Parada e Nishit shfaq mesazh kërcënues ndaj Kosovës - Bota Sot
Parada e Nishit shfaq mesazh kërcënues ndaj Kosovës

Intervista

Parada e Nishit shfaq mesazh kërcënues ndaj Kosovës

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 18 maj 2019 Në ora: 16:31
Burim Ramadani

Zëvendësministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Burim Ramadani, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka konsideruar se siguria në Kosovë kërcënohet kryesisht nga jashtë, ngase, siç thotë ai, këtu përfshin edhe luftën hibride asimetrike të përhapjes së influencës së jashtme armiqësore.

Sipas tij, parada e shfaqur në Nish, është mesazh kërcënues ndaj Kosovës, NATO-së dhe botës demokratike. Ramadani ka potencuar se një paradë e tillë, e përbërë edhe nga kriminelë të dënuar në instanca ndërkombëtare të drejtësisë, ka qenë mesazh i keq për tërë rajonin.

Ramadani thotë se përzgjedhja e rekrutëve të rinj është bërë në mënyrë të rregullt dhe se procesi i fundit i rekrutimit të pjesëtarëve të rinj është se është arritur standard i ri pozitiv për transparencë dhe korrektësi në përzgjedhjen.

Gjithashtu, Ramadani ka folur edhe për gjendjen aktuale politike në Kosovë ku thotë se është shumë e rëndësishme që institucionet dhe spektri politik në Kosovë të jetë në një zë mbi aspektet që ndërlidhen me ekzistencën dhe të ardhmen e Kosovës, sipas tij, Kosova këtu ka përparim.

“Bota sot”: Z. Ramadani, sipas jush cilat janë rreziqet që përballet Kosova në fushën e sigurisë dhe çfarë do të ndërmerrni për t’u përballur me këto rreziqe?

Ramadani: Siguria në Kosovë sfidohet kryesisht nga kërcënimet e jashtme, që synojnë dëmtimin dhe portretizimin e shtrembëruar të Kosovës, përfshirë edhe luftën hibride asimetrike të përhapjes së influencës së jashtme armiqësore. Po ashtu, politikat dhe agjendat territoriale të Serbisë mbi Kosovën mbesin shqetësime të vazhdueshme politike që kanë nuanca edhe të sigurisë në përgjithësi. Qartazi, llojet e ndryshme të krimeve transnacionale përbëjnë rreziqet tjera të sigurisë.

Në përgithësi, besoj se institucionet e Kosovës janë në angazhime konkrete për t’u përballur me influencat e ndryshme armiqësore, sikurse edhe në ballafaqimin me rrjete të ndryshme të krimit të organizuar transnacional.

“Bota sot”: Parada ushtarake në Nish, a përbën rrezikë për Kosovën?

Ramadani: Besoj se mesazhi kryesor i të ashtuquajturës paradë në Nish ka qenë mesazhi kërcënues ndaj Kosovës, NATO-së dhe botës demokratike. Një paradë e tillë, e përbërë edhe nga kriminelë të dënuar në instanca ndërkombëtare të drejtësisë, ka qenë mesazh i keq për tërë rajonin. Sigurisht që rajoni ballkanik nuk i takon më ideologjive të prapambetura dhe një situatë e tillë duhet të kuptohet qartë edhe në Beograd. Ne i kuptojmë mesazhet e përcjella nga parada të këtilla, sikurse i kuptojnë edhe partnerët ndërkombëtarë, porse besoj se nuk ekziston më fuqia e Serbisë për t’iu rikthyer luftërave.

“Bota sot”: Cilat janë prioritetet më të afërta të FSK-së?

Ramadani: Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë tashmë në fazën e parë të zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës për Transicion, plan ky i koordinuar dhe i zhvilluar në standarde demokratike. Në këtë aspekt, plani afat-gjatë ndahet në tri faza kryesore dhe gjithçka do të zbatohet në përputhje më të. Ajo që është më e rëndësishmja ndërlidhet me vendosjen e saktë të parametrave demokratik të mbikëqyrjes civile demokratike, si dhe zhvillimi i aftësive vepruese të FSK-së në përputhje të plotë me mandatin kushtetues dhe ligjor. Në fazën e parë, që zgjat tri vjet, aspektet bazike do të vendosen, duke përfshirë këtu zhvillimin doktrinar, infrastrukturën teknike dhe ligjore, si dhe hapat bazik për modernizimin e institucionit.

“Bota sot”: A do të merr pjesë Ushtria e Kosovës në stërvitjen e NATO-së “Immediate Response 19”, nikoqire e së cilës është Kroacia dhe a është e përgatitur për këtë?

Ramadani: Oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në numër të madh të stërvitjeve, garave dhe trajnimeve në të cilat kanë treguar suksese të mëdha. Në përgjegjësitë dhe specialitetet e veta, FSK-ja do të ketë besoj paraqitje të saktë, profesionale dhe të dinjitetshme.

“Bota sot”: Sa është e përgatitur Kosova ta furnizojë ushtrinë e re me mjete të duhura. Sa mund të përballet financiarisht kjo?

Ramadani: Mbështetja politike, institucionale dhe financiare për FSK-në është e madhe dhe e paprecendtë krahasuar me periudhat e kaluara. Si e tillë, e shoh të plotë mbështetjen edhe këtë vit, sikurse edhe planet përe vitet e ardhshme. Sigurisht se zhvillimi dhe modernizimi i FSK-së do të kalojë nëpër vite.

“Bota sot: Kur pritet të jemi gati për anëtarësim në NATO?

Ramadani: Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi në baza të rregullta me NALT-in dhe me KFOR-in. Do të vazhdojmë të koordinojmë dhe bashkëpunojnë në të gjitha fushat. Synim shtetëror dhe popullor i Kosovës është anëtarësimi në NATO. Shpresoj se të gjitha vendet e mbetura në Ballkanin Perëndimor do t’iu bashkohen NATO-së herët apo më vonë.

Kosova ka për synim që në kohën e duhur të jetë pjesë e procesit të anëtarësimit. Për këtë, besojmë se kemi kapacitetet e nevojshme dhe institucionet e Kosovës janë të gatshme për të lëvizur para.

“Bota sot”: A ka kapacitete FSK-ja ta ndihmojë paqen dhe sigurinë kudo në botë krah për krah me ushtarët e vendeve të NATO-së?

Ramadani: Kosova, edhe sot, ka kapacitete të specializuara në FSK që mund t’i vendosë në mbështetje të sigurisë dhe paqes kudo nëpër botë, krah për krah me vendet e NATO-së. Ne duam të jemi kontribues për sigurinë rajonale dhe globale. Për gati 20 vjet kemi marrë mbështetje për paqe dhe siguri. Tash, besoj se është e kuptueshme që ne duam ta japim shembullin se si një popull qëështë ndihmuar nga bota demokratike tashmëështë i gatshëm të ndihmojë të tjerët që gjenden në situata të pasigurta. Këtë duam ta bëjmë me vendet demokratike.

“Bota sot”: Në lidhje me viziten e gjeneralit Timothy Orr, çfarë përfiton Kosova nga kjo vizitë dhe çfarë diskutuat?

Ramadani: Gjenerali Timothy Orr është një prej mbështetësve të spikatur për FSK-në dhe Kosovën në tërësi. E tërë vizita e tij në Kosovë ka qenë vazhdimisht e përcjellë me ndjenjën dhe përkushtimin e vazhdimit të mbështetjes amerikane për FSK-në dhe Kosovën. Sigurisht, kemi diskutuar për rrugën përpara, duke përfshirë këtu zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së, avancimin në edukimin dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, gatishmërinë për kontributin në zona të ndryshme të botës, si dhe për marrëdhëniet bilaterale në siguri dhe mbrojtje me SHBA-në.

“Bota sot”: Në çfarë kushtesh punohet në Ushtrinë e Kosovës dhe sa është mosha mesatare?

Ramadani: Ne vazhdimisht përpiqemi që t’i përmirësojmë kushtet për FSK-në, si një prej institucioneve vitale të Republikës së Kosovës. Kjo është përpjekje e jona e përditshme. Megjithatë, vlerësoj se janë arritur kushtet optimale për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të pjesëtarëve të FSK-së. Më tutje, planifikimi për rritjen e numrit të pjesëtarëve të FSK-së, gjatë këtyre viteve, do të ndikojë edhe në rinimin e trupave në përgjithësi.

“Bota sot”: A ka pasur parregullësi në zgjedhjen e rekrutëve të rinj?

Ramadani: Përshtypja ime dhe informacioni nga ky proces i fundit i rekruktimit të pjesëtarëve të rinj është se është arritur standard i ri pozitiv për transparencë dhe korrektësi në përzgjedhjen. Sigurisht që ne jemi të kënaqur me interesimin jashtëzakonisht të madh të të rinjve për t’u bërë ushtarë të Kosovës.

“Bota sot”: Si e komentoni gjendjen aktuale politike?

Ramadani: Është shumë e rëndësishme që institucionet dhe spektri politik në Kosovë të jetë në një zë mbi aspektet që ndërlidhen me ekzistencën dhe të ardhmen e Kosovës. Këtu besoj se Kosova tashmë ka përparim, duke pasur parasysh zvogëlimin e vazhdueshëm të mbështetjes për temat territoriale, kushtetushmërisë dhe sovranitetit. Normalisht se gjendja aktuale politike ndërlidhet kryesisht me temat e mëdha nacionale, kështu besoj se tashmë ka qartësi shumë më të madhe se që kishte disa muaj më parë.

“Bota sot”: Si e komentoni takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ka pasur zëra se duhet të hiqet taksa për vazhdimin e dialogut?

Ramadani: Besoj se është e rëndësishme të qartësohet se dialogu duhet të vazhdojë i pakushtëzuar. Nuk ka të drejtë askush ta kushtëzojë Kosovën me tërheqje vendimesh sovrane për t’i bërë qejfin agresorit. Vendosja e tarifave për mallrat serbe ka qenë dhe është vendim i drejtë, i saktë, vendim për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, dhe si i tillë as nuk duhet dhe as nuk mund të kushtëzohet për dialogun.

“Bota sot”: Sa është unike Qeveria në raport me taksën, përkatësisht cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë?

Ramadani: Vendimi për tarifat është masë mbrojtëse e ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Këtu fillon dhe mbaron diskutimi rreth saj. Secili shtet ka të drejtë të ndërmerr hapat e domosdoshëm për ta mbrojtur të drejtën dhe sigurinë kombëtare të tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...