Hashim Thaçi është kthyer në kërcënim të integritetit territorial të Kosovës - Bota Sot
Hashim Thaçi është kthyer në kërcënim të integritetit territorial të Kosovës

Intervista

Hashim Thaçi është kthyer në kërcënim të integritetit territorial të Kosovës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 15 maj 2019 Në ora: 07:48
Islam Lauka

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka komentuar Samitin e Berlinit, dialogun Kosovë –Serbi dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ka folur edhe për akuzat ndaj Presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh dhe përkrahjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ambasadori Lauka po ashtu ka folur edhe për deklaratat e fundit të ish kryeministrit Sali Berisha dhe akuzave të Presidentit Thaçi.

“Bota sot”: I nderuar z. Lauka, si e vlerësoni gjendje aktuale politike në Kosovë e Shqipëri dhe rrugëtimin e tyre drejt integrimit evropian?

Islam Lauka: Po të shprehesha vetëm me një fjalë për situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, ajo do të ishte fjala “e vështirë”. Ka polaritet të theksuar politik dhe përçarje serioze midis faktorëve vendimmarrës. Në të dy vendet tona ballafaqohemi me mungesën e funksionimit të shtetit ligjor. Procesi i integrimit evropian ka ngecur. Në Bruksel mungon vullneti politik për zgjerim, ndërsa në Kosovë dhe në Shqipëri ka një inflacion të shfrenuar të fjalëve për reforma dhe integrim euro-atlantik.

“Bota sot”: Para disa javësh u mbajt Samiti i Berlinit me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, çfarë mesazhi mendoni se u nxor nga ky samit?

Islam Lauka: Sipas mendimit tim, tri janë mesazhet kryesore të Samitit të Berlinit.

Së pari, mbajtja e tij në kryeqytetin gjerman dhe jo, ta zëmë, në Vjenë, përçoi mesazhin që idetë për ndryshimin e kufijve nuk mund të ofrojnë zgjidhje optimale për problemet e mprehta në rajonin tonë. Midis udhëheqësve evropianë, Merkel ka qenë dhe mbetet kundërshtarja më e vendosur e lëvizjes së kufijve në Ballkan.

Së dyti, zhvillimi i këtij samiti nën kujdesin e Kancelares Merkel dhe Presidentit Makron, duket se përçoi mesazhin që, tani e tutje, në emër të BE-së, me problematikën ballkanike do të merren dy fuqitë kryesore të saj, Gjermania dhe Franca. Kjo të bën të shpresosh që marrëdhëniet e Ballkanit Perëndimor me Brukselin do të njohin një dinamikë të re.

Mesazhi i tretë, mendoj se ishte në adresë të Moskës: Ballkani Perëndimor është dhe do të mbetët pjesë e Evropës, pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit për të rritur ndikimin dhe praninë e vet në këtë zonë.

“Bota sot”:Sikur pati një garë ndërmjet presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, rreth idesë për korrigjimin e kufirit ndërmjet dy vendeve, ndërkohë që kjo ide u ndal në Berlin, si e komentoni ju këtë situatë?

Islam Lauka: Idenë e shkëmbimeve territoriale nuk e mendoj si garë midis Thaçit dhe Vuçiçit. Gjërat janë të qarta. Kjo është një ide e Presidentit serb, e hedhur në tregun politiko-diplomatik për nevojat e tij dhe të Serbisë, e përqafuar nga Presidenti Thaçi, për nevojat e tij, por në dëm të shtetit të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve është njëra ndër çështjet që ata i bashkon më shumë se çdo gjë. Të dy, në unitet të plotë me njëri-tjetrin, po punojnë për jetësimin e kësaj ideje. Berlini i dha asaj një goditje të fortë, por jo vdekjeprurëse. Është si puna e zjarrit, kur shuhet vatra kryesore, por mbesin vatra të tjera, më të vogla, të cilat, në kushte të favorshme, si rritja e temperaturës apo e intensitetit të erës, kërcënojnë të kthehen në të mëdha, me pasoja të paparashikuara.

“Bota sot”: Për ju si një diplomat i shquar, çka nënkupton ideja e korrigjimit të kufirit?

Islam Lauka: Jo vetëm për mua, por për çdo njeri me mend në kokë është e qartë së ideja e “korrigjimit të kufirit” është mbulesë e shkëmbimeve territoriale, tezë që, po të zbatohet në kushtet aktuale, do të ishte fatale për Kosovën. Që kemi të bëjmë me eufemizëm, këtë e kanë pranuar hapur disa nga ithtarët kryesorë të kësaj teze.

