Haziri: LDK nuk ka bërë listë të zezë, Albin Kurti dhe Baton Haxhiu janë shumë miq mes vete - Bota Sot
Haziri: LDK nuk ka bërë listë të zezë, Albin Kurti dhe Baton Haxhiu janë shumë miq mes vete

Intervista

Haziri: LDK nuk ka bërë listë të zezë, Albin Kurti dhe Baton Haxhiu janë shumë miq mes vete

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 24 qershor 2019 Në ora: 19:00
Nga e djathta nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, në intervistë për gazetën “Bota sot”, me gazetarin Kushtrim Maliqi

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se Federata ruse është e involvuar thellë në Ballkanin Perëndimorë. Në këtë intervistë mund të mësoni se përse LDK-ja nuk e bojkoton televizionin e Baton Haxhiut, sikurse Lëvizja Vetëvendosje. Po ashtu, mësoni se pse Teuta Rugova, trashëgimtarja e familjes së Dr. Ibrahim Rugovës, shpesh herë del nga kornizat e partisë, madje edhe duke e përkrahur PDK-në.

“Bota sot”: Kryetar, në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, e kemi parë trinomin Thaçi-Vuçiq-Rama, por, ajo çka na bënë përshtypje është faktorizimi aq i madh i Baton Haxhiut. Pse duhet të jetë aq i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi, Baton Haxhiu, e kaluara e të cilit është e dyshimtë, në aspektin kombëtarë?

Lutfi Haziri: Kjo nuk ka të bëjë me rolin e një gazetari apo kryeredaktori të caktuar, ka të bëjë me interesimin e një raporti të ri i cili po tenton të ndërtohet në Ballkan. Pyetjen të cilën ju e bëni, unë e shoh kështu, Presidenti i Kosovës me Kryeministrin e Shqipërisë, janë në një vijë politike, Kryeministri i Kosovës me Presidentin e Shqipërisë, janë në një vijë politike për sa i përket përcaktimit të politikave në Ballkan, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Presidenti i Kosovës si dhe Presidenti i Serbisë, bashkë janë në një vijë dhe në një agjendë politike, opozita si në Serbi, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri kanë qëndrim të njëjtë sa i përket këtyre çështjeve. Si opozita në Serbi, edhe ajo në Kosovë kanë qëndrime të njëjta sa i përket ndryshimit të kufijve, mund lirisht të themi se raport me interesant dhe të çuditshëm në Ballkan nuk ka pasur asnjëherë. Këtu mund të kenë ndikim kuluaret e caktuara, por frika ime nuk lidhet me autoritetet, emrat apo ndërmjetësuesve apo lehtësuesve, por ka të bëjë me penetrimin e thellë të Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimorë. Këtë penetrim e kam paralajmëruar vite më parë kur Kosovën e patën kapluar protesta të dhunshme kundër qeverisë Isa Mustafa, në agjendën e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, kundërshtimit të dialogut me Serbinë. Pra, kam paralajmëruar se penetrimi është duke kaluar përmes Federatës Ruse.

Tash se a e kanë çerdhen më të madhe në Serbi, në Nish, a ka çerdhe në Malin e Zi, në Maqedoninë Veriore apo në Shqipëri, por duhet ta kemi të qartë se ne pas malazezëve, si Republikë jemi ndër popujt më të vegjël në Ballkan, por në anën tjetër si popull, si nacionalitet, ne jemi gati popull i barabartë me Serbët në Ballkan, kur e kemi parasysh këtë fakt, duhet ta kuptojmë që interesimi i Rusisë për të penetruar në Serbi, është po ashtu i rëndësishëm dhe në interes të tyre edhe shtrirja e ndikimit në Kosovë apo më mirë të themi tek shqiptarët. Në fakt, ky do të ishte shqetësimi real të cilin do të duhej ta kishim. Duhet në këtë kontekst ta kemi parasysh edhe ndikimin e Turqisë, forcimin e saj si politik, po ashtu edhe ekonomik në Evropë dhe botë, në këtë proces ne duhet të konsiderohemi me fat në këtë proces, pasi që Turqia ka qëndrim miqësorë dhe vëllazërorë ndaj Kosovës. Në këtë proces, rrol të rëndësishëm kanë edhe shtetet tjera si SHBA por edhe shtetet evropiane sigurisht, Britania, Gjermania, Franca e Italia, por ne duhet ta përballojmë Spanjën dhe Vatikanin, të cilat nëse do ta njihnin Republikën ë Kosovës, do të shkaktonin probleme atyre shteteve, por edhe reagim zingjirorë.

“Bota sot”: Pse nuk e bojkotoni emisionin e Baton Haxhiut, duke pasur parasysh dyshimet që ekzistojnë për të se ka pasur lidhje të ngushta me ish shefin e UDB-së?

Lutfi Haziri: Kualifikime të tilla unë nuk mund as të komentoj e as të faktoj. Unë jam nënkryetar i LDK-së, unë kam hezitime vetëm ndaj disa medieve serbofolëse dhe medieve në Serbi të cilat kanë qenë gjeneratorë të luftërave, e sidomos karshi shqiptarëve, ndërsa sa i përket pjesës tjetër, unë i takoj kulturës së LDK-së. Kultura e LDK-së, politika dhe ideologjia e saj nuk është e ndërtuar dhe nuk merret me kualifikime, nuk merret me hetime dhe as me linçime. Lidhja Demokratike e Kosovës ka politike afruese, pranuese, pajtuese dhe ka politikë të sundimit të ligjit. Nëse dikush ka problem me sundimin e ligjit, apo bashkëpunimit me armiq apo shtete armike, ai është problem i tyre, por koha do t’i zbardhë të gjitha, kush çka ka punu dhe çka ka bërë, të gjitha do t’i shohim.

“Bota sot”: E kemi parë së fundi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili po i bënë bojkot të plotë Baton Haxhiut, pse nuk merrni shembull nga ai?

Lutfi Haziri: Unë ju siguroj se ata dy, Albin Kurti dhe Baton Haxhiu janë shumë miq mes vete, kanë raporte shumë miqësore dhe duhet ta kujtoni që ai person për vite të tëra nuk ka shkuar në emision as te Berat Buzhala, por tash është frekuentuesi më i madh i televizionit T7, i Berat Buzhalës. Nuk duhet të ndërtojmë raporte të tilla, fundja është vendim i secilit për ta ndërtuar këtë logjikë, nuk është mirë të personalizojmë raporte, po shoh një tendencë të tillë por nuk është mirë. As unë si përgjegjës politik e as si Lutfi Haziri, nuk mundem të lejojmë diçka të tillë, fundja është vullnet i joni a duam apo jo të shkojmë. LDK-ja nuk ka bërë listë të zezë, në momentin që LDK vendos që të bojkotoj ndonjë gazetë apo medium, unë do ta respektoj, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Bota sot”: Kryetar, së fundi. Agjencia Kundër Korrupsionit i ka publikuar pasurit e personave me përgjegjësi publike, ku kemi parë edhe juve se keni mjaft prona. Si i keni bërë, a mund të flasim për “dallavere” në tender në komunën tuaj, kur flasim për arritjen e pasurisë të cilën e keni?

Lutfi Haziri: Unë nuk kam pasuri të madhe, unë pasurinë të cilën e posedoj është fal prindërve të mi prej të cilëve e kemi të trashëguar, më 23 Maj të këtij viti, ata kanë bërë 50 vite prej kur kanë emigruar, kanë dalë në kurbet. Familja ime ka jetuar ndamas, si shumë familje tjera shqiptare, kështu që ne kemi ndërtuar një rrugë të mundimshme. Krejt pasurinë të cilën e kemi në Gjilan, është e blerë prej vitit 1970-1989, ne s`kemi ble as më vonë e as më herët, pasuria e fundit të cilën e kemi ble është e vitit 1989.

Familja ime, duke e përfshi axhën tim, motrën dhe vëllain tim, nuk kemi pranuar të blejmë prona, pasi që ne kemi qenë viktima të humbjes së pronave pas luftës së dytë botërore, qëndrimi i prindërve tonë ka qenë që të mos blejmë prona pas luftës, pasi që mund të shkaktojmë padrejtësi ndaj familjeve që i shesin.

Kjo është e para, e dyta, është manipulative tendenca që me i pa njerëzit politik të varfër, shumë të varfër, duhet që pasurit t’i deklarojnë edhe pronarët dhe kryeredaktorët e medieve, disa individ tjerë që pas luftës kanë arritur nga asgjë, të bëhen milionerët më të mëdhenj në Ballkan, si me prona ashtu edhe pasuri të ligjshme e të paligjshme, duke përfshi këtu edhe individ të cilët jetojnë jashtë Kosovës, në Evropë, të cilët pa djersë e pa punë, sot janë ndër më të pasurit.

Edhe në këtë rrafsh, koha ka me dëshmuar kush se çka është, mua më vijë keq që ende nuk e kam arritur minimumin e asaj që unë si obligim e kam me ua lënë fëmijëve të mi, në raport me atë që mua ma kanë lënë prindërit e mi. Nuk e kam të mundur ta arrij as 10% të asaj që ai ka bërë, që na ka lënë si rezultat i punës së tij. Në anën tjetër, në aspektin kombëtarë, babai im është shpall hero i Kosovës, gjyshi dhe stërgjyshi im kanë dekorata edhe nga shteti shqiptar, nga të gjithë presidentët shqiptarë, për kontributin e tyre që e kanë dhënë në çështjen shqiptare.

Kjo është ajo që në familjen time kanë koekzistu kombëtarja dhe familja, fundja këta që më besojnë, ne jemi të lindur në një familje ku thirrja në emër të Zotit, kombit dhe familjes, është e shenjtë. Këtë thirrje e kanë marrë edhe disa parti politike, disa programe, disa individ, por kjo thirrje ka dalë nga familjet e Karadaket, Gjilanit dhe të Shkupit, gjithmonë.

“Bota sot”: Pse Teuta Rugova, trashëgimtarja e familjes së Dr. Ibrahim Rugovës, shpesh herë del nga kornizat e partisë, madje edhe duke e përkrahur PDK-në, kundërshtarin më të madh të babait të saj, Presidentit Historik të Kosovës? Pse po ndodhë kjo, a po ndodhë për shkak të akuzave dhe proceseve gjyqësore që i ka vëllai i saj e që mund të jetë “peng” i PDK-së?

Lutfi Haziri: Po vazhdojmë të mbesim te familja, në familje shqiptare dihet që motra për vëllain bie në zjarm. Te shqiptarët nuk ndodhë kurrë me pas raportet tjera. Procesi gjyqësorë kundrejt Ukë Rugovës është përcjellë me dyshime dhe skepticizëm për motivacionin që ka filluar, sepse ajo shtëpi është bastisë dhe është ndodhur nën kërcënim edhe sa ka qenë gjallë Ibrahim Rugova, gjithmonë dikush ka bërë me gisht në drejtim të asaj familje dhe asaj shtëpie. Unë nuk po amnistoj asgjë, po kërkoj që me e respektu familjen e Ibrahim Rugovës, sikurse që respektohet familja e Adem Jasharit. Pse Bekim Jashari nuk është në PDK? Pse Bekim Jashari nuk i do njerëzit e PDK-së? Pse është kryetar i pavarur sot në Skenderaj, kurfar komenti, kurfar lakimi të emrit të tij nuk e ke në media, pse duhet të merremi me Teutën?

Mua nuk më ka pëlqyer ndarja e votës, në një rast i Teutës si deputete, por edhe i Ukës, kur kishte hyrë në grupin e AAA-së, por këto janë mendime të tyre, por që duhet t’i respektojmë, pasi që janë vendime të tyre, brenda familjes së tyre. Edhe gazeta kombëtare “Bota sot”, edhe gazetat tjera do të duhej që njerëzit që nuk janë gjallë t’i trajtojnë në dimensionet historike në të cilat kanë jetuar, Ibrahim Rugovën duhet trajtuar në dimensionin kolosal të cilin e ka pasur, sepse nëse ne kemi thënë që nuk guxon me hy në një pronë të caktuar, shtëpia e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit janë të mbrojtura, por Ibrahim Rugova ashtu siç e ka lënë atë shtëpi, ashtu edhe ka bërë. Jo që nuk është punuar në atë shtëpi, por as nuk është konservuar. Tendenca që çdo ditë të nga ajo shtëpi të nxjerrën probleme, ka pasur dhe do të ketë çdo ditë, por LDK-ja duhet të qëndroj gardiane, me i rujt vlerat e veta, familjet trashëgimi dhe ruajtjen e sundimit të ligjit për të gjithë.

“Bota sot”: Së fundi e patëm përvjetorin e së pari plagosjes, e pastaj edhe vdekjes nga plumbat, e gazetarit të “Bota sot”, Bardhyl Ajeti. E pranishme në organizimin përkujtues simbolik para teatrit Kombëtarë, nëna e Bardhylit u ankua që askush nuk po kujdeset, nuk po e kujton Bardhylin, as LDK, as Gjilani e as shokët. Si i komentoni këto?

Lutfi Haziri: Bardhyli është vrarë si gazetarë i “Bota sot”, një ditë para vrasjes, unë e kam taku Bardhylin, e kam pas edhe fqinjë, e edhe në gjeneratë. Unë e di edhe raportin e tij me gazetën “Bota sot”, si në Prishtinë ashtu edhe në Cyrih. Fati i keq, ajo dorë që ka ngreh gisht në natën e errët e ka godit “Botën sot” përmes Bardhylit, komuna e Gjilanit ka bërë të gjitha veprimet që të ketë një kujdes më të madhe. E keqja është që Bardhyli ka qenë i fejuar, ai nuk ka lënë trashëgimtarë dhe natyrisht komuna përveç nënës të cilën e kemi vizitu në shtëpi, jemi kujdes, ne nuk mund të merremi e ti konsiderojmë pjesë e trashëgimisë vëllezërit, motrat, nipat e mbesat e Bardhylit. Do të doja shumë që të ndihmoj secilin, por këto janë mundësit tona.

Nëse pyetemi se cila ka qenë përkujdes ndaj Bardhylit, mund të them që ka qenë institucionale, kemi bërë gjithçka në shenjë respekti, çdo ditë kërkojmë drejtësi për Bardhylin, për nënën e Bardhylit kemi përkujdesje komunale, ne nuk mundemi me vazhdua me i trajtu ndryshe. Statusin e dëshmorit apo heroit e jep dikush tjetër, LDK nuk ka shumë në dorë në këtë aspekt, tjetër kush i bën këto vlerësime. Moskujdes, unë e quaj atë që nuk ka status të rregulluar është vra, nuk është gjetur aktori, edhe më tutje mbetet i dyshimtë.

Nuk më pëlqejnë aspekt shkrimet tendencioze karshi këtij raporti, nëse flasim për këtë rast, duhet të flasim deri në fund. Ne duhet të bëhemi bashkë që të kërkojmë drejtësi për Bardhylin, as nuk po lypin gazetarët, as shoqata e gazetarëve, as në ditën e gazetarëve nuk përmendet, krejt kush e përmend Bardhylin është ne në Gjilan dhe “Bota sot” si dhe disa miq të Bardhylit që shkruajnë kohë pas kohe.

Të gjithë duhet ta dinë që Bardhyl Ajeti është vrarë për shkak të shkrimeve në “Bota sot” dhe prapa atyre shkrimeve nuk mund të fshihet askush, e din të gjithë kush është prapa atyre shkrimeve pasi që gjaku i pafajshëm ne në Gjilan themi se të zë.

Ka qenë festë fetare, ka qenë dita e Bajramit kur ka qenë përvjetori i Bardhylit dhe ne i kemi dhënë rëndësinë e nevojshme dhe prioritet.

Nëse doni të bëni me gisht e të gjeni fajtor jashtë problemit, ajo është tjetër. Vrasësit e Bardhylit janë jashtë Gjilanit, drejtësia duhet t’i sjellë para drejtësisë, vrasësit e Xhemajl Mustafës janë jashtë, njëjtë edhe të Enver Malokut e deri te 102 veprimtarë që lidhen me LDK.

Bardhyli nuk ka qenë në LDK, ka qenë simpatizant dhe ka shkruar për LDK-në, por më shumë se që ka shkruar për LDK-në, ka shkruar kundër PDK-së, kundër njerëzve dhe falangave të PDK-së. Jashtë kësaj nuk ka pas, nëse mirën krejt shkrimet, volumi më i madh është i atyre shkrimeve ku është marrë me njerëzit e PDK-së, qeverisë së përkohshme, SHIK-ut, dhe shkrimet e tija kanë qenë të vetme, dhe për të gjitha këto unë ftoj drejtësinë që këto raste t’i zbardhë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...