlidhjen e kësaj vizite zhvillimet Kosovë-Serbi, Samitin e Berlinit, korrigjimin e kufijve e Federica Mogherinin.

Cili është komenti juaj për Samitin e Berlinit, në pikëpamjen tuaj cili ishte mesazhi i përgjithshëm që u dha nga Gjermania?

Serwer: Gjermania e bëri të qartë se nuk do të pranojë ndryshimet kufitare. Nga ajo që kam kuptuar unë, edhe Makron e ka bërë të qartë gjithashtu, privatisht.

Si e shihni vizitën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, në Berlin dhe takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel ?

Serwer: Mendoj se Sekretari i Shtetit ka shumë gjëra në mendje: Ukraina, Rusia, Kina, Siria dhe Ballkani Perëndimor, sipas njoftimit zyrtar. Dyshoj se Ballkani Perëndimor do të ketë përparësi.

A mendoni se ka një lidhje në mes të kësaj vizite të Sekretarit Pompeo dhe zhvillimeve në Samitin e Berlinit që u mbajt më 29 prill?

Serwer: Ai sigurisht që është i vetëdijshëm për takimin e Berlinit, po rnuk mendoj se ajo do të jetë thelbësore në udhëtimin e tij në Berlin.

Në lidhje me takimin e Parisit më 1 korrik, a mendoni se ky takim në Francë mund të sjellë ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Serwer: Mendoj se mund të sjellë disa marrëveshje për të zbatuar marrëveshjet të cilat janë arritur deri tani, por nuk e kam bindjen që një marrëveshje më e gjerë mund të arrihet në këtë kohë. Ja një ide: BE duhet të heq vizat për Kosovën, në këmbim të heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.

Si e shihni rolin e Bashkimit Evropian në gjithë këto zhvillime. A mendoni se Mogherini e ka përjashtuar vetën e saj nga të qënit pjesë e rëndësishme e këtyre takimeve, në momentin kur lejoi që Thaçi dhe Vuçiq të flasin për ndryshime kufitare?

Serwer: Mogherini është e pasuksesshme dhe pa ndikim, duke përfunduar mandatin e saj. Mendoj se ajo bëri një gabim të madh duke lejuar që të hapet çështja e ndryshimeve kufitare. Por ideja ka dështuar.

Vuçiç pranoi sot se ideja e tij për ndryshimet kufitare ka dështuar. Cila mund të jetë rruga, që mund ta sjellë Kosovën dhe Serbinë në një zgjidhje përfundimtare të pranueshme?

Serwer: Normalizimi ndoshta nuk mund të arrijë me një paketë magjike këtë vit, pasi disa prej diplomatëve optimist e kanë shpresuar. Ajo mund të vijë si rezultat i një procesi të gjatë dhe të vështirë. Ajo kërkon një bashkëpunim intensiv dhe kompleks jashtë kufijve./Express

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...