“Bota sot”: Pas Samitit të Berlinit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u akuzua se ka përkrahur idenë e shkëmbimit të territoreve. Komenti juaj për këtë?

Islam Lauka: Beogradi, historikisht, ka kërkuar aleatë në Tiranë për zgjidhjen, një herë e mirë, të çështjes së Kosovës. Këtë radhë i ka ecur, sepse aleat i tij është bërë vet Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Personalitete të besueshme si Sonja Biserko dhe Karl Bildt dëshmojnë se ka, të paktën, 2 vjet që Edi Rama i është bashkuar me zell kësaj ideje.

“Bota sot”: A mendoni se pas këtij Samiti, raportet Kosovë-Shqipëri janë zbehur?

Islam Lauka: Inatet dhe mllefet midis udhëheqësve të Kosovës dhe Shqipërisë kanë ekzistuar edhe më parë. Samiti i Berlinit vetëm sa i nxori më në pah. Përçarjet midis tyre ndikojnë negativisht në shumë aspekte, por jo deri në atë masë, sa të prekin thelbin e raporteve midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet e tyre nuk janë çështje e këtij apo atij kryeministri a presidenti, as e kësaj apo asaj partie. Ato janë të natyrës strategjike, me interes jetik, kombëtar e shtetëror.

“Bota sot”: Si i vlerësoni deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj udhëheqësve të Kosovës, pikërisht rreth idesë për territoret?

Islam Lauka: Nuk është vetëm Sali Berisha, por përgjithësisht, gjithë faktori politik shqiptar kundër shkëmbimeve territorialeve midis Kosovës dhe Serbisë, me përjashtim të Edi Ramës. Ndërkaq, reagimi i Presidentit Thaçi ndaj këtij qëndrimi parimor të Shqipërisë nuk ishte dinjitoz. Duke u mbështetur në të dhëna të shtypit bulevardesk, ai e akuzoi Tiranën se ka furnizuar me naftë makinerinë ushtarake të Millosheviçit. Kjo akuzë është po aq e vërtetë sa ç’është ajo e Dik Martit për trafikimin e organeve njerëzore nga luftëtarët e UҪK-së. Edhe po të donte Shqipëria ta bënte ketë punë, ajo e kishte të pamundur, për shkak të mungesës së infrastrukturës, por edhe të sasisë së kufizuar të naftës. Nga një studim i OKB-së rezulton se sasia e naftës që ka kaluar nga Shqipëria në ish-Jugosllavi është krejt e papërfillshme, kryesisht, për nevoja të banorëve të brezit kufitar. Ushtria jugosllave është furnizuar me anije- tankër, mijëra tonëshe, në shkelje të embargos së naftës, nëpërmjet Detit të Zi dhe Danubit, jo nga Shqipëria.

“Bota sot”: Si e shihni përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi?

Islam Lauka: Përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi nuk e shoh si të shpejtë, por kurdo që të ndodhë, ai duhet të ketë një rezultat – njohjen e tyre të ndërsjellë, si shtete të pavarura e sovrane.

“Bota sot”: Si e shihni rolin e SHBA-së në këtë drejtim?

Islam Lauka: Kontributi i ShBA-së në rajonin tonë është i mirëpritur, sidomos për në shqiptarët, por, në gjykimin tim, momenti i ndërhyrjes amerikane në Ballkan, të paktën siç e njohim ne atë deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ka përfunduar.

“Bota sot”: Dalim pak tek libri juaj i fundit, si është pritur libri “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”?

Islam Lauka: Përshtypjet e mia të para janë pozitive. Libri është promovuar në Prishtinë dhe Deçan, së shpejti do të promovohet edhe në Tiranë. Por është lexuesi ai që do të japë gjykimin përfundimtar.

“Bota sot”: Sipas juve kush është ‘gjarpri i shtëpisë’ që po e kërcënon Kosovën?

Islam Lauka: Në çdo vend, kryetar i shtetit simbolizon unitetin e popullit dhe garanton respektimin e kushtetutës. Në mënyrë të figurshme, ai është mbrojtësi, “ora” e vendit. Në Kosovë ka qëlluar që presidenti i tanishëm, në kohën e luftës, ta ketë pasur pseudonimin e tij “gjarpri”. Por, ndryshe nga përfytyrimi popullor që gjarprin e sheh si mbrojtjes të natyrshëm të shtëpisë, me tezën për “korrigjimin” a ndryshimin e kufijve, Hashim Thaçi është kthyer në kërcënim të integritetit territorial të Kosovës dhe rrugës së saj integruese euro-atlantike. Sepse gjithë projekti i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO është ideuar mbi bazën e respektimit të kufijve ekzistues.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...