Rekaliu: Rezoluta përmban masa konkrete për parandalimin e ikjes së të rinjëve nga vendi

Intervista

Rekaliu: Rezoluta përmban masa konkrete për parandalimin e ikjes së të rinjëve nga vendi

Albiona Hajdari Nga Albiona Hajdari Më 6 qershor 2019 Në ora: 18:48
Fidan Rekaliu

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovsë, Fidan Rekaliu, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka shpalosur detaje nga rezoluta që do të paraqitet në kuvend, e cila ka për objekt marrjen e masave për ndalimin e ikjes së të rinjve nga vendi.

Rekaliu për ‘’Bota sot’’ ka deklaruar se përmes kësaj rezolute synohen rezultate konkrete në çështjet thelbësore që i shqetësojnë të rinjtë sot.

Ekskluzivisht për gazetën ‘’Bota sot’’, Fidan Rekaliu ka paraqitur të dhëna nga rezoluta, të cilat përmbajnë respektimin e meritokracisë së punësimeve si standard evropian; rritjen e buxhetit për dhënie të bursave, granteve dhe formave të tjera të subvencioneve që krijojnë kondita dhe ambient të favorshëm për rininë dhe fuqizimin e saj; Hartimin adekuat të politikave në fushën e edukimit me studim të fizibilitetit të profesioneve që i kërkojnë trendet aktuale të tregut të punës me standarde evropiane.

“Bota sot”: Z. Rekaliu Çka përmban draft-rezoluta?

Fidan Rekaliu: Rezoluta që kemi propozuar për votim në kuvend, ka për objekt shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë vendim-marrës në republikë, për marrjen e masave me qëllim që të krijojmë kushte në Kosovë për një jetë normale për të rinjtë e të mos na ikin të rinjtë si mungesë e shpresës dhe besimit në këtë vend. Ikja e të rinjve në mënyrën se si po ndodhë, e dëmton rëndë gjithë çfarë është arritur në Kosovë por edhe ëndrrat e të ardhmes së shumë të rinjve e të rejave nga e kaluara dhe e sotmja për një Kosovë të lire, të pavarur, të zhvilluar dhe të integruar në NATO e BE.

“Bota sot”: Çka synoni të arrini përmes kësaj rezolute?

Fidan Rekaliu: Ne besojmë se çështja e largimit të energjisë dhe trurit të të rinjve të Kosovës e lë vendin tone pa potencialin kryesor zhvillimor për zhvillimin e Kosovës. Në këtë drejtim kjo nuk mund të jetë çështje partiake por interes nacional që na ndikon të gjithëve. Pavarësisht përgjegjësive që kanë subjekte politike për gjendjen që jemi, përsëri dua të besoj se do të kemi përkrahje të madhe për këtë rezolutë sepse ikja e të rinjve nga mungesa e drejtësisë, shërbimeve efikase publike, mungesës së arsimit, mungesës së kujdesit shëndetësor, shkatërrimit të sistemit të vlerës nga kriteri i cilësisë në kriter familjar, krahinor, e partiak në çdo pore të jetës në Kosovë, ka prodhuar dëshpërim dhe mungesë besimi dhe me të drejtë sot shqetëson çdo njeri normal në Kosovë.

“Bota sot”: Cilët janë hapat konkretë që do të ndërmerren për rininë?

Fidan Rekaliu: Angazhimi ynë politik është i orientuar që përmes rezolutës ne të përçojmë mesazh tek të rinjtë se nuk do t’i dorëzohemi gjendjes së dëshpërimit dhe mosbesimit që është tani dhe në anën tjetër t’i propozojmë qeverisë masa e hapa konkret që edhe do të nxisin besimin e të rinjve në shtet dhe në shoqëri e po ashtu që të synohen rezultate konkrete në çështje thelbësore që i shqetësojnë të rinjtë sot.

(-Të dhëna nga draft-rezoluta: Të respektohet meritokracia e punësimeve si standard evropian. Të rritet buxheti për dhënien e bursave, granteve dhe formave të tjera të subvencioneve që krijojnë kondita dhe ambient të favorshëm për rininë dhe fuqizimin e saj.)

“Bota sot”: A prisni përkrahje nga subjektet tjera politike për votimin e saj?

Fidan Rekaliu: Aktualisht në opozitë ne po ngrisim tema dhe po artikulojmë qëndrimin tonë në raport me shumë fenomene negative që po përballet populli i Kosovës dhe rinia me qeverisjen e sotme. Kjo është mundësia jonë dhe detyra po ashtu. Nesër kur ne të jemi në krye të qeverisë, do të përpiqemi që këto defekte që po I nënvizojmë për çdo ditë t’i kthejmë në akte politike e juridike të shtetit me qëllim që t’I japim kuptim përpjekjes për shtet të së drejtës, por mbi të gjitha të rikthejmë besimin e të rinjëve në shtetin dhe shoqërinë kosovare. Kosova ka nevojë të rikthejë disa vlera që ka humbur nga qeverisja klienteliste, nepotike dhe e korrupsionit. Kosova ka nevojë të çrrënjosë trashëgiminë politike e qeverisëse të viteve të fundit, sepse kjo qeverisje e ka kthyer në normë qeverisëse, politike por edhe morale, vjedhjen e shtetit, gënjeshtrën politike e publike, mashtrimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha ka korruptuar vlerën e dijes duke ju shpallur një luftë të heshtur njerëzve e të rinjve të ditur e të përgatitur në favor të atyre pa merita, por me lidhje familjare, grupore, krahinore dhe partiake. Këto ndryshme I bën vetëm LDK dhe pa këto ndryshime ne nuk I qëndrojmë parimit për t’i dhënë kuptim shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Në një prononcim tuajin keni përmendur punën praktike, a do të siguroni përmes kësaj rezolute që çdo i ri që kryen punë praktike, të paguhet nga institucioni përkatës?

Fidan Rekaliu: Puna praktike kudo në botë njihet si përvojë e punës. Në Kosovë përveç që kemi pasur keqadministrim të detyrave dhe përgjegjësive institucionale, kemi pasur edhe gabime e lëshime në organizim dhe rregullim ligjor të politikave që janë në favor të të rinjve. Është momenti I fundit që puna praktike të njihet me ligj si përvojë e punës dhe unë për këtë jam angazhuar dhe do të angazhohem derisa kjo gjë të realizohet.

(-Të dhëna nga draft-rezoluta: Hartimi adekuat I politikave në fushën e edukimit me studim të fizibilitetit të profesioneve që I kërkojnë trendet aktuale të tregut të punës me standarde evropiane. Plotësim-ndryshimi I ligjit dhe heqjen e neneve përkatëse me të cilat kërkohet 3 deri në 5 vite përvojë pune pas diplomimit si dhe të bëhet rishikimi I akteve nënligjore për t’i harmonizuar ato me propozimet e mësipërme për të ju mundësuar të rinjve praktikën e punës me pagesë.)

“Bota sot”: Sipas jush, sa do të ndikojë rritja e pagës minimale në parandalimin e rinisë nga Kosova?

Fidan Rekaliu: Debati për pagën minimale duhet të fokusohet tek paga minimale deri në 35 vjet që është ndër më të ulëtat në rajon dhe që prekë rininë drejtpërdrejtë. Qëndrimi ynë është që kjo të rritet fillimisht ndërsa paga minimale për personat mbi 35 vjeç, duhet të bëhet pasi të zgjidhen ngarkesat e buxhetit me veteran të rrejshëm dhe në përputhje me trendet zhvillimore e ekonomike duke siguruar se rritja nuk do ta ndikojë stabilitetin e financave publike por do të jetë impuls në zhvillim dhe mirëqenie të qytetarëve të Kosovës.

“Bota sot”: Planet tuaja si kryetar i FRLDK?

Fidan Rekaliu: Unë aktualisht jam deputet I LDK dhe po ashtu kryetar i FRLDK. Angazhimi im dhe përkthimi po ashtu janë që të realizoj sa më mire detyrat e mia përballë qytetarëve të Kosovës në Kuvend dhe përballë rinisë së LDK-së në veçanti. Suksesi im dhe i çdo zyrtari tjetër të LDK-së, maten me faktin se si t’i orientojmë në mënyrën më të mire resurset tona për një fitore sa më të thellë të LDK-së. Vetëm atëherë mund të flitet për pozicionet personale dhe një gjë e tillë është krejt legjitime. Unë do të jem kudo që më kërkon detyra dhe struktura e LDK-së në shërbim të arritjes së synimit madhor: fitore të thellë të LDK-së dhe ndryshime rrënjësore në qeverisjen e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat