Xhaferi: Gruevski edhe po të më sulmonte fizikisht, do të qëndroja i palëkundur deri në votimin e ligjit për gjuhën shqipe - Bota Sot
Xhaferi: Gruevski edhe po të më sulmonte fizikisht, do të qëndroja i palëkundur deri në votimin e ligjit për gjuhën shqipe

Intervista

Xhaferi: Gruevski edhe po të më sulmonte fizikisht, do të qëndroja i palëkundur deri në votimin e ligjit për gjuhën shqipe

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 17 qershor 2019 Në ora: 08:43
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Veriore Talat Xhaferi dhe gazetari i gazetës "Bota sot", Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi ka folur gjatë për çështje të ndryshme jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e veriut, por edhe për problemet e shqiptarëve në gjithë Ballkanin. Ai ka thënë se pa dyshim që zhvillimet pozitive në Kosovë e Shqipëri ndikojnë në artikulimin më të fuqishëm të problemeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por, baza apo thelbi i zhvillimeve pozitive buron nga vetë angazhimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar disa prej të arriturave të cilat e kanë përmirësuar jetën e shqiptarëve atje, siç është votimi i ligjit për gjuhët. Xhaferi ka folur për rastin e Kumanovës dhe pritshmëritë nga gjykimi i të burgosurve.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend, sa ka avancuar çështja e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore?

Talat Xhaferi: Për dallim prej periudhës se kaluar, në dy vitet e fundit gjendja në kuptim të marrëdhënieve politike, apo situatës politike Brenda vendit, është krejtësisht ndryshe në kontekstin pozitiv, prej asaj të kaluar, por kjo nuk do nuk do të thotë se në momente të caktuara nuk ka elemente që mund ta tensionojnë situatën në vend, për atë arsye mundohemi që edhe si institucione, por edhe si subjekte politike me qenë të vëmendshëm për veprimet rreth punës që bëjmë. Në këtë kontekst mund të konstatojmë se ka një klimë pozitive për përpjetë rreth asaj që është përcaktimi kryesorë që vendi t’i plotëson parakushtet për integrim në vendet e Unionit Evropian dhe NATO. Në këtë kontekst, punët po shkojnë për së mbari, varësisht prej cilës kahje të integrimit është në pyetje, situata është më e përparuar në integrimet për në NATO, kundrejt procesit të hapjes së negociatave para-aderuese për në Unionin Evropian, e gjitha kjo si pasojë e procedurave të brendshme të shteteve anëtare të UE gjegjësisht NATO.

Pra, mund të konstatojmë se jemi në një situatë më të relaksuar politike, gjë për të cilën ka kontribuara edhe ligji për përdorimin e gjuhës, qasja në të gjitha aspektet që i afron bashkësitë etnike e faktorë të tjerë.

“Bota sot”: Si i ka Maqedonia raportet me fqinjët, sa kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve marrëveshjet e fundit me Bullgarinë e Greqinë?

Talat Xhaferi: Në drejtim të përmirësimit të raporteve me fqinjët, përfshirë këtu të gjithë fqinjët tanë, janë bërë disa veprime të cilat kanë kontribuar që perceptimi dhe në përgjithësi raportet të jenë më të relaksuara në raport me ato se si kanë qenë në të kaluarën, e që kanë përbë edhe pengesa në proceset euro-integruese, në veçanti mund të theksojmë marrëveshjen me Bullgarinë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të ndërsjellë, me të cilën u tejkaluan dallimet rreth pikave ndarëse nëse mund të them, në kuptim të bashkëveprimit ndër fqinjësorë. Problem tjetër të cilin e kemi kaluar e që për tre dekada e hendikeponte vendin tonë, ka qenë çështja e emrit, kontekst ky që e kemi pasur e që e kemi tejkaluar me Greqinë, përmes marrëveshjes së vitit 2018, me implementimin e fazës së parë të asaj marrëveshje, me ndryshimet kushtetuese, u hap ajo derë e cila ishte e nevojshme për të na mundësuar rrugëtimin drejt NATO-s, kështu që ai proces ka filluar prej 6 shkurtit, kur ambasadorë në Bruksel nënshkruan protokollin për fillim të procesit ratifikues për anëtarësim në NATO, më 8 shkurt e para sipas marrëveshjes Greqia e ratifikoi marrëveshjen dhe hapi rrugën që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe vendet anëtare të NATO-s, kështu që deri më sot, 17 vende anëtare e kanë ratifikuar protokollin për gati katër muaj që kur është hapur ky proces, e që pritshmëritë janë që ky proces deri në fundvit, deri në 3,4 dhjetor kur është edhe samiti i ardhshëm i NATO-s, në Londër me rastin e shënimit të 70 vjetorit të themelimit të NATO, në presim edhe ftesën oficiale që të bëhemi vendi i 30-të anëtarë i NATO-s.

Kjo dinamikë jep shpresa, pasi që në fund të muajit, më 25 qershor parlamenti Hungarez do të ratifikoj protokollin ku edhe do të jem prezent me gjasë, me ftesë të kryetarit të parlamentit hungarez, e që do të bëhet vendi i 18 me radhë. Në procedurë janë Çekia, Italia Franca, SHBA, d.m.th e kanë përshpejtuar këtë proces. Pra mund të themi se jemi duke shpresuar që shtatori të na gjejë me më tepër se 20 vende ta kenë ratifikua, e pastaj deri në dhjetor ta kryejnë edhe shtetet tjera.

Kur jemi te integrimet në Unionin Evropian, pritshmëritë janë që këtë të hapen negociatat para-aderuese, ani pse paralajmërimet kanë qenë për këtë qershor sipas konkluzave të samitit Evropian herën e kaluar në Sofie, por, procedurat e UE edhe aty bëjnë pengesa apo vonesa pasi që për të marrë ndonjë hap përpara, duhet që të gjitha vendet ta kenë përmbyll shqyrtimin e rekomandimit të UE që jepet përmes raportit vjetor nga vendet pretenduese. Kjo tash është çështje procedurash, kemi pritur të jetë një lloj afati qershori, por siç e thash, jo gjithmonë procedurat lejojnë që në mënyrë të prerë të përmbushen afatet, pasi që kemi të bëjmë me procedura parlamentare, e që nuk mund t`i ndryshohet ritmi.

“Bota sot”: Së fundi e keni votuar edhe ligjin për përdorimin zyrtarë ë gjuhës shqipe. Sa po zbatohet dhe sa do të zbatohet në vazhdimësi kjo?

Talat Xhaferi: Çështja e ligjit për përdorimin e gjuhëve është përcaktim e cila e vë në përdorim zyrtar gjuhën shqipe në organet qendrore dhe buron nga marrëveshja e Ohrit, e mund të llogaritet si plotësim i legjislacionit të asaj që përcaktonte marrëveshjen e Ohirt.

Zbatimi praktik nuk do mend që është proces apo procedurë e gjatë, e cila gjithnjë kërkon përkushtim e angazhim të të gjithë atyre që janë bartës të asaj detyre si dhe shfrytëzues të asaj të drejte. Do të duhet mbikëqyrje konstante për mënyrën dhe nivelin e zbatimit të ligjit, jo rastësisht ligji parasheh instrumentet ekzekutive dhe mbikëqyrëse të ligjit, për atë arsye ligji parasheh themelimin e agjencisë për zbatimin e gjuhës shqipe dhe themelimin e inspektoriatit të veçantë i cili do të ketë për detyrë mbikëqyrjen apo zbatimin e ligjit, si dhe sanksionimin e institucioneve të cilat nuk e zbatojnë urdhëresat të cilat i parasheh ligji për gjuhën. Ajo normë ka filluar të zbatohet në parlament, qeveri e në të gjitha institucionet qendrore, ka afate të caktuara për harmonizimin e ligjeve të tjera, e që kjo procedurë është duke u zbatuar dhe shpresoj që në afate që i parasheh ligji duhet të bëhet harmonizimin i gjithë legjislacionit përkatës dhe të zbatohet furnizimi publik që të mundësohet mbishkrimi i institucioneve, në mënyrë që formulimi i mbishkrimeve të jetë kualitativ mbi institucione. Këtë obligim e ka marrë komisionin ndërinstitucional qeveritarë ku marrin pjesë të gjitha institucionet, ndër ta edhe parlamenti.

Nga vizitat që i bëjmë, kohë më parë isha për vizitë në parlamentin Zviceran, ku një pjesë të praktikave të zbatimit të shumë gjuhësisë atje që kanë, do të mund ti artikulojmë për nevojat tona dhe do të mund t’i harmonizojmë sipas specifikave tona në mënyrë që të kemi si instrument për pranim dhe qarkullim të dokumentacionit, këto janë çështje për të cilat të gjithë ne mbajmë llogari për ta zbatuar ligjin e gjuhës.

“Bota sot”: Duke qenë nga një pozitë e rëndësishme, nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë Veriore, si e shihni pozitën e shqiptarëve sot në Maqedoni, sa janë unik subjektet politike shqiptare?

Talat Xhaferi: Unë mendoj që në artikulimin e programeve të subjekteve politike tek shqiptarët ka qenë mundësia që një nga institucionet kyqe shtetërore të jetë i udhëhequr nga një kudër shqiptarë, fati ka qenë që Bashkimi Demokratik për Integrim të jetë pjesë e pushtetit dhe bartëse e këtij vullneti të subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, për faktin që në shumicën parlamentare janë disa subjekte politike shqiptare do të thotë se ka vullnet që të komunikojnë mes veti pavarësisht deklarimeve të ndryshme në opinion për qëllime të interesave ditore, normal për atë edhe ekzistojnë subjektet politike, për atë arsye duhet të ketë edhe mendime ndryshme, pasi që është një instrument korrektues. Ne demokraci, apo vetë demokracia nuk do të kishte kuptim pa një opozitë të mirëfilltë, bashkëpunuese e cila normal që jep një këndvështrim ndryshe nga shumica, për këtë është normale që të ketë zëra kritik. Unë besoj që qëllimet mund të jenë të njejta, por mund të dallojnë rrugët të cilat subjektet i zgjedhin për të përmbushur programet e tyre.

“Bota sot”: Sa po punohet në hapjen e pikave të reja kufitare me fqinjët sidomos me Shqipërinë dhe Kosovën si mundësi të reja për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave?

Talat Xhaferi: Kufijtë me Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe me Serbinë, Malin e Zi por edhe Bosnjën e Hercegovinën, Republika e Maqedonisë i ka të rregulluara që qytetarët të kalojnë me karta identiteti, nuk ka nevojë për pasaportë me çdo kusht. Po bëjmë përpjekje dhe mendoj që është në vullnetin e dyja qeverive që në Bllacë me Kosovën dhe në Qafë Thanë me Shqipërinë të ketë vetëm një pikë kontrolli sipas praktikave të fundit që po i zbatojnë disa shtete, në mënyrë që të lehtësohet kohëzgjatja e pritjeve të njerëzve gjegjësisht mallrave. Sidomos kjo do të ndikonte në sezonin e fluksit, me ç’rast do të bëhej kontrolli në hyrje nga pala e cila pranon udhëtarin, ndërkohë në dalje nuk e kontrollon askush. Kjo do të shkurtonte kohën e udhëtimit të udhëtarëve, për këtë ekziston vullneti, deri ku ka arritur nuk e di, nuk mund t`iu flas me siguri por ekziston vullneti dhe besoj që do të realizohet së shpejti nga ana e qeverisë, sepse është çështje e saja.

“Bota sot”: Kanë kaluar 4 vite nga ngjarja tragjike në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ku pati viktima e se si ka ndodhur ajo ngjarje edhe sot nuk e kemi të qartë. A mund të na thoni në aspektin gjyqësor deri ku ka arritur çështja?

Talat Xhaferi: Çështja është në procedurë gjyqësore, është institucion i pavarur, komentet politike e dëmtojnë procesin, e rëndojnë atë. Supozoj që procedurat do të udhëhiqen konform ligjeve në fuqi, organizmat ndërkombëtare që janë këtu, nëse jo drejtpërdrejt, ato në një farë forme janë të kyçura për të mbikëqyrur procesin. Nuk është rast i lehtë si i tillë, por mbi të gjitha, organet e drejtësisë do të japin fjalën e tyre të fundit. Organet ndërkombëtare besoj dhe ata vetë janë deklaruar se janë duke e përcjellë rastin, s`do mend që duhet të presim përfundimisht epilogun, ani pse parashikimet nuk janë të tilla që paramendohet epilog i lehtë, duke pasur parasysh pasojat që ka pasur rasti në të dyja anët, për të dyja anët është rast i rëndë. Besoj që pala mbrojtëse e të implikuarëve i ka të gjitha të dhënat dhe besoj që ata janë më kompetent që të flasin për rastin, si dhe procesin në përgjithësi. Në këtë moment, nuk është e arsyeshme që politika ta komentoj, pasi që ka rrezik që ti jepet kahje e gabuar.

“Bota sot”: E kemi parë vitin e kaluar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski duke iu sulmuar, me qëllim që të ju ndërpres fjalimin në një seancë shumë të rëndësishme për çështjen e shqiptarëve. A mund të na zbuloni pak më shumë detaje, çka ka ndodhë pas, a e keni takuar Gruevskin?

Talat Xhaferi: Sjellja është fakt, ai ashtu është sjellë e keni përcjellë në media. Aty ka qenë momenti kur ligji për përdorimin e gjuhëve vihet në rivotim pas kthimit të ligjit nga ana e presidentit të atëhershëm të shtetit, Ivanov, të cilën opozita i pati parashtruar mbi 36 mijë amendamentet për të penguar votimin e ligjit përkatës dhe normal që ajo situatë ka qenë, situatë e përballjes së dy qëllimeve, qëllimi im si kryetarë parlamenti ka qenë që unë të mbaroj procesin e ri-votimit të ligjit, të rivotohet ligji me shumicën e parashkrume, nga ana tjetër, qëllimi i Gruevskit, tani ish-deputet pasi që iu është ndërpre mandatit, ka qenë që në atë formë të inicioj ndërprerje të seancës në atë formë edhe pengimin e votimit të ligjit.

Unë kam qenë i vetëdijshëm që dikush të reagonte, dikush nga opozita, isha përgatitur për një gjë të tillë, por e kam thënë dhe e përsëris që nuk e kam pritur Nikolla Gruevski si kryetar qeverie për 10-11 vite, të bie në atë nivel, që në atë formë të bëjë një provokim të tillë brenda parlamentit. Unë kisha vendosur, që i pa lëkundur çka do që të ndodhë, i gjithë mllefi do të jetë i drejtuar kah unë, për faktin që unë e udhëheq procedurën, mes deputetëve nuk do të ketë konflikt, për atë isha përgatitur psiqikisht që çka do të ndodhte, e imja është që të përfundoja procedurën, e pastaj të merresha me çështjet tjera.

Ashtu edhe ndodhi, kërkesa kryesore e tij ishte që unë të ndërpres fjalimin, të jap mundësi për procedurale, pasi që përmes procedurales mendohej të inskenoheshin tensione dhe situata të palakmueshme, e me atë të ndërpritet akti i votimit. Unë kisha filluar ta lexoj skenarin e parapara, unë derisa flas, nuk mund të ndërpres procedurën, në momentin që mbaroj, për të kalu diku tjetër, atëherë mund të jap hapësirë për procedurale. Mënyrën se si ai e bëri më dha mundësinë që ta qoj deri në fund, ku në fillim ai tentoi të më pengoj duke e goditur tavolinën, pa rezultat. Pastaj hodhi edhe ujë për të ma penguar leximin, për të ma penguar të lexuarit, por e vërteta është se unë të gjithë atë që e kisha në letër e dija përmendsh dhe nuk kishte efekt.

Tentimi i tij fillestar ka qenë që të më heq kartelën nga sistemi elektronik, por nuk e dinte që unë i kisha marrë masat për një gjë të tillë, e kisha pamundësuar realizimin e planit të tij paraprakisht, atëherë ngjitet lart dhe duke llogaritur në provokimin që nëse ngjitet lart rrezikohet siguria dhe unë do ta ftoj sigurimin. Një gjë të tillë sigurisht se nuk e kam bërë pasi që isha marrë vesh paraprakisht me sigurimin, duke iu thënë që të mos intervenojnë derisa unë t’u jap shenjë, shenja do të ishte momenti kur unë fizikisht kapem fizikisht, apo të kem kontakt fizik me dikë, e që kjo ndodhi, u fut sigurimi, por kjo ndodhi pasi që unë veç e kisha përmbyllur procesin e rivotimit të ligjit dhe kisha kohë të merrem me hallet e Gruevskit.

Pas asaj, unë nuk kam pasur nevojë, as nuk kam insistuar që të kem ndonjë kontakt sqarimi me të. Unë kam qenë ministër në qeverinë që ka udhëheq ai, kam qenë ministër i mbrojtjes dhe ai ka llogaritur që atë njohuri që e ka pasur për mua, që jam tip impulsiv, do ta shfaq edhe në seancë dhe s`do të durohem, po unë jam eksploziv, por e di dhe mund ta kontrolloj veten kur kemi qëllime madhore për të realizuar.

Unë isha në gjendje që të duroja edhe sulm fizik, vetëm e vetëm të votohej ligji, e pastaj nëse do të kishte nevojë, do të kishim kohë të merreshim me Gruevskin, jo unë personalisht fizikisht me të, por sigurimi nuk ka tjetër punë, pos sigurinë time.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...