LDK dhe LVV e kanë shumë seriozisht, PSD do t`i tradhtojë në instancën e fundit - Bota Sot
LDK dhe LVV e kanë shumë seriozisht, PSD do t`i tradhtojë në instancën e fundit

Intervista

LDK dhe LVV e kanë shumë seriozisht, PSD do t`i tradhtojë në instancën e fundit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 28 maj 2019 Në ora: 21:15
Haki Abazi

Analisti politik Haki Abazi ka thënë se propozimi dhe nisma për Tribunal Ndërkombëtar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është lojë, manipulim, përdorim i viktimave të luftës 20 vjet pas përfundimit të saj, si dhe tentim për të plotësuar deficitin patriotik dhe nga ana tjetër për të fshehur dështimet.

Abazi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se iniciativa e LDK-së dhe LVV-së për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj është serioze, por skeptik ai shprehet të jetë me partinë e Shpend Ahmetit, për të cilën mendon se do ta tradhtojë LDK-në, dhe do të mbetët në krahun e së keqes së Kosovës.

Duke folur për Samitin e Parisit që pritet të mbahet në korrik të këtij viti, Abazi ka thënë se pas Berlinit as Parisi nuk ka shkopin magjik për të përmirësuar gjendjen. Ai mendon se problemi i Serbisë me Kosovën është aq i thellë, sa që nuk jep shpresë që një takim mund të zgjidhë problemet e grumbulluara, dhe jo sidomos me Thaçin e Vuçiqin.

Gjatë kësaj interviste, analisti politik Haki Abazi ka folur edhe për përplasjen Thaçi-Berisha, për të cilën është shprehur se ky është një gabim i rëndë që është duke bërë Thaçi. Ai deklaron presidenti i Kosovës ka kaluar dhe është në nivelin e rezervës dhe as Shqipëria e as Kosova nuk i beson në qëndrimet që ndryshojnë për çdo ditë dhe që për bazë kanë gjuhën e kërcënimit dhe ndarjes e hedhjes baltë. Sipas Abazit, Thaçi është politikan i dështuar dhe në konflikt me të gjithë.

“Bota sot”: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ditë më parë ka propozuar një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe. Cili është komenti i juaj lidhur me këtë?

Haki Abazi: Propozimi dhe nisma për Tribunal Ndërkombëtar nga ana Veselit do të dukej e drejtë dhe parimore sikur të mos ndodhte në një moment të këtillë, shumë delikat dhe problematik, të dështimit të nismave për ndarjen e Kosovës, dhe një reputacioni shumë të keq të institucioneve, sidomos të këtyre liderëve si Veseli dhe Thaçi, që përveç që janë të apostrofuar për krimet e bëra, ata janë edhe vetë themeluesit e Gjykatës Speciale dhe po ashtu së fundi janë emrat e përmendur të skandaleve dhe krimit ekonomik, së bashku me anëtaret e familjeve të tyre. Përdorimi i viktimave të luftës, 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe tentimi për të plotësuar deficitin patriotik për të fshehur dështimet, është ide e turpshme. E gjithë bota e ka kuptuar që kjo është lojë dhe manipulim, sidomos kur pas 7 vjetëve dialog kjo çështje nuk është ngritur asnjëherë në qarqet ndërkombëtare apo në bisedime me Serbinë.

“Bota sot”: Deputetët e dy partive më të mëdha opozitare e lëshuan sallën e Kuvendit, në të cilën po diskutohej për krijimin e një komisioni për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer gjatë luftës në Kosovë. Si e vlerësoni këtë veprim?

Haki Abazi: Mendoj se është veprim që tregon seriozitetin dhe respektin për viktimat e luftës. Pas 20 vjetëve, nuk mund të lejohet dhunimi i viktimave për qëllime politike dhe pa diskutuar pse asnjë dokument serioz nuk është bërë nga ana institucioneve për dëshmitë, faktet dhe deklaratat e dëshmitarëve për krimet e Serbisë. Mendoj që opozita ka bërë hapin më konstruktiv, duke mos lejuar që çështja e viktimave dhe krimeve të politizohet, ata kanë kërkuar që drejtësia të kryej punën e saj pa interferimin e politikës, dhe këta hapa të opozitës duhet përshëndetur dhe përkrahur.

“Bota sot”: Si e shihni iniciativën e Isa Mustafës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj? A mendoni se do ta ketë përkrahjen e VV-së dhe PSD-së?

Haki Abazi: Kjo është një nismë e vjetër, dhe besoj që edhe LDK dhe LVV e kanë shumë seriozisht, dhe sigurisht që po të kishin votat e mjaftueshme kjo gjë do të bëhej qysh moti, por PSD ka luajtur lojën e ndytë që nga fillimi duke bërë deklarime verbale para qytetarëve dhe mediave, si dhe duke rritur “pazarin” në takimet e fshehta me qeverinë. Ata kanë negociuar pozita për vete dhe tezakët e tyre në institucione, dhe një të ashtuquajtur delegacion shtetëror, që në fakt është delegacion qeveritar që është duke ia mbajtur ‘zhagun’ Thaçit, dhe kanë siguruar disa bileta për Bruksel falas. Është mashtrim se çfarë janë duke bërë prapë PSD, duke luajtur me limitin e durimit të votuesve që iu kanë dhënë votën. Mendoj që në instancën e fundit PSD, do ta tradhtojë LDK-në, dhe do të mbetët në krahun e së keqes së Kosovës.

“Bota sot”: Ka zëra brenda koalicionit qeverisës, që pretendojnë se zgjedhje të reja mund të ketë në vjeshtën e këtij viti. Sipas jush, sa është e mundshme të ndodhë kjo?

Haki Abazi: Pas largimit të Listës Srpska nuk ka arsye që kjo qeveri të qëndrojë. Ajo është formuar vetëm duke ju falënderuar Listës Srpska dhe qëllimit të Vuçiqit që kjo qeveri dhe Kosova të mbahen peng i veprimeve të Serbisë. Sa më gjatë që vazhdon kjo qeveri aq më shumë Serbia në mënyrë direkte dhe indirekte është duke kontrolluar dinamikat e zhvillimit, ose më mirë me thënë mos zhvillimit dhe degradimit të shtetësisë së vendit. Zgjedhjet duhet mbajtur shumë shpejt dhe me shumë kontroll dhe monitorim.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme të Haradinajt?

Haki Abazi: Në anën përmbajtjesore dhe zhvillimit të vendit, qeveria ka dështuar dhe ka bërë hapa të dëmshëm me pasoja afatgjata. Bankromtimi i Telekomit, kontrata për Termocentralin e Ri, investimet marramendëse në asfalt dhe autostrada që kanë qëllim blerjen e votës, listat e veteranëve të rrejshëm, por mbi të gjitha imuniteti me arrogancë kundër interesit të publikut dhe arsyetimi me çdo kusht i dështimeve, ka sjellur në nivelin e mosbesimit që kishte filluar PDK me vite, dhe tani në formën më të ulët është kombinuar me AAK. Ana pozitive ka të bëjë me tarifat për mallrat e Serbisë, që në fakt nuk ka qenë asnjëherë qëllim e as politikë e AAK-së, përkundrazi kjo ka qenë kauzë e formuluar nga LVV dhe njerëz që njohin marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fakt, përflitet që ka disa njerëz të afërt me AAK-në që janë duke përfituar nga tarifat, dhe kjo gjë duhet shikuar nga afër.

“Bota sot”: Të ashpra më mënyrën e qeverisjen aktuale janë parë të jenë edhe ambasadat e fuqive të mëdha? Mendoni se kanë të drejt?

Haki Abazi: Përfundimisht ambasadat kanë filluar të përkrahin qëndrimin e ashpër të individëve, mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat në vazhdimësi kanë paraqitur pozicionin e tyre kundër nepotizmit, krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit masiv të pozitës publike. Edhe pse pak i vonuar ky pozicionim, është për admirim dhe jep shpresë që nuk do të lejohet krimi dhe korrupsioni të jetë norma e funksionimit të institucioneve.

“Bota sot”: Samiti i Parisit, a do të jetë një “goditje” për Thaçin dhe Serbinë? Cilat janë pritjet tuaja nga ky samit?

Haki Abazi: Mendoj se Thaçi është i përfunduar me 29 Shtator 2018, kur qytetarët dolën në shesh për t’i treguar se nuk lejojnë ndarjen e Kosovës. Askush në bashkësinë ndërkombëtare me mendje të shëndoshë nuk e përkrahë ndarjen, as edhe individë përbrenda administratës së SHBA-ve, të cilët fillimisht menduan që kjo punë është kryer dhe ata do të mburren me një marrëveshje dypalëshe të nënshkruar dhe të gjithë akterët do të nominohen për çmimin e Paqës ‘Nobel’. Tani kur ata kanë kuptuar që në fakt kjo gjë as nuk është afër, sepse Gjermania, Britania dhe Franca nuk janë për ndarjen dhe korrigjimin e kufijve në Ballkan, administrata e presidentit Trump e sheh me shumë skepticizëm Thaçin dhe gënjeshtrat e tij politike. Pas Berlinit, sigurisht që Parisi nuk ka shkop magjik për të përmirësuar gjendjen, por besoj që problemi i Serbisë me Kosovën është aq i thellë, sa që nuk jep shpresë që një takim mund të zgjidhë problemet e grumbulluara, dhe jo sidomos me Thaçin e Vuçiqin.

“Bota sot”: Së fundi, ka filluar edhe një përplasje e ashpër mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Si e keni parë këtë veprim të tyre?

Haki Abazi: Thaçit i duhen partnerë në Shqipëri për idetë e tij të krisura për ndarje dhe manipulim të qytetarëve të Luginës së Preshevës. Duke hyrë në konflikt me Berishën ai mendon që do të marrë përkrahjen e përjetshme nga Rama. Ky është edhe një gabim i rëndë që është duke bërë Thaçi, sepse ai mendon që mund të ndryshojë kursin dhe qëndrimet për çdo ditë, por unë mendoj që ajo kohë ka kaluar dhe Thaçi është në nivelin e rezervës dhe as Shqipëria e as Kosova nuk i beson në qëndrimet që ndryshojnë për çdo ditë dhe për bazë kanë gjuhën e kërcënimit dhe ndarjes e hedhjes baltë. Thaçi tenton të mbahet i majtë, por ai as nuk është i majtë as i djathtë, është vetëm politikan i dështuar dhe në konflikt me të gjithë.

“Bota sot”: Fotografia e Flora Brovinës që tronditi Kosovën. Kush mendoni se qëndron prapa këtij “skandali”?

Haki Abazi: Kadri Veseli.

“Bota sot”: Si e komentoni qasjen e deputetit Milaim Zeka karshi rastit të Flora Brovinës me fotografinë? Si erdhi deri tek kjo qasje komplet ndryshe e Zekës për SHIK-un dhe partinë e Kadri Veselit, kur dihen kritikat e mëhershme të tij ndaj këtij subjekti?

Haki Abazi: Milaim Zeka është standardi i këtij parlamenti dhe fjala e tij e ka peshën një mushkonje të vdekur që bartë era nga një qoshe në tjetrin. Ai gjithmonë ka përdorur strategjinë e ndarjes dhe manipulimit dhe nuk i zë fjala vend. Në fund ai është bashkëfajtor për të gjitha që ka bërë PDK në Kosovë që nga paslufta dhe nuk do të habitesha sikur ai të jetë pjesë e listave që kanë krijuar probleme në Kosovë përtej atyre që janë publike tanimë.

“Bota sot”: Javën e kaluar Ambasada e SHBA-së doli me një deklaratë ku tha se do të shqyrtojë mundësinë që të mos lëshojë viza për personat e dyshuar në rastet e mëdha të korrupsionit, si mendoni se duhet të kuptohet ky mesazh nga partitë politike në Kosovë përfaqësues të të cilave mund të jenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste?

Haki Abazi: SHBA-të dhe Ambasadori Philip Kosnett e ka të qartë që nuk mund të vejë përkrahjen kundrejt individëve që kanë probleme me ligjin dhe potencialisht mund të jenë në listën e gjykatave. Kredibiliteti i SHB-ve nuk mund të vihet në pikëpyetje duke lejuar që individ të akuzuar të përdorin bashkëpunimin me SHBA si formë për të arsyetuar veprimet e tyre tani ose në të kaluarën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...