Intervistë ekskluzive me Gjergj Marku, publicist dhe drejtor i kulturës në Mirditë

Intervista

Intervistë ekskluzive me Gjergj Marku, publicist dhe drejtor i kulturës në Mirditë

Nga: Lekë Mrijaj Më: 26 qershor 2019 Në ora: 14:22
Gjergj Marku

z. Gjergj Marku, është një ndër emrat e dalluar të botës së gazetarisë sonë kombëtare, më konkret po e themi, se është edhe një mik e koleg i yni shumë i mirë dhe çmuar, pasi shumë herë me moderimet e prezantimet e tija gazetareske, jashtëzakonisht na ka mahnitur e frymëzuar duke e përfaqësuar në mënyrë kronologjike dhe të shkelqyer, artin dhe kulturën tonë mbarëkombëtare në zonën Mirditore, Shqipëri e Diasporë. Ai është edhe një intelektual, kësaj radhe në bashkëbisedim e sipër me të, na tregon për biografinë, rrugëtimin e tij të pergjithshëm, përgjegjësitë si dhe përkushtimin e tij ndaj gazetarisë e kulturës sonë mbarëshqiptare. Për ta nderuar, respektuar dhe shpërblyer në mënyrë modeste, mikun tim e doajenin e gazetarisë shqiptare dhe drejtorin e kulturës së Mirditës, ditë më parë me të zhvilluam një intervistë ekskluzive për gazetën prestigjioze ditore e kombëtare "BOTA SOT".

Andaj pa humbur kohë intervistën në fjalë të realizuar me z. Marku, mund ta ndiqni siç vijon:

-Pyetje: Z. Marku, konsideroj që është me interes të veçantë për lexuesit e admiruesit mirditorë e mbarëshqiptarë. Ju lutem a mund të na jepni një biografi tuajën personale?

-Përgjigje: Biografia ime! Një mirditas i lindur në “zemrën historike” të Mirditës, fshatin me emër shenjti, Shmri e Oroshit. Dhe ajo që është më e rëndësishme, i lindur nga fundi i shtatorit, tash këtu e 60 vite pothuaj, si përshtatje e asaj që të shënon horoskopi, një “peshore”, që në jetë është kujdesur fort ta peshojë fjalën para se ta hedhë në publik.

Shkollimin e mora me shumë vështirësi në një familje të varfër ku duhej të ushqeheshin shumë gojë fëmijësh, me plot mungesa e andralla, por me dëshirën e mirë për t’u zhvilluar si ai vocrraku me plot andrra, që një ditë do të zbriste nga Malet e Oroshit për në metropol aty nga viti 1974. Nëse e keni parë filmin “Vajzat me Kordele të kuqe”, bash në atë shkollë, në atë konvikt, në ato rrugica të “Tiranës antike”, jam shkolluar dhe edukuar për katër vite për mësues të ciklit të ulët. Por aty mësova shumë nga jeta kulturore, m’u hapën sytë për librin, për filmin, për teatrin, sportin, operan apo baletin. Pak a shumë, sendërtim i një arketipi multifunksionsh, tipologji kjo e kultivuar më pas gjatë viteve të jetës. E më pas për të vazhduar për mësues fizike në Shkodër, krejt pa dëshirë, pasi doja letërsinë e ëndërrave të mija, po ku të pyeste ai lloj sistemi për drejtimin tënd sipas talentit e pasionit, por ama gjeta një Shkodër, që do më jepte shumë nga pikpamja kulturore dhe qasjet hokatare e bejtore; e më pas për të vijuar fare pak kohë si mësues në zonën e Selitës së Mirditës, ku dhe gjeta fatin e jetës sime me një bashkëshorte si bekim nga Perendia;  deri sa do të aktivizohesha krejt rastësisht si masovik rinie në Rrëshen, dhe për t’u angazhuar, po krejt rastësisht, si redaktor i të parës gazetë lokale, që vinte në kohën e regjimit komunist në Mirditë.

Që nga ajo kohë jeta ime u mbështoll me “lëkurën” e gazetarit, lajmësit. Për të vazhduar me vitet ’90-të, i tunduar në mes gazetarisë, politikës dhe heshtjes, për fat jo dhe aq të mirë për disa vite zgjodha këtë të fundit, duke bërë jo pak sakrifica për mbijetesë në një vend pa shtet deri sa erdhi viti i mbrapshtë ’97-të, kur jo pak here, si shumë shqiptarë të tjerë, e kam parë veten në “thep të pushkës”, pikërisht se më duhej të lëvizja si hamall nga vendlindja udhëve që zotëroheshin nga bandat kriminale, po për mbijetesë në një dyqan të vogël me të cilën mbaja familjen, por dhe të vetmin botim në Mirditë, gazetën Mirdita, të punuar me kujdes të epërm me një skuadër miqsh nga më të mirët e penës dhe letrave në Mirditë, gazetë që disa herë mori çmime të para në rang kombëtar.

Tash 20 e ca vite, nuk i jam ndarë gazetarisë, si asaj lokale dhe kombëtare; nuk mund të harroj shtegtimet e mija nëpër Shqipërinë e Epërme si gazetar i Shekullit, gazetës më të madhe të kohës  me kronikën, reportazhin, dossierin, analiza apo komente si dhe në televizione, duke nis me Tv Mirdita, ku pos kronikës apo specialeve, janë disa emisione përmes të cilave u munduam të mbledhim në “kuvendin mediatik” pothuaj gjithë Mirditën, intelektualë apo njerez të thjeshtë, që kishin diçka të bukur e me mend për të thënë në publik, ashtu si dhe intervistat me të gjithë krerët e shtetit nga Berisha, Nano, Meta, Mejdani, Moisiu, Rama, Gjinushi etj apo Rugovën, ambasadorë amerikanë e të tjerë, si dhe akademikë apo shkrimtarë të shumtë të vendit. Po ky pasion më udhëhoqi për disa vite në tv rajonal në Lezhë M+, për të sjellë një model tjetër gazetarie në Rajonin e Veriut, por dhe si një urë kulturore me Metropolin, ama, ku gjithnjë në zemër të trajtimeve ishte “Malësori i dlirtë i Shqipnisë së Epërme” me të tana gjanat që e shoqnojnë.

Është koha tjetër vite më pas, ku ndërthuret dhe të qenit zyrtar në turizëm, ku dhe për herë të parë solla projektin e Turizmit për Mirditën, të cilin shoh që është duke u zbatuar hap pas hapi nëpër ato shina, që më ra t’i shtroja me miq të mij askokohe. Dhe tashmë, prej afro 12 viteve, vazhdoj të drejtoj kulturën në bashkinë Mirditë, dhe më thelbësisht Ansamblin Mirdita (Mjeshtër i Madh), duke sjellë disa risi në rang kombetar. Ama, penën nuk e kam lënë, tashmë ma shumë në trajtën elektronike përmes rrjeteve sociale, kryesisht, duke u munduar të jem një qytetar sa ma i përgjegjshëm e shërbyes sa më aktiv.

-Pyetje: Ka dekada të tëra që ju merreni me gazetari, prezantime, krijimtari etj., njëkohësisht edhe me studime të ndryshme në fusha të tjera. Cili është këndi i juaj më i preferuar apo më i dashur dhe cilat janë arritjet tuaja pozitive?

-Përgjigje: Po e vërtetë, merrem me gazetari dhe kulturë si dhe në fushën e promocionit aktiv duke açenuar publikisht një lloj modeli pozitiv, por jo me studime apo krijimtari të mirëfilltë sepse nuk jam studiues dhe as poet apo romancier.  Madje hera herës kam qenë një lloj “frikacaku” për të përcaktuar veten, ku jam, në çfarë fushe, “jam në tokë apo hava” me atë shkollimin tim laraman, deri sa e gjeta veten pak a shumë në një pasthënie që mikja ime pedagoge Dr Erenestina Halili, më bëri për librin e parë “Kryq e tërthor në Shqipëri të Epërme”, ku shënon tekstualisht: “E lind dheu  patriotin apo  patrioti bashkëlind në të njëjten  ditë, e lind gazetari pasionin apo pasioni  bën  gazetarin, qytetari ciceronin  e tokës  së  tij apo dheu  rrëfen  vetiu në gojë  e shkrim...

Këto asosacione  kam  njëmendësuar pas rreshtave të lexuar të  publicistikës  së Gjergj Markut.

Shpaloset  në gazetarinë  e tij,  ngjizur  me letërsi, i  gjithë  dimensioni  gjeografik  e  historik, rishtar  e real, njeriu në të mirë  e të keq, shteti  dhe  individi, gojëdhana  e  kronika, problemi dhe emocioni, shpaloset  Mirdita, dheu i të parëve të mi dhe mijëra grimca  të jetës  sonë  shqiptare. Rubiku, Lura, Nënshejti, Shna Ndoj, Bulqiza, Burreli, Spaçi, Puka, Tuzi (Vitoja), Prizreni, etj., janë  gjeografi  e njohur  për  një gazetar, por pasionanti e sjell si histori të jetuar, me background e  personazh, herë si reportazh udhëtimi  e herë si reportazh  natyralist, një herë  si  artikull problemor  e tjetër herë si skicë, gjithkund në penë  është  ai, por  kurrë si vetëqëllim. Rrëfimi i  tij, si  stilistikë, priret  drej vlerës, asaj  që  nuk  duhet  humbur assesi...dhe  i bën një nder të madh fëmijës  tim, që  dëgjon  dinastinë  e  mrekullive të dheut të  gjyshit e mijëra lexuesve  të  tjerë. Sepse gazetaria  dhe  çdo  mjeshtëri tjetër, për  mua  këtë ka alterego, të tregojë të vërtetën  siç  është, bardhë  e zi në kronikë, të ngrejë problemin  bardhë e zi në artikullin  problemor, të rrefejë  në gojë të të  tjerëve vlerën, të bardhën, të zezën, në reportazh. Marku ia mbërrin…’.

Pastaj kam thënë me vete, përse nuk m’u dha me u ba shkrimtar apo poet etj etj, pasi ndieja një lloj ngulshi në gjoks kur mundohesha me ba ndonjë esse apo kur provoja me “dështim të suksesshëm” të bëja një tregim, sërish në ndihmë më vjen shënimi i dr Erenestinës: “Gazetari propozon  një pamje të vetme dhe të përqëndruar, ndërsa  shkrimtari  nën  zhguallin  e  të vërtetës, i  mbush  me  figurë  letrare, duke u futur si padashur  në qerthullin gazetar-shkrimtar. Raste të tilla bashkëjetese  kemi parë  plot e plot, ndodh  që  edhe Marku t’i marrë shoqërisë “hua” lëndën  e parë, burimin  që  prej  andejmi të  nxjerrë produktin  mbushur  me  detaj. Shkrimtari ka  një qëllim,  një ide  kur  shkruan, gazetari, gjithashtu. Marku nuk i ndan të vërtetat në  dy  gjysma, por  dy  gjysmat e të vërtetat  i  bashkon  në një realitet, që  shijohet  si  rregull  e parim (gazetari) dhe  katarsis  e frymëzim (letërsi). Togëfjalëshi i Markut  nuk  mban  erë  kafeje bari, mban djersë e pluhur  minatori, rrëzëllin  si paret në  qafen  e nuses  mirditore, thellon  si  rrudhat  e  flokëbardhëve që  takon rrugëve  me pluhur të krahinës  së  tij…. Ama, armën  e përbashkët të letërsisë  e gazetarisë,  ai nuk  e hedh nëpër udhëkryqe: Fjalën!...”.

Kjo është pak a shumë dhe përgjigja, e ndërkohë media e shkruar dhe televizive, kanë qenë pasioni im që në vitet e rinisë dhe e di se do jenë deri në frymën të fundit, sepse siç e kam thënë në disa mediume, pasioni i gazetarit dhe rrëfimtarit publiçistik, duket se më ka lindur që në barkun e nanës!...

-Pyetje: Në fushën e krijimtarisë, ju së fundi, keni shkruar e botuar librin monografik dedikuar deshmorit kosovar "Mirdita për Kolë Mirditën". A mund të na flisni pakëz për librin dhe çfarë ngërtheni në këtë libër monografik?

-Përgjigje: Realisht, gjatë këtyre viteve në kulturë, janë qindra e qindra aktivtete të mëdha, promovime, nderime (pasi mbuloj dhe ceremonialin ne bashki), janë sa e sa aktivitete të përmasave kombetare në turizëm apo në skenat kombëtare; përvjetorë të figurave të mëdha në skenën e Rrëshenit si ato për Abat Docin, Preng Bib Dodën, Musine Kokalarin etj etj, për realizimin e të cilave është dashur mund i madh dhe një kalkulim i gjatë jo vetëm zyrtaresk, por shoqëruar me elementë artistikë dhe përshkrime imazhive.

Kur e mendoj, shume prej tyre, vijnë e humbin ditë më pas, pasi më besoni, se gjëja me kryesore nuk është shfaqja e asaj dite, por “paskuintat”, që kanë shumë rëndësi. Mirëpo këto veprimtari shijohen nga dhjetra, qindra apo mijëra njerëz në një ditë, po ditët e tjera! Pak e nga pak ato dalin nga kujtesa. Ndaj ashtu si për monografinë për Ansamblin Mirdita, që vinte fill pas nderimit me Mjeshtër i Madh në Presidencë, e që i dedikova një libër monografik, të njëtën gjë mendova për veprimarinë nderuese për Dëshmorin e Kombit Kolë Mirdita në bashkëpunim me vëllain e tij të mire  ish-ambasador, Vilsonin në Gjermani si dhe mikun tim gjeneral Sandër Lleshi.

Qe bërë një punë e madhe bashkëpunuese të faktorit studiues dhe intelektual të Klinës dhe Mirditës. Ajo ditë ka qenë e bukur, mbase nga më të bukurat në bashkëpunimin kulturor Mirditë-Kosovë,  me një racionalitet të mahnitshëm. E kam spjeguar në parathënie të librit duke thënë se duhet ruajt gjëja e bukur në kujtesë  duke shënuar se “gjithmonë ka një mënyrë që i shërben të tashmes, por dhe historisë. Dhe ky është LIBRI. Për shkrimtarin e madh Jorge Luis Borges, ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi, padyshim mbetet libri.Borgesi këtë atribut të posaçëm për librin e mbështet në një sërë arsyesh, e mbi të gjitha, për faktin se libri ka fuqinë e shpirtit. Kësisoj u mendua që libri për Kolë Mirditën, të sillej pikërisht përmes “fuqisë së shpirtit”, ashtu siç dhe ishte perceptuar, ndërtuar dhe funksionalizuar veprimtaria nderuese dhe përkujtuese për Të m’u në zemër të Mirditës. Ndaj këtë epje të çdokujt, që iu dha rasti me i fol dy fjalë zemre, do e gjeni të shkruar këtu në këtë libër të thjeshtë e modest, por tejet domethënës për ne dhe brezat që do të vijnë. Do gjeni këtu anën protokollare të ceremonialit të dorëzimit të Stemës së Artë nga kryebashkiaku i Mirditës Ndrec Dedaj për familjen e Dëshmorit dhe fjalimet përshëndetëse larg zyrtarizmit klasik; ashtu si dhe përshëndetjet nga personalitete në Shqipëri, Kosovë apo në Gjermani e Amerikë, ashtu sikundër edhe rrëfime të bashkëluftarëve të Trimit.  Për të vazhduar me essetë stilistike të një profesionaliteti të lartë, që sjellin emocion dhe bukuri shprehjeje, pasi dhe vetë dëshmori 22 vjeçar, i tillë ishte, një djalë që jetonte me të bukurën dhe për të bukurën deri sa dha dhe jetën për liri përmes një ëndërre të bukur që ua la amanet brezave. Do gjeni edhe kronikën, edhe reportazhin, përmes të cilëve stampohet koha dhe metodologjia e një organizimi.  Ana tjetër që e zbukuron këtë libër janë dhe fotot, që e shoqërojnë cdo “minikapitull”, foto që flasin shumë më tepër se njëmijë fjalë, pasi e japin emocionin përmes gjendjeve njerëzore dhe ngjyrave të ndezura të një mbrëmje të paharruar në Mirditë…”.

Ja, ky është libri ku dhe ju i nderuar Lekë keni kontributin tuaj të vyer me një kronikë-reportazh të saktë dhe elegant.

-Pyetje: Deshmorit mirditor Kolē Mirditës, vitin e kaluar i është ndarë çmimi "Stema e Artë” nga kryetar i Bashkisë së Mirditës. Çfarë mund të na thoni, si është pritur ky çmim nga familja e deshmorit e mirditorët klinas të zonës së Lugut të Drinit - Dukagjinit?

-Pergjigje: Në pamje të parë duket si një fokusim tek një emër dëshmori, siç është dëshmori unik me rrënjë Mirdite, djaloshi 22 vjeçar Kol Ndrecë Mirdita, por e vërteta lidhet me diçka akoma më të madhe, ishte rasti për të nderuar Kolën dhe gjithë shokët e Kolës, gjithë ato djem Mirdite, që i kanë rrënjët në këtë truall të bekuar, që dhanë jetën në luftë për Çlirimin e Kosovës martire, në njëfarë mënyre si bashki, si faktor intelektual, po nderonim me një gjest të tillë, pikërisht, LUFTËN e Kosovës dhe gjithë Çlirimtarët! Nuk ka më bukur se të mbledhësh bashkë heronjtë dhe sakrificat e tyre sublime, pa i nënkuptuar e marrë kurrë të ndarë. Të ndarë ndër veti, për fat të keq kemi politikën e shumë gjana të tjera. Ama, gjakun e dëshmorëve, e kemi të përbashkët, dhe duhet ta nderojmë e respektojmë fort si këndej dhe andej kufirit.

Si është pritur ky nderim, nuk di ç’të them më parë, ju e keni përjetuar vetë, por ama nuk mund të harroj një moment kur ishim për një aktivitet në Klinë për Vitin e Skënderbeut, dhe ku qe dhe babai i dëshmorit të Kombit, plaku i urtë Ndrecë Mirdita. Më mbante mend, dhe di që m’u afrua para se të hynim në sallë, zgjati krahat dhe më mbështolli duke më pëshpëritur me zë të ultë afër veshit: qofshi bekuar, ma ngjallët tim bir! Dridhej si purtekë dhe nuk më lëshonte, i pashë lot në sy, lot që nuk i kishte nxjerrë edhe kur pat marrë lajmin e vrasjes të të birit.

Ja ky është çmimi, kjo është pritja e bërë!

-Pyetje: Ju në Rrëshen e keni moderuar shkëlqyeshëm Akademinë  Përkujtimore për deshmorin Kolë Mirdita. Si jeni ndjerë emocionalisht gjatë Akademisë dhe si mbarëvajti ecuria e atij eventi madhor?

-Përgjigje: I kam përshkruar emocionet dhe në libër përmes reportazhit në paskuintë. Jam mësuar me skenën prej dekadash dhe më ka rënë të moderoj si në skena e media duke pas përballë qindra e mijëra njerëz, por ajo ditë ka qenë më e vështira, por natyrisht më e bukura.

Pati një shi të rrëmbyeshëm  deri dy orë para se të fillonte aktiviteti. Pati dhe një ndeshje të rëndësishme të Botërorit. Nuk fjeta gjumë gjitha natës dhe thashë me vete dështuam, na duhej me u fut në sallë, çka do ia zbehte atë bukuri që mori aty në shesh. Për çudi koha ndryshoi për mirë dy orë para se të fillonte aktiviteti në shesh, si duket Perendia i kishte rezervuar fill pas një tufani ato rreze të arta dielli për birin e Kombit dhe bijtë e Lirisë, e nga ana tjetër publiku i shumtë qytetas, në mes futbollit dhe këtij nderimi, zgjodhi këtë të dytin. Gjë e rrallë kjo, sidomos kur ke të bësh me ndeshje të madhe futbolli. Sheshi u mbush me qytetarë të ardh nga anë e anës si kurrë më parë.

Nuk di kë të falenderojmë më parë, që nga kumtuesit, që iu përmbajtën ekstratimit, familjen që e mbajti emocionin ashtu në heshtjen e tyre epike, artistëve të mrekullueshëm vendas dhe nga mbarëshqiptaria, qytetarëvë aq dëgjues e të vëmëndshëm; drejtuesve vendorë apo të ftuar si deputetë, ish presidenti i Kosovës, ambasadorë e deri ushtarakë amerikanë. M’u duk se gjithë ajo mizëri njerëzish e kishte bërë me fjalë për të qenë në një mendje dhe të njëjtën “gjatësi vale” për mënyrën sesi do kalonte ajo Ditë Kosove, Ditë Mirdite, Ditë e bukur Shqipnie në zemër të Mirditës sonë të dashur. Ia arritëm bashkarisht!

-Pyetje: Në fushën publiçistike, gazetareske, prezantuese dhe studimore kontributi juaj është në një efekt shumëdimensional, funksional e pozitiv, pra a mund të na thoni se cili është ai motiv kryesor që ju ka shtyer apo nxitur t’i qaseni këtyre fushave të permendura me lart dhe të nxjerrni vlera të mirëfillta,  të cilat do t’u rezistojnë shekujve?

-Pergjigje: Nuk bëj pjesë tek ata që punon për të arshivuar veten, e as për qenë “i përmenduri i  shekujve”! Absolutisht, kam punuar e punoi çdo ditë për të sjellë një gjë të mirë në fushën publiçistike, kulturore apo sociale, mundohem të ndikoj sadopak për mire në vendlindjen time e më tej. Kam qenë dikur gazetar shumë kritik, mbuloja dhe kronikën. Por dhe kritikën jam munduar ta bëj me ndershmëri të plotë e të balancuar dhe jo si qëllim në vetvete. Kam dashur, pse jo, të jem ai Lajmësi i kohëve të hershme; edhe “Lajmësi i Kanunit”, por dhe i kohës së Pulitzer apo Heminguey-it e deri në kohët moderne, gjithnjë me moton për të qenë “syri dhe veshi i publikut”. Këtë jam munduar ta bëj nëpër gazeta apo televizone për vite e vite.

Natyrisht, duke kaluar vitet, ai “hovi djaloshar” vjen e bie sadopak, dhe pastaj bëhesh më reflektiv. Ka disa vite, sidomos me gazetarine online, që e kam menduar pak më ndryshe, të vë si objektiv vetëm pozitivitetin. Sepse në një media të sotme ndër shqiptarë, që gjithçka e nxin e bën sterrë të zezë, njerëzit kanë nevojë për pozitivitet, për një dritë shprese. Shpesh e them, po punoj me idenë për të mos vënë “xhurdinë e zezë” në kokë si ato gratë e moçme apo gjamtarët e Malsive, por të sjellë modele, shembuj të mirë që të mund të udhëheqin gjeneratën e re, për të cilën kam shumë besim se do e bëjnë një Mirditë ndryshe, një Kosovë ndryshe dhe një Shqipni ndryshe. Shumica e pëlqejne fort këtë udhë të zgjedhur në profesionin e lajmësit, ka të tjerë që e quajnë konformizëm!...

-Pyetje:  Z.Marku, ju jeni edhe drejtor i Pallatit të Kulturës në Rrëshën, a mund të na thoni se sa është e veshtirë të menaxhoni këtë dikaster kulturor, dhe sa e keni mbeshtetjën e pushtetit lokal?

-Përgjigje: Ka dy mënyra për të menaxhuar; e para të jesh puthador i politikës, servil dhe vemie, që veç don t’i rrëmbesh benificet e pamerituara karrikes me kësi menyrash obskurante, dhe mënyra tjetër, të jesh gjithnjë në lëvizje, së pari me fantazinë krijuese, të jesh aty ku duhet në momentin dhe kohën e duhur si shërbëtor i veçantë i komunitetit, që lufton fort për të kultivuar shije të larta estetike dhe artistike ndaj tij.

Nganjëherë thuhet “hë mo kultura kulturë është, vrima e fundit e kavallit”, ku as shteti nuk kujtohet dhe as ti vetë nuk lëviz. E në fakt, ajo që e dallon një popull nga një tjetër është kultura që bart, kultura që transmeton dhe ballafaqohet me botën në këtë diversitet të llahtarshëm të kohëve të sotme.

Qëkur vura hapin e parë në këtë institucion mendova të bëj diçka krejt ndryshe, duke angazhuar bashkëpunëtorë gjithandej dhe sidomos në emigracion; pak e përditë bëmë një institucion kulturor model, veprimtaria e të cilit është publikuar në disa kanale televizive prestigjoze brenda dhe jashtë vendit.

Sëbashku me ekipin, amatorët e shumtë dhe bashkëpunëtorët, na është dashur të luftojmë fort në dy aspekte, atë infrastrukturore dhe veprimtaritë, duke ecur krahas. Nuk ështe e lehtë padyshim, kur në shumicën e viteve buxheti për kulturën të shënon shifrën absurde, ZERO! Por qasja për ta kthyer institucionin në “shtëpinë e artistëve” si dhe një qendër të vizitueshme për vizitorët vendas dhe të huaj ka qene më e fortë se neglizhimi zyrtar, ndaj solli atë që donim e projektuam në kokë prej kohësh. Me foto të vjetra të arreduara gjithandej, me ndriçimin dhe videprojeksionin modern dhixhital apo përmirësimin e asetit sanitarë, me Muzeun etnografik të Ansamblit e me rradhë, kemi bërë që pothuaj përditë të kemi vizita, orë mësimi apo trajnime deri me specialistë të UNESKO-s për trashëgiminë kulturore jomateriale.

Nga ana tjetër, institucionin, jo si llaç e tulla, por si filozofi, si mënyrë të vepruari, e kemi nxjerrë dhe në terren, kudo ku ka Mirditë, e kemi çuar nëpër kulla përmes ritualeve të vjetra të dasmave mirditase si një asset i lakmueshëm turistik apo me shfaqje të shumta kudo në skena kombëtare apo talk-show televizive.

Fakti i të qenit gazetar dhe promovues si dhe marrja me turizmin disa vite, më kanë ndihmuar që ky thesar i çmuar etnokulturor i Mirditës, të bëhej i ditur për shqiptarët, qoftë përmes mediave të mëdha, si dhe navigimit në internet, përmes rrjeteve sociale. Ama, ka diçka, nëse kemi berë diçka, e kemi bërë krejt pertej fasadës, siç nuk ngjet në shumë fusha të tjera në këtë vend.

Mund të përmendja dhjetra e qindra veprimtari në gjitha skenat kombëtare, në media, në rajone të ndryshme të vendit apo jashtë vendit, kudo ku kemi shkuar Ansambli Mirdita (Mjeshtër i Madh) dhe kultura e Mirditës pritet si në zenith. Kjo gjë, natyrisht, si drejtues të shton përgjegjësi të paimagjinueshme. Nuk jam tip që rri e “notoj në kenetë”, mendja ime pulson, edhe për ta shpik gjënë kur dhe ajo nuk ekziston; ndaj i jap rëndësi dhe një koncerti fëmijësh, një feste të kopshtit, një feste abetareje e me radhë, për t’i bërë pjesë të përbashkët të qyetit, që qyteti dhe vendlindja të jetojë me këto impulsime pozitive.

-Pyetje: Si janë marrëdhëniet tuaja me gazetarët në trojët shqiptare e mergatë?

-Përgjigje: Kemi pas e kemi mardhënie perfekte. Kur bëja gazetën Mirdita me miqte e mij, asokohe kur nuk ekzistonin rrjetet sociale, dy mirditas bënë web-e të Mirditës, njëri në Kanada dhe tjetri në Tiranë, aty postohej dhe gazeta Mirdita dhe shpërndahej kudo kishte mirditas apo shqiptarë nëpër botë. U afruan dhjetra gazetarë nga Mërgata, që sillnin shkrime e studime të bukura.

Këtë gjë e vazhdojmë edhe sot, me bashkëpunimet fantastike me ju, vëllezër të penës në Kosovë, në Mali i zi, Maqedoni apo vende të ndryshme të botës. Sa herë këshillohem, dhe natyrisht marr dhe vërejtje për t’u përmirësuar. Por dhe diçka tjetër përfituese, stilistika dhe linguistika, e kemi më të pasur, dhe duke bashkëpunuar e bëjmë akoma më të pasur.

-Pyetje: Ka shumë natyra të sojit që e bëni edhe ju, si e përballoni atë që quhet konkurencë gazetareske?

-Përgjigje: Kam punuar për vite vetëm si gazetar, e natyrisht ishte e pranishme edhe konkurenca. Por kurrë nuk e kam parë këtë gjë, si konkurencë për të “asgjësuar” tjetrin, fusha është shumë e gjërë, ka vend për këdo, sidomos për profesionistin. Konkurencë me të paaftët dhe mediokrit për fat, nuk e kam quajt, apo aq më tepër t’i kushtoj vëmendje.

Tani këto kohë, unë jam dhe zyrtar i kulturës, që bashkëndaj gjërat në mes dy fushave. Kam shkruar diçka tek libri im i parë “zyrtar jo uniform në provincë”. Është vërtetë goxha e vështirë, sepse në vend të të kuptojnë, ka raste kur të marrin si shërbëtor, si “numëror elektoral” dhe vetëm kaq.

E kam thënë dhe vazhdoj ta them, kurrë nuk do kisha përfunduar në zyra të shtetit me atë epje të fortë që kisha për gazetarinë, por na la gazetaria në udhë të madhe. Media dhe shtypi u muar nga duar të gabuara, diskriminuese dhe maltrajtuese për gazetarët e pasionit dhe të vërtetë, idealistë dhe të pashitur për asgjë dhe për askënd.

Natyrisht, shërbyesit e etshëm dhe dinakë përfituan, si puthadorë rotacionalë të politikës apo pronarëve, sot janë ndër më të pasurit në vend, dhe e bëjnë gazetarinë sipas porosisë së Mëkambësit të rradhës. Kjo e ka çeduar keq misionin e informimit, e ka denatyruar median, dhe zor të thuash kush është gazetari i vërtetë e kush jo!

Kjo çoroditje, pak a shumë, nuk ka si mos të ekzistojë edhe tek unë, “hëm gazetar e hëm zyrtar”! Natyrisht, karakteri im ndër vite, për fat më kuadron të pashitshëm dhe aspak lake apo shërbëtor i rëndomtë ndaj askujt, ama lirinë si gazetar i mirëfilltë, dua nuk dua, ma ka rrudh. Ky është fati. Tashmë nuk kam çfarë të përmirësoj më tej sepse është, më së pari, çedim i sistemit funksional demokratik edhe në fushën e medias.

Ndaj, për të qenë sadopak në paqe me veten, kam gjet udhën e promovimit në vend të deklamimeve apo karshillëqeve ndaj këtij apo atij, dmth pak a shumë, është një lloj ekuidistance e kujdesëshme me politiken dhe pushtetin, por ama për të qenë sa më pozitiv dhe në anën e publikut për aq sa më lejon ky pozicion aktual.

-Pyetje: Gjatë punës ka shumë xhelozi në mes kolegësh, besoj edhe ju nuk i shmangeni dot kësaj. Si i menaxhoni këto fenome negative?

-Pergjigje: Ka xhelozi, por dhe varet si e trajton. Personalisht kurrë nuk kam xhelozuar për kolegët. Por, natyrisht,  secili duhet me dit sëbrendshmi vetes sa është! Pak a shumë, e di se ku jam, dhe di ta them pa ndrojtje dhe asnjë shenjë hipokrizie, se ky koleg apo tjetri  është shumë më i mirë se unë në produktin e tij, ndaj dhe mundohem të mësoj, të konsultohem e të bashkëpunoj, ama dhe të bëj filtrin e duhur. Edhe në kulturë po të njëjtën gjë.

Si gjithë dynjaja kam dhe unë “kundërshtarët” e mij, edhe xhelozues ekselent, deri dhe ndonjë “kundërshtar patetik”, që nuk kanë lënë gjë pa bërë ndaj meje dhe produktit tim për ta sikterosur në skutat e heshtjes dhe anashkalimit, për të më zhdukur nga skena, nga ekrani, nga jeta publike apo historia arkivore, ndërkohë që gjithnjë kam bërë të kundërtën për ta si e si t’u ofroj bashkëpunime të sinqerta, e megjithatë më besoni, jo vetëm që nuk i urrej, por më dhimbsen për këtë lloj sëmundje, që pa e kuptuar vjen e të kthehet në cen, në ves, në zakon të përjetshëm, ndaj kur kanë produkte të mira, unë i promovoj edhe këtu në account-in tim.

Kam parasyshë një intervistë të bërë me nanë Dilën këtu e ca vite, një grua asht fortë, por sa një grusht që kishte kap vitin e 115-të të jetës. Ndër të tjera e pyes: nanë Dila, ti ke kalu jetë të vështirë, më fëmijë jetim, ma shumë pa bukë se me bukë, si ka mundësi që ke jetuar në 3 shekuj kaq gjatë,  cili asht sekreti?!  E di si mu përgjigj: dëgjo bir, e sheh atë kishën atje, qëkur jam ba me mend, kam dal në dritare tre herë në ditë dhe kam thanë uratë e lutje, biles edhe në kohën e keqe të komunizmit, dhe gjaja tjetër, kurrë nuk kam pas resë (zili) për askan. Shihja shoqet e mija qe kishin shpi e katandi ma të mirë, ara e bashtena ma të pasuna, fëmijë ma të veshur e me rradhë, por vetëm kënaqesha me shpirt për atë që ato kishin. E mua, me sa shoh, Zoti ma ka dhan jetën e gjatë, jo prej të pasunit, por prej të dashunit të tjetrit..”.

-Pyetje: Para pak ditësh ju morët pjesë në Rishugurimin e Katedrales " Zonja Ndihmëtare" në Prizren, e cila u Rishugurua nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Çfarë ndjenje kishit ju se besimtar i devotshem e gazetar dhe si mund të na pershkruani këtē event madhor ?

-Përgjigje: Nuk është se bëj pjesë tek besimtarët e përkorë, sepse realiteti i brezit tim përkon me dy etapa. Shpesh herë e kam menduar kërkimin e qetësisë tek devotshmëria ndaj kishës, por sërish kam mbet në këtë cak ku jam në këtë raport, e dua fort kishën dhe besimin tim edhe pse evidentohem me prirje pak më kozmopolite. Nana ime urtake, ajo ma ka blatuar besimin në Zot qëkur isha fëmijë dhe kur nuk lejohej shkuarja në kishë, më ka rrëfyer sesi më ka mbart me kilometra në djep për të më çuar tinzash tek Kisha e Rubikut ku dhe kam marrë bekimet kishtare në muzg. Nuk di pse, por kisha e Prizrenit, atë kohë po më kujtonte ma fort. Ndaj dhe kur na ftuan dhe unë do përfaqësoja Unionin Mirdita, u ndieva me të vërtetë shumë mirë.

Kam qenë disa herë në Prizren dhe me aktivitete, dhe kam parë e prek nga afër multikulturizmin e këtij vendi, por nganjëherë dhe me pak mëdyshje, nuk po e çoj fjalën deri në trishtim; ishte vetëm një grusht i vogël njerëzish të përkushtuar ndaj kishës. Prizreni asht qytet me histori shume të vjetër, por ama dhe me ipeshkvi të vjetër që nga ipeshkvi i parë i vitit 485, Paulus ose Pali. Dokumentet, siç na thotë  Dom Lush Gjergji,  e vërtetojnë këtë si ipeshkvi në vazhdimësi ishte qe nga viti 1020 në bullën e Bazilit të II deri në ditët tona. Kisha e sotme, ndër më të vjetrat në Kosovë, që i ka përballuar stuhive të përndjekjeve dhe të motit, e kohës turko-otomane është ndërtuar gjatë viteve 1865-1870.  Kemi parasyshë se në vitin 1889 ishte hapur shkolla e parë shqipe pranë Katedrales “Zoja Ndihmëtare” dhe disa vite më vonë, saktësisht në vitin 1889, ishte hapur edhe shkolla shqipe për vajza. Aty kisha dëgjuar se gjenden dhe disa thesare dhe i pashë me sy. Po ashtu kam dëgjuar se bash në këtë kishë katedrale është pagëzuar  dhe edukuar babai i Nënës Tereze, Kolë Bojaxhiu në vitin 1873…”.

E gjitha kjo ishte një shtysë e madhe për të qenë në këtë ditë të shënuar të rishugurimit të saj, me një meshë të shenjtë nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, një nga vizitat më të larta të kësaj natyre në Kosovë nga Vatikani.

E përjetova mrekullisht. Madje dom Shan Zefi më bani pjesë të grupit të pritjes që tek sheshi Shatërvan, dhe rrugëve të kalldrëmta ku natyrisht instikti i profesionit, më bëri që të mos e lëshoj aparatin fotografik nga dora deri në hyrjen në katedrale. M’u duk se Prizreni ma në fund po plotësonte vetveten me një pjesë të munguar sa i përket ashtit shqiptar; flamujt shqiptarë dhe të Vatikanit valviteshin gjithandej. Dikund ishte dhe një grup rock-u, lokalet e mbushura, një pajton me nuse, mirditas që punonin në filigram në lokalet e tyre të traditës. Sa shumë Mirditë ndjeva atë ditë. Ndjeva akoma më shumë kur dhuratat e caktuara për Sekretarin Parolin, do jepeshin nga Hana, që kishte ardh nga Amerika për këtë ditë të shenjtë, me rrobat e mirditores së bukur, siç kanë qenë të parët e saj në origjinë dhe ajo e mban mbiemrin Mirdita. Mesha ishte një perfeksion, e kuruar me kujdes, fjala e përshëndetjeve dhe gjithçka tjetër deri tek ritet e një meshe të tillë madhështore.

Ika vonë pasi po e ndaja këtë emocion edhe me miqtë e mij Mikelin dhe Nduen aty në një kafe tek sheshi Shatërvan. Me besimin se, ashtu siç e tha kryetari i komunës, “Prizreni asht mbase i vetmi vend në botë që me një kundrajë fotografike mund të fokusosh xhaminë, dhe kishat. Ndaj shpresoj dhe besoj se Kisha do të vazhdojë të bëhet akoma më shumë pjese e fortë shpirtnore për Prizrenin multikulturor dhe shumëetnik…”.

-Pyetje: Falë sukseseve tuaja në fushën gazetarisë dhe emrit tuaj keni bërë bujë shumëdimensionale në botën shqiptare të gazetarisë. Ju lutem na thoni, si arrin një gazetar të bëjë emër në gazetari, duhet patur talent apo puna është ajo vendimtare?

-Përgjigje: Kam një emër të caktuar në gazetari, vetëm kaq, koleg i dashur! Por qoftë dhe për kaq emër, sa herë më bie fjala me të rinj në këtë fushë, ndonjëherë kam qenë i ftuar në auditoret e fakulteteve për të dhënë eksperiencen time modeste, u kam artikuluar këtë gjë studentëve: nëse nuk doni të bëheni kurrë gazetar, besojini vetëm talentit!...Çfarë u duhet talenti pa shkuar tek burimi, tek ngjarja, po nuk ia there në këmbë apo me mjete të tjera malit apo fushave, po nuk hyre tek shtëpia e dikujt ku ka ndodh ngjarja, apo po nuk hyre natyrshëm e dije të thella në zakonet e traditën e atij vendi, po nuk pyete, po nuk more “rrëfime-bio”! Pikërisht, pasi të kesh shkuar atje, hyn në punë talenti për të punuar me detajet e më pas me stilistikën përshkrimore.

Përqindjet më të madhe të punëve të mija në gazetari i kam bërë në terren, dhe fare pak në zyrë apo para ekranit të kompjuterit. Edhe sot, thjeshtë për një info në fb apo rrjete sociale, iki menjëherë, marr çantën, aparatin fotografik dhe shkoi atje ku ndodh gjëja, sepse terreni më pëlqen pa masë, aty frymezohem dhe baraspeshohem në atë çfarë shkruaj e hedh në publik.

Dihet se në ditët e sotme, parësore është bërë imazhi, fotoja dhe ka humb peshën specifike fjala. Mbase është një “flamë” e momentit sepse duhet më u rikthy tek shprehja biblike: e para ishte FJALA! Në rast se përdorim me kujdes fjalën dhe imazhin, atëhere jemi ata që i duhen publikut. Por sërish po e rithem, më shumë e shumë më shumë punë se talent, më shumë terren se zyrë, sepse terreni sa te jetë jeta do të vazhdojë të mbesë “mbreti i gazetarisë”. Shihni si është bërë gazetaria e portaleve, me copy-paste të lajmit gjithandej, dhe me tituj bombastikë, por pa kurrfarë përmbajtje brenda shkrimit; një gazetari dembele dhe parazite dhe më e keqja, në jo pak raste, e kthyer  në puthadore dhe gjobvënëse. Duket sikur edhe talenti edhe puna e vullnetshme, janë në frymën e fundit. Kjo duhet të ndryshojë dhe shpresoj që herët a vonë do të ndodhë.

-Pyetje: Zotëri Marku, mund të na tërhiqni një paralele të kohës së ideologjisë së idhët komuniste dhe asaj pluraliste të sotme? Sa ishte “i lirë” gazetari, studiuesi të shprehte atë që ndjente në shpirt? A mund t’i shmangeshe kurtheve që krijonte ajo ideologji e idhët, që ishte si një ideologji famkeqe e ekstreme, ku gazetari, studiuesi, prezantuesi... privohej për motive ideologjike?

-Përgjigje: Bëj pjesë tek ata që i kam jetuar të dy epokat, atë me liri të privuara dhe këtë të sotmen me liri të rrudhura! Nganjëherë në duket sikur lundrojmë po në ato ujëra. Duhet me qenë korrekt me historinë dhe i vërtetë me çfarë ka ndodh me ne si shoqëri dhe si individë. Personalisht, kam qenë gjithnjë në gjendje të dyzuara. Jam si dhe të tjerët “pjellë” e atij sistemi. Kam përjetuar edhe dritën e pishës apo bishtukut, por me duart e mija kam ndezur çelësin e parë të dritës elektrike në kullën time të varfër aty nga viti 1969.

Por diabolizmi më ka ndjek për vite e dekada. Edhe unë si gjithë të tjerët, e kemi pas idhull Enver Hoxhën dhe kemi menduar se është Njeriu-Perendi, edhe pse nuk la kishë e xhami pa shemb. Idologjia e tij, fjala e tij, karizma populiste dhe pamja e tij, na u fut si droga të forta në deje, e sot jo pak vetë, për fat të keq vazhdojnë nën atë influencë!

Po çfarë pat ndodh me disa, posaçerisht edhe me mua. Nga njëra anë mendoja se sistemi i tij po na shkollonte, na futi në punë, etj etj, por nga ana tjetër, gjithnjë kam pas një frikë e ankth. Që fëmijë, madje. Nëse prindi im, punëtor i thjeshtë nëntoke, i tejvarfër, ishte komunist, por po nga oxhaku i shtëpisë, kisha të afërmit e mij, që u ishin pushkatuar 4 djem azganë, pasi ishin pjesë e nacionalistëve në vitet e para të Çlirimit, kësisoj për këtë arsye absurde, ne si familje nuk jepnim e mernim dot me familjet e tyre edhe pse ishim njerëz të një gjaku. Përshembull, mbaj mend nga vogëlia ime, kur familjet e tyre vinin nga një fshat i Kurbinit për morte, pinin kafenë e ngushëllimit natën dhe iknin po në mes të natës! Unë thoja me vete, përse ikin! Vetëm pasi u rrita, do kuptoja se ndarja klasore ishte fut në çdo qelizë të familjes shqiptare, një palë me Enverin, pala tjetër të etiketuar si armiqtë e sistemit, për të cilët u hapën qindra burgje e vende internimi të llahtarshëm. M’u desh që në moshën 18 vjeçare ta kuptoja akoma më në thelb atë sistem, kur për një vit punova stazhier në ish-burgun politik të Spaçit. Shkova me idenë se po gjeja aty ata “armiqtë e tmershëm të Partisë e Popullit”, por në fakt, e gjitha kishte qenë propagandë. Në ato hapsana të tmershme ishte mbërthyer në tela e kampe pune çnjerëzore elita shqiptare, njerëz të shkolluar krejt të pafajshëm. Pak si tinzash, por ama që aty kam filluar jo më dyshimet për të, por ta urreja me shpirt  atë sistem.

Kështu më zunë vitet e shkollës së lartë për fizikë, dhe më pas puna, me një lloj kujdesi, deri sa krejt për konçidence dhe vullnet të mirë të disa shokëve të mij, u futa zyrtar rinie asokohe dhe më pas gazetar e redaktor i parë në Mirditë. Ishte gazetë partiake, por mua më vinin në mendje historitë e Spaçit. E njihja Mirditën gjithandej, gjendjen skandaloze ekonomike, shihja çdo ditë rrënimin e ekonomisë e nga ana tjetër falsitetin e propogandës. Jam munduar, për aq sa kisha mundësi, të shfrytëzoja ndonjë të “çarë lirie”, për të ngrit probleme të thekura shoqërore në atë gazetë partiake, të mos kursehem edhe ndaj zyrtarëve të lartë vendorë, në emër të “parimit” natyrisht. Por unë, në të vërtetë, nuk e kisha me ta si emra, por me atë sistem të rrënuar, që po e çonte popullin në “kockë e lëkurë” për mjete të munguara jetese. Për fat janë vite të vona, pas 1987-s, pasi vite me parë zor se do e kishim këtë lloj trimnie për të shkruajtur disa gjëra që gazetat qëndrore nuk bëhej fjalë ta bënin. Do të sjell një shembull. Gazeta lokale e Krujës ato vite, duke bërë kritika parimore për kooperativa, që nuk realizonin planet, i kishte shënuar me statistikë, se aq kg qumësh u prodhuan në iks fshat e aq djath në këtë tjetrin e me rradhë produktet e ndryshme. Ngjet që një nga gazetarët e Le Mond në Francë, të kishte has në këto statistika dhe pasi redaksia e atjeshme bën disa kalkulime të përafërta, nxjerrin pak a shumë se me sa gram qumësht, mish, djath etj etj furnizohet një familje shqiptare në “sistemin e lulëzuar” komunist në Shqipëri. Pra, me sa gram!...Madje me atë “parimin e shkrepses” për disa ditë publikojnë këto të dhëna. Ky ishte diskretitimi më i madh që i bëhej sistemit komunist shqiptar. Ndaj mbaj mend, që na vinin porosi të dedikuara nga Lart, që të kishim kujdes me shifrat! Pra, ishin shifra, që dashje pa dashje kishin dalë në mediat lokale dhe që përtej fasadës tregonin fytyrën e vërtetë të regjimit.

Por, kur analizoj sot, nganjëherë them me vete, pavarësisht mungesës së lirive gazetareske për shkak të vibrimit ideologjik edhe në gazetat e mediat e kohës, duket sikur kemi pas më shumë guxim asokohe se sa sot, për një arsye a tjetër, edhe pse jetojmë në liri!...Me një fjalë, dua t’i përgjigjem “kurthit të ideologjisë”, që cekni me pyetjen tuaj, sa e burgoste gazetarin apo shkrimtarin e kohës duke deduktuar sipas këndvështrimit tim; ka patur që e kanë bërë propogandën e ekzagjeruar me detyrim, të tjerë që e bënin me bindje, dhe të tjerë të unshëm në servilizmin ndaj pushtetit të kohës, siç ngjiste më spiunët vullnetarë, që rrinin natën pas dyerve të stacioneve policore dhe të sigurimit për të shqyer prê-në e radhës!

Ama edhe sot, e them me plot bindje se jo pak nga gazetarët, që vijnë nga ajo kohë, e kanë shndërruar në recidiv permanent të qenit shërbyes të përjetshëm të pushteteve! Ndaj, edhe pse nuk më pëlqejnë ndonjëherë për dalldinë e tyre pa gjuhën e argumentit, por sërish, duke marrë gjithnjë të keqen më të vogël, them se pak a shumë, gazetarinë e lirë, po e bëjnë rrjetet sociale, apo siç mund të perceptohet “populli reporter”. Përjashtoj këtu, kategorikisht, “spiunët e rrjetit”, me anonimatin e pështirë si shpifës, gjobvënës dhe intidimues!

-Pyetje: E kemi parë se në disa raste se ju trajtoni shumë tema studimore historike. Historia është një pasion i juaji?

-Përgjigje: Historinë e dua, por nuk jam historian dhe aq më tepër të merrem me tema studimore. Më shumë mund të kem ndonjë kundrajë fluide në këtë aspekt, por ama lexoj dhe bashkëpunoj me të gjithë studiuesit vendas, apo kushdo që shkruan për Mirditën. Mundohem të jem sa më shumë i furnizuar me informacione, sepse kjo ma bën më të lehtë punën promocionale, për të mos lëshuar siç thotë populli “dokra hinit”, sikur Mirdita na qenka “kërthiza e Botës”, histori këto në formë bejtesh, që më shumë i lëshojnë në eterin global të paditurit, sidomos në fushën e gjanë të rrjeteve sociale, por po e rithem, Mirditës i ban mirë e nder  aq sa kontribute të vërteta ka në historinë kombëtare dhe konstitucionin shpirtnor shqiptar, e që nuk janë të pakta. Personalisht bëj pjesë tek arketipi racional!...

-Pyetje: Sa i keni përcjellë dhe sa i percjellni zhvillimet e aktivitet gazetareske e letrare të mirditorëve në krahinën shqiptare të Kosovës Dardane dhe ç'ndjenje keni për ato vlera?

-Përgjigje: Ndjek me shumë vëmendje studimet, veprat letrare, botimet apo çdo lloj aktiviteti të mirditorëve në origjinë të hershme, që sot janë ura më e mirë lidhëse në mes Mirditës sonë të dashur dhe Kosovës. Është një frymë bashkëpunimi fantastike dhe me shume vlerë. Po hulumtohen ndërsjelltazi gjëra, që kishin mbet në pluhurin e harresës me shekuj, një punë e mirë tashmë, që ka marrë udhë, qoftë përmes librave, gazetave apo revistave, kumtimeve nëpër sesione apo konferenca shkencore, mediume apo akademi përkujtimore etj.

Natyrisht, i rri idesë se, tashmë, ka ik ai moment i entusiazmit folklorizant, si puna e “muajit të mjaltit”, ndaj na duhen edhe më shumë racionalitet me thelb të pakundërshtueshëm shkencor, larg frymës patetike në kundrimin e fakteve historike apo aq më keq në jo pak raste të “çoka-ve” me njëri tjetrin!...

-Pyetje: Para se ta mbyllim këtë dialog edhe diçka për preokupimet tuaja; çfarë pret opinioni e lexuesi nga ju?

-Përgjigje: Është një pyetje, që një personi si puna ime, i përfshirë në shumë gjëra njëherit, ia bën kokën lëmsh. Kështu me sa duket jam gatuar, për të qenë nga pak e gjithkund. Nuk është gjithaq e mirë kjo mënyrë të funksionuari, por me sa duket tashmë më është kthyer ne tipologji jetese.

Sidoqoftë, duke qenë se i kam dhe ca vite jetë aktive para se të marr “pasaportën e pensionistit”, them se së paku, nuk do të jem ai, që kënaqet me “gjumin e ariut polar”, do vazhdoj të punoj e prodhoj sidomos në publiçistikë, por dhe në kulturë e turizëm. Besoj një produkt turistik i veçantë, herët a vonë, do dalë nga duart e mija. Qindra mijëra fotografi në fototekën time dixhitale, nuk është se do ngelen për stoli arshivore, por do i kalojnë publikut në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu mund t’i rikthehem shënimeve “Kryq e tërthor në Shqipëri të Epermë”.

E në planin e organizimeve tashmë kam marrë dhe një angazhim mbi vete si drejtor ekzekutiv i Unionit MIRDITA me një kast kualitativ intelektualësh, që sëbashku me shumë miq të nderuar, mirditas të shquar nga anë e anës, të sjellim një urë përbashkuese të vërtetë përtej politikës dhe ndasive, siç ngjet rëndom në shoqërinë tonë.  Pjesë e fortë e këtij organizimi natyrisht do të jenë dhe mirditasit në origjinë të Lugut të Drinit apo në gjithë hapësirën e Kosovës e më tej.

Për të tjerat këtu do jemi, do Zoti të na mbajë në binarë sa i përket shëndetit dhe mendjes!

-Pyetje: Për mua si mik i juaj si edhe për lexuesit tanë mbarshqiptarë në Shqipëri e diasporë, ishte kënaqësi të ndajmë të tëra këto njohuri me Ju, vertetë ndiej kënaqësi edhe më tepër sepse u pasurova me kēto të dhëna tuaja. Zoti ju bekoftë. E bekoftë punën, jetën e veprimtarinë Tuaj gjithëperfshirëse, kulturore e kombëtare. Ju faleminderit miku im i çmuar, z. Gjergj Marku

-Përgjigje: Ju falenderoj për pyetjet dhe bisedën e kandshme, gjë për të cilën, përtej retorikës dhe fasadomanisë, kemi shumë nevojë edhe si bashkëpunime korrekte profesionale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat