Në vjeshtë do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, LDK dhe Vetëvendosje po takohen intensivisht - Bota Sot
Në vjeshtë do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, LDK dhe Vetëvendosje po takohen intensivisht

Intervista

Në vjeshtë do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, LDK dhe Vetëvendosje po takohen intensivisht

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 18 korrik 2019 Në ora: 13:04
Yll Rugova

Ish-drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka thënë largimi i Shpend Ahmetit dhe një pjese të ekzekutivit nga Vetëvendosje, pas fitores në zgjedhjet e fundit ka qenë akt i pakuptimtë dhe i padrejtë karshi votuesve dhe besa edhe kolegëve. Por përtej kësaj, ai ka thënë se kjo nuk ka ndikuar asgjë në raport me punën dhe se bashkëpunimi ka qenë i mirë.

Ndërkaq, sa i përket qeverisjes së vendit në nivel qendror, Rugova ka deklaruar se e njëjta është përcjellë dhe po vazhdon të përcillet me skandale të shumta. Kjo sipas tij, është arsye mjaft e fortë për ngritjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë. Ai ka deklaruar se vjeshta e këtij viti do të jetë kohë kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

“Bota sot”: Keni qenë drejtor i kulturës në Komunën e Prishtinës. Si ka qenë kjo përvojë për ju dhe cilat janë punët që u kryen gjatë periudhës sa keni qenë drejtor aty?

Yll Rugova: Për mua ka qenë përvojë shumë e mirë për dy arsye. E para, sepse kam pasur mundësi që prej dorës së parë të shoh punën në institucionet e Kosovës, përfshirë gjithë ciklin e bashkëpunimit prej institucioneve qendrore, atyre lokale, e deri te shoqëria civile, komuniteti dhe qytetarët. Mund të them që me pak angazhim dhe profesionalizëm mund të bëhet shumë në Kosovë. E dyta, sepse kam pasur mundësi të shtyjë përpara shumë projekte që janë të rëndësishme për qytetin, e që për një kohë të gjatë kam punuar që të zhvillohen. Më vjen shumë mirë që kam pasur mundësi të jap propozimin, të ngris kandidaturën dhe në fund ta fitojmë kandidaturën e Prishtinës për Manifeste. Mendoj se kjo është një nga ngjarjet më të mëdha të Kosovës në këto dekadat e fundit. Ngjarje që do t'na përfshijë në hartën kulturore të Evropës, veçanërisht sa i përket artit pamor. Shpresoj që përveç rrjetëzimit dhe pasurimit kulturor, Manifeste të jetë nxitës edhe për formimin e Muzeut të Arteve në Kosovë. Kam pasur shumë kënaqësi të punoj edhe me komunitetin në lidhe me zhvillimin e narratives turistike dhe produkteve që mund të jenë pika referente të qytetit. I kemi vendosur disa tabela shenjëzuese në qytet për orientim turistik, së bashku me info qendrën turistike, hartat dhe strategjinë për turizëm. Shpresoj që kjo strategji të jetësohet më tutje. Ka qenë shumë zhgënjim kur e kam kuptuar që fondet tepër qenësore, e që i kemi siguruar me shumë mund për sallën koncertale janë ridestinuar nga BE. Mendoj se dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë humbje! Ka edhe shumë projekte tjera që i kam lënë thuajse të përfunduara, e që po kam frikë se ekzekutivi aktual s'ka për t'i çuar deri në fund. E kam fjalën këtu për projektet si rehabilitimi i Rrugës Model në qendrën historike, rregullimi i Shkollës së Parë Shqipe, Muzeu i Shtëpive Shkolla etj.

“Bota sot”: Si erdhi deri tek dorëheqja juaj nga ky post?

Yll Rugova: Largimi nga Vetëvendosja i kryetarit Ahmeti dhe një pjese të ekzekutivit, pas fitores në zgjedhjet e fundit ka qenë akt i pakuptimtë dhe mendoj i padrejtë karshi votuesve dhe e besa edhe kolegëve. Ne të gjithë së bashku jemi angazhuar që si ekip të marrim edhe një mandat për të udhëhequr me Prishtinës si Lëvizje Vetëvendose. Prandaj më duket shumë e arsyeshme që shumë votues të Lëvizjes janë ndier të fyer dhe të tradhtuar me ikjen e këtij grupi dhe me formimin e një subjekti të ri politik. Për më shumë, megjithëse pa ndonjë koalicion formal, për mua ka qenë e pahijshme dhe indinjuese largimi i drejtorit të shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtoreshës së kadastrit Nora Kelmendi nga ana e kryetarit të ekzekutivit të Prishtinës. Ky ka qenë kulmi, veçanërisht kur dihet se këto dy drejtori janë njohur për punën e zellshme dhe shumë parimore të zhvilluar. Më kujtohet që gjatë fushatës së fundit në 2017, një pjesë e madhe e promovimit është bërë pikërisht me rindërtimin e shtëpive të shëndetit, dhe me riorganizimin cilësor të punëve në shëndetësi. Mendoj se arsyetimi për largimin e këtyre drejtorëve ka qenë e pamenduar, dhe një padrejtësi më shumë që u është bërë votuesve në Prishtinë.

“Bota sot”: Ankesat nga komuniteti i artistëve nuk ishin të pakta, sa është arritur që të përmirësohen kushtet e komunitetit në fjalë?

Yll Rugova: Gjatë kohës sa kam qëndruar si drejtor i kulturës është ndërtuar një raport shumë i mirë me bashkëpunëtorët në dikastere dhe institucione tjera, e në veçanti është ndërtuar raport shumë i mirë me komunitetin në përgjithësi. Të gjitha projektet që ishin në zhvillim e sipër, janë bërë duke pasur themelet në këtë bashkëpunim. Dhe natyrisht njësoj qysh edhe për mua ka qenë tepër e vështirë të marr vendimin e dorëheqjes, për shkak se këto projekte po rrezikonin të cungoheshin, njësoj janë shprehur edhe shumë pjesëtar të komunitetit, veçanërisht nga komuniteti kulturor. Megjithëse, kam pasur edhe shumë mirëkuptim. Sepse situata në të cilën jam ndodhur ka qenë asisoj, që mendoj që cilido profesionist me integritet do të vepronte njësoj. Unë asnjëherë nuk do të mund të falënderohem sa duhet komunitetit për gjithë mbështetjen gjatë kësaj kohe. Edhe po ndihem shumë mirë kur po e di që kur të kthehemi përsëri në institucionet, e kemi një bazë të mirë që kemi ndërtuar së bashku, nga e cila mund të vazhdojmë ma tutje të ndërtojmë për kulturën por edhe për sferat tjera të shoqërisë në përgjithësi. Manifesta është siguruar brenda më pak se dhjetë muajsh, besoj se me më shumë kohë, dhe në rrethana më të mira mund të bëjmë edhe shumë më shumë së bashku.

“Bota sot”Ju, keni qenë drejtor që keni përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje. Si kanë qenë marrëdhëniet e punës në mes drejtorëve nga Vetëvendosje dhe Komunën së Prishtinës? E kam fjalën pasi që Shpend Ahmeti, krijoi partinë e PSD-së.

Yll Rugova: Marrëdhëniet nuk kanë qenë të mira. Fakti që pa ndonjë arsye profesionale të punës janë larguar drejtorët tregon shumë për këtë raport. Ka pasur shumë shpesh tendenca për të bllokuar punë, për të bllokuar buxhete, për të mos përfshirë drejtorë të Vetëvendosjes në procese, e të tjera. Për shembull, është interesante që vetëm drejtorët e Vetëvendosjes nuk kanë janë emëruar si përfaqësues në ndërmarrjet publike lokale, ku sipas ligjit kryetari i komunës dërgon përfaqësuesit e komunës si aksionarë.

“Bota sot”: Siç dihet, investimi nga BE-ja për një sallë koncertale në vend, me gjasë dështoi. Cili është qëndrimi juaj për këtë situatë dhe se tek kush qëndron përgjegjësia?

Yll Rugova: Qysh u shpreha edhe më herët, ky dështim më ka prekur në shumë nivele. Për shkak se personalisht kam qenë shumë i investuar për ta siguruar këtë grant nga fondet e IPA, për shkak se Kosovës i duhet një sallë koncertale dhe për shkak se e di që arsyet pse janë ridestinuar këto fonde janë kryesisht dembelia dhe moskujdesi. Është vërtetë fatkeqësi që në vitin 2019 ne mbetemi i vetmi kryeqytet në Evropë pa sallë të koncerteve për Filharomininë, e mos të flas që s'kemi as sallë të operas dhe baletit. Sa i përket infrastrukturës kulturore, por edhe institucionale në përgjithësi ne absolutisht nuk ngjajmë me një kryeqytet të Evropës. Duhet ta kujtojmë faktin që infrastruktura kulturore është simbol i shtetësisë gati poaq sa është flamuri, dhe himni. Andaj, duhet sa më parë të nisim ndërtimin e tyre.

“Bota sot”: Si qëndron Prishtina në kontekstin e investimeve?

Yll Rugova: Prishtina është në nivelin më të ulët që nga viti 2013 sa i përket investimeve, veçanërisht investimeve kapitale. E pamë që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 vetëm rreth 5 milionë euro investime kapitale janë bërë, dhe kjo nga një buxhet i përgjithshëm i Komunës që është mbi 80 milionë (pas bonusit që vjen prej Ligjit për Kryeqytetin). Për investime kapitale janë paraparë rreth 48 milionë euro investime (sepse tjerat janë shërbime, paga dhe mallra), që i bie vetëm rreth 10% e buxhetit për investime kapitale është realizuar. Dhe nuk duhet të jemi ekspertë ta shohim këtë gjë. Sipas disa të dhënave që i kemi nxjerrë nga të dhënat e lejeve të lëshuara në Prishtinë, rreth 200,000 milionë investime në vit realizohen në patudshmëri, që i bie se nga investitorët privat janë duke u bërë lagje të tëra të reja, të cilat as afërsisht nuk po përcillen me infrastrukturë publike si rrugë, parqe, shkolla, çerdhe, kopshte fëmijësh, qendra kulturore e të tjera. Sivjet është dashur të fillojë ndërtimi i gjashtë shkollave të reja, asnjë s'ka filluar, dhe me gjasë as nuk do të fillojnë. Është dashur të nisë ndërtimi i rrugës A, është dashur të nisë unaza e qytetit, është dashur të mbyllet unaza e brendshme, është dashur të funksionalizohet trafiku urban, parkingjet, salla koncertale, rehabilitimi i rrugëve kryesore të qytetit. Asnjë nga këto s'është bërë, e as që po bëhet.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale në Komunën e Prishtinës?

Yll Rugova: Vërtetë nuk po kam dëshirë që të flas keq për qeverisjen në Prishtinë, përderisa me shumicën prej tyre kam qenë në bashkëpunim të ngushtë deri disa muaj më parë, por s'po mund të përmbahem pa folur kur po e shoh gjithë këtë degradim që po i ndodhë qytetit. Prishtina, jo që s'po zhvillohet mjaftueshëm shpejtë, por është duke bërë hapa prapa. Mendoj se qeverisja aktuale është e vetëdijshme që s'ka gjasa për të fituar një mandat tjetër në Prishtinë, andaj s'e kanë prioritet zhvillimin e projekteve për qytetin, pra nuk po merren faqe me 100 zotimet që i kemi bërë së bashku. Ato 100 zotime tashmë është edhe ashtu e pamundur të realizohen, prandaj këta po fokusohen në gjëra tjera që ndoshta të paktën ndihmojnë me bazën e tyre si parti. Në fakt, nuk mund të spekuloj cilat janë arsyet e mospunës në Prishtinë, por çka mund të konkludojë me siguri është se kjo mospunë po vërehet në secilin damar të qytetit, dhe po vërehet e komentohet nga secili qytetar.

“Bota sot”: Si po qeveriset me Kosovën aktualisht z. Rugova?

Yll Rugova: Qeveria aktuale e ka filluar me skandale, duke filluar nga rritja e pagës së kryeministrit, i cili kinse paska nevojë për pagë shtesë për të blerë kravata më të mira. Dhe ka vazhduar me skandale, të cilat tashmë janë bërë të përditshme. Deri tash, në këto 20 vjet lirie, Kosova është qeverisur shumë keq, prandaj edhe sipas të dhënave të fundit që u bënë publike diku rreth 200,000 qytetarë janë larguar nga Kosova. Kjo qeverisje e keqe po vazhdon edhe tash, veçse me një stil tjetër. Nëse deri tash punësimet, tenderët dhe vendimet e interesave personale janë marrë duke u fshehur prapa një lloj byrokracie, me qeverisjen e tanishme gjithë keqqeverisja po bëhet shumë haptas, dhe pa pikë të marrës. Me qeverisjen aktuale, keqpërdorimi publik po bëhet mu para syve tanë. Rasti me emërimin e anëtarëve nëpër borde dhe nëpër institucione tjera, të njerëzve të afërt të partive dhe me familjarë të personave që po qeverisin është ndër pamjet më groteske që kemi parë në këto dy dekadat e fundit. Ose, idetë si ajo për autostradën e Dukagjinit, janë totalisht ide ad-hock që bëhen për të shpallur edhe ndonjë tender me çmim trefish më të lartë se sa që duhet, e që bëhet për interesat e ngushtë të personave që po qeverisin. E në anën tjetër, me të njëjtën shumë shumë lehtë do të mund ta ndërtonim Kosovën e Re, pa pasur nevojë që të rrisim çmimin e rrymës, dhe që këto para të shkojnë te investitorët privat jashtë shtetit. Presidenti një ditë del se është për korrigjim të kufirit, ditën tjetër për bashkim me Preshevën, e ditën e tretë për asnjërën. Varësisht si çohet nga gjumi, ndryshojnë edhe fjalët e tij. Pra, është një situatë bizare, ndoshta e paparë në skenën politike tonën, e që është e njëjta keqqeverisje si deri tash, por me një fytyrë të re.

Mos të harrojmë që ekonomia e Kosovës për momentin mbahet nga diaspora dhe sipas disa të dhënave që u bënë publike rishtazi, rreth 2 miliardë euro në vit vijnë nga diaspora, në formë të remitencave, investimeve dhe shpenzimeve të drejtpërdrejta të tyre kur e vizitojnë Kosovën. Me investime të kota për interesa të ngushta të qeveritarëve, dhe pa diasporën, Kosova s'kishte për të mbijetuar as një ditë si shtet. Prandaj, duhet sa më parë ta heqim qafe këtë qeverisje, në mënyrë që me investime të duhura në arsim, shëndetësi dhe ekonomi të kemi qytetarë më të shëndoshë, më të përgaditur dhe më të gatshëm për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme. Me investime të duhura edhe nga diaspora, Kosova e ka potencialin të kthehet në një shtet shumë të qëndrueshëm dhe me jetë cilësore për të gjithë. Prandaj, është me rëndësi që sa më parë të ndërpritet ky cikël i pushtetit oportunist, të bazuar në interesa vetjake.

“Bota sot”: Mocioni për rrëzimin e qeverisë, qe një kohë të gjatë vazhdon të jetë temë diskutimi, por që përveç diskutimit nuk ka diçka konkrete, ku po çalon konkretizimi i kësaj teme sipas jush?

Yll Rugova: Jam i bindur që mocioni së shpejti do të ketë votat e duhura për të kaluar. Dhe e kam një përshtypje që jo veç opozita, por edhe një pjesë e koalicionit qeveritar janë të interesuar për këtë mocion. Qysh e thash edhe më parë, skandalet që e kanë kapluar këtë qeveri kanë tejkaluar të gjithë kufijtë e qeverisjes së keqe, dhe është imperativ rrëzimi i saj. Me informata që i kam nga takimet intensive që po mbahen, zgjedhjet do të ndodhin shumë shpejtë, me gjasë qysh në vjeshtë të këtij viti.

“Bota sot”: Një koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, është parë si zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga situata aktuale, sa është e mundur që të arrihet një gjë e tillë?

Yll Rugova: Në rrethanat që po ndodhemi është më se e natyrshme që të kemi një përafrim të qëndrimeve të subjekteve opozitare në Kosovë. Prandaj edhe janë intensifikuar takimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mendoj se një koalicion i mundshëm mes dy subjekteve tona do të ishte diçka shumë pozitive, dhe një mundësi shumë e mirë që më shpejtë ta heqim qafe këtë koalicionin aktual qeveritar. Këtë qëndrim timin, me sa kam mundur ta ndjej edhe në opinion, e ndajnë edhe një pjesë e madhe e qytetarëve. E mund të them që edhe me anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilët kam diskutuar është e qartë se janë të një disponimi të njejtë. Natyrisht që rrethanat janë asisoj që duhet të bëhemi bashkë jo vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, po me secilin subjekt, fraksion, organizatë e të gjithë së bashku edhe si qytetarë që ta heqim qafesh këtë qeverisje skandaloze që po i bëhet Kosovës. Mendoj se çështja nuk është aq shumë nëse do të bëhet, por kur do të bëhet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...