Xhaferi: Mirëpresim çdo marrëveshje që rezulton me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Intervista

Xhaferi: Mirëpresim çdo marrëveshje që rezulton me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 18 qershor 2019 Në ora: 16:37
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi dhe gazetari i gazetës "Bota sot", Kushtrim Maliqi

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi ka folur për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, sidomos për ballafaqimin direkt të Presidentit Thaçi me Kryeministrin Haradinaj, të cilët zgjidhjen e problemit me Serbinë e shohin në mënyra të ndryshme. Xhaferi e ka komentuar edhe mundësinë e bashkimit të Kosovës Lindore, apo Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës, ku ka thënë se çdo zgjidhje për të cilën palët (Kosova e Serbia) pajtohen, e që do të sillte paqe, do të ishte e mirëpritur.

“Bota sot”: Kosova e pavarur, sado që me vështirësitë e saja, Shqipëria në NATO, edhe ajo me problemet e veta, por, megjithatë besoj se ndikojnë këto që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të ndihen më të fuqishëm e më mirë. Sa qëndron kjo?

Talat Xhaferi: Çështja e pozitës tonë këtu, paraprakisht bazohet në angazhimin tonë autentik. Në bazë të ligjeve ndërkombëtare nuk lejohet ndërhyrje e shteteve brenda politikave të brendshme të vendit, por nuk do mend se ndikimi indirekt ekziston se gjendja aktuale në Kosovë e Shqipëri, të kenë impakt edhe tek ne, në kuptimin e asaj që sa më stabile që është gjendja në Kosovë e Shqipëri, aq më efekt pozitiv ka angazhimi jonë këtu dhe anasjelltas, doemos reflekton.

“Bota sot”: Vitin e kaluar, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në opinion ka hedhur idenë e ndryshimit të kufijve, apo siç e quan ai korrigjim të kufirit, si mekanizëm për të arritur një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Kundërshtarin më të madhe në këtë betejë, Thaçi e ka kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn. Sa jeni në ngjarje me këto zhvillime, si i komentoni?

Talat Xhaferi: Unë nuk do i jap vetes të drejt të definoj nocionet të cilat përdoren nga personat institucional në Kosovë, për faktin që çështjet e nocioneve janë të definume edhe me të drejtën ndërkombëtare, e kam fjalën për përcaktimin e nocioneve juridike. Nuk do mend se është kompetencë e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj që për çështje të hapura që kanë ngelur mes dy vendeve të formulojnë agjendën më të volitshme për të gjetur zgjidhjen. Ato përpjekje prej vitesh janë duke u bë në Bruksel me pengesat që i dimë të gjithë në komunikim, por mbi të gjitha duhet të përmbyllet me një marrëveshje, në fund të fundit duhet të kemi njohje të ndërsjellë, nuk quhet marrëveshje nëse në fund palët nuk i zgjatin duart në një farë forme.

Të freskëta janë të gjitha pasojat e politik-bërjes në Ballkan dhe normalisht që është peshë, është barrë për institucionet me një mbamendje të freskët për të gjithë atë që ka ndodhë, por mbi të gjitha shtet ndërtimi i ka edhe ato çështje që do të duhej të tejkalohej. Franca dhe Gjermania kanë pasur një luftë me pasoja në mallra dhe njerëz marramendëse, dhe në fund brenda pesë viteve e kanë kuptuar se duhet të ulen e të arrijnë marrëveshje, me këtë nuk dua të minimizoj atë që Serbia ka bërë në Kosovë në asnjë mënyrë, por duhet të ndodhë pajtimi me anë të një marrëveshje të kënaqshme për dyja palët.

“Bota sot”: Sa ju duket logjike që të ndodhë shkëmbimi I disa vendbanimeve në Veri të Republikës së Kosovës, me Kosovën Lindore, me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin?

Talat Xhaferi: Institucionet janë ato që janë në Republikën e Kosovës, i kanë udhëheqësit e saj e që ne, unë si kryetar parlamenti kam raporte me të gjitha institucionet, nuk mund të bëjmë dallime. Për këtë arsye e them se iu takon institucioneve të Kosovës dhe popullit të saj, njëjtë edhe institucioneve në Serbi dhe popullit të saj që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme si për institucionet ashtu edhe për popullin. Ajo zgjidhje do të rezultonte, apo do të quhej zgjidhje vetëm atëherë kur vendet mes tyre të njihen.

“Bota sot”: Ju personalisht a besoni se Kosova Lindore mund t’i bashkëngjitet Republikës së Kosovës?

Talat Xhaferi: Nuk është çështja a besoj unë apo jo, nuk ka rëndësi a e them unë apo jo, është çështje e cila duhet të jetë pjesë e bisedimeve mes dy vendeve. Po që se popujt, institucionet, merren vesh mes vete që në atë formë ta gjejnë zgjidhjen, ajo është çështje e marrëveshjes. Janë çështje që shihen më me kujdes dhe është e nevojshme që të ketë kujdes të shtuar gjithkush që deklarohet për këto çështje shumë të ndjeshme.

“Bota sot”: Është përfolur shumë hapja e kufirit Miratoc-Llojan gjegjësisht pik e re kufitare mes Serbisë dhe Maqedonisë. Sa ka të vërtetë mbi këtë çështje, a ka gjasa të ndodhë shpejt një gjë e tillë?

Talat Xhaferi: Kjo është njëherë si debat mes dy qeverive Maqedoni-Serbi, është ngrit si qështje që ekziston nevoja e hapjes së kufirit Miratoc-Llojan për faktin që do të shkurtonte linjën e komunikimit të qytetarëve. Sipas gjasave, për arsye sigurie të them kushtimisht, qeveria e Serbisë nuk ka vullnet duke e arsyetuar me aspektin e sigurisë. Unë si kryetar parlamentin gjatë vizitës time në Serbi edhe me kryeministren edhe me kryetarin e parlamentit e kam hap këtë çështje me arsyetimin se do ti kontribuonte sigurisë nëse oficioalizohet lëvizja në pikë kufitare, ata që janë qëllim mirë, që lëvizin për nevoja të tyre e kanë rrugën zyrtare, e ata që janë qëllim këqij pastaj do të kërkojnë rrugë të tjera dhe do të largohen nga ajo rrugë, d.m.th do të kontribuojmë pozitivisht në siguri.

Unë nuk mund të pretendoj të di të gjitha procedurat të cilat e rregullojnë çështjen e zonës kufitare të Republikës së Serbisë, ndoshta edhe atje kanë përkufizime të ligjeve përcjellëse, nuk i kam njohurit e duhura, por ndoshta edhe prej atyre ligjeve buron ndonjë pengesë. Aq sa kam unë informacione, ekziston një trup që merret me këtë çështje të cilët mundohen të argumentojnë nevojën që të rregullohet kjo çështje.

Ne si Maqedoni e Veriut nuk e kemi asnjë pengesë në këtë drejtim, nuk ka asnjë pengesë. Ne jemi në përfundim të procedurave të hapjes së pikës së re kufitare në Stanqiq, atje tek Gjilani, me Republikën e Kosovës, në këtë kontekst nuk kemi asnjë problem. Jemi në procedurë të hapjes së pikave të reja kufitare me Greqinë. Absolutisht nuk ka asnjë problem nga ana jonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat