Rrëfimi i Nasim Haradinajt për Kosharen, luftën e vërtetë dhe “luftën e kaçubave”

Intervista

Rrëfimi i Nasim Haradinajt për Kosharen, luftën e vërtetë dhe “luftën e kaçubave”

Nga: Arbnore Zhushi Më: 21 maj 2019 Në ora: 10:56
Gazetarja e gazetës "Bota sot", Arbnore Zhushi dhe nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj

Në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Bota sot”, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dhënë komentin e tij për përplasjen e fundit të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me deputetin e LDK-së dhe ish eprorin e UÇK-së, Anton Quni. Ai ka folur rreth betejës së lavdishme të Koshares dhe ka treguar se si u vranë heronjtë Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.

Cili është komenti i Nasim Haradinajt për intervistën që Agim Ramadani e kishte dhënë për “Bota sot”, ku kishte thënë se  përveç betejës së Koshares, betejat e tjera ishin “beteja kaçubash”?

“Bota sot”: Kritika e fundit e ambasadorit amerikan Phillip Kosnett, për emërimin e Sylejman Selimit, në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri? Si e komentoni?

Haradinaj: Unë rregullat diplomatike nuk e di, mirëpo e di që UÇK-ja është e sulmuar. Përgjegjësinë për emërimin e marrin ata të cilët kanë marrë vendimin. Nuk i di përkufizimet e diplomatëve. Por, e di që derisa ti e emëron dikë, shteti tjetër mund të mos e pranojë. Kështu që derisa Shqipëria dhe Kosova kanë pranuar, nuk e di ku duhet me u drejtuar kritika? Tek ne apo ata që kanë pranuar? Nuk është vetëm dëshira jonë, por edhe vullneti i shtetit tjetër që e pranon.

“Bota sot”: Komenti juaj për përplasjet e fundit mes ish-komandantëve të luftës? Kemi parë përplasjen mes deputetit Anton Quni dhe presidentit Thaçi? Pse ende po merren me luftën e UÇK-së?

Haradinaj: Këtu është riaktualizuar Beteja e Koshares. Debati në një farë mënyrë është ngritur prej fluskave të borës dhe kanë folur oficerët terciarë, ata që ishin në komandën e dytë dhe të tretë në Koshare. Debatin e kanë ngritur disa dordolecë, heronj të ri, disa Piter Pan-a.

Kosharen e kanë shfrytëzuar se njëra palë ka dashur Kosharën ta zhbëjë krejt, tjetra palë ka dashur të bëjë protangostë të ri dhe pala e tretë, ka thënë “ajt të nxjerrim diçka” prej debatit.

Kosharja është politizuar në kuptimin kur Anton Quni ka kaluar deputet në LDK. Shumë mirë ka bërë që ka kaluar në LDK, ka marrë votat dhe LDK-ja ka pasur nevojë për një luftëtar “luan”. Ai më meritori është aty. Ai e shpalli kandidaturën në Prizren, por njerëzit për interesin personal po duan të shkatërrojnë edhe gjërat e përgjithshme. Për mua nuk është interesant se si duket sot Hashim Thaçi, por në atë kohë, nëse Quni apo Nasim Haradinaj i thotë Thaçit, “ti ke qenë një frikacak në luftë dhe në paqe”, unë e pyes Qunin dhe të gjithë ne që kemi luftuar. Ai (Thaçi) ishte njëshi jonë, kupola e UÇK-së, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të UÇK-së dhe të gjithë ne ishim bartës të tij. Nëse komandanti im ishte një frikacak, kush jam unë? Kush është Anton Quni dhe Nasim Haradinaj? Ai e harroi logjikën që kjo i duket atij se i sjellë vota, por çdo njeri që kërkon vota në dëm të shtetit dhe luftës çlirimtare, për mua është më tepër se armik i vet luftës dhe vetvetes. Kështu që mendoj se ato kanë dalë pa i menduar mirë Anton Quni.

Anton Quni në jetën e tij nuk e ka njohur as Hashimin, as Xhavit Halitin, as nuk ka pasur punë me ta. Edhe me i lavdërua Anton Quni ata, prapë gabon, sepse nuk i njeh. Quni ka të drejtë të kritikojë për politikën dhe këto që ndodhin sot, mirëpo për pjesën e luftës ato për Qunin, janë mars, Jupiter se ai nuk i ka mbërritur ato. Edhe sikur ta lavdëronte Quni - Thaçin, do të ishte fyerje edhe më e madhe, sepse i bie që e ka bërë për politikën e tij. Shpresojmë të ketë sukses Quni në zgjedhje, i uroj sukses, sepse megjithatë unë kam dëshirë që të fitojë ai, sepse është një bashkëluftëtar i imi. Ndërsa, Kosharja është ndërtuar mbi mite, duke u munduar të përvetësohet, sepse Kosharja kishte një brigadë 138, që pastaj iu ka vendosur emrin “Agim Ramadani”, por ka pasur të emërohet “Luan Haradinaj”, e din ata kush ia ka vendosur emrin, dhe ka qenë nën varësinë e Zonës së Dukagjinit, që komandant kishte Ramush Haradinajn.

E dyta, po mundohen të thirren në FARK. Bile kur po flet Armend Zemaj për FARK-un, ai ka qenë bebe, ai as Tahirin (Zemajn) mirë nuk e njeh. E vetmja gjë që ka fituar ai me Tahir Zemajn, është fatkeqësia familjare që të ketë vëllain kryekonsull në Gjermani dhe vet deputet. Vet tradhtinë ia ka bërë ai Tahirit, pasi Thaçin e quan kriminel e vet rri aty dhe e voton president, me kushtin që vëllai i tij të mbetet kryekonsull.

Ai nuk din të flasë për këtë, ai le të flet kur i ka thënë Tahirit, bashkë me babain e tij “mos na hajdeni te shtëpia, se po ua shohim sherrin”, le ta flet këtë pjesë Armend Zemaj. Mu këtë ma ka treguar ai të cilin ai e thirrë “axhë” edhe pse nuk e ka “axhë”, shokun më të ngushtë të Tahir Zemajt.

Anton Quni nuk ka fytyrë të rri në akademinë e Tahir Zemajt, sepse e ka ndjekur në Koshare Tahir Zemajn vet Anton Quni.. nuk e ka lënë të vijë në Brigadë. Unë e di se e vërteta krijon turbulenca, por le të vërtetohet. E ka ndjekur, sepse nuk ka dashur të jetë me të, sepse e ka ndi që nuk don të jetë me një dezertor. Antoni ka dashur të luftojë, Rrustemi ka dashur të luftojë, këta ishin oficerë të tij. Agim Ramadani ka luftuar. Këta kur dalin nga Dukagjini, nuk pajtohen me urdhrat e Tahir Zemajt, dhe rrinë atje dhe bashkohen me mua në Shtabin e Përgjithshëm. Ka tentuar të vinte Tahiri, i kemi thënë “hajde”, por hajde nën komandën e Rrustemit. Por, atij i është dukur ofendim të vinte nën komandën e Rrustemit dhe ai që ia ka thënë këto fjalë Tahirit, është Anton Quni. Në këtë kuptim thashë e ka ndjek. Të rrish gatitur, të vajtosh për Tahir Zemajn… sepse Antoni as nuk e la të hynte te ne, as nuk ka shkuar të rrinte atje me të. Unë mendoj se ka bërë që nuk ka shkuar, mirëpo bëri shumë keq tash që po do të bëjë një fotografi tjetër. Tahir Zemajt, jam unë ai që i kam thënë: “Nëse nuk don këtu pikë, ku të duash zgjedhe pikën, ne të armatosim prapë. Tahirit i kam ofruar pikë, por ai nuk e ka marr pikën. Unë nuk mund t’i bëjë njerëzit me zor trima as luftëtarë, është ndjenja e secilit.

Tahirit i është ofruar mundësia të vinte në pikën “138” e Rrustem Berishës, që e ka refuzuar dhe njëkohësisht i është mundësuar që ku të donte të merrte pikë. Ai e ka zgjedhur pikën më strategjike për të, Mamurrasi, që është pesë orë prej kufiri, tash 3 orë prej kufirit edhe u kry. Nuk kemi nevojë me vajtu dhe të krijojmë heronj të ri. Ata që janë edhe pse mund të mos na pëlqejnë, mos të na duken të mirë, të zgjuar, por këta ishin. Kjo ishte UÇK-ja e cila funksionoi edhe me këtë “pazgjuarsi”. NATO erdhi dhe na mbështeti, serbi iku, çka kemi ne tash punë? Nëse mendojnë se jemi të padijshëm le të tregohen të zgjuar dhe ta dërgojnë vendin përpara. Por, secilin veprim që e kanë bërë si pozita, si opozita, nuk e kanë bërë për vendin tonë. Unë jam i pakënaqur me komplet politikën,si pozitën edhe opozitën, sepse në vendet e zhvilluara, opozita është ajo që e dërgon vendin përpara e jo pozita. Nuk po shoh demokraci, po shoh anarki, nuk po shoh kapitalizëm, por komunizëm të fshehur brenda vetëm me pektun e veshur të demokracisë. Demokraci në Kosovë do të ketë kur liderët nuk do të sillen si padron, por kur edhe deputetët kanë guximin dhe pavarësinë e vet personale. Ne kemi nevojë të nxisim guximin qytetar, sepse pas luftës krejt është bërë për ta shuar guximin qytetar dhe ta varen shpresat jashtë dhe çka po thotë televizioni.

“Bota sot”: Agim Ramadani dhe Xhafer Gashi, gjatë kohës së luftës, kanë vizituar shpesh zyrat e “Bota sot” në Zvicër. Ata kishin pohuar për gazetën që “138” ishte e pavarur. Agimi madje kishte thënë që përveç Koshares, betejat tjera ishin “beteja kaçubash”?

Haradinaj: Nëse ka thënë që janë grup i pavarur, edhe kjo është rrenë e madhe, qoftë edhe Agimi të pastë thënë. Nuk ka pasur mundësi të jetë në grup të pavarur në Shqipëri, të sulmohet nga toka shqiptare dhe sikur atje të mos ishte askush. Në xhungël të ishte, është dashur të ishte bile me luanin të ishte mirë.

Nëse ka qenë i pavarur, pse hyri në komandën e Zonës së Dukagjinit, pse kërkoi ndihmë konkretisht nga unë për t’u lidhur me Shtabin e Përgjithshëm? Sepse e ka ditur që unë jam aty.

Nëse ka qenë i pavarur, pse ai nuk nisi luftën pa i thënë dikush “fillo”.

Në Zvicër kanë mundur ta shohin, sepse atje ka shkuar dy herë për t’iu thënë njerëzve “lufta ka filluar, partitë e kanë kryer punën e vet. Ata që e duan luftën, me ne poshtë”, është edhe deklarata e Sali Çekajt, ku ka shkuar prej Koshares Saliu. E ka edhe “Bota sot” filmimin.

E nëse ka thënë dikush luftë kaçubash, kanë mundur ta thonë ata, të cilët sot po mundohen ta marrin Agim Ramadanin e Kosharen mbi vete. Luftë kaçubash ka mundur ta quajë Lapraka, ata oficerët të cilët e tradhtuar Agim Ramadanin e nuk erdhën. Luftë kaçubash ka mundur ta quajë ai, i cili e ka tradhtuar Sali Çekajn dhe nuk i ka ardhur në front.

Të gjitha këto, i thyen ajo kur Sali Çekaj, është në front me mua bashkë dhe është pa pjesën e atyre që sot thonë se e kishin shokë, edhe pse e kanë pasur, por rrugët e tyre i ka ndarë lufta.

Rrugët e Sali Çekajt, me partinë e LDK-së i ka ndarë lufta, por jo me të gjithë, sepse ka pasur shumë anëtarë të LDK-së që Çekajt i janë bashkuar në front. Ai nuk ishte i vetëm aty, por shokët e kanë tradhtuar Çekajn. Dikush është përshëndetur me të në Gjermani, por ata të cilët e kanë dashur Sali Çekajn, janë përshëndetur së fundi në Tiranë.

Nëse iu duhet Sali Çekaj hero, po ju tregoj se ai është hero i Kosovës, i të gjithëve, por heronjtë nuk përvetësohen. Heronjtë nuk janë as të LDK-së, as të Lëvizjes, as të PSD-së e as të sa parti bëhen, ata janë të Kosovës...

Janë edhe disa frikacakë, të cilët e kanë luftuar luftën, por sot janë çliruar dhe po marrin frymë lirshëm. Puna e tyre po shihet pas çlirimit dhe divergjencat që po mundohen t’i bëjnë në popull përmes përçarjes. Sali Çekaj ka qenë unifikues, Agim Çeku ishte unifikues, unë edhe pse jam kritik, kam qenë unifikues, pasi kam dhënë prova edhe në pajtimin e gjaqeve. Por, atyre që tash iu pengon ky unitet, ata dëshirojnë të na ndajnë dhe ata janë armiku kryesor i UÇK-së, i Sali Çekajt, Nasim Haradinajt dhe i grupit që kemi luftuar bashkë. Por, ne nuk jemi argat të këtyre që na kanë dhënë dorën në Gjermani dhe Tiranë dhe nuk kanë ardhur me neve në luftë, veç nëse nuk kanë pasur detyra të veçanta, sepse ka pasur njerëz që kanë pasur për detyrë të punojnë edhe prej Gjermanisë.

Por, ata që po mundohen për Sali Çekajn, nuk e kanë ndjekur atë. Atyre duhet t’iu vijë turp, pse shokët që po vuajnë sot për të, nuk ishin me të, ndërsa unë po. Mirë do të kishte qenë që Sali Çekaj t’i kishte edhe ata me vete.

Lufta normal ka filluar me kaçuba krejt jetën, pastaj kemi filluar në lisa dhe Kosharja më së paku ka pasur kaçuba, por ajo ishte nën komandën e zonës Operative të Dukagjinit. Prandaj, edhe Ramush Haradinajt kanë ardhur t’ia marrin komandën me pretekstin që është luftë kaçubash. Mirëpo, edhe Tahir Zemajn e kanë rrejt, ata që sot po e quajnë luftë kaçubash, se i kanë thënë “të lëshojmë armatim prej aeroplanit”. Tahiri nuk do të hynte në luftë me atë lloj armatimi, por është tradhtuar nga shokët e tij. I kanë premtuar që nëse e merr komandën, do të sjellin armatim. Tahirit armatim nuk i kanë sjellë, ai si i zgjuar e ka bërë matematikën me laps, me ato armë nuk ia ka “qit fitoren”, ka ikur dhe është kry puna. Ishte vendim i tij. E kemi deklaratën e Fadil Hadërgjonajt, që ka qenë me të. Për 19 vjet me radhë ka folur krejt ndryshe, tash thotë që Tahiri nuk ka bërë mirë as që ka dalë, por edhe që kur është zgjedhur komandant në Dukagjin në një kohë, është zgjedhur padrejtësisht, se sipas tij, nuk është dashur të zgjidhej ashtu.

“Bota sot”: Por, ekziston intervista ku Agim Ramadani e ka pohuar këtë gjë?

Haradinaj: Nëse Agimi e ka thënë këtë kur ishte ushtar me Tahir Zemajn, krejt valide është. Mirëpo, mos harroni se Agim Ramadani i Koshares, Rrustem Berisha i Koshares, janë njerëzit që kanë hyrë me Tahirin, por që janë zhgënjyer me ata të cilët i kanë futur brenda dhe kanë luftuar.

Unë po e them edhe një deklaratë të Agim Ramadanit: “Nëse ma mbërrin ymri të bie në Junik, kurrë më në Dukagjin nuk rri, por do të shkoj në Karadakun tim, ndërsa Junikut i kam borxh se kam dal pa dëshirën time”. Këtë e din të gjithë.

Agim Ramadani i Koshares është tjetër Agim. Agimi ka hyrë me mendimin më të mirë. Të gjithë ushtarët e UÇK-së kanë pasur dëshirë që Ibrahim Rugova të thoshte: “Unë jam komandanti juaj”. Por, nuk ka thënë. Sikur ta thoshte, do të ishte bërë luftë e mirë, të gjithë do të ishim bashkuar.

Do të ishte bërë ndoshta mirë edhe tjetra, po ta mbështeste Bujar Bukoshi, Ahmet Kransiqin. Por, nuk e ka mbështetur. Kur është bashkuar Ahmet Krasniqi me neve, e kanë luftuar dhe është vrarë. Këta po kanë qejf me nda, por nuk do t’iu dal mirë. Ahmet Krasniqi është vrarë dy muaj pasi ka bashkëpunuar me UÇK-në dhe ka qenë ndër njerëzit kategorik me UÇK-në dhe neve nuk ka penguar asgjë. Por, dikujt i ka penguar kjo, përpos serbëve.

Ahmet Krasniqi është vrarë kur ka bashkëpunuar me UÇK-në, kurse tash t’i shkojnë e t’i rrinë nëpër akademi… Ahmet Krasniqi dhunshëm ia ka lëshuar pozitën e kolonelit Tahir Zemajt, dhunshëm e ka lëshuar vërtetim për urdhër të tërheqjes, sepse ai nuk ka pasur urdhër të tërheqjes. Dihet kërcënimi që Tahiri ia ka bërë Ahmetit me telefon… duhet dëgjuar deklaratën e Ali Hadërgjonajt dhe Hafiz Gagicës në KTV dhe të krahasohen…

“Bota sot”: A dihet se si janë vrarë Agim Ramadani dhe Sali Çekaj?

Haradinaj: Po kjo botërisht dihet se si janë vrarë. Janë vrarë si heronj. Agimi është vrarë më 11. Mbahet një akademi për Sali Çekajn, a din cili është turpi i asaj akademie? Turpi është që nuk mbahet njëkohësisht me atë për Shefqet Mustafën, që po ashtu është hero i Kosovës? A din pse? Sepse Sali Çekaj ka dhënë jetën duke i shkuar në ndihmë komandant “Dukagjini”, që quhet Shefqet Mustafa dhe sot politika i ndan. Është shumë i vërtetë, se Shefqeti i ka takuar atyre që po u thonë të “kaçubave” dhe lëvizjes. Sali Çekaj ka qenë anëtar i devotshëm, patriot i LDK-së dhe e ka dëshmuar këtë. Ai ka vdekur duke i shkuar në ndihmë Shefqetit. Dhe tash si mbahet akademia? Këtë duhet të hulumtojë “Bota sot” edhe pse jam i sigurt që e keni ditur.

“Bota sot”: Sipas historianit Zekirja Hasanaj, gjatë luftës Grupi i Dukagjinit, e ka mbajtur në dhomë portretin e Enver Hoxhës dhe janë përshëndetur me simbolin e tij (me grusht) dhe jo me dy gishta siç ka bërë LDK-ja?

Haradinaj: Nuk janë dy gishtat e LDK-së, as ky gishti i Hashim Thaçit e as grushti i Enver Hoxhës. Më vjen keq kur flasin njerëz naivë. LDK-ja nuk i ka zbuluar dy gishtat, ato janë shenjë e Viktorias, që do të thotë fitore. Është ndjenjë e secilit të dojë kë të dëshirojë. Nëse dikush e ka dashur Enver Hoxhën, ai e dashur Shqipërinë. Prandaj, këta le të na tregojnë që e kanë dashur Titon në Jugosllavi, që kanë qenë edhe oficerë të tyre. Ne nuk po i ofendojmë ata, po i kuptojmë. Dikush është dashur të shkollohet, shyqyr që janë shkolluar. Lavdi, nder dhe respekt për çdo oficer të kryer në Armatën Jugosllave dhe që kanë ardhur në luftë, dhe turp e faqja e zezë atyre që kanë kryer shkolla dhe nuk janë ardhë t’i shërbejnë popullit të vet. Këta kanë mes vete ndarje. Sali Çekaj ka mes vete ndarje brenda grupit të vet të LDK-së, se nuk ua ka mbajtur. Lehtë ka qenë të flasësh prej Gjermanisë. Nuk e kanë besuar ata që Sali Çekaj i dërgon në luftë. Kur e panë që Çekaj po i dërgon në luftë, u ndalën andej detit. Çekaj ka zgjedh të jetë shok me neve, sikur që kam qenë edhe unë shumë shokë që nuk kanë besuar që do të vijë në luftë. Andej detit jam përshëndetur me ta, jam bërë shok me Sali Çekajn. Shokët që nuk më kanë përkrahur dhe më kanë lënë vetëm, mua m’i ka zëvendësuar Sali Çekaj. Shokët, të cilët e kanë rrejt dhe mashtruar Sali Çekajn, ia kemi zëvendësuar ne. Nuk mund të ndahemi ne për shkak të tradhtisë dhe qyqarllëkut që ia kanë bërë shokut të vet Sali Çekajt, duke u munduar edhe neve të na përçajnë. Kosharja është kryer. Por, këtyre që iu ka mbushur mendja që mund të luftojnë ende, ka vende ku luftojnë. Është Presheva e paçliruar, i kanë tokat brenda Kosovës, pjesa e Malit të Zi, është Çamëria.., kush nuk i ndal..

Edhe atyre që iu ka mbetur pikë për të qenë komandantë e nuk kanë mundur atëherë, lirisht le të zgjedhin vendin, ka boll dhe le të na kalojnë neve. Nëse janë të zgjuar dhe të mençur, le të na tregojnë neve se si e bëjnë ata luftën mençur.

Krejt këto janë të prekshme dhe mund të vërtetohen.

Ne e kemi një Saim Tahiraj që thotë që ka qenë shok i ngushtë më Sali Çekajn. Ai para se të ishte shok i Çekajt, ishte shok i imi në ilegale. Kam qenë kryetar i tij, ai as në grup nuk ka qenë por ka pasur një afishe. A din sa interesant është se ai thotë një herë që më ka tradhtuar Nasim Haradinaj. Ai thotë që e ka tradhtuar një Ismet Haziri, bashkëfshatar, që ai e ka angazhuar. Interesant Ismeti ishte në burg, ai nuk ishte në burg. Pastaj thotë se e ka tradhtuar Mentor Kaqi, që ishte në grup me të, Mentori në burg, ai hiq.

E tradhtoi edhe Sali Çekaj se Saliu erdhi me mua. Më vështirë e ka pasur Sali Çekaj të bëhej me mua, apo Saimi që më ka pasur shok. Ose të paktën, nëse Saimi e ka ditur se unë apriori jam tradhtar, ai ka bërë krim që e ka lejuar shokun e tij të vinte me mu, të bëhej bashkë-tradhtarë. Kurrë nuk do ta lejoja një shok timin, të bashkohej me një njeri që do të mendoja se ishte i keq. Ose do të kisha shkuar me të aty.

I vetmi njeri që nuk e ka tradhtuar Saim Tahirajn, është Vul Mirqiqi, komandant i policisë së shërbimit sekret në Deçan, vrastar, që me vëlla të tij ka shitur telefona satelitorë që shiteshin deri në 2 mijë marka. Ai nuk e ka dekonspiruar ende. Por, është drojë që Vula vjen në burg, e Saimi shpëton. Aq finok është.

Më qëllim nuk kam folur qe 20 vjet për Kosharen. I kam lënë këta “dordolecat”. Me fol oficeri i tretë dhe të na tregojë për lidhjet dhe takimet?!

Po flasin për dhuratat e Agim Ramadanit. Sa dhurata i ka dhënë Agim Ramadani, ai ka qenë i ligësht dhe me ia ngarkuar ato Agimit, s’i çon kali e lë më ai. Sa dhuratën ua paska dhënë Agimi, atij e atij. Gjithmonë tek ne shpërndajnë dhurata njerëzit e vdekur. Ne nuk i duam njerëzit e gjallë, por të vdekurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